Punët tona (2/2)
U mblodhën qytetarët të pasun e të vorfën, të njoftun e të panjoftun.
Njani prej ma të shquemve nga konvokatorët e kësaj mbledhjeje hapi mbledhjen me këto fjalë:
— Zotni, të gjithë e dini fatkeqsin në të cilën ranë aq krahina të popullit tonë. Nuk asht nevoja as që të ju flas sa dam të madh ka psue vendi ynë, sepse të gjitha i dijmë mirë, të gjithë e ndjejmë damin, i cili nuk mundet me u shpërblye; kjo asht nji plagë e cila ka me u shërue me vështirsi. Por, zotni, poqese nuk mund të shpërblehet ai dam i madh, dami mundet me u pjestue, sepse do ta bajmë ma lehtë të gjithë tok se sa disa veçeveç; na mujmë, zotni, me fshi shum lot, mujmë me e lehtsue mjerimin e madh e fatkeqsin e kaq familjeve. Na Ju kemi ftue këtu që të këshillohemi e të mendojmë vllaznisht e sinqerisht se si do të mujmë ma mirë; ma shpejt e ma tepër, me u ndihmue atyne familjeve të mjera. Unë mendoj se të gjithë neve këtu, të gjithëve pa ndryshim të profesionit tonë dhe bindjeve politike, na udhëheq ndjenja ë përbashkët, të cilën na dikton zemra sërbe — ndjenja e moralit të naltë të Krishtit: „Ndihmoje t’afërmin tand si vetvehten…”
Në mbarim të fjalimit përmendi se si asht rregull gjithkund që të zgjidhet kryetari, i cili do ta udhëheq mbledhjen dhe lutet që t’i lejohet me e kandidue ose që qytetarët ta kandidojnë vetë nga mesi i tyne.
Filloi potera.
— Le të kandidojë vetë! — bërtitën.
— Na do të kandidojmë! — bërtitën të dytët dhe turma filloi me u nda ndër grupe të vogla.
— Bahuni ju kryetar, pse të humbasim këtu kohë! — bërtitën të tretët.
Mendimet u ndanë, zanet gjithnji ma të forta e ma të forta dhe ma në fund, nga rrëmuja kurrgja nuk mujti me u marrë vesh. Ai folsi, që hapi mbledhjen, i bie ziles, lutet që të mbajnë qetsi, publiku ngreh duert, zanet piskasin. „Ju lutem t’ma epni fjalën” Tërhiqen prej palltave, e bindin njani tjetrin me duer e disa u zemruen e shkuen.
— Uluni që të votojmë! — vikati njani që ishte çue në maje të gishtave dhe vu duert në të dy anet e gojës, vikati aq shum sa iu ngritën të gjithë dejt e qafës.
£ me të vërtetë të gjithë u ulën. Kryetarit (atij të përkohshmit) tashma iu turbulluen syt dhe ra prej të lodhtit, mezi flet, i asht marrë tashma zani:
— Ju lutem, zotni, këtu keni tri propozime, do të votojmë për secilin me radhë:
— Mosni kështu — u ngrit ai përsëri dha vikali. Por, kush don që të mbetet ky kryetar, le t’ulet, e kush asht kundër le të çohet ne kambë.
Shumica ndejti dhe kështu mbet kryetar po ai që hapi mbledhjen.
— Ju më keni dekorue me nji nderë të rrallë dhe unë do të mundohem… Kështu e filloi fjalimin bukur të gjatë, në të cilin falënderoi mbledhjen, e cila e zgjodhi dhe në mbarim shtoi se asht e nevojshme „që të zgjidhen edhe nënkryetari e dy sekretarë, të cilët do të mbajnë procesverbalin.”
— Kandidoni ju! — bërtitën disa.
— Për nënkryetar Tomë Tomiqin — bërtitën të dytët.
— Nuk e duem Tomën! — bërtitën të tretët.
Të katërtët kandidojnë sekretarët.
Dikush bërtet prap kundra atij kandidimi.
Pak nga pak, përsëri lesh e li, mosmanrëveshtje.
— Me çuemje dhe me ulje! — vikati përsëri ai prej karrikës.
U vendos që të kandidojë kryetari dhe ai, kuptohet, si ma të përshtatshëm kandidoi ate që zgjatet dhe hyp në karrikë.
Kështu deri afër mbramjes u zgjodhën nënkryetari e dy sekretarët.
Ata, sikurse asht ma rregulli, falënderuen mbledhjen që i zgjodhi dhe u ulën ndër vendet e tyne.
Mbasi u mbaruen të gjitha pikat e programit të kësaj mbledhjeje, kumtoi se mbledhja u mbyll…
Kryetari deshti me thanë edhe diçka, por potera që ngrihej si me komandë, ia ndërpreu fjalën. U ndie nga të gjitha anët:
— Çka u ba me „propozimin e antarëve?”
— Kjo mbledhje nuk asht ba që të zgjidhet kryetari.
— Nuk e duem.
— Epma fjalën!
— Fjaaalën!… — vikati njani që hypi në karrikë, u çue në maje të gishtave, shtërngoi grushtin, gafrroi flokët, djersa i kulloi në fytyrë, zgjati qafën dhe iu çuen të gjithë dejt e qafës.
Nënkryetari e shtyni kryetarin, e edhe ai hypi në karrikë e bertiti:
— Janë në rend edhe propozimet për antarët.
Turma u qetsue. Ai këceu prej tavolinës, nënkryetari u ul prej karrikës.
— Le të paraqitet kush don me folë!
Të gjithë u sollën kah ai që kërkoi fjalën, tue bërtitë. Ai e rregulloi qaforën, zu me ecë kadalë, zgjati qafën, gëlltiti pshtymën me vështirsi të madhe, mbylli syt dhe foli nëpër dhambë:
— Deshta me folë për propozimet.
— Paj, propozo, bre vlla! — vikati nënkryetari nevrikshëm.
— Tash për tash nuk kam kurrgja me propozue!…
Njani u çue prej qoshes, duel dëjsisht pak përpara, u mbështet me dorën e majtë dhe e zgjati të djathtën për me kërkue fjalën, kapardisun, disi me fytyrë të tharptë:
Le t’urdhnojë të flasi Simë Simiqi.
Sima u kollit, edhe ai e gëlltiti pshtymën, shiqoi rreth vedit dhe filloi me za t’ultë:
— Unë po konstatoj, zotni që këtu nuk mund të ketë as marrëveshtje as këshillim vllaznuer…
— Spjegoni çka deshtët me thanë me ate — vikati nënkryetari.
— Ju lutem mos ma preni bisedën…
Ta ndëgjojmë.
S’duuuem!
Folsi i lidhi duert kryq, qëndroi si statujë midis atij mash-mashi, që u ba për nji çast.
Potera u pashit.
— Unë, zotni, po e përmendi përsëri se këtu nuk mundet me u ba punë e përbashkët (zani bahej gjithnji ma i fortë…). Duket se konvokatorët kanë dashtë vetëm me paradue dhe nuk…
— E ndaloj që të flasi! — piskati nënkryetari.
— Ta ndijmë
— Ashtu asht!
— Poshtë ai!
— Le të qitet jashtë!
Zanet e kryqzuen, duert u përzien, njerzit zihen, shahen, filluen me e kërcnue me shkop njani tjetrin. Nënkiyetarit iu muer zani dhe theu zilen; ai prej tavohnës piskati prap: „Due me folë”.
Folsi, i ftoftë si shkambi, i lidhi duert kryq, dhe tue heshtë priti rezultatin e asaj potere të tmershme.
Tueqenëse kishte kalue nata bukur fort e zanja bahej gjithnji ma e madhe e ma madhe, sepse kaluen në qërimin e inateve dhe të punëve personale, atëherë u kumtue se mbledhja u ndërpre. Mirëpo, këte as që e ndëgjoi kush prej antarëve, por vetëm kryetari, nënkryetari dhe sekretarët braktisën vendet e tyne.
Disa shkojnë në shtëpi, zihen rrugës, do tjerë u nisën dhe u kthyen me u thanë ende ndonji send atyne me të cilët ishin shamatue. Nji grup i vogël mbeti edhe mbas mesnate.
U sqaruen ndër vedi në njifarë mënyre dhe ia mshuen pijes. Pinë dhe u zunë ende dy tri herë deri n’agim dhe dy tri herë u pajtuen, mandej u shpërndanë edhe ata.
Të nesërmen menjiherë filloi pëshpëritja, e ngamja, agjitacioni. Këtu u përzien edhe politika, edhe çashtjet personale edhe inati, të qenunat e të paqenunat dhe këto nuk munden me u spastrue lehtë çil e mbyll syt. Disa gazeta sulmuen Tomë Tomiqin dhe konvokatorët se si kanë dashtë, „Simbas zakonit të vet të vjetër, të bajnë spekulim dhe në kët rast” dhe shtuen: „Në kët rast të turpshëm do të kthehemi edhe njiherë që të thomi për te ndonji fjalë ma tepër, kurse tash për tash vetëm po shënojmë sa na ngarkon detyra gazetare.”
Gazetat tjera, prap shkruejnë se si Tomë Tomiqi, qytetar i njoftun e i nderuem me disa „qytetarë shum të njoftun të këtij vendi, konvokoi mbledhjen e patriotëve, që të këshillohen qysh do t’u ndihmojnë të damtuemve prej përmbytjes. Zotni Toma e paraqiti vuejtjen e banorëve të krahinave të shkretnueme në nji mënyrë t’atillë, në fjalimin e tij të shkurtë e të qartë, sa që na do t’ua japim në tansi lexuesve tanë në numrin e ardhshëm. Por, kët punë fisnike e penguen ngatrrestarët e njoftun në krye të të cilëve gjindet famëkeqi Sima Simiqi”… etj.
Edhe nëpër gazeta edhe gojarisht ndër biseda të natës, çashtja u koklavit gjithnji ma tepër e ma tepër, kështuqë filluen nëpër gazeta „prozhmime” të ndryshme plot shamje.
Gjatë pesëmbëdhetë ditëve u banë disa mbledhje që ishin gjithnji ma të bujshme e ma të bujshme. Thonë se në njanën kërsitën edhe disa shuplaka.
Tekembramja fitoi grupi, të cilit i printe Sima Simiqi, kurse Toma e njerzit e tij „ngritën duert“, dhe zunë me sha nëpër gazeta.
Sima Simiqi konvokoi mbledhjen. U mblodhën gjind ma tepër se kurr.
Natyrisht se edhe kët herë nuk u kalue pa diskutime. Prap zgjedhja e kryesis së nderit, zgjedhjet e ngushta, „çuemje e ulje”, „largim prej temës”, „zgjedhja e tre vetëvë që të vërtetohet procesverbali” sqarime personale, gjysëm orë pushimi. (Gjatë pushimit zihen ma së forti) „Të vendosim” „Të bisedojmë edhe ma!” „Kjo çashtje nuk mundet kështu, fët e fët”. „A jeni marrë vesh ndër vedi?” „Mbledhja të shtyhet për nesër”! Votohet edhe për këte dhe mbledhja shpërndahet përsëri me poterë.
Nesër përsëri mbledhje. Të lexuemit e procesverbalit „A don kush me ba ndonji vrejtje?” „Ju lutem të ma jepni fjalën“. Në reeendin e ditës!”
U dha propozimi që të themelohet „Shoqnija për ndihmën e të damtuemve nga përmbytja”.
— Më thot mendja — muer fjalën njani — se nuk asht e nevojshme me u kufizue vetëm në përmbytje, por në të damtuemit pergjithsisht.
I pari mpron propozimin e tij, kuvendtari tjetër e hjedhë poshtë. Muerën e dhanë tanë nji orë.
— E muerëm vesh, të vendosim!…
— Ju lutem të ma jepni fjalën!
— Nuk mund të flitet ma!…
— Kam nji propozim të ri!
— Të vendosim ma parë për këte!
— Janë paraqitë edhe dhetë kuvendtarë që të flasin për kët punë, a dëshiron mbledhja me i ndëgjue?
— Auuu!… Nuk duem!… Duem!… Le të shtyhet!… Veni në votë.
Kështu punohej gjallnisht prej ditës në ditë. Për çdo çashtje mendojshin dhe këshilloheshin me temel. Këtu zgjidheshin njerzit që duhet me shkue te persorialitetet në pozitë dhe me i lutë për kët e për at punë, mandej zgjedhjet e gjashtë vetëve, që kanë me i përpillue statutet e shoqnis”. Dhe këtu për çdo artikull të rregullores, shkojshin hava nga disa mbledhje. Po, mandej, bahej thirrja për me u shkrue n’antarsi; kryesija e përkohshme, don me thanë ma së pari zgjedhja e kryesis së përkohshme, e cila duhet të konvokojë mbledhjen e antarëve mbrenda njij afati dhetë ditësh, për t’u zgjedhë kryesija e përhershme.
Kryesija e përkohshme u zgjodh mbas disa mbledhjesh të bujshme, mandej erdhi rendi që të zgjidhet komisioni i mbikqyrjes dhe i kontrollit, mandej u ba zgjedhja e dy vetëve për shqyrtimin e llogarivë. Dhe tashma kishte hy në rregullore: Komisioni i mbikqyrjes ka të drejtë gjithmonë me konvokue mbledhjen e të gjithë antarëve të shoqnis!
