Stradija (5/12)

(Faqja e meparshme)

Në rrugë më zu gafil turma e pamatun e njerëzve, e cila grupe-grupe, shkonte valë-valë nga të gjitha anët, tue u tubue para nji shtëpije të madhe. Secili prej këtyne grupeve të mëdhej njerzish e kishte ngrehë flamurin e vet, në të cilin asht shkrue emni i krahinës, prej së cilës asht populli në grup dhe nën të fjalët: „Çdo gja flijojmë për stradin” ose „stradija për ne asht ma e dashtun se thit!”

Rruga kishte marrë nji dukje të veçantë kremtimi, nëpër shtëpija ishin ngrehë flamujt e bardhë me stemën popullore në midis, të gjitha dyqanet ishin mbyllë dhe çdo qarkullim ishte pre.

— Çka asht kjo? — e pyeta me kureshtje nji zotni në rrugë.

— Festë. Vallë s’e keni dijtë?

— Nuk e kam dijtë.

— Paj për të shkruhet nëpër fletore tashma tri dit. Burri i shtetit dhe diplomati ynë që ka merita të mëdha e të stërmëdha për atdhe, influencë vendimtare në politikën e jashtme e të mbrendshme të vëndit thonë, ka pasë rrufë të randë, e cila u shërue me mëshirën e zotit dhe me interesimin e sinqertë të mjekëve ekspertë dhe kështu, ajo nuk ka me pengue burrin e shtetit, të madh dhe mentar që tanë kujdesin dhe përpjekjen e vet ta kushtojë për të mirën dhe lumnin e këtij vendi të vuejtun dhe ta çojë këte kah nji ardhmëni ende ma të mirë.

Gjindja u mblodh para shtëpis së burrit të madh të shtetit në nji numër aq të madh sa edhe shiu ma i fortë nuk do të mundte me ra në tokë prej burrave, grave e fëmijve. Burrat i kanë heqë fesat, kurse në çdo grup gjindet nga nji njeri të cilit i del pakez prej xhepit fjalimi i shkruem patriotik.

Në ballkon të shtëpis së vet u paraqit burri i shtetit, i thimë, dhe vigma shum e madhe „Rrnoftë!” çau ajrin dhe jehoi nëpër tanë qytetin. Në gjitha shtëpit përqark kishin zbukurue dritaret me lule dhe në to u çfaqën shum krena. Gardhiqet dhe muret rreth shtëpive, kulmet, të gjitha këto plot me njerëz kureshtarë, madje dhe në çdo baxhë të tavanit shiqojnë tinëz barem dy tre krena.

U ndaluen brohoritjet, mbretnoi qetsi vorri, ndërsa prej turmës filloi me vikatë zani i hollë e i dridhshëm:

— O burrë shteti mentar! …

— Rrnoftë, rrnoftë, rrnoftë — e ndërpren kuvendtarin brohoritjet e bujshme dhe të fuqishme, dhe kur u qetsue turma patriotike, kuventari vazhdoi:

— Populli i krahinës sime derdh lot të nxehtë prej gëzimit dhe tue ra në gjuj falënderon krijuesin e plotmshirshëm që me mirsin e vet e çmangu mjerimin e madh nga populli ynë dhe të dëshiron ty, o burrë i virtyshëm i shtetit, jetë të gjatë për lumnin e popullit dhe krenarin e vendit! — mbaroi kuvendtari, ndërsa me mija gërmaza brohoritën:

— Rrnoftë!

Burri i shtetit, mentar, falënderoi kuvendtarin për urimin e sinqertë dhe përmendi se të gjitha mendimet dhe ndjenjat e tij do të jenë dhe në t’ardhmen të drejtueme në punën që të forcohet kultura, ekonomija dhe mirëqenja e atdheut të dashtun.

Ta merr mendja, mbas fjalimit të tij përsëritet shum herë: „Rrnoftë!”

Tash kështu u radhitën nja dhetë kuvendtarë nga krahina të ndryshme t’atdheut dhe mbas çdo fjalimi, burri i shtetit, plak, përgjigjet me fjalime patriotike dhe plot përmbajtje. Natyrisht, gjatë gjithë kësaj përzihej „Rrnoftë-ja” entuziaste dhe bumbulluese.

Vazhdoi gjatë derisa u kryen të gjitha këto ceremoni dhe kur muerën fund, filloi me ra muzika nëpër të gjitha rrugët dhe gjindja shetitshin poshtë e nalt, tue madhnue kështu festën.

