Tag Archive | prift

Anulimi i epsheve

Na Sërbët, i qofshim falë Zotit të mëshirshëm, kemi krye të gjitha pimët tona dhe vetëm tash mujmë, kështu ngaeshëm, me gojitë sa të na dojë qejfi, me dremitë, me u shkrrye dhe me fjetë, e kur të mërzitemi edhe prej këtyne punëve, mujmë, sa për tallje, me dalë që të shofim çka bajnë njerzit ndër vende të pafat. Thonë — i raftë gurit e drunit e sa ma larg prej nesh — se gjinden vende, ku njerzit vazhdimisht grihen e coptohen për disa të drejta për njifarë lirije dhe sigurimi personal. Lëkura i tërqethet njeriut kur mendon për fatzezë të këtillë, që ende nuk i kanë rregullue punët e veta shtëpijake, kurse na kemi mbërrijtë tashma ta mbarshtojmë Kinën e Japonin. Çdo ditë shkojmë gjithnji ma larg nga vendi ynë, e, poqese zgjat kështu, gazetarët tanë kanë me u nisë me sjellë lajme prej Marsit, Merkurit, ose, n’instancën e mbrame, prej Hanës.

Dhe unë jam antar i këtij populli të lumtun, dhe, qe, dëshiroj, për ta kënaqë modën që të ju tregoj për nji vend të largët, shum të largët, jashtë Europës, çka gjindej në te moti, shum moti.

Nuk dihet pikërisht ku gjindej ai vend, si quhej populli i tij, por me hamendje, nuk gjindet n’Europë, kurse populli mund të thirret me çdo emën qotfë, vetëm jo me emnin sërb. Në kët pikë pajtohen gjithë historianët ma të vjetër, kurse të rijt ndoshta kanë më vërtetue dhe të kundërtën. Tekembramja kjo edhe nuk asht puna jonë, prandej po e la kët punë edhe poqese e shkeli zakonin, simbas të cilit duhet me folë edhe për at send që nuk e dijmë dhe me punue at punë për të cilën nuk jemi.

Dihet me siguri se ai popull ishte shum i prishum dhe i pahajr, deng me vese dhe epshe të këqija, prandej kam edhe me ju dëfrye me te në kët tregimth.

Natyrisht, të dashtunë lexuesa, Ju nuk mundeni me besue menjiherë se kanë mujtë me egzistue kurdo qoftë njerëz aq të prishun, por ta dini, se gjithë kët tregimth e kam punue simbas shkrimeve të vjetra, të cilat i kam në dorë.

Qe, të përkthyem pikë për pikë, disa denoncime të ministrave të ndryshëm.

„Bujku N. N. prej Karës sot mbas lavrimit u kthye në mejhane, piu kafe dhe i lexoi me epsh fletoret në të cilat sulmojnë ministrat e sotshëm…”

„Mësuesi T. prej Borkës, tek sa del prej shkolle, tubon katundarët rreth vedit dhe iu mbushë mendjen që të themelojnë ekipën korale. Përpos kësaj, ai mësues luen rrasash me shegërta, kurse me nxanës luen me sumbulla, dhe asht shum i damshëm e i rrezikshëm. Disa katundarëve u ka lexue libra dhe u ka ofrue që t’i blejnë. Ky njeri i keq nuk mimd të durohet, sepse e prish moralisht tanë rrethinën dhe u çpifet qytetarëve të qetë e të ndershëm se si kërkojnë liri kurse për vetë çashtjen, flet vazhdimisht se si lirija asht ma e ambël se çdo send. Pin duhan shum dhe pshtyn kur pin duhan.”

„Prifti Gj. prej Sarës, mbas meshës në faltore, ka shkue në nji mbledhje politike në qytetin e afërt.”

Qe, shifni, çfarë skandalesh ndodhin në botë.

Vreni matej.

„Gjykatsi S… sot ka votue për administratën komunale. Ky gjykatës i pamarre merr fletoren e opozitës dhe e lexon me epsh. Pat guxim me thanë në gjyq se nuk asht aspak fajtuer nji katundarë që pandehet për fyemjen dhe kundërshtim pushteti, para dëshmitarëve tha se nuk do të blejë kurrgja në dyqanin e kryeplakut Gabor. Përpos kësaj, po ai gjykatës rrin i mendueshëm e kjo asht provë e qartë se asht plot me vese dhe sigurisht trillon ndonji komplot të madh kundra regjimit të sotshëm. Duhet me e paditë për fyemje të sundimtarit, sepse ai tekembramja nuk mundet me qenë mik i dinastis, mbasi shkon në kafe te kafexhiu Mor, e gjyshi i Morës ka qenë mik i ngushtë me probatimin e Leonit që bani at tollovi në Jamb, kundra veqilave t’Oborrit mbretnuer, të gjyshit të sundimtarit të sotshëm!”

Gjindeshin njerëz edhe ma të këqij në kët vend fatkeq. Lexoni vetëm kët denoncim:

„Avokati prej Tulës përfaqsoi nji të vobekët, babën e të cilit e mbytën vjetin e kaluem. Ai avokati pin birrë me epsh dhe shkon në gjueti dhe çka asht ende ma zi, ka themelue njifarë grupi për të ndihmue të vobekët në rrethinën tonë. Ky asht ai bastardhi faqezi që flet se spiunët e shtetit janë njerzit ma të këqij!”

„Profesori T… ka vrapue nëpër qytet me fëmij të ndryshëm avanturista dhe ka vjedhë dardha prej pemëshitsit, kurse dje ka gjuejtë me llastik pëllumba dhe ka thye nji dritare në nji ndërtesë shtetnore. Këto faje dhe kishin me mujtë me iu falë, por ai shkon në mbledhje politike, voton ndër zgjedhje, bisedon me qytetarët lexon fletoret, flet për huan shtetnore dhe çfarë turpsinash nuk ban ende në dam t’arsimtarit!”

„Katundarët prej Barës kanë fillue me ndertue shkollën e re dhe si duket, me kët ves do të flliqet tanë rrethina. Duhet me e ndalue nji orë e ma parë kët korent të ndytë, të damshëm për shtetin!”

„Zanatlit prej Barës themelojnë sallën e leximit dhe tubohen në te për çdo mbramje. Ky epsh ka zanë rrajë të thellë, veçanërisht te të rijt, kurse pleqt janë të mendimit që përpos sallës së leximit të themelojnë — fondin e pensionit të zanatlive. Kjo nuk mund të durohet në krahinën tonë sepse u ep shembull të keq gjithë qytetarëve të ndershëm që nuk shajnë ministrat!… Nji zanatli madje kërkon ndamjen e punës!… Epshe rrënqethse!…”

„Katundarët prej Padovës kërkojnë vetëqeverimin komunal! Qytetarët në Trojë lirin e zgjedhjeve”

„Shum nëpunës të këtushëm kryejnë me ndërgjegje punën e vet, pos kësaj, i bijnë flautës dhe i dijnë notat!”

„Sekretari Miron kërcën epshëm ndër çfaqje dëfrimi dhe han farë të krypshme tue pi birrë. Duhet me e qitë prej punës që të sherohet prej atyne epsheve”.

„Mësuesja Hella blen lule çdo mëngjes dhe kështu skandalizon tanë rrethinën. Nuk mund të durohet, sepse ka me na prishë rinin”.

Kush do të kishte mujtë me i radhitë tana epshet e ndyta të këtij populli fatkeq? Asht mjaft me thanë se ishin vetëm dhetë vetë të vlefshëm dhe të pastër në tanë vendin, kurse krejt tjerët, dhe burrat dhe grat dhe pleqt dhe të rijt, të prishiun në temel si thuhet.

Çka mendoni, si do t’u jetë dukë vehtja atyne dhetë vetëve të mirë në kët vend të prishun?… E randë, shum e randë, ma së forti për shkak se ishin të detyruem me shique medoemos shkatrrimin e vendit të tyne të lindjes, të cilin e dojshin aq nxehtsisht. Nuk flejshin as ditën as natën nga kasaveti: Si do t’i përmirsojnë bashkëqytetarët e vet krahthatë, si do ta shpëtojnë vendin nga shkatrrimi? Plot me flakë patriotlke, plot me virtyte e fisniki, ishin në gjendje me durue të gjitha flijimet për lumnin e atdheut të vet. Dhe nji ditë prej ditësh shtrënguen zemrën trimneshë, përkulën kryet përpara vullnetit të fatit t’idhët i cili u caktoi barrën e randë që të bahen ministra, dhe muerën mbi vedi detyrën fisnike që ta pastrojnë vendin nga mëkatet dhe epshet.

Ishin të kulturuem, por nuk ishte punë e lehtë me i dalë në krye menjiherë njij ndërmarrjeje kaq të randë. Në fund, njiherë, atyne që ishin ma mendjetrashë (këta n’at populi njifshin si ma mendjehollët) u vetoi nëpër krye mendimi se duhet me e mbledhë Parlamentin populluer, por që në te punën ta kenë në dorë të huejt. Të gjithë e pranuen kët ide të mrekullueshme dhe muerën me shpenzimet e shtetit me mëditje, dyqind vetë dhe kaq kapën të huej të cilët i kishte qitë puna rastsisht në kët vend për tregti. Këta u mprojtën, kundërshtuen, por zori i bacës s’ka kufi!

Kësodore u mblodhën katërqind të huej që të jenë deputetë dhe të zgjidhin çashtje të ndryshme për lumnin e vendit, të jenë shprehje e dëshirave të popullit.

Kur kryen punë kështu dhe gjetën nji numër të mjaftueshëm njerzish, të cilët i emnuen deputetë të popullit, menjiherë shpallën edhe zgjedhjet e deputetëve të popullit. Mos u çuditni për këte, sepse nji zakon i këtillë mbretnonte n’at vend.

Filluen mbledhjet e parlamentit — vendosin, flasin, diskutojnë… Nuk asht lehtë me krye nji detyrë kaq të randsishme. Gjithçka ishte lehtë dhe ecte shpejt, por teksa erdhi puna te epshet, menjiherë u hasën vështirsina derisa u gjet dikush dhe propozoi që të vendoset anulimi i të gjitha epsheve të vendit.

— Rrnoftë folsi, rrnoftë! — gjimon në sallën e parlamentit brohoritja e gëzueshme prej të gjithë gërmazeve.

Të gjithë e pranuen me gëzim propozimin dhe u muer vendimi:

„Përfaqsija e popullit tue pa se epshet pengojnë përparimin e popullit e ndien vedin, të shtym që të shtojë, në ligjin e ri edhe kët pikë e cila thot:

„Të gjitha epshet mejnë prej sodit dhe anulohen si të damshme për popullin dhe vendin”.

Nuk kaluen as pesë minuta prejse u nënshkrue ligji për anulimin e epsheve për të cilin u shamatuen vetëm deputetët dhe shifni çka ndodhi në popull në të gjitha anët pa ndryshim.

Asht mjaft që të ju përmendi të përkthyem nji vend prej shënimeve të dikujt:

Qe fjalë për fjalë çka thot shënimi.

„…Kam pi duhan epshëm. Sa zgjohesha menjiherë në cigare. Nji ditë u zgjova, dhe e mora kutin me duhan dhe e dredha (simbas zakonit) cigaren. Diqysh m’erdhi si punë e papërshtatshme (atëherë bash ai deputeti propozoi) kur, qe, befas ndjeva se si m’u dridh dora vetë dhe cigarja, e shiqova dhe pshtyna me neveri…” „Nuk due me pi ma” — mendova dhe duhani më duket i ndytë dhe nuk muj me e shique me sy. U çudita çka më ngjau kështu befas dhe dola n’oborr. Kur atje, çka me pa! Para derës kojshija im gjithmonë i dejun, që nuk mundte me ndejtë pa venë asnji çast, qëndronte burri i dheut esull, kqyrte para vëdit dhe kruente kryet.

— Qe ta pruna venën — i tha sherbëtori dhe ia dha shishen si dhe ma parë.

Kojshija im e kapi shishen dhe e përplasi për toke, ajo u thye pirra pirra.

— Uh, sa gja e neveritshme! — vikati ai me urrejtje, tue kqyrë venën e derdhun.

Mandej heshti gjatë dhe kërkoi sheqer me ujë.

Ia pruen, e piu sheqerin me ujë dhe shkoi në punë.

Grueja e tij filloi me qa prej gëzimit kur pau se si burri i saj u përmirsue aq fort.

Njani prap, kojshija tjetër, që lexonte epshëm fletoret rrin te skaj i dritares së hapun, e edhe ai dukej disi i ndryshuem dhe i çuditshëm.

— A i keni marrë fletoret? — e pyeta unë.

— Nuk muj me i shique ma fletoret, kaq fort, diçka më janë neveritë. Bash tash jam tue mendue që të marr me lexue arkeologjin ose gramatikën e greqishtes — u përgjegj ai, e unë kalova dhe dola në rrugë.

Tanë qyteti ka ndryshue. Nji politikan i epshëm, ishte nisë me shkue në nji mbledhje politike. Ecte burri i dheut rrugës kur qe përnjiherë u kthye dhe vrapoi mbrapa thuese e ndoqi ndokush.

Fillova me u çuditë çka i ndodhi dhe e pyeta pse u kthye kaq shpejt.

— U nisa në mbledhje, kur qe befas më ra në xnend se asht ma mirë me shkue në shtëpi, me porositë ndonji libër bujqsije dhe industrije shtëpijake dhe me lexue e me u përsosë në punë. Çka kam me ba në mbledhje — tha ai dhe ngarendi në shtëpi që të studjojë lavërtarin.

Nuk mujta me ia spjegue vedit çudin qe ndodhi befas, u ktheva në shtëpi dhe mora me shfletzue psikologjin. Deshta me lexue pjesën në lidhje me epshet.

Hasa në fletën ku shkruen „Epshet”. Kishte mbetë vetëm titulli kurse krejt pjesa tjetër ishte zbardhë, paj thuese kurr nuk ishte shkrue në te asnji send!

O, çka asht tash kjo, pash emnin e Zotit?!

Në tanë qytetin nuk mundesh me gjetë kurrkund njeri të keq dhe t’epshëm për çdo gja qoftë dhe deri kafshët u banë ma të mençme!

Të nesërmen lexuem në fletore vendimin e parlamentit. Deshta me lexue gjithashtu në lidhje me epshet.

— Ah, ha, kjo asht, pra! — Bërtet secili. Çuditemi na çka u ba me ne, po këte a po e shef, parlamenti anuloi epshet!

Këto shënime janë të mjaftueshme me spjegue çka ndodhi në popull kur në parlament u aprovue ligji për anulimin e epsheve.

Tashma të gjithë e gjithkush e muer vesh kët gja dhe çudija prani, kurse mësimdhansit u epshin mësim nxanësve nëpër shkolla në kët mënyrë:

„Dikur gjindeshin në shpirtnat e njerëzve edhe epshet dhe këto kanë qenë njana prej pjesëve ma të ngatrrueme e ma të randa në psikologji, por me vendimin e parlamentit epshet janë anulue, kështuqë tash nuk gjindet ajo pjesë në psikologji sikurse as epshet nuk ekzistojnë në shpirtin e njeriut. Epshet janë anulue me datën … vjeti …”

— Shyqyr Zotit që nuk jemi të detyruem me i mësue! — pëshpëritshin nxansit, të kënaqun me kët vendim të parlamentit, sepse për orën e ardhshme duhet vetëm me mësue:

„Me datën … vjetin …, me vendimin e parlamentit janë anulue të gjitha epshet dhe kështu nuk ekzistojnë ma asish në njerëz!…”

Posa ta flasë këte pa gabim merr notën shum të mirë.

Qe, kështu ai popull shpëtoi me shpejti prej epsheve, u përmirsue dhe prej atij populli, simbas dofarë gojdhanash, lindën engjujt…

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Nga shënimet e katundit (1/4)

Qysh fëmi, kur isha nandë vjeç — tregon miku im — e braktisa katundin, vendin e lindjes sime. Prej asaj kohe dhe deri në moshën time njizetetetë vjeçare, kam qenë vetëm tri herë në katund, në gosti te ilakat e mij. I pritun sinqerisht, me zemër të mirë, kthehesha në Beograd, i freskuem, i këndellun me kujtime dhe mbresa të pashlyeshme e të bukura për kohën e fëminis së lumtun. Sa t’ambla e të freskta janë këto kujtime. Ma vonë, si ma i rritun, tashma si burr, tue jetue në shoqni me njerëz (ndër pallanga e në kryeqytet) pashë se çdo gja ishte në kundërshtim me jetën që e kisha pa në katund si fëmi. Tue shique njerzit tinzakë e të prishun, rrethue prej skamit e mjerimit shoqnuer, tue ndie se si dhelpnillëku, smira, mashtrimi, maskarallëku djallzuer ia gërmojnë themelin të mirës dhe virtytit, tue umbytë nga duhma e moralit të kalbun, gjithmonë e padashtas më tërhiqshin mendimet me u kthye në katund, dhe kjo don me thanë në fëminin time. Katundi, mbas mendimit tim, ishte ende i pastër, i paprishun, ideal. Ai ishte për mue ende e vetmja strehë, sepse isha i bindun se katundi im, kuptohet çdo katund tjetër, nuk mundet me qenë ndryshe veç ashtu si e kishin pa syt e mij naiv, fëminorë. Atje nuk ka as pikllim, as mjerim, nuk ka dhimbje, nuk ka smirë e padrejtsi, por vetëm gëzim jete. Rrëkenat ushtojnë gëzueshëm me ujin e vet të kulluet kristaluer nëpër pyje të freskta, pllumbat gungasin, turtujt gugurojnë, ia thonë kangës bylbylat, fishkullojnë mullizat të përcjelluna me korin e kangatarëve të ndryshëm. Puhija plot ersim lulesh fushore (që i mbledhin fëmijt dhe vajzat), përkund kallzat e pjekun ngjyrë ari. Jehon në të gjitha anët kanga gazmore, korrtare, shkëlqejnë drapnit nga dielli ndër duer të korrtarëve të vyeshëm, zbardhojnë shamijat e pastra të hjedhuna mbi kryet e vajzave të skuquna nga vapa me sy të njomë e të shkëlqyeshëm dhe me krahnorë të gufuem, prej të cilëve këputen pullat në jelek. Qeshje, tallje, zgërdhimje, refrena, dashuni, harmoni; dhe natyra dhe njerzit, gjithçka në nji harmoni lumnije të pambërrijshme, ideale. Bjen mbramja kodrat skuqen, ret prarohen, pyjet digjen, shushuron puhija e mbramjes nëpër gjethe dhe na sjell erën e luleve të blinit. Ngrehet zhurma gazmore, çobajt u ngrahin kopeve, ngrihen re tymi, blegrojnë dhent, pllasin lopët dhe i bajnë gjitë plot me qumsht për fëmi, për ne! Kali shkatrraç i kërleshun, të cilit i hyp çobani zhyt kryet në kerrmë pranë rrugës, që kështu kalimthi, me kopresh në gojë të nduki pak kingel. Çobani e ngreh për kopreshi, e godit me kambë të zbathuna dhe ai ec trok me përtaci mbas kopes me krye të kthyem anash, kurse prej gojës i varret gjethi i gjelbërt. Sa gja e bukur! Të kuqrremt e mbramjes zbehet, sendet i mbështjell muzgu i mistershëm, lakuriqat fluturojnë, ende ndihet nëpër kori e të guguruemit e pllumbave, ma qartë e ma fort. Në qiell kanë dalë hyjt, dridhen me andje e gëzim. Mbrapa Rudnikut t’errët me pyje del hana dhe e argjenton çdo gja që në perëndimin e diellit ishte me njyrë purpuri, e prarueme n’arë. Dhe hana ngutet nëpër qiellin e kthjellët me shkue n’orok ku e presin me padurim dhe në dridhje — hyjt e dashtun. Fillon kërsitja e mullinit me erë, nëpër rrugë qerret kërkllojnë, ngarkue me grun, cingaret cingrojnë me takt në qafat e qeve, simbas ecjes së tyne të ngadalshme, johojnë dyzanash dhe nëpër natë ushton kanga e ambël e fuqishme:

„Nat’ e errët plot je me errsi
Zemra ime edhe ma me halle”

Mandej tjerrja në furkë, zjarmijet ndër rrypina, kangët tinglluese që këndojnë grat tue ba punë dore nëpër natën e pazashme, të qetë në muejin e gushtit. Sa gja e mrekullueshme! Sa gja e bukur që ishte kjo. Dhe pranvera e vera dhe mbramja dhe agimi dhe vjeshta me shina kur çobajt rrijnë rreth zjarmit ndër koliba të mbulueme me degë. Rreth zjarmit pëlcasin shtalbaket që ende gjinden në misrin e pathamë mirë, njerzit tregojnë tregime për kulshedrën, për Pepelugën dhe për plot gjana tjera, kurse shiu shushuron nëpër gjethe të kulmit, pikon dhe pikat e shiut bijnë në zjarm dhe kërcasin. Dimni i bukur, borë, bryma, të kërcyemit, të gjuejtunit me topa bore. Gjithçka asht e bukur. Zjarmi ndriçon në votër dhe pasqyrohet në dritare sikur me qenë i ndezun edhe nji tjetër n’oborr dhe sa ma tepër afrohet agimi, aq ma shpesh gjelat kikirikojnë tue i rrahë krahët, kurse zjarmi, ai i dyti, që shifet nëpër dritare, bahet gjithnji ma i zbetë e ma i zbetë, plotsisht i zbetë, venitet dalngadalë, zhduket dhe menjiherë zbardhon bora në kulmin e katoit dhe të hambarit. Sa e bukur ishte kjo! Dhe natyra dhe njerzit! Njerzit e mirë, të gëzueshëm, të lumtun këndojnë, dëfrehen, çojnë dollina ndër festa e darsma. Çdo gja asht e bukur, gjithçka me kangë e me gëzim. Askund pikllim, fshamje as dhimbje, nuk ka padrejtsi, shpirtkeqsi, smirë. Mësuesi i mirë, kryeplaku i mirë, popi i mirë. Më kujtohet si shkon ky prej kishës ngadalë, me butsi, me skajin e velidonit të ngritun, të cilin e lidh për bel. I afrohen burrat, grat, vajzat, pleqt, plakat, ia puthin dorën. I afrohem edhe unë, gëzueshëm, me kënaqsi ia puthi dorën, ai më lëmon kryet dhe thot me za të butë: „Shif, pa dhe ti këtu, a!” Unë jam i lumtun. Paj, sa të lumtun e ndijsha vedin në kishë. Popi këndon, erson tamjani dhe voji i shejtë, shiqoj ikonet, burrat bajnë kryq devotshëm, ndriçojnë petkat e popit, mësuesi këndon mbas pultit, tingllon temjanica me nji tingull veçanërisht të kandshëm dhe prej saj ngrihet tymi ersues para altarit të maforëve të lagun me venë, në të cilat janë ngulë qirijt e edhe ajo era e qirijve të kënaq, cok të freskon. Oh, si asht çdo gja e btikur, çdo gja delikate e ambël.

Kështu paraqitej para syve të mij katundi, katundi im, çdo katund kur mendojsha për te, sepse katundin e kisha njoftë nëpërmjet ndikimit të fëminis naive e fatbardhë dhe nuk mujsha me e shique mandej me sy tjerë veç po me ata sy, me të cilët e pashë atëherë. Megjithse shum raste mujtën dhe deshtën me më zhgënjye unë ika prej tyne; nuk deshta me i besue kurrkujt, kurrnjij sendi, nuk guxova. Kështu si fëmi e shiqova katundin të lumtun, të kënaqun dhe kështu edhe shum shkrimtarë tanë e shiqojnë ende sod në moshën e vet të pjekun.

Kur para njij vjeti shkova në katund që të shlodhem, të freskohem dhe të dëfrehem, u zhgënjeva qysh ditën e parë.

N’orën katër mbasdreke qerri më pritte në stacionin ma t’afërm pranë katundit tim, sa zbrita prej ferovis, hypa në qerr dhe menjiherë u nisa që të mbërrij sa ma parë në katundin tim, isha i përmalluem për të.

Kojshija ynë në katund, mixha Pjetri, i cili solli qerrin për mue u gëzue tepër që më pa. (Me fëmijt e tij, me shokët e mij të katundit, kam luejtë dhe jam dëfrye ma së shumti). Më tha që t’ulemi të dy n’anën e përparshme të qerrit që të mujshim me kuvendue ma mirë.

E pyeta për gjithçka, për çdo gja, për gjithkend që e njifsha dhe përgjigjet e mixha Pjetrit qenë për mue të randa e të pakandshme.

— Si asht Mila, bir i mixha Mihajlit? — e pyeta. Ai asht shoku im i shkollës; ishte gaztuer dhe hashari. Ai mundte ma së forti me u ngjitë nëpër druj dhe me nxjerrë zogjt prej çerdhes dhe unë e dojsha pse ishte ma i shkathti dhe ma gaztori.

Mixha Pjetri heshti nji trohë, mendoi dhe, tue mos më shique përgjegji pa shqetsim:

— Eeeh, si asht? Nuk asht mirë. Pasunin e dobët, e taksa të mëdha, dhe kështu, vuen, shtyhet me zor, çka me ba. Baba i ka vdekë. A e din?… Vdiq dimnit. Fëmijt i ka të vegjël, kurse ai dhe grueja çka mujnë me ba. Nuk dijnë ku me mbërri ma parë. Në pranverë ia shitën ato dhen të pakta për tatim dhe tash nji Zot e din a ka me çka me ua lagë gojën fëmijve. Hall asht, mor bir i im! Nuk asht lehtë… Çka me ba, njeriu duhet të durojë derisa të mos pëlcasë… Nuk asht mirë për kurrkend… Deh, vocrrak, çka po dembelohesh — i bërtiti kalit të majtë dhe i tërhoqi dyzgjit.

— Dikush ma keq, dikush ma mirë, por për kurrkend nuk asht lehtë. Prej kësaj lëkure nuk mujmë në nji tjetër. E din si thot kanga: „Hall me grue, hall pa grue, hall mos m’u martue kurr”…[1] — shtoi mixha Pjetër dhe fshani thellë, tue luhatë kryet mendueshëm me trishtim.

Unë nuk i përgjegja kurrgja.

Mendoj se asht shtrejtë këjo ferovi e mallkueme, — më pyeti mbas njij heshtjeje të shkurtë.

— Shtrejtë.

— Shtrejtë, po si, gjithçka shtrejtë dhe s’ke me çka. Populli s’e ka nji grosh, e duhet të kesh, të jesh i zhdërvjellët sa të duesh. Shit çka të kesh… E të nevojitet në nji qind anë. Kemi sharrue si Ndue Rrapi.

Më shtërngoi njifarë pikllimi rreth zemrës. Nuk guxova me e pyetë ma tepër për kurrgja, por ai vetë zu me më tregue, tash për këte tash për ate. Gjithçka keq e ma keq, gjithçka zi e ma zi.

Kështu tue bisedue mbërrijtem afër orës pesë deri në katundin tonë; menjiherë në fillim skaj rrugës gjindet mejhanja jonë e katundit dhe karshi saj gjykatorja. Nën lis, para gjykatores, në fresk, ishte shtri në shpinë polici i komunes coplan e bark cullak. Kur ndjeu qerren u çue pak, na shiqoi me sy të përgjakun, në mënyrë të topitshme, gati të pavetëdishme dhe u shtri përsëri. Qet e hequn prej zgjedhës qëndrojnë për bri bigës, të lidhun me kopresh për zgjedhë dhe hanë tallë të njomë misri dhe kunguj të coptuem. Për rreth u tubuen pulat dhe zogjt dhe përvidhen frigueshëm ose sulmojnë rrëmbyeshëm dhe qukin farët e kungullit dhe kur kau, tue hangër misër të njomë e luen gand kryet, pulat dhe zogjt bahen pik’e pesë, mandej mblidhen prap që ta vazhdojnë plaçkitjen. Nja disa hapa para mejhanes qëndron pijeshitsja, zeshkane, grue thatajkë, me shpinë të krrusun dhe krahnuer të futun përmbrenda. Syt i shëndrisin, gojën e ka të madhe të zgjanueme në qeshje, tanë shprehja e fytyrës së gjanë duket sikur me qenë gati per t’u tallë. Në kambë ka çorape të bardha dhe papuçe lekure, tanë nji pllambë ma të mëdha se duhet. Pranë saj rrin për tokë nji fëmi i shëndoshë, i përlyet, me copën e bukës në dorë dhe rreth tij tubohen pulat dhe e sulmojnë nga të gjitha anët që t’ia rrëmbejnë nji copë. Njana këceu dhe e quki në dorën e vockël dhe fëmija piskati dhe e lëshoi copën të cilën e rrëmbeu menjiherë nji pulë dhe zu me ikë tue mbajtë pren në sqep, kurse mbrapa saj u lëshue e tanë ushtrija e pulave për ta kapë. Para mejhanes dy tavolina të pagëdhenduna, të randa prej drunit të lisit dhe poashtu edhe karrikat. Në nji tavolinë rrijnë katër, pese katundarë me këmisha të shkyeme, t’arrnueme të trasha dhe në tjetrën popi dhe dy katundarë të veshum ma mirë pijnë kafe.

Kur u ndalue qerri ynë, Radojka (kështu quhej pijeshitsja) e la gjylpanën dhe punën e dorës u afrue e u përshëndet.

I përshëndeta katundarët me emnin e Zotit (ata katër vetët), ata luejtën pakëz nga vendi, i kapën kësulat dhe mandej iu afrova popit. Nuk më njofti menjiherë, e edhe ai ishte plakë. Në kët kohë mund t’i kishte pesëdhetë e katër vjet, ishte thi dhe rraskapitë mjaft, kurse në fëminin time ishte i ri, i freskët dhe i zi si thëngjilli me flokë dredha-dredha. U përshëndetëm dhe ndejmë me ta edhe unë edhe mixha Pjetri. Popi pyeti gjanë e gjatë për mue, për jetën time, për të reja nga Beogradi dhe unë iu përgjegja pyetjeve sa mujta ma shkurt, diçka nga mërzitja. diçka nga kapitja prej lodhjes dhe vapës. Katimdarët e ndërprenë bisedën e tyne dhe u kthyen dhe ndëgjuen bisedën tonë me vemendje, me gojë gjysëmhapun.

— A mundesh kështu, Millun? iu soll mbas bisedës sonë njanit prej atyne katër vetëve në tavolinën tjetër.

Milluni ra në mendim, fërkoi ballin, e tërhoq nëpër fytyrën e vet të mërdhezun dorën e vrazhdë, të gjanë dhe e ndali shuplakën në mjekër dhe me gojë të hapun shiqoi do kohë për tokë, tue rrahë tokën me kambë, mandej ngriti syt, shiqoi popin dhe tha, tue u ngurrue, me buzëqeshje si me dashtë n’at menyrë të kërkojnë ndjesë që nuk ka mundsi.

— Nuk muj, për Zotin, zotni pop, pse përndryshe me gjithë qejf. E tash, ti e din, ka ardhë koha me punue në fushë dhe nuk muj me humbë kohë.

— Mirë, mirë, kam me dijtë edhe vetë me qitë bishta kur të vijsh ti te unë. Vallë pak janë për ty tre grosh në ditë që të ngarkojsh e të zhgarkojsh tulla dhe të shkojsh me qerr. Hajde sikur ti të japish qerrin dhe qet, por këto i jap unë të mijat. Ti vetëm ke me ba arabaxhillëk.

— Pak, krejt pak — shtoi Milluni, luejti kryet dhe i rrudhi krahët thuese përligjet që nuk mundet.

— Mirëpo vllau yt nuk më ka pague ende për at përshpirtjen e vjehrës së vet?

— Do të paguejë, zotni pop!

— Do të paguej, mirëpo në pranverë mujti me dëshmue kundra meje kur gjykohesha me Markun.

Milluni heshti.

— Thuej të m’i sjellë nesër të hollat menjiherë! Le t’ia japi Marku i tij, kur din me i dalë dëshmitar kështu bukur. Marku asht rrejtë… Popi e ka qesen pak ma të thellë dhe nuk kam me ia da gjyqin deri në fund… Ashtu t’i thuesh… The se nuk don… Bukur, ke me u pendue, ke me ardhë te popi me u lutë… Qe, si janë — m’u kthye popi — nuk don të bahet arabaxhi për tre grosh, kurse po t’ishte burrë i mirë s’kishte me e gjetë kurrgja sikur të punojë për popin e vet edhe pa të holla. Çka asht nji ditë me punue për popin e vet. Kurse popi edhe pagzon edhe marton edhe thot përshpirtje dhe e bekon ujin, s’mundesh me ba kurrgja pa popin, e ata prap kështu…

Unë i rrudha krahët…

— Hajdeni të kthehemi deri në shtëpin time që të pijmë diçka dhe mandej vazhdoni rrugën dhe për ju asht e afërt deri te shtëpija.

Pranova ftesën.

Oborri i shtëpis së popit shum i gjanë, asht i rrethuem me hasherim të naltë, mbas të cilit qet kryet hardhija, e në disa vende del edhe përmbi hasherim. N’oborr para shtëpis kopshti i rregulluem për bukuri, asht i rrethuem me nji hasherim të vogël ngjyrë bari dhe në midis marashi, mbulue prej hardhis së gërshetueme dendun. Nën marash, tavolina me çarshaf të pastër, mbi te lulet në shishe dhe rreth tavolinës disa karrika. Te kopshti pusi i mbuluem me liaster të ngjyrueme. Në njanën dhe tjëtrën anë të kopshtit gjindet pemishtja e madhe në fundin e të cilit gjinden ndërtesat tjera: hambari, koshat, çarraniku, katoi; mbrapa shtëpis: shtalla, plema, vendi ku thahet mishi ose kumbullat. Prej oborrit kryesuer dera çon në kumbullishten e madhe, të gjanë, e cila gjindet n’anën e majtë t’oborrit, kurse n’anën e djathtë gjinden katorët dhe tharqet, ku majen thitë, vathët dhe koshat për gjanë e gjallë. Popi ka tri shtëpija. Njana e madhe, e naltë, elegante, në të cilën banon popi, njana ma e vogël ku rrin djali i martuem i popit me gruen dhe njana prej drrasash për tjerë. Nën tremën e madhe prej drrasash gjindet qerri i lehtë i bukur për udhtim, nji tjetër për ngarkesë, qejzi i vogël dhe ndër dyrekë janë të varun rrypat, frëjt, shalat dhe almiset tjera.

Ndejtëm në tavolinë nën tande. Popi hoqi ksulën, fshini djersën, u mbështet me brryla në tavolinë dhe vazhdoi me më tregue atë që filloi rrugës për botën e prishun katundare. Befas i nguli syt në nji kalem, prej të cilit ishte shkputë nji rremb, ndërpreu bisedën dhe u ngrit e shkoi te kalemi.

— Eh, bre, s’mundesh me pasë kurrgja. Më duhet, pasha Zotin, të mbys ndokend për këta kalema. Unë i ruej si syt… Ah Millutin, Millutin…

— I ka çue kujat me u dhanë ujë — u ndie zani nëpër dritare nga ajo shtëpija tjetër.

Duel popadija. Përbeti, grue e mbushun me flokë e vetulla të ngjyeme, në të vërtetë me lëkurëtë ngjyeme në vend të vetullave, nji gisht të tanë gjansi. U afrue dhe u përshëndet, mandej u largue dhe mbas saj duel vajza ë popit, vajzë e kërthnesët, e shëndoshë. U përshendet edhe ajo me sy për tokë dhe u tërhoq mbrapa.

— Mileva, — tha popi — hajt veni dy shishe birrë në kofe dhe lëshoi në pus që të ftofen dhe ti në ndërkohë hajt sill pak djath e mazë që të hamë ndonji fije meze. A e hani djathin, nëqoftëse doni, le ta fërgojë për nji çast nji zog? — m’u soll prap mue.

— Faleminderës, mujmë djath.

E ndjejsha vedin të kënaqun, sepse mbas zhegut filloi me u freskue, ndihet nji puhi dhe sikur ma përtrini organizmin e molisun. Posa vajza solli pijatat dhe bylmetin dhe qe në derë hyjnë nji katundar e nji katundare dhe me ta nji fëmi mashkull nja shtatë-tetë vjeç. Hyjnë në kopsht. Ia puthën me rend dorën popit dhe u shmangën. Katudari, nji i vobekët, — Mijati me fytyrë të zeshkët, të thatë, të djegun prej diellit, të molisun, me dritë të fikun ndër sy. Krejt shprehja e tij tregon vuejtjet dhe mjerimin nëpër të cilat ka kalue në jetë. Ka veshë nji këmishë, e cila asht e shkyeme në krah dhe shifet dora e tij e zezë, cullake; tlindat i ka të shkyeme në gjunin e djathtë, ndoshta tue lidhë duej, opingat janë të grisuna, çarapat plot hala. Në fytyrën e zezë asht ngjitë pluhuni dhe kullojnë currilat e zez pranë veshëve. Në flokët e zez që dalin blej nën kapelën kashte të shkyeme, të nxime prej shiut, gjindet plot pluhun e hala dhe poashtu ndër vetulla e mustaqe. Këmisha në shpinë dhe në gjoks asht ngjitë për trup krejt e lagët prej djerse, e edhe nëpër te gjinden byku, hale e pluhun. Grueja gjithashtu asht e mjerë, e dobët me duer të shkathta, zbathun me kambë të zeza të holla të shpërdhimta. Edhe ajo fisht e djersitun dhe e ndytë. Ban në shpinë torbën me do çanaka. Të dy kishin drapna, e edhe prej kësaj shifet se vijshin pre korrjes. Fëmija barkfrymë, zbathun, me këmishë të shkyeme. Fytyrën e ka të verdhë, të hajshme, shiqimin e habitshëm, me kore rreth gojës, nëpër qafzën e hollë luejnë damarët e kaltërt. Merr fryemë vështirë, me gojë hapun, përqyrret, gjimon dhe kuis tue mbajtë nanën për fund, kurse ajo ia lëmon me dorën e ndytë të djersitun flokët e pluhnuem dhe lë ngjitim.

— Ç’të mirë ke, Mijat? — e pyeti popi.

— S’kam të mirë, zotni pop, por hall.

— Fëmin e kam smuet, pop — tha grueja.

Fëmija filloi me qa ma fort dhe u ngjit ma tepër për nanën.

— Kishim diçka me krye, e kryem ma heret dhe u kthyem te ti që t’i fryjsh këtij fëmije.

— A don duvan e madhe apo të vogël?

Burri dhe grueja shiquen njani tjetrin dhe thuese flitshin me shiqime.

— Vetëm të ketë fajde, sidoqoftë ma mirë e madhja — i tha Mijati.

— E madhja asht ma shtrejtë.

Mijati uli kryet dhe i nguli syt për tokë, kurse fytyra e tij e molisun u ba edhe ma e pikllueshme. Grueja e shiqoi fëmin dhe e shtrydhi fort me dorë kah vedi dhe hodhi në popin nji shiqim të pikllueshëm, lutës, plot dhimbje e dëshprim. Mijati ngriti kryet, e shtini dorën në gji dhe e nxuer peshkirin e ndytë dhe filloi me e zgjidhë me dhambë.

— Sa pare ke? — e pyeti popi.

Mijati e zgjidhi peshkirin, nxuer prej tij nji copë gjysëm-dinari dhe e shtini peshkirin e shprazët në gji. Shiqdi gruen. U ndeshën ndër vedi syt e piklluem, por prapseprap i treguen njani tjetrit se s’kishin çare pa dhanë për fëmi tanë at pare që e kishin fitue tue punue argat.

— Qe këte — tha Mijati dhe shiqoi popin me frigë, cok tue e lutë që mos t’i kërkojë ma tepër, mandej shiqoi fëmin me dhimbje, shiqohet prap me gruen dhe të dy i paluen syt për tokë.

— E, kjo asht pak. Dhe qysh dimnit m’i ke borxh për ujë të bekuem ende dy grosh.

— Nuk kam ku t’i marr, pop, kam me t’i dhanë posa tash kët verë të fitoj ndonji grosh.

— Të gjithë kështu po thoni, kurse edhe mue këtu nuk më burojnë paret prej tokës. Si do të jetoj kur nuk paguen kurrkush.

Mijati shiqoi përdhe.

— Qe, ejani nesër ti dhe grueja te unë që të punoni, e edhe ky vocrraku mundet ma vonë kur të shërohet me mbledhë për mue nji ditë kumbulla dhe tamam të më paguejsh atë që ma ke borxh qysh në dimën dhe ta shperblejsh me punë tash duvan që kam me ia këndue fëmis. Po ta baj hesap duvan vetëm dhetë grosh për shkak se je i vorfën, kurse për tjerët kushton tre dinarë, ata dy groshet e vjetër mundesh me i shpërblye me punën dhe me pak mundim bile fiton gadi nji rubël.

— Nesër kam mendue me punue me të holla te Milloja. Tash shpejt e kemi festën e shejtit dhe po përgatitem mbas takatit, teksa me thanë se kemi festue.

— Puno njiherë tjetër.

Mijati heshti gjatë, tue shique herë para vendit, herë fëmin dhe më në fund kadalë, me za të ngjirun, turpnueshëm tha:

— Janë shum dy mëditje, zotni pop, fëmija i ynë asht i vogël.

— Po të duket shum, a? Qe çfarë njerzish jeni ju. Të dhimbset me dhanë edhe për fëmin tand që e ke lindë. Kush beson vërtet në Krishtin ndihmon t’afërmin e vet, kurse ti nuk don me e ndihmue as fëmin që e ke lindë. Unë për fëmin tim kisha me dhanë jetën, e lene ma mëditjen. Çka asht ma e shtrejtë se fëmija?

Mijati e tërhoqi gruen më nji anë. Përshpëritën diçka, e shiquen njani tjetrin pa bëza, shiqimet iu ranë në fëmin e smuet që rënkonte e gjimonte në zjarmi, kurse dëjt e kaltërt i lëvizin pa pushue në qafzën e zezë-të verdhë.

— Paj mirë, tha Mijati, kur thue ashtu. Hajt, këndoja duvan. Çka mundet me ba njeriu. S’kam çare pa e ndihmue djalin makar edhe në mos hangsha dhe në mos e mbajsha festën e shëjtit.

— Sillni fëmin këtu n’odë. Më falni për nji ças — shtoi popi tue m’u drejtue mue.

Shkuen në shtëpi.

Prej andej u ndëgjue ai të kënduemit i belbzueshëm, i pakuptueshëm, i shpejtë ku teksa shqiptohet fjala e njizetë. Mbas pesë minutash u kthyen.

Mijati, grueja e tij dhe fëmija ia puthen dorën popit dhe shkuen.

Mbas nji gjysëm ore u përshëndeta me popin dhe u nisa ma tutje me qerre me nji dhimbje të madhe në shpirt, me nji ndjenjë të re të trishtueshme.

(Faqja tjetër)

 

[1] Keq me lavrue, ma keq me rrnue si rob, e ma së keqi me u ba cub.