Anulimi i epsheve
Na Sërbët, i qofshim falë Zotit të mëshirshëm, kemi krye të gjitha pimët tona dhe vetëm tash mujmë, kështu ngaeshëm, me gojitë sa të na dojë qejfi, me dremitë, me u shkrrye dhe me fjetë, e kur të mërzitemi edhe prej këtyne punëve, mujmë, sa për tallje, me dalë që të shofim çka bajnë njerzit ndër vende të pafat. Thonë — i raftë gurit e drunit e sa ma larg prej nesh — se gjinden vende, ku njerzit vazhdimisht grihen e coptohen për disa të drejta për njifarë lirije dhe sigurimi personal. Lëkura i tërqethet njeriut kur mendon për fatzezë të këtillë, që ende nuk i kanë rregullue punët e veta shtëpijake, kurse na kemi mbërrijtë tashma ta mbarshtojmë Kinën e Japonin. Çdo ditë shkojmë gjithnji ma larg nga vendi ynë, e, poqese zgjat kështu, gazetarët tanë kanë me u nisë me sjellë lajme prej Marsit, Merkurit, ose, n’instancën e mbrame, prej Hanës.
Dhe unë jam antar i këtij populli të lumtun, dhe, qe, dëshiroj, për ta kënaqë modën që të ju tregoj për nji vend të largët, shum të largët, jashtë Europës, çka gjindej në te moti, shum moti.
Nuk dihet pikërisht ku gjindej ai vend, si quhej populli i tij, por me hamendje, nuk gjindet n’Europë, kurse populli mund të thirret me çdo emën qotfë, vetëm jo me emnin sërb. Në kët pikë pajtohen gjithë historianët ma të vjetër, kurse të rijt ndoshta kanë më vërtetue dhe të kundërtën. Tekembramja kjo edhe nuk asht puna jonë, prandej po e la kët punë edhe poqese e shkeli zakonin, simbas të cilit duhet me folë edhe për at send që nuk e dijmë dhe me punue at punë për të cilën nuk jemi.
Dihet me siguri se ai popull ishte shum i prishum dhe i pahajr, deng me vese dhe epshe të këqija, prandej kam edhe me ju dëfrye me te në kët tregimth.
Natyrisht, të dashtunë lexuesa, Ju nuk mundeni me besue menjiherë se kanë mujtë me egzistue kurdo qoftë njerëz aq të prishun, por ta dini, se gjithë kët tregimth e kam punue simbas shkrimeve të vjetra, të cilat i kam në dorë.
Qe, të përkthyem pikë për pikë, disa denoncime të ministrave të ndryshëm.
„Bujku N. N. prej Karës sot mbas lavrimit u kthye në mejhane, piu kafe dhe i lexoi me epsh fletoret në të cilat sulmojnë ministrat e sotshëm…”
„Mësuesi T. prej Borkës, tek sa del prej shkolle, tubon katundarët rreth vedit dhe iu mbushë mendjen që të themelojnë ekipën korale. Përpos kësaj, ai mësues luen rrasash me shegërta, kurse me nxanës luen me sumbulla, dhe asht shum i damshëm e i rrezikshëm. Disa katundarëve u ka lexue libra dhe u ka ofrue që t’i blejnë. Ky njeri i keq nuk mimd të durohet, sepse e prish moralisht tanë rrethinën dhe u çpifet qytetarëve të qetë e të ndershëm se si kërkojnë liri kurse për vetë çashtjen, flet vazhdimisht se si lirija asht ma e ambël se çdo send. Pin duhan shum dhe pshtyn kur pin duhan.”
„Prifti Gj. prej Sarës, mbas meshës në faltore, ka shkue në nji mbledhje politike në qytetin e afërt.”
Qe, shifni, çfarë skandalesh ndodhin në botë.
Vreni matej.
„Gjykatsi S… sot ka votue për administratën komunale. Ky gjykatës i pamarre merr fletoren e opozitës dhe e lexon me epsh. Pat guxim me thanë në gjyq se nuk asht aspak fajtuer nji katundarë që pandehet për fyemjen dhe kundërshtim pushteti, para dëshmitarëve tha se nuk do të blejë kurrgja në dyqanin e kryeplakut Gabor. Përpos kësaj, po ai gjykatës rrin i mendueshëm e kjo asht provë e qartë se asht plot me vese dhe sigurisht trillon ndonji komplot të madh kundra regjimit të sotshëm. Duhet me e paditë për fyemje të sundimtarit, sepse ai tekembramja nuk mundet me qenë mik i dinastis, mbasi shkon në kafe te kafexhiu Mor, e gjyshi i Morës ka qenë mik i ngushtë me probatimin e Leonit që bani at tollovi në Jamb, kundra veqilave t’Oborrit mbretnuer, të gjyshit të sundimtarit të sotshëm!”
Gjindeshin njerëz edhe ma të këqij në kët vend fatkeq. Lexoni vetëm kët denoncim:
„Avokati prej Tulës përfaqsoi nji të vobekët, babën e të cilit e mbytën vjetin e kaluem. Ai avokati pin birrë me epsh dhe shkon në gjueti dhe çka asht ende ma zi, ka themelue njifarë grupi për të ndihmue të vobekët në rrethinën tonë. Ky asht ai bastardhi faqezi që flet se spiunët e shtetit janë njerzit ma të këqij!”
„Profesori T… ka vrapue nëpër qytet me fëmij të ndryshëm avanturista dhe ka vjedhë dardha prej pemëshitsit, kurse dje ka gjuejtë me llastik pëllumba dhe ka thye nji dritare në nji ndërtesë shtetnore. Këto faje dhe kishin me mujtë me iu falë, por ai shkon në mbledhje politike, voton ndër zgjedhje, bisedon me qytetarët lexon fletoret, flet për huan shtetnore dhe çfarë turpsinash nuk ban ende në dam t’arsimtarit!”
„Katundarët prej Barës kanë fillue me ndertue shkollën e re dhe si duket, me kët ves do të flliqet tanë rrethina. Duhet me e ndalue nji orë e ma parë kët korent të ndytë, të damshëm për shtetin!”
„Zanatlit prej Barës themelojnë sallën e leximit dhe tubohen në te për çdo mbramje. Ky epsh ka zanë rrajë të thellë, veçanërisht te të rijt, kurse pleqt janë të mendimit që përpos sallës së leximit të themelojnë — fondin e pensionit të zanatlive. Kjo nuk mund të durohet në krahinën tonë sepse u ep shembull të keq gjithë qytetarëve të ndershëm që nuk shajnë ministrat!… Nji zanatli madje kërkon ndamjen e punës!… Epshe rrënqethse!…”
„Katundarët prej Padovës kërkojnë vetëqeverimin komunal! Qytetarët në Trojë lirin e zgjedhjeve”
„Shum nëpunës të këtushëm kryejnë me ndërgjegje punën e vet, pos kësaj, i bijnë flautës dhe i dijnë notat!”
„Sekretari Miron kërcën epshëm ndër çfaqje dëfrimi dhe han farë të krypshme tue pi birrë. Duhet me e qitë prej punës që të sherohet prej atyne epsheve”.
„Mësuesja Hella blen lule çdo mëngjes dhe kështu skandalizon tanë rrethinën. Nuk mund të durohet, sepse ka me na prishë rinin”.
Kush do të kishte mujtë me i radhitë tana epshet e ndyta të këtij populli fatkeq? Asht mjaft me thanë se ishin vetëm dhetë vetë të vlefshëm dhe të pastër në tanë vendin, kurse krejt tjerët, dhe burrat dhe grat dhe pleqt dhe të rijt, të prishiun në temel si thuhet.
Çka mendoni, si do t’u jetë dukë vehtja atyne dhetë vetëve të mirë në kët vend të prishun?… E randë, shum e randë, ma së forti për shkak se ishin të detyruem me shique medoemos shkatrrimin e vendit të tyne të lindjes, të cilin e dojshin aq nxehtsisht. Nuk flejshin as ditën as natën nga kasaveti: Si do t’i përmirsojnë bashkëqytetarët e vet krahthatë, si do ta shpëtojnë vendin nga shkatrrimi? Plot me flakë patriotlke, plot me virtyte e fisniki, ishin në gjendje me durue të gjitha flijimet për lumnin e atdheut të vet. Dhe nji ditë prej ditësh shtrënguen zemrën trimneshë, përkulën kryet përpara vullnetit të fatit t’idhët i cili u caktoi barrën e randë që të bahen ministra, dhe muerën mbi vedi detyrën fisnike që ta pastrojnë vendin nga mëkatet dhe epshet.
Ishin të kulturuem, por nuk ishte punë e lehtë me i dalë në krye menjiherë njij ndërmarrjeje kaq të randë. Në fund, njiherë, atyne që ishin ma mendjetrashë (këta n’at populi njifshin si ma mendjehollët) u vetoi nëpër krye mendimi se duhet me e mbledhë Parlamentin populluer, por që në te punën ta kenë në dorë të huejt. Të gjithë e pranuen kët ide të mrekullueshme dhe muerën me shpenzimet e shtetit me mëditje, dyqind vetë dhe kaq kapën të huej të cilët i kishte qitë puna rastsisht në kët vend për tregti. Këta u mprojtën, kundërshtuen, por zori i bacës s’ka kufi!
Kësodore u mblodhën katërqind të huej që të jenë deputetë dhe të zgjidhin çashtje të ndryshme për lumnin e vendit, të jenë shprehje e dëshirave të popullit.
Kur kryen punë kështu dhe gjetën nji numër të mjaftueshëm njerzish, të cilët i emnuen deputetë të popullit, menjiherë shpallën edhe zgjedhjet e deputetëve të popullit. Mos u çuditni për këte, sepse nji zakon i këtillë mbretnonte n’at vend.
Filluen mbledhjet e parlamentit — vendosin, flasin, diskutojnë… Nuk asht lehtë me krye nji detyrë kaq të randsishme. Gjithçka ishte lehtë dhe ecte shpejt, por teksa erdhi puna te epshet, menjiherë u hasën vështirsina derisa u gjet dikush dhe propozoi që të vendoset anulimi i të gjitha epsheve të vendit.
— Rrnoftë folsi, rrnoftë! — gjimon në sallën e parlamentit brohoritja e gëzueshme prej të gjithë gërmazeve.
Të gjithë e pranuen me gëzim propozimin dhe u muer vendimi:
„Përfaqsija e popullit tue pa se epshet pengojnë përparimin e popullit e ndien vedin, të shtym që të shtojë, në ligjin e ri edhe kët pikë e cila thot:
„Të gjitha epshet mejnë prej sodit dhe anulohen si të damshme për popullin dhe vendin”.
Nuk kaluen as pesë minuta prejse u nënshkrue ligji për anulimin e epsheve për të cilin u shamatuen vetëm deputetët dhe shifni çka ndodhi në popull në të gjitha anët pa ndryshim.
Asht mjaft që të ju përmendi të përkthyem nji vend prej shënimeve të dikujt:
Qe fjalë për fjalë çka thot shënimi.
„…Kam pi duhan epshëm. Sa zgjohesha menjiherë në cigare. Nji ditë u zgjova, dhe e mora kutin me duhan dhe e dredha (simbas zakonit) cigaren. Diqysh m’erdhi si punë e papërshtatshme (atëherë bash ai deputeti propozoi) kur, qe, befas ndjeva se si m’u dridh dora vetë dhe cigarja, e shiqova dhe pshtyna me neveri…” „Nuk due me pi ma” — mendova dhe duhani më duket i ndytë dhe nuk muj me e shique me sy. U çudita çka më ngjau kështu befas dhe dola n’oborr. Kur atje, çka me pa! Para derës kojshija im gjithmonë i dejun, që nuk mundte me ndejtë pa venë asnji çast, qëndronte burri i dheut esull, kqyrte para vëdit dhe kruente kryet.
— Qe ta pruna venën — i tha sherbëtori dhe ia dha shishen si dhe ma parë.