Në mbramje u ba ndriçim dhe prap muzika, shoqnue me pishtarë të ndezun, të cilët i mbante turma patriotike e njerëzve, çau ajrin nëpër rrugë të këtij qyteti të lumtun; në naltsi, në qiellin e errtë, u shkapërderdhën fishekzarët dhe ndriçoi emni i burrit të madh të shtetit, i cili duket si me qenë i gërshetuem me hyjz t’imtë.

Mabs kësaj erdhi nata e thellë, e qetë dhe qytetarët patriotë të vendit të bukur — stradis të lodhun tue krye detyrat e nalta qytetare, banë gjumin e ambël tue andrrue t’ardhmen e lumtun dhe madhnin e atdheut të dashtun.

Shpartallue prej këtyne mbresave të çuditshme, nuk mujta me fjetë tanë natën e lume dhe para agimit më kapi gjumi veshun dhe, me krye të mbështetun në tavolinë, m’u duk sikur ndjeva nji za të tmershëm djalli me zgërdhimje smirzezë:

— Ky asht atdheu yt! ha-ha-ha!…

U trondita dhe krahnori m’u dridh nga nji parandjenjë e tmershme, kurse ndër veshë jehoi zgërdhimja smirzezë:

— Ha, ha, ha, ha.

Të nesërmen u shkrue për kët festë në të gjitha fletoret e vendit dhe veçanërisht në fletoren qeveritare, në të cilën, pos kësaj, gjindeshin plot telegrame nga të gjitha krahinat e stradis, ndër të cilat, me nënshkrime të shumta të panumërta, ankoheshin që nuk kishin mujtë me mbërrijtë për të çfaqë personalisht gëzimin e vet për shërimin e lumnueshëm të burrit të madh të shtetit.

Veç kësaj, mjeku kryesuer i burrit të shtetit u ba përnjiherë i lavdishëm. Në të gjitha fletoret mund të lexohej se si qytëtarët e vetëdijshëm të këtij apo t’atij vendi, të këtij apo t’atij rrethi ose krahine, tue çmue meritat e mjekut Miron (kështu quhej) do të blejnë dhunti të këtillë e t’atillë të çmueshme. Ndër disa ftetore shkruhej:

„Kemi marrë vesh që edhe qyteti Stradija, simbas shembullit të qyteteve tjera, përgatit dhuratë të çmueshme për mjekun Miron.” Kjo do të jetë nji statujë e vogël sermi e Eskulanit, i cili do të mbajë ndër duer gjithashtu nji divit sermi, rreth të cilit thurën dy gjarpij të praruem n’ar dhe diamantë në vend të syve dhe në gojë mban lule. Në krahnorin e Eskulanit do të jenë të gdhenduna me ar: „Qytetarët e qytetit Stradija, në shëj mirënjohjeje të përjetshme ndaj Atdheut, mjekut Miron”.

Fletoret u mbushën përplot me lajme të tilla. Gjithkund nëpër vend përgatiteshин dhurata të çmueshme për mjekun e me telegrame i shprehej mirënjohja këtij mjeku të lumtun. Nji qytet ishte gëzue aq tepër, saqë filloi madje me i ngrehë nji vilë madhështore, në të cilën ka me qenë e ngulun në mur nji rrasë e madhe mermeri dhë n’at rrasë shprehja e mirënjohjes popullore.

Tashma kuptohet vetvetiu, u pа dhe u shumzue përnjiherë fotografija, e cila paraqitte se si burri i madh i shtetit rroket dorë për dore dhe falënderon mjekun për interesimin e sinqertë. Nën te asht teksti:

„Të falënderoj ty, Miron besnik, ti e largove prej meje sëmundjen, e cila më pengonte që ta kushtoj tanë përpjekjen për lumtunin e atdheut tim të dashtun!”

— Unë e kam krye vetëm detyrën time të shejtë ndaj atdheut.”

Mbi kryet e tyne, bredh në re nji pllumb dhe në sqep ban nji shirit në të cilin gjinden fjalët:

„Krijuesi i mshirshëm largon çdo kob prej Stradis, të cilën e ka në zemër.”

Sipër pllumbit gjindet nji titull i madh: „Për kujtim të ditës së shërimit të lumnueshëm të burrit të madh të shtetit Simon (mendoj se kështu quhej, poqese e kam mbajtë në mend mirë.)

