Stradija (1/12)
Kara lexue nji tregim të çuditshëm në nji libër të moçëm, dhe dreqi e din si më ra në dorë ai libër i njifarë kohe qesharake, në të cilën gjindeshin shum ligje liberale, por aspak liri, mbaheshin fjalime dhe shkruheshin libra në lidhje me ekonomin, kurse kurrkush kurrgjë nuk millte, tanë vendi ishte përplotë me këshilla morale, por moral nuk kishte, në çdo shtëpi plot tavani me logjikë, mirëpo mend hiç, në çdo hap flitej për kursime dhe mirëqenje të vendit n’anën tjetër baheshin gjithkah shpenzime të kota, dhe çdo fajdexhi e hor mundte me ble për vedi me disa grosh, titullin „atdhetar i madh i popullit”.
Shkrimtari i këtij tregimi të çuditshëm, shënimesh udhtimi (çka i asht dashtë ai kompozim, marrë ngusht, mbas formave letrare, s’e dij as vetë, dhe nuk kam dëshirue me i pyetë as ekspertët, sepse dhe ata, pa pikë dyshimi, simbas zakonit tonë sërb të fiksuem, kishin me ia dërgue at landë për mendim mbledhjes së përgjithshme të Gjyqit të naltë të diktimit. Ta thomi kalimthi, ky asht nji zakon i bukur. Emnohen vehen njerëz që duhet të mendojnë për arsye të funkcionit zyrtar dhe mbaroi puna, kurse gjithë tjerët fesin mbi nji sy)… Ele, shkrimtari i këtij tregimi të çuditshëm, gjegjsisht i shënimeve t’udhtimit fillon kështu:
„I kam kalue pesëdhetë vjet të jetës sime vetëm n’udhtime nëpër botë. Kam pa shum qytete, shum katunde, shum shtete, shum njerëz e popuj, por kurrgja nuk më ka çuditë aq tepër sa nji fis i vogël në nji vend shum të bukur dhe të civilizuem. Do të ju tregoj për at fis të lumtun, megjithse e dij qysh përpara se njeri i gjallë s’ka me më besue, as tash as kurr edhe mbas vdekjes sime, poqese i bjen në dorë kujt dhe lexon…”
Mixhoku dinak, mu per arsye të mënyrës me të cilën e fillon tregimin me nxiti ta lexoj ate fund e krye, dhe mbasi tashma e lexova, dëshiroj me ua për tregue edhe tjerëve. Që mos ta kuptoni se unë me këte po due me ju mbushë mendjen me e lexue, qe menjiherë, qysh në fillim, deklaroj në mënyrë ma të sinqertë, se nuk e vlen barra qiran me e lexue dhe se mixhoku (ai shkrimtari apo çka asht) rrenë e ka krejt tregimin por unë për çudin e Zotit e besoj personalisht at rrenë si të vërtetën ma të madhe.
Qe se si tregon ai tutje.
—
Para tanë nji shekulli, baba im u plague randë dhe ra rob në luftë, mandej u dërgue në nji vend të huej jashtë atdheut të vet ku u martue prap me nji vajzë robneshë, me nji bashkëvendse të vet. Në kët martesë më lindi mue dhe kur mbusha nandë vjet, ai vdiq. Ai më ka tregue shum për vendlindjen e vet, për trimat dhe, burrat e mëdhej me të cilët asht përplotë vendi i ynë, për patriotizëm dhe luftat e përgjakshme për liri për virtytet dhe nderin, për flijimin e madh për shpëtimin e vendit, ku çdo gja, deri dhe jetën, njerzit e vejnë n’altarin e atdheut. Ai më ka tregue të kaluemen e lavdishme e bujare të popullit tonë dhe tue vdekë ma la amanet: „Biro, vdekja nuk më la që të vdes n’atdheun tim të dashtun, fati nuk më la që eshtnat e mi të m’i pranojë ai dheu i shejtë, të cilin e kam vaditë me gjak, që të mundët me qenë i lirë. Fati i mjerë i imi nuk la, që, para se t’i mbyllë syt, të më nxejnë rrezet e liris n’atdheun tim të dashtun. Por i qoftë falë gjaku im, sepse rrezet e liris kanë me të shëndritë ty, bir i im; kanë me ju shëndritë juve, fëmijt tanë. Tfillou, bir, puthe at dhë të shejtë posa të shkelish në te, shko e dueje dhe dije se vepra të mëdha i janë destinue atij vendi bujar dhe popullit tonë; shko dhe për krenari të babës tand, përdore lirin për të mirë edhe mos harro se at vend e ka njomë edhe gjaku im, gjaku i babës tand, sikurse e njomi shekuj me radhë gjaku i katragjyshave të tu fisnikë e të lavdishëm…”
Tue i thanë këto fjalë, baba më përqafoi e më puthi dhe lotët e tij pikuen nëpër ballin tim.
— Tfillou, bir, Zoti të…
Me kët fjali të pasosme dha shpirt baba im i mirë.
Nuk pat kalue asnji muej nga vdekja e tij dhe unë me torbë në krah e me shkop në dorë, u nisa nëpër botë që ta gjejë atdheun tim të lavdishëm.
Pesëdhetë vjet udhtova nëpër vende të hueja, nëpër botën e gjanë, por nuk e hasa kurrkund at dhe, o nji tjetër që t’i ngjante atij dheu bujar, për të cilin baba i im më pat folë sa herë.
Por, tue kërkue atdheun tim, hasa nji vend interesant dhe njerëz, për të cilët, qe tash, kam me ju tregue.
Ditë vere. Dielli djeg — me të vlue truni, nga zaparina e madhe ndiej cok marrje mendësh; diçka më zukat ndër veshë, etja zen me më lodhë, dhe shiqimin e kam të lodhun sa mezi kqyri. Djersa më kaploi krejt dhe nëpër djersë asht ngjitë pluhni i rrugës. Teshat më janë mbushë me pluhun dhe janë stërvjetrue. Eci i lodhun, i dromtiun, kur qe, menjiherë shiqoj para meje, nja nji gjysëm orë rruge se si zbardh nji qytet, të cilin e lagin dy lumej. Thuese ndjeva nji fuqi të re, harrova lodhjen dhe dromitjen dhe nxitova kah ai qytet. Mbërrijta deri te bregu. Dy lumej të mëdhej rrjedhin të qetë dhe i lajnë bedenet e qytetit me ujin e tyne.
Më kujtohet se baba im më kishte tregue diçka për nji qytet në za, ku tanët kanë derdhë gjak pa masë dhe si nëpër gjumë më bjen ndërmend që me pat folë se mu kështu diqysh dhe shtrihet atje ku dy lumej rrjedhin pranë tij.
Zemra më rrahi fort nga emocioni, hoqa kësulën dhe era që frynte mu prej bjeshkëve të këtij vendi, ma freskoi ballin e djersitun. Ngrita syt kah qielli, rashë në gjuj dhe me lot ndër sy bërtita:
— O Zot i madh! sillmi mendët në krye, ndëgjoje lutjen e vorfanjakut, i cili bredh nëpër botën e gjanë tue kërkue atdheun e vet, tue kërkue vendlindjen e babës së tij… Puhija vazhdon ende me fry nga malet e kaltërta, që shifen atje në largsi, kurse qielli hesht.
— Më thuej, ti erë e dashtun që fryn prej atyne maleve të kaltërta, a janë ato malet e atdheut tim? Tregomi, lumej të dashtun, a e shpërlani gjakun e të parëvet të mij prej atyne mureve krenare të qytetit kryenaltë? Çdo gja asht memece, çdo gja hesht, kurse mue si nji parandjenjë e ambël, nji za misterioz më thot:
— Ky asht vendi, të cilin aq shum je tue e kërkue!
Befas, më trondi njifarë zhurme. Skaj bregut, pakëz ma larg meje, pashë nji peshkatar. Lundrën e kishte pranë bregut dhe vetë i arnonte rrjetat. Ngafitun prej ndjesis s’ambël, nuk e pata vrojtue ma parë. I afrohem atij njeriu, dhe e përshëndes me „qoftë lavdue krishti”.
Ai më shiqoi tue heshtë, mandej pëmjiherë e hoqi shiqimin prej meje dhe vazhdoi punën e vet.
— Cili asht ai vend që shifet atje përtej ujit? — e pyes e më dridhet krejt trupi nga padurimi se çka do të përgjigjet.
Ai i rrudhi krahët dhe i hapi duert në shej çudije. Më shiqoi dhe foli nëpër dhambë:
— Po, ai asht me të vërtetë njifarë vendi!
— Si quhet? — e pyes.
— Nuk e dij. E shoh se atje gjindet njifarë vendi, por nuk kam pyetë si quhet.
— Po prej kah je ti? — e pyes.
— Paj qe këtu e kam shtëpin, nja gjysën ore larg. Këtu edhe kam lindë.
Gja e çuditshme, atëherë ky nuk asht vendi i të parëvet të mij, atdheu im, — mendoj dhe pyes me za:
— Paj, vallë, a bash kurrgja nuk din për at vend, a? Vallë, për kurrgja nuk asht i përmendun, a?
Peshkatari zu me mendue, e lëshoi rrjetën prej dore dhe thuese i ra diçka në mend. Mbas nji heshtje të gjatë tha:
— Thonë se n’ato vende ka mjaft thi.
— Vallë, vetëm për punë të thive qenka i përmendun ky vend? — e pyes i çuditun.
— Ka edhe shum budallallëqe por kjo më hynë fort pak në xhep — tha ai me gjakftoftsi dhe zu rishtas me e arnue rrjetën.
Kët përgjegje nuk e kisha të qartë, prandej e pyeta rishtazi:
— Çfarë budallallëqesh?
— Gjithfarësh — u përgjegj ai me njifarë mërzije tue gojitë me indiferencë.
— Pra, thi e budallallëqe?! Nuk ke ndëgjue për kurrgja tjetër?…
— Pos thive, thonë, kanë shum ministra, dikush në pension, dikush në dispozicion, por ata nuk i eksportojnë përjashta. Eksportojnë vetëm thi.
Mendova se peshkatari vërtet lot harushë me mue, prandej u nxeva:
— Çka po më qet dokrra, a mos mendon se jam i marrë?!
— Paguejmë që të qes në bregun tjetër dhe shko e shif çka ka atje. Unë po të flas ate që kam ndi prej tjerëve. As nuk kam qenë vetë atje, as nuk i dij të gjitha këto punë me siguri.
— Ky nuk asht vendi i të parëvet të mij, sepse ai asht në za për trima, për vepra të mëdha dhe për të kaluemen e shkëlqyeshme — mendoj, por peshkatari më përgjigjet e veta pyetjeve të mija ma shtini xekrrin dhe kështu vendosa me e pa dhe at vend, mbasi kisha pa e vizitue aq vende tjera. U godita me te dhe u ula në lundër.
Peshkatari lundroi deri te bregu, muer të hollat simbas ujdis, dhe mbasi unë dola në breg, u kthye mbrapa me lundër.