Kojshija im e kapi shishen dhe e përplasi për toke, ajo u thye pirra pirra.
— Uh, sa gja e neveritshme! — vikati ai me urrejtje, tue kqyrë venën e derdhun.
Mandej heshti gjatë dhe kërkoi sheqer me ujë.
Ia pruen, e piu sheqerin me ujë dhe shkoi në punë.
Grueja e tij filloi me qa prej gëzimit kur pau se si burri i saj u përmirsue aq fort.
Njani prap, kojshija tjetër, që lexonte epshëm fletoret rrin te skaj i dritares së hapun, e edhe ai dukej disi i ndryshuem dhe i çuditshëm.
— A i keni marrë fletoret? — e pyeta unë.
— Nuk muj me i shique ma fletoret, kaq fort, diçka më janë neveritë. Bash tash jam tue mendue që të marr me lexue arkeologjin ose gramatikën e greqishtes — u përgjegj ai, e unë kalova dhe dola në rrugë.
Tanë qyteti ka ndryshue. Nji politikan i epshëm, ishte nisë me shkue në nji mbledhje politike. Ecte burri i dheut rrugës kur qe përnjiherë u kthye dhe vrapoi mbrapa thuese e ndoqi ndokush.
Fillova me u çuditë çka i ndodhi dhe e pyeta pse u kthye kaq shpejt.
— U nisa në mbledhje, kur qe befas më ra në xnend se asht ma mirë me shkue në shtëpi, me porositë ndonji libër bujqsije dhe industrije shtëpijake dhe me lexue e me u përsosë në punë. Çka kam me ba në mbledhje — tha ai dhe ngarendi në shtëpi që të studjojë lavërtarin.
Nuk mujta me ia spjegue vedit çudin qe ndodhi befas, u ktheva në shtëpi dhe mora me shfletzue psikologjin. Deshta me lexue pjesën në lidhje me epshet.
Hasa në fletën ku shkruen „Epshet”. Kishte mbetë vetëm titulli kurse krejt pjesa tjetër ishte zbardhë, paj thuese kurr nuk ishte shkrue në te asnji send!
O, çka asht tash kjo, pash emnin e Zotit?!
Në tanë qytetin nuk mundesh me gjetë kurrkund njeri të keq dhe t’epshëm për çdo gja qoftë dhe deri kafshët u banë ma të mençme!
Të nesërmen lexuem në fletore vendimin e parlamentit. Deshta me lexue gjithashtu në lidhje me epshet.
— Ah, ha, kjo asht, pra! — Bërtet secili. Çuditemi na çka u ba me ne, po këte a po e shef, parlamenti anuloi epshet!
Këto shënime janë të mjaftueshme me spjegue çka ndodhi në popull kur në parlament u aprovue ligji për anulimin e epsheve.
Tashma të gjithë e gjithkush e muer vesh kët gja dhe çudija prani, kurse mësimdhansit u epshin mësim nxanësve nëpër shkolla në kët mënyrë:
„Dikur gjindeshin në shpirtnat e njerëzve edhe epshet dhe këto kanë qenë njana prej pjesëve ma të ngatrrueme e ma të randa në psikologji, por me vendimin e parlamentit epshet janë anulue, kështuqë tash nuk gjindet ajo pjesë në psikologji sikurse as epshet nuk ekzistojnë në shpirtin e njeriut. Epshet janë anulue me datën … vjeti …”
— Shyqyr Zotit që nuk jemi të detyruem me i mësue! — pëshpëritshin nxansit, të kënaqun me kët vendim të parlamentit, sepse për orën e ardhshme duhet vetëm me mësue:
„Me datën … vjetin …, me vendimin e parlamentit janë anulue të gjitha epshet dhe kështu nuk ekzistojnë ma asish në njerëz!…”
Posa ta flasë këte pa gabim merr notën shum të mirë.
Qe, kështu ai popull shpëtoi me shpejti prej epsheve, u përmirsue dhe prej atij populli, simbas dofarë gojdhanash, lindën engjujt…
Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)