Nëpër të gjitha rrugët dhe hotelet, fëmijt bajnë këto fotografi dhe vikasin me sa za kanë:

— Fotografi të reja: Burri i shtetit Simon dhe mjeku Miron!…

Kur lexova disa gazeta të vendit (gati në çdonjanën gjindej fotografija e hollsishme e mjekut të përmendun e patriot) e ndava menden që të shkoj te zotni ministri për ekonomin e vendit.

Ministri i ekonomis, bukur në moshë, burrac i hajthëm, xne thija nëpër flokë, me syza në hundë, më priti ma me njerzi se sa mujsha me pritë. Më vuni që të rrij pranë tavolinës së vet, kurse ai ndejti pranë tavolinës. Tavolina ishte e mbushun me disa libra të vjetër me fletë të zverdhueme dhe me kllefa të grisun nga përdorimi i gjatë.

— Menjiherë do të lavdoj vedin para jush. Nuk mund t’a besoni sa jam i kënaqun! Çka mendoni, çka kam zbulue?

— Ndonji mënyrë se si keni me mujtë me e përsosë ekonomin në vend.

— O, jo! Ç’farë ekonomije. Ekonomija asht e përsosun me ligjë të mira. Për te as që duhet me mendue ma.

Unë heshta tue mos dijtë çka me i thanë, kurse ai më tha me nji buzëqeshje t’ambël e të butë, tue ma tregue alamet libri të vjetër.

—Çka mendoni, cila veper asht kjo?

Unë shtihem sikur po kujtohem, kurse ai prap me atë buzëqeshjen e ambël:

— „Iliada” e Omerit!… Por botim shum, shum… i rrallë!… foli tue ambëlsue çdo fjalë dhe zu me më shique me kureshtje se si kjo do të më lajë gojë hapët.

Vërte u habita, por vetëm për arsyena tjera, mirëpo u shtina se si më habit bash kjo gja e rralë.

— Këte e keni shum gja të bukur — thashë.

— Por kur të ju thom ende se ky botim nuk gjindet ma!…

— Po kjo asht gja e madhnueshme! — bërtita si i gëzuem tepër dhe fillova me e kundrue librin tue u shti si shum i prekun dhe i interesuem për kët gja të rrallë.

Mezi ia dola me pyetje të gjithfarshme me e ndërrue bisedën prej atij Omerit të tij, për të cilin nuk kam ndëgjue kurr asnji fjalë për be.

— Marr lirin, zotni ministër, që të ju pyes në lidhje me ato ligjët e vlefshme ekonomike — thashë.

— Këto janë ligjë, në të vërtetë fjalë, klasike. Asnji vend, besoni nuk shpenzon në ngritjen e ekonomis sa vendi ynë.

— Ashtu dhe lypset, — thashë — ky asht dhe themeli ma me randsi për përparimin e çdo vendi.

— Këte, kuptohet, dhe e kam pasë në mend kur ia dola punës në krye që të bahen ligjë sa ma të mira dhe t’aprovohet buxheti sa ma i madh për ngritjen e ekonomis dhe t’industris së vendit.

— Sa asht buxheti, po të më lejoni me pyetë, zotni ministër?

— Vjetin e kaluem, kur ka qenë ministri tjetër, buxheti ka qenë ma i vogël, por se unë ia mbërrina, me mundim dhe përpjekje që në buxhet të hyjnë pesë miljon dinarë!

— Këto për vendin tuej janë mjaft!

— Mjaft… Eh, tash, shifni, në ligjë ka hy edhe kjo pikë:

—  Drithi dhe të mbjellunat në përgjithsi, dunet të paguejnë medoemos sa ma tepër dhe duhet me pasë sa ma shum sish.

— Kjo asht nji ligjë e volitshme — thashë.

Ministri buzëqeshi me kënaqsi dhe vazhdoi:

— I kam nda nëpunsit simbas degëve të tyne, kështuqë çdo katund e ka zyrën ekonomike prej pesë nëpunsish, prej të cilëve ma i madhi asht drejtori i ekonomis dhe i organizimit të punëvet ekonomike të katundit filan fëstëk. Mandej në çdo qendër të rrethit gjindet ekonomi për rreth me personel të madh nëpunsish, mbi të gjithë janë ekonomët e krahinës, që janë nja njizet, n’aq krahina në sa asht i ndamë vendi ynë. Çdonjani prej ekonomëve të krahinës ban mbikqyrjen totale me nëpunsit e vet dhe vëren mbi të gjithë nëpunsit tjerë a e kryejnë detyrën e tyne dhe ndikon për fuqizimin e ekonomis në tanë krahinën. Me anën e tij ministrija (e cila ka njizet drejtori dhe në secilën nga nji drejtor me nji numër të madh nëpunsish), korespondon me gjithë krahinën. Çdo drejtor në ministri korespondon me njanin prej ekonomëve të krahinës dhe ata mandej e lajmrojnë ministrin nëpërmjet të sekretarëve të tyne personalë.

