Stradija (4/12)
Të nesërmen shkova për vizitë te ministri, i punëve të mbrendshme.
Para ministris nji turmë djelmoshash t’armatosun, me çehre të mrrolshme, çiltazi të pakënaqun që tash dy tri ditë nuk kishin rrahë qytetarët në kët vend me kushtetutë të rreptë.
Koridoret dhe sallat e pritjes rrestik me njerëz që dëshirojnë me dalë para ministrit.
Kush nuk gjindet këtu! Disa janë të veshun elegant, me cilindër në krye, njado, prap, të rreckosun e coplanë e disa të tjerë me dofarë uniformash të larme e shpata për bel.
Nuk deshta me u paraqitë menjiherë te zotni ministri pse deshta me bisedue pakëz me këta njerëz të ndryshëm.
Ma parë e ma dalë hyna në bisedë me nji zotni të ri, elegant dhe ai më tregoi se ka ardhë me kërkue që të hyjë në shërbim shtetnuer në polici.
— Ju, duket, jeni njeri me shkollë? Sigurisht do të ju shtijnë menjiherë në detyrë shtetnore — i thashë.
Djaloshi i ri u trand prej pyetjes sime dhe frigueshëm u suell rreth vedit për me u bindë a thue ndëgjoi ndokush dhe a ia vuni veshin pyetjes sime. Kur pau se gjithë tjerët ishin të nxanun tue folë me shoqi-shojnë, tue i rrahë hallet e tyne, i erdhi fryma dhe mandej më dha shej me krye që të flas ma ngadalë dhe më tërhoq kujdesisht për mange që të rrijmë pak me nji anë, më larg prej tjerëve.
— Edhe ju keni ardhë me kërkue punë, a? — më pyeti.
— Jo. Unë jam i huej. Dëshiroj me folë me ministrin.
— Për kët arsye ju thoni kështu haptas që si njeri me shkollë do të hy menjiherë në shërbim të shtetit! — tha ai me za t’ulët.
— Vallë nuk mund të thuhet kjo, a?
— Mundet, por kjo kishte me më damtue.
— Si kishte me të damtue, përse?
— Sepse në kët degë, këtu, në vendin tonë, nuk i durojnë njerzit me shkollë. Unë jam doktor në drejtsi, por kët punë e mshehi dhe nuk guxoj me ia thanë kurrkujt, sepse, sikur ta merrte vesh ministri, nuk do të më shtinte në punë. Nji sboq i imi, gjithashtu me shkollë, ka qenë i detyruem, për me hy në punë, të paraqesi vërtetim se nuk ka studjue kurr kurrgja, as nuk mendon me studjue — dhe kështu hyni në punë dhc përnjiherë në pozitë të mirë.
Fola edhe me disa dhe midis tjerëve edhe me nji nëpunës me uniformë, i cili m’u ankue se ende nuk ishte gradue, megjithse u kishte mbathë faje për trathti të naltë pesë vetëve që bajshin pjesë n’opozitë.
Unë e ngushllova për kët padrejtsi kaq të madhe që i bahej.
Mandej bisedova me nji tregtar të pasun, i cili më tregoi shum gjana për të kaluemen e vet dhe prej gjithë atyne mbajta në mend vetëm këte se si, para disa vjetësh, kishte mbajtë hotelin ma të mirë në nji pallangë dhe se si sharroi për shkak të politikës, sepse humbi disa qinda dinarë, por përnjiherë, mbas nji mueji, kur erdhën në fuqi njerzit e tij, muer disa kontrata të mira, prej të cilave fitoi nji kapital të madh.
— Në ndërkohë — tha ai — ra kabineti.
— Dhe prap sharruet?
— Jo, u tërhoqa nga fusha politike. Në të vërtetë, në fillim e ndihmojsha me pare fletoren tonë politike, por nuk shkojsha ndër votime as nuk shquhesha fortë në politikë. Nga ana ime ishte mjaft edhe kjo. Tjerët nuk kanë ba as kaq… Edhe më lodhi politika. Pse të dërmohet njeriu tanë jetën! Tash kam ardhë te zotni ministri me iu lutë që, në zgjedhjet e ardhshme, të më zgjedhin për deputet të popullit.
— Paj, ndoshta, deputetin e zgjedh populli?
— Paj, si t’ju them? … Po, ate e zgjedh populli, kështu asht mbas statutit, por zakonisht zgjidhet ai, të cilin e don policija.
Mbas nji bisede të këtillë me publikun, iu afrova shërbëtorit dhe i thashë:
— Dëshiroj me dalë para zotni ministrit.
Shërbëtori më shiqoi mrrolshëm, krenarisht, me njifarë përbuzje dhe më tha:
— Prit! A shef sa njerëz presin këtu?!
— Unë jam i huej, udhtar dhe nuk mundem me e shty punën për nji tjetër ditë — thashë njerzishëm dhe u përkula para shërbëtorit.
Fjala i huej pat efekt dhe shërbëtori shpejt, si i krisun, fugoi në zyrën e ministrit.
Ministri më pranoi menjiherë njerzisht dhe më tha që të rrij, mbasi para kësaj, kuptohet, i tregova, kush jam dhe si quhem. Ministri, ishte trupgjatë njeri i thatë, me shprehje të randë dhe t’ashpër në fytyrë që të largon prej vedit, megjithse orvatej me qenë sa ma i njerzishëm.
— E si po ju pëlqen këtu ndër ne, zotni? — më pyeti ministri tue u qeshë ftoftas, pa zemër.
Unë u shpreha në mënyrën ma lajkatare për vendin dhe popullin dhe shtova:
— Veçanërisht mundem me e urue kët vend të bukur për administratën e mençme dhe t’urtë. Vërtet njeriu nuk din se çka me admirue ma tepër.
— Tëhe, mundet me qenë dhe ma mirë, na mundohemi sa mundemi — tha me mburrje, i kënaqun nga komplimenti im.
— Jo, jo, zotni ministër, pa lajka, të vret zoti me kërkue ma mirë. Populli asht, po e shof, shum i kënaqun dhe i lumtun. Për këto pak dit u banë aq shum kremtime e parada! — thashë.
— Ashtu asht, por në kët kënaqsi të popullit ka gisht edhe merita ime, sepse ia kam dalë në krye me shti në statut, pos gjithë lirive që i janë dhanë dhe garantue popullit plotsisht, edhe këte:
„Çdo qytetar i Stradis duhet patjetër me qenë i kënaqun dhe i gëzueshëm dhe me përshëndetë me gëzim me deputacione dhe telegrame çdo ngjarje me randsi dhe çdo akt të qeveris.”
— E dij, por si mundet kjo, zotni ministër, me u zbatue? — e pyeta.
— Shirni lehtë, sepse çdokush duhet me doemos me iu bindë ligjëve të vendit! — u përgjegj ministri dhe u fry si biban.
— Bukur — vërejta — por sikur të ndodhi ndonji gja e pavolitshme për popullin dhe interesat e tij si dhe për interesat e vendit? Qe, si për shembull, dje kam marrë vesh prej kryetarit të qeveris se asht ndalue në veri eksportimi i thive; si duket, vendi do të pësojë dam shum të madh prej kësaj pune.
— Gja s’e luen, por kjo s’ka pasë çare pa ndodhë; megjithate sot nesër kanë me ardhë shum deputacione prej të gjitha anëve të Stradis për me e urue kryetarin e qeveris për politikën e urtë dhe të marifetshme me at vend kufitar dhe mik! — tha ministri gëzueshëm.
— Kjo nuk hahet prej s’ambli dhe nji vend kësisoji t’urtë njeriu mundet vetëm me e dëshirue; jam i lirë edhe unë si i huej që të ju uroj sinqerisht për at ligjë gjeniale që duel në dritë për meritat tueja dhe e cila e lumxioi vendin dhe i prapsoi të gjitha brengat dhe hallet.
— Për çdo eventualitet, edhe sikur populli bash të harrojë diçka me krye detyrën e vet ndaj ligjës, tue parashique dhe kët rast ma të keq, veç u kam dërgue, para tri ditëve, nji qarkore serkete të gjitha zyrave policore në vend dhe i kam porositë rreptë që populii, për at rast, të vijë me numër sa ma të madh dhe ta urojë kryetarin e qeveris.
— Po sikur mbrenda pak ditëve të çelet rruga për eksportimin e thive — atëherë çka mendoni me ba? — e pyeta njerzisht dhe me kureshtje.
— Nuk ka gja ma të thjeshtë: dërgoj nji qarkore të dytë sekrete, në të cilën e urdhnoj prap policin që të veproj poashtu me ardhë prap populli në numër sa ma të madh për urim. Kjo në fillim medoemos shkon bukur vështirë, por populli shkallë-shkallë mësohet dhe vjen edhe vetë.
— Ashtu asht. keni të dretë! — thashë i habitun prej përgjigjes së ministrit.
— Njeriu, zotni, mundet me ba çdo gja, vetëm kur don dhe kur ka bashkim. Na në qeveri ndihmojmë njani tjetrin që urditni i secilit antar të qeveris të zbatohet sa ma me përpikni. Qe shiqoni, sot ma ka dërgue ministri i arsimit nji qarkore të veten që edhe unë ta ndihmoj dhe t’u urdhnoj organeve poIicore që mvaren prej ministris sime që t’i përmbahen rreptsisht asaj qarkorjeje të Ministris s’Arsimit.
— Ndonji gja me randsi, nëqoftëse guxoj me ju pyetë!
— Gja me shum randsi. Në të vërtetë e domosdoshme; edhe unë i kam ba hapat e duhun. Qe, shifni, — tha dhe ma dha në dorë nji tabak letër.
Mora me lexue:
„Shifet se si tash disa dit gjithnji ma tepër e ma tepër ka nisë me u prishë gjuha në popullin tonë dhe madje disa qytetarë shkojnë aq larg sa, tue harrue nenin ligjuer që thot: „Gjuhën e popullit asnji qytetar nuk guxon me e prishë as me shtrembnue rendin e fjalëve në fjali dhe me përdorë disa forma kundër rregullave të pershkrueme dhe të fiksueme, të cilat i ka urdhnue këshilli i posaçëm i gramatikanëve”, kanë fillue madje edhe fjalën urrejtje, për fat të keq, brutalisht dhe pa asnji arsye me e shqiptue urejtje. Që edhe në t’ardhshmen mos të ndodhin këso dukunish të papëlqyeshme që munden me pasë rrjedhime shum të mëdha për atdhen tonë të dashtun, ju urdhnoj që me fuqin e pushtetit ta mproni fjalën urrejtje të cilën aq e kanë përçudë dhe të dënoni ashpër mbas ligjës cilindo që këte ose ndonji fjalë tjetër ose ndonji formë gramatikore të fjalës, e ndërron në krye të vet, tue mos kqyrë nenet e dispozitat e qarta ligjore.”
— Paj kjo gja a thue u dënueka? — e pyeta i shtanguem prej çudis.
— Ta merr mendja, sepse kjo asht nji gja shum e madhe. Për nji rast të këtillë dënohet fajtori — poqese gabimi vërtetohet me dëshmitarë — prej dhetë deri më pesëmbëdhetë dit burg.
Ministri heshti pak, mandej vazhdoi:
— Duhet të mendoni, zotni, pak kët gja. Ligja me të cilën kemi të drejtë me dënue kedo që përdor fjalët gabimisht dhe ban gabime gramatikore, ka nji vlerë të paçmueshme edhe nga pikëpamja financiare e politike. Mendoni thellë edhe do ta kuptoni si duhet tanë çashtjen.
Orvatem të thellohem në mendime, por asnji ide e urtë nuk më vjen në mend. Sa ma tepër mendojsha, aq ma pak kuptojsha kuptimin e fjalëve të ministrit, në të vërtetë gjithnji ma pak dijsha në lidhje me ate që mendojsha. Ndërsa mundohesha, tue ba orvatje të pasukseshme me mendue për at ligjë të çuditshme në kët vend ende ma të çuditshëm, ministri më shiqoi me buzëqeshje kënaqsije si të donte me thanë se të huejt as afërsisht nuk janë t’arsyeshëm, gjind mendehollë, si populli në vendin e Stradis, të cilit i vjen për dore me trillue gjana aq të mençme, saqë në nji vend tjetër kishin me u konsiderue madje, marrzi!
— Ani, nuk po mundeni me e sjellë ndër mend, a? — tha me buzëqeshje dhe më shiqoi me bisht të synit, tue më shqyrtue.
— Më falni, por nuk po mundem kurrsesi.
— Eh, shiqoni, kjo asht ligja ma e re që ka vlerë të madhe për vendim. Ma parë e ma dalë, dënimet për faje të këtilla paguhen në të holla dhe prej tyne vendi ka t’ardhuna të majme, të cilat i shpenzon për plotsimin e deficitit që gjindet n’arkat e miqve të nji parimi ose në fondin në dispozicion prej kah shpërblehen partizanët e politikës qeveritare; së dyti ajo ligjë, që duket aq naive, mundet me i ndihmue mjaft qeveris në zgjedhjet e deputetëve popullorë, që së bashku me mjetet tjera, të sigurojë shumicën e vet në parlament.
— Mirëpo, ju zotni ministër, thatë se me statut ia keni dhanë popullit të gjitha lirit?
— Ashtu asht. Populli ka të gjitha lirit, por ato nuk i përdor! Në të vërtetë, si të thom, ju e dini, na kemi shum ligjë librale, të cilat duhet të jenë në fuqi, por, diqysh, simbas shprehis ma me qejf i përdorim ligjët e vjetra.
— Po me çfarë qëllimi atëherë keni pru ligjë të reja? — u bana burr dhe e pyeta.
— Te na asht shprehi që sa ma shpesh të ndryshojnë ligjët dhe të ketë sa ma shum sosh. Në kët punë e kemi kalue tanë botën. Vetëm mbrenda dhetë vjetëve të mbramë, janë dhanë pesëmbëdhetë statute, prej të cilave çdonjani nga tri herë ka qenë në fuqi, asht hedhë poshtë dhe mandej prap asht pranue, kështuqë as na, as qytetarët nuk mundemi me u gjetë dhe me dijtë cilat ligjë janë në fuqi dhe cilat janë çfuqizue… Mue ma han mendja, zotni, se në kët punë qëndron përsosmenija dhe kulttira e nji vendi! — shtoi në fund të bisedës.
— Keni të drejtë, zotni ministër, edhe të huejt duhet të ju kanë lakmi për nji organizim kaq t’urtë.
Mbas pak kohe u përshëndeta me zotni ministrin dhe dola në rrugë.