Dhe tash fillon konstituimi i këshillit drejtues dhe kjo punë nuk bahet menjiherë çil e mbyll syt, shpejt e shpejt.
Të gjitha u kryen, u fonnue shoqmja, u shpall thirrja për t’u regjistrue n’antarsi. Mblidhen pare, pritet vetëm që të plotsohet shuma toptan dhe të dërgohet.
Kur qe, nji ditë, komisioni i kontrollit befi, shqyrtoi llogarit dhe gjeti se asht shpenzue shum material zyre. Ta merr mendja, e u konvokue mbledhja. Dhe këtu bahet rrëximi i këshillit drejtues, shamatë e re, zhurmë e re.
Përsëri biseda të gjata nate, përsëri nji varg i tanë mbledhjesh.
Nji vjet e diçka ma tepër u banë mbledhje e këshillime, por shuma nuk u plotsue.
Tekembramja, polli nji propozim, kështu pranë gotës me birrë, më tepër privatisht.
— Na, or vlla, t’ia dërgojmë ato të holla kujt duhet dhe të flejmë menden. Çka dreqin na duhet shoqnija dhe këto marrzina… Epma nji gotë birrë… Puna ma e pastër!… Tërrt e vërrt, hahemi atje si të marrë, bajmë poterë dhe bile ta dish pse!
— Drejt je tue folë — shtoi tjetri. A shef, për këte duhet të bisedojmë nji ditë kur të takohemi.
— Mirë, atëherë të takohemi nji ditë dhe të bisedojmë për së rrafshti për të gjitha punët dhe fi spastrojmë hesapet me ato dokrra! — tha i treti.
— Unë nesër nuk kam me mujtë! — tha i katërti.
— Nuk fisht e thanun nesër!… Do të takohemi nji ditë dhe do të bisedojmë kur me u takue. Të caktohet dita pikërisht dhe të takohemi të gjithë! — tha i pesti.
— Paj, gati, kishim me mujtë tash? Të gjithë jemi këtu! — tha i gjashti.
— E, tash, kjo nuk shkon kështu! Duhet, vlla, që të takohemi posaçërisht për kët punë dhe jo të bajmë diçka sa për sy e faqe.
Kaloi nji kohë e gjatë. Shuma u plotsue, u rrëxuen këshillat drejtuese, u zgjodhën të reja, u ba agjitacion që shoqnija të shpërndahet, biseduen ndër vedi, u zuen, u pajtuen, paj antarët tashma u lodhën, u pashitën dhe gati i çuen duert prej gjithçkafit; as nuk paguejnë, as nuk zgjedhin, as nuk i shiqojnë llogarit. Shoqnija për ndihmën e të damtuemve, zyrtarisht, nuk u shpërnda ose anulue, por në realitet, nuk ekziston, u zhduk. As këshilli drejtues nuk ndihet si këshill drejtues, as antarët antarë. Nganjiherë, këshfu në zanje e sipër, ndihet tek tuk që ndokush të bërtasi:
— Le të mos bajë ai Uum llum, sepse mundemi me kërkue hesap për ato të hollat e shoqnis!
Me kaq puna muer fund.
Përmbytja, tashipa gati u harrue. Katundarët e atyne katundeve ku kishte ndodhë përmbytja, e muerën vendin e dami gati edhe nuk ndihej. Bile disa prej atyne katundeve i dërguen ndihma shoqnis për ndihmën e të damtuemve dhe thanë: „Tue dijtë se çka asht mjerimi kur uji e mbyt vendin dhe i merr të mbjellunat, dërgojmë… e tjera.”
Ndërkaq, menjiherë, prej thellsis, këshillat e ndryshme filluen me ia dërgue shoqnis paret e mbledhuna. Kjo u ndie edhe mbas gazetave.
— Prej kah tash kjo? — u habit kryetari i këshillit drejtues.
— Do të jetë patjetër përmbytje e re!
— Nji zot e din!
— Ndoshta nuk janë të marrë që të dërgojnë për ato përmbytjet e para katër vjetëve, kur bile edhe gjindja e atjeshme ka harrue dhe shum njerëz prej atyne krahinave dërgojnë edhe vetë ndihma.
Shum vetë e konsideruen kët ngjarje si enigmë, kurse puna asht e thjeshtë:
„Këta janë Sërbë, u asht dashtë edhe atyne kohë që të munden me u marrë vesh me temel ndër vedi, sepse nuk asht thanë kështu vetëm n’erë: „Me marrëveshtje ngrehet shtëpija!”
Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)