— Atëherë kjo qenka administratë e tmershme — vërejta une.

— Shum e madhe. Ministrija jonë ka numrin ma të madh se të gjitha tjerat. Nëpunsit nuk kanë kur me e çue kryet prej akteve gjithë ditën e lume.

Mbas nji heshtjeje të vogël, ministri vazhdoi:

— Veç kësaj e kam ujdisë punën që çdo katund të ketë nji sallë leximi të rregullueme mirë, e cila duhet të jetë e furnizueme patjetër me libra të mira për punimin e tokës, silvikulturë, blegtori, apikulturë dhe degë tjera t’ekonomis.

— Katundarët sigurisht lexojnë me gëzim?

— Leximi asht i detyrueshëm, si detyrimi ushtarak. Dy orë paradreke, dy orë mbasdreke çdo katundar punues s’ka çare pa i kalue në sallën e leximit, ku lexon (ose i lexojnë poqese asht analfabet) dhe pos kësaj nëpunsit u mbajnë konferenca në lidhje me punimin bashkëkohuer dhe racional të tokës.

— Po kur punojnë atëherë në fushë? — e pyeta.

— Eh, shiqoni si asht. Në fillim duket ashtu. Kjo asht nji mënyrë pune e javashët, e cila në kohën e parë duket e papërshtatshme, por mandej ka me u pa ndikimi mirëbas i kësaj reforme të madhe. Simbas bindjes sime të thellë, gjaja ma me randsi asht të bluhet mirë teorija se mandej shkon puna lehtë dhe atëherë shifet se krejt kjo kohë e kalueme në studimin teorik t’ekonomis, shpërblehet njiqindfish. Lypset, or zotnija im, me pasë bazë të fortë; temel të shëndoshë dhe mandej me ngrehë ndërtesën! — mbaroi fjalën ministri dhe nga tronditja e fshiu djersën prej ballit.

— I miratoj poltsisht botëkuptimet tueja gjeniale për ekonomi, — thashë tepër i gëzuem.

— Dhe kështu me të vërtetë i kam nda bukur pesë miljona: dy miljona për nëpunsit, nji miljon honorar shkrimtarëve për libra ekonomikë, nji miljon për themelimin e bibliotekave dhe nji miljon për shpeiizime udhtimi të nëpunësve. Këto bajnë rrafsh pesë miljon.

— Kët punë e paskeni ujdisë për mrrekulli!… Mjaft po shpenzueki edhe për biblioteka.

— Eh, shifni, unë tash kam dhanë nji qarkore që, përpos librave ekonomikë të blejnë edhe libra mësimi për gjuhën greke dhe latine, kështuqë katundarët mbas punës në fushë të mujnë, tue i mësue gjuhët klasike, me u fisnikue. Çdo sallë leximi ka Omerin, Tacitin, Paterkulin dhe plot vepra tjera të bukura të literatyrës klasike.

— Mrrekulli! — bërtas tue i hapë krahët dhe ngrihem menjiherë, përshëndetem me zotni ministrin dhe nisem, sepse tashma m’ushtonte kryet prej kësaj reforme të madhe, të cilën nuk mujta me e kuptue.

(Faqja tjetër)

Ознаке:, , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

About Домановић

https://domanovic.wordpress.com/about/

Оставите одговор

Попуните детаље испод или притисните на иконицу да бисте се пријавили:

WordPress.com лого

Коментаришет користећи свој WordPress.com налог. Одјавите се /  Промени )

Google photo

Коментаришет користећи свој Google налог. Одјавите се /  Промени )

Слика на Твитеру

Коментаришет користећи свој Twitter налог. Одјавите се /  Промени )

Фејсбукова фотографија

Коментаришет користећи свој Facebook налог. Одјавите се /  Промени )

Повезивање са %s

%d bloggers like this: