Tag Archive | njerëzit

Prisi (2/3)

(Faqja e meparshme)

Të nesërmen u mblodhën të gjithë ata që patën guxim me u nisë në nji rrrugë të gjatë. Ma tepër së dyqind familje u tubuen në vendin e caktuem dhe pak prej tyne mbetën me ruejtë votrën e vjetër.

Asht gjë e trishtueshme me shique kët turmë të popullsis së mjerë, të cilën halli i madh e shtërngon me braktisë vendin ku kanë lindë dhe ku gjinden vorret e të parëve të tyne. Fytyrat e tyne kocfortë, të molisuna, të djeguna prej diellit; vuejtja gjatë shum vjetësh të mundimshëm kishte lanë gjurmën në ta dhe shprehjes së tyne i kishte dhanë ngjyrën e mjerimit dhe të dëshprimit t’idhët. Por, në kët ças, në syt e tyne u pasqyrue rrezja e parë e shpresës si dhe pikllimi për vendlindjen. Ndonji plaku i rigojnë lotët nëpër fytyrë të rrudhun, fshan dëshprueshëm, sjell kryet plot me njifarë parandjenje, ma me kënaqsi kishte me ndejtë me pritë ende ndonji ditë që edhe ai t’i lajë eshtnat në kët gurishte se sa me kërkue votër ma të mirë. Shum prej grave vajtojnë me za dhe përshëndeten me të vdekunit, vorret e të cilëve i lanë; burrat përpiqen që të mos ligshtohen edhe vetë dhe bërtasin: „Mirë, a dëshiron të rrijmë unshëm në kët vend të mallkuem dhe të jetojmë nëpër këto shtëpija të vjetra gadi tue u rrëxue. Edhe ata vetë do të kishin dëshirue sikur të mujshin diqysh me e marrë me veti tanë kët vend të mallkuem dhe ato shtëpiza të mjera.

Zhurma e potera si në çdo turmë. Të shqetsuem, burra e gra bile edhe fëmija të cilët i bajnë nanat në shpinë ndër djepa, lëshuen britmën. U shqetsuen disi edhe kafshët. Kafshë kishin edhe pak, por tektuk gjindej ndonji lopëz, ndonji guracak i dobët dhe i kërleshun me krye të madh e kambë të trasha, në të cilin kishin ngarkue cerga të ndryshme, strajca ose nga dy thasë sipër samarit, i ngrati luhatej, por qëndronte prapseprap me zor dhe hingllonte nganjiherë. Disa prap kishin ngarkue gomarët, fëmijt tërhiqshin qejt me zinxhirë. Këtu pra bahej bisedë, piskamë, shamje, kukatje, vaj, qejt lehshin, kuajt hingllojshin, bile nji gomar pllati dy tri herë, por prisi s’bani ciu me gojë, thuese tenë ajo turmë dhe rrëmujë nuk i hynte në xhep aspak. Mentar e jo mahi!

Ai rrin njisoj me krye të varun, hesht e mendon dhe e vetmja gja që ban, asht se pështyn nganjiherë. Por, mu për shkak të njij qëndrimi të këtillë, popullariteti iu rrit aq tepër sa secili ishte në gjendje, si thonë, me ra mbas tij në zjarr e n’ujë. Midis shum vetëve mundej me u ndie afërsisht nji bisedë e këtillë:

— More, jemi të lumtun që hasëm në nji njeri të këtillë, se po t’ishim nisë pa këte, zoti mos e dhashtë, do të kishim sharrue si Ndue Rrapi. Kjo asht mençmeni, he vlla! Vetëm hesht asnji fjalë ende s’e ka folë! — tha njani dhe shiqoi prisin me respekt të thellë e krenari.

— Çka me folë? Kush flet, ai pak gja mendon. Njeriu i mençëm merret vesh, vetëm hesht dhe mendon ndonji send!… — shtoi tjetri dhe me respekt të thellë ai e shiqoi prisin.

— Paj nuk asht edhe lehtë me u pri kaq shum njerzëve. Duhet të mendojë kur e ka marrë përsipër nji detyrë kaq të madhe — ia ktheu prap i pari.

Erdhi koha me u nisë. Pritën pak, mos i kujtohej kujt me shkue me ta, por, mbasi s’doli kurrkush, s’mund të vendoheshin ma tepër.

— A po nisemi? — e pyetën prisin.

Ai u çue pa fjalë.

Pranë prisit u grumbulluen menjiherë njerzit ma trima që t’i gjinden në fatkeqsi dhe ta ruejnë mos t’i ndodhi ndonji rrezik.

Prisi, mrrolshëm siç e kishte shprehë, kryevarë, bani disa hapa tue luejtë shkopin denjsisht para vedit dhe turma u nis mbas tij e bërtiti disa herë „Rrnoftë!” Prisi bani edhe disa hapa dhe teshi në gardhin e ndërtesës së komunes. Këtu ta merr mendja, u ndal ai, u ndal dhe turma. Prijsi u zmbrap pak dhe i ra dy tri herë gardhit me shkop.

— Si t’ia bajmë? — pyetëm.

Ai heshti.

— Çka: si t’ia bajmë? Rrëzoja gardhin! Këte do ta bajmë! A po e sheh që burri i dheut dha shej çka duhet me ba! — bërtitën ata që ishin pranë prisit.

— Qe dera, qe dera! — bërtitën fëmijt dhe treguen derën, që kishte mbetë n’anën e kundërt.

— Pëst, qetsi, fëmij.

— Ruena zot, çka po bahet! — disa gra banë kryq.

— Mos bëzani, ai e din çka duhet me ba. Ta rrëzojmë gardhin! Gardhi u shpartallue çil e mbyll syt si mos me pasë qenë kurr.

Kaluen.

Nuk banë as nji qind hapa dhe prisi ra në nji therrishte të madhe e u ndal. Mezi u zmbrap dhe zu me qëllue me shkop herë majtas herë djathtas. Të gjithë u ndalën.

— Çka asht kështu prap? — bërtitën ata përmbrapa.

— Të kalojmë nëpër therrishtë — bërtitën ata pranë prisit.

— Qe rruga mbrapa therrishtes. Qe rruga mbrapa therrishtes — bërtitën fëmijt dhe shum njerëz nga mbrapa.

— Qe rruga, qe rruga! — përqeshën me maraz ata pranë prisit — Ku dini ku na çon ai, or qorra? Nuk mund t’urdhnojmë të gjitë. Ai din kah asht rruga ma e mirë e ma e shkurtë. Ta kalojmë therrishten!

Sulmuen për ta kalue.

— Kuku! vikati dikush të cilit iu ngul therra në dorë ose fermanza i ra fytyrës.

— Nuk ka kurrgjë pa mund, or byrazer. E vlen barra qiran edhe me u mundue, poqese mendojmë me korrë sukses — i përgjegjen asaj kukame ma trimat dhe kaluen therrishten mbas shum mundimesh e shkuen ma tutje.

Ecën do kohë dhe hasën në disa huj.

I rrëxuen edhe ata e shkuen ma tutje.

At ditë kaluen pak rrugë, sepse u desht me mposhtë edhe disa pengesa ma të vogla që u gjasojshin të parëve dhe pos kësaj kishin ushqim të keq. Dikush kishte marrë me vedi bukë thatë dhe pak bylmet, dikush vetëm bukë që barem herë mbas here ta mashtrojë ujën, dhe disa nuk kishin as bukë. Faleminderës zotit ishte ende kohë vere e barem aty këtu gjindej ndonji pemë.

Ditën e parë, banë pak rrugë dhe u lodhën shum. Rreziqe të mëdha nuk u paraqitën dhe nuk ndodhën fatkeqsina. Natyrisht në nji ndërmarrje kaq të madhe, këto gjana duhet të hyjnë në tefterin e imtsinave; nji grueje i ra driza synit të majtë dhe ajo e lidhi me kërpë të lagun; njij fëmije i ra huni mbi kambën e vogël e ai, shqepoi dhe kukati, nji plak u ngatrrue nëpër fermanzë, u rrëzue dhe e pëlkeu kambën, ia lidhën me qepë të shtypun, ai e duroi dhimbën burrnisht dhe vazhdoi me hecë mbrapa prisit me guxim tue u pshtetë për shkop, (shum vetë thanë se në të vërtetë, mixhoku rrente se e ka pëlkye kambën, vetëm shtihej sepse donte me u kthye mbrapa); në fund pak kush mbeti pa therrë në dorë ose pa u gërvishtë në fytyrë. Burrat duruen trimnisht, grat mallkuen orën në të cilën u nisën dhe fëmijt, si fëmijt, natyrisht, qanë, sepse nuk mund ta parafytyrojshin se si do të shpërbleheshin shumfish këto vuejtje e dhimbje.

Për fatin tepër të madh dhe gëzimin e të gjithëve prisit nuk i ndodhi kurrgja. Këte, me folë të drejtën, ma së tepërmi dhe e ruejshin — por nganjiherë — njeriu ka edhe fat.

Në konakun e parë iu lutën zotit dhe e falenderuen që ditën e parë e kaluen me faqe të bardhë dhe prisit nuk i ndodhi asnji e keqe, qoftë edhe ma e vogla. Mandej muer fjalën njani prej atij grupit me ma trimat. Në fytyrë i qëndron viaska e bame prej fermanzës, por ai nuk e zen në gojë ate.

— Vllazën! — filloi ai. — Qe nji ditë tashma e kemi kalue për faqe të bardhë. Rruga nuk asht e lehtë, por duhet t’i mposhtim të gjitha pengesat kur e dijmë se kjo rrugë na çon kah lumnija jonë. Zoti i mshirshëm të na ruejë prisin prej çdo së keqeje që dhe ma tutje të na prijë kështu me sukses.

— Nesër kam me e humbë, poqesë asht kështu, edhe synin tjetër. — murmuroi idhnueshëm ajo grueja.

— O kuku, kamba — piskati mixhoku çlirue mbas vërejtjes që bani grueja.

Fëmijt tashma kujisshin dhe qajshin sa mezi i qetsojshin nanat që t’i ndëgjojnë fjalët e kuvendtarit.

— Po, ke me e humbë edhe synin tjetër, — u nxe kuvendtari — të dy t’i humbish. Kjo s’asht kurrgja që nji grue t’i humbasi syt për nji punë kaq të madhe. Asht turp. A mendon ti për të mirën e lumnin e fëmijve të tu? Edhe gjysa e jonë sikur të mbarojë për kët vepër — kurrgja nuk asht. Çudi e madhe: nji sy! Çka të duhen syt kur ka kush me pa për ne dhe me na çue në lumni? A thue për synin tand dhe për kambën e mixhokut kemi me e lanë kët ndërmarrje bujare.

— Rren mixhoku, shtihet vetëm për t’iu kthye! — u ndien zane nga të gjitha anët.

— Kush nuk don me shkue, vllazën, le të kthehet — prap foli kuvendtari — dhe mos të kukasë e mos fi nxisë njerzit tjerë: Sa më përket mue, unë do të shkoj me kët pris të meçëm sa ta kem frymën gjallë.

— Të gjithë do të shkojmë, të gjithë mbas tij, sa ta kemi frymën gjallë.

Prisi heshtte.

Njerzit prap zunë me shique dhe me përshpëritë:

— Vetëm hesht dhe mendon!

— Njeri mendtar.

— Shif si e ka ballin!

— Dhe njisoj i vrantë.

— Serioz!

— Asht guximtar, shifet kah do ta marrish.

— Guximtar lene mos e prek; gardhin, hujt, therrishtat, të gjitha i bani rrafsh me tokë. Posa kështu i mrrolshëm troket me shkop dhe nuk flet kurgja, ti, atëherë, vetëm këqyr çka duhej me ba.

(Faqja tjetër)

Deti i vdekun (3/5)

(Faqja e meparshme)

Unë kam udhtue shum nëpër botë. Disa besojnë dhe shum nuk besojnë, por u han mendja së unë e kam parafytyrue at botë. Gja e çuditshme! Tekembramja, si thot fjala, tymi im le të shkoj drejt. Gjaja që ka randsi asht që unë të besoj se ia kam shkue hujin udhtimit.

Tue udhtue nëpër botë, njeriu shef çdo gja, shpesh çka nuk e ka pa as n’andërr, e lene ma me e mendue në zhgandërr. Kam lexue në disa fletore angleze se si tanë shtypi anglez e sulmoi shum ashpër nji Anglez të ngratë, i cili kishte shkrue do impresione udhtimi nëpër Sërbi. E lexova edhe unë at deskripcion dhe m’u duk mjaft i vërtetë, por kurrkush prej Anglezëve nuk besonte as që ekziston bile ndonji vend Sërbi, e lene ma atë që ai shkruen për at vend. E quejtën njeri të ngaritun dhe bile edhe të marrë. Qe, le të shofin tash kritikët se njeriu mundet me pa çdo gja në botë dhe të mos bërtasi pa me: nuk asht gja e përpikët, nuk e ka ngjyrën e natyrshme; si me pasë ra prej hane (dhe nuk shofin se pranë tyne e pranë nesh kalojnë aq individë, të cilët janë shum ma të këqij se sa të kishin ra prej hane) sepse tashma peni i tyne stereotipik, i kuq, i cili, nuk dij, përshkohet nëpër veprën kritike, dreqi e marrtë, më ka dalë tashma mbi kapuç.

Qe, pra, ashtu edhe unë, tue udhtue hasa nji shoqni të mrekullueshme, në të vërtetë nji vend, nji shtet apo si ta quejmë.

Gjaja e parë që hasa në kët vendth (hajde bash ashtu ta thrrasim troç) qe nji mbledhje politike.

— Bukur, për zotin; ku ndesha papritmas në kët çudi! — mendova me vedi dhe m’ uprish qejfi, sepse në Sërbi më kanë dalë për hundësh mbledhjet politike dhe pjesëmarrja në punët publike. Të gjitha punët janë ujdisë dhe ndreqë aq mirë sa njeriu nuk ka me kend as me u hangër si duhet.

U habita — mbledhjen e udhëheq përfaqsuesi i pushtetit në kët krahinë të vendthit, ndoshta e quejnë prefekt, e ai edhe e ka konvokue mbledhjen.

Shum qytetarë janë të përgjumshëm, t’ajun sysh prej gjumit, disa koten tue ndejtë në kambë, gojën e kanë gjysëhapun, syt e mbyllun dhe kryet u luhutet majtas, djathtas, nalt, poshtë: nja dy krena qytetarësh zunë me luhatë pak ma fort, u ndeshën njani në tjetrin, dy politikajt u tronditën e shiquen njani tjetrin me shiqim të topitun, nuk ti habitën prej kurrgjaje, syt i mbyllën përsëri e krenat vazhduen me u luhatë. Shum janë shtri dhe flejnë dhe të gërhatunit përhapet me t’u kënaqë shpirti tue ndëgjue. Shum, në të vërtetë janë çuët, por i fërkojnë syt dhe gojisin ambëlsisht e zashëm, thuese po u ndihmojnë sa për harmoni ma të madhe, atyne që gërhasin në kor. Kur shiqova, policët nga të gjitha anët i bajnë në shpinë qytetarët. Secili ka ngarkue në shpinë nga nji dhe e çon he mbledhjë. Disa të qetë heshtin dhe shiqojnë me indiferencë rreth vedit, disa kanë fjetë dhe disa sish kthehen dhe ikin. Disa që rezistojnë i çojnë lidhun.

— Çfarë mbledhje asht kjo? — pyes njanin.

— Kush i bjen në fije? — m’u përgjegj më indiferëncë.

— Ndoshta nuk asht opozita?

— Opozita! — përgjegji prap tue mos kqyrë as kush e pyet.

— A thue pushteti e thrret opozitën në mbledhje dhe i sjell njerzit me përdhunë? — e pyeta.

— Pushteti!

— Paj vallë kundra vedit?

— Sigurisht! — më përgjegji me mërzi, me nji farë dyshimi.

— Ndoshta mbledhja asht kundra popullit? — e pyeta.

— Ndoshta! — përgjegji ai në të njajtën mënyrë.

— Po çka mendon ti? — e pyeta.

— Ai më shiqoi topitshëm, turbullueshëm, rrudhi krahët dhe i hapi duert si të thonte: „Çka më duhet mue!”

E lashë dhe deshta me iu afrue nji tjetrit, por fytyra e tij pa kurrfarë, shprehje më ktheu prej asaj orvatjeje të marrë dhe të pasuksesshme.

Ndëgjova befas njifarë zani t’idhtë.

— Çka don me thanë kjo? Njeri i gjallë nuk don n’opozitë! Kjo nuk mund të durohet ma. Të gjithë vetëm partizanë të qeveris dhe të pushtetit, të gjithë të bindshem, të gjithë të qetë, dhe kjo si nji ditë për ditë në nji mënyrë t’atillë sa me u neveritë edhe prej kësaj bindshmenije.

— Ky asht popull shum i mirë dhe i kulturuem! — mendova me vehte dhe i pata lakmi këtij vendthi ideal. Këtu ndoshta as xhaxhesha ime e ndjerë nuk kishte me hukatë, as nuk do të parashikonte ndonji rrezik. Njerzit e kulturuem dhe të bindshëm shum ma t’urtë se sa, kërkonte mësuesi i vjetër prëj nesh si fëmij, sepse urtsija e tyne dhe sjellja e mirë i asht velë madje edhe vetë policis paqëdashse.

— Poqese ju vazhdoni kështu dhe ma tutje — vikati prefekti ashpër dhe zemrueshëm — atëherë na dijmë me e rrotullue fletën tjetër, që qeverija t’i emnojë opozicionarët me dekretligjë. Shkurt e shpejt, dhe forma të tilla, nëqoftëse nuk e keni dijtë, gjinden edhe në vende tjera. Për pris t’opozitës ekstremiste dhe të rreptë kundër regjimit të sotshëm emnohet filani me rrogë muejore 15 mijë dinarë. Për antarë të këshillit kryesuer të partis opozicionare: filani, fistiku dhe udha mbarë. Mandej, për opozicionerë të qarkut x, y, filani, fistiku, dhe rahat me zotin. Nuk mundet kjo kështu me shkue ma gjatë. Dhe qeverija ka gjetë tashma rrugën dhe mënyrën që të nxjerri edhe nji fletore kundra vedit. Për kët punë ajo ka fillue tashma bashkëfjalime dhe ka gjetë, njerëz të mirë, të sigurte dhe besnikë.

Qytetarët, gjegjsisht opozicionerët, shiqojnë përgjumshëm prefektin dhe në fytyrat e tyne nuk pikaset asnji ndryshim. Kjo punë as nuk i habit as nuk i nxit, as nuk i gëzon, kurrgja absolutisht, thuese prefekti s’kishte folë kurrgja.

— Pra tash, ju jeni opozita — tha prefekti.

Gjindja e shiqon dhe hesht qetsueshëm e me indiferencë. Ai muer listën e të gjithë të pranishëmve, gjegjsisht t’atyne që i kishin sjellë në mbledhje dhe filloi me thirrë emnat:

— Të gjithë janë këtu! — tha mbas thirrjes me kënaqsi.

Prefekti u struk në mbështetsen e karrigës dhe i fërkoi duert nga kënaqsija.

— Eh — miiiirë! — tha ai me buzëqeshje në fytyrë.

— Tash, pash emnin e zotit, të fillojmë!… Dëtyra juej, si kundërshtarë qeveritarë, asht që ta sulmoni qeverin shum ashpër dhe ta dënoni punën e saj politike dhe drejtimin e politikës si të jashtme ashtu edhe të mbrendshme.

Gjindja pak ngapak zu me ardhë në vedi, ndërsa vetëm njani u çue në maje të gishtave, ngriti dorën dhe rrënkoi me za të dobët:

— Unë e dij, i lutem zotnis, nji tregim rreth opozicionerit.

— Eh — hajt pra, tregoje!

Qytetari, u kollit pak, i luejti krahët dhe filloi me tregue me nji ton t’atillë që duket ma tepër se asht tue kikirikue, njinji si na kur përgjigjeshim dhe i përsëritshim tregimthat instruktivë.

— Njiherë kishin qenë dy qytetarë: njani e kishte emxiin Millan e tjetri Ilija. Millani ishte qytetar i mirë dhe i ndëgjueshëm, kurse Ilija i mbrapshtë dhe i pahajr. Millani e ndëgjonte qeverin e vet të mirë për gjithçka, kurse Ilija kishte qenë i pahajr dhe nuk e ndëgjonte qeverin e vet të mirë, por votonte kundra kandidatëve të qeveris. Qeverija e mirë thirri edhe Millanin edhe Ilin me shkue te ajo dhe u tha:

— „Mirë, Millan, ti je qytetar i mirë dhe i ndëgjueshëm, qe ty plot pare dhe ke me pasë përpos detyrës sate edhe nji tjetër me rrogë ma të mirë”. Kështu foli dhe ia dha Millanit të mirë nji qese ding me pare. Millani ia puthi dorën qeveris së mirë dhe shkoi gëzueshëm në shtëpin e vet.

Mandej iu kthye Ilis dhe i tha:

„Ti’ Ili, je qytetar i keq dhe i pahajr, për kët shkak kam me të burgosë, me ta heqë rrogën që merr dhe me ua dhanë atyne që janë të mirë e të ndëgjueshëm.”

Gjindarmët erdhën dhe e burgosën menjiherë Ilin e keq dhe të pahajr, ai vuejti shum dhe e mjeroi familjen e vet.

Kështu e pin çdo kush që nuk e ndëgjon eprorin e vet dhe qeverin e vet.

— Shum mirë! — tha prefekti.

— Unë e dij, të lutem zotni, çka na mëson ky tregim! — tha nji qytetar tjetër.

— Mirë. Trego!

— Prej këtij tregimthi shofim se si lypet njeriu me i besue dhe me iu bindë qeveris së vet që të mundet me rrnue i qetë me familjen e vet. Qytetarët e mirë dhe të ndëgjueshëm nuk punojnë si Ilija, prandej çdo qeveri i don! — foli opozicioneri.

— Bukur, po çka asht detyra e qytetarit të mirë dhe të ndëgjueshëm.

— Detyra e qytetarit të mirë dhe patriotik asht që të çohet në mëngjes prej shtrojës.

— Shum bukur; kjo asht detyra e parë. A ka dhe ndonji detyrë tjetër?

— Ka dhe ma.

— Cilat janë?

— Që qytetari të veshet, të lajë syt dhe të hajë mëngjes.

— Po mandej?

— Mandej del pa zhurmë prej shtëpis së vet dhe shkon fill në punën e vet; poqese nuk ka punë, atëherë shkon në mejhane, ku pret kohën e drekës. Tamam në mesditë vjen prap pa zhurmë në shtëpin e vet dhe han drekë. Mbas dreke pin kafe, i ian dhambët dhe shtrihet me fjetë. Kur të ngihet gjumë mirë, pastrohet dhe shkon me shetitë, mandej në mejhane dhe kur vjen koha e darkës, vjen fill në shtëpin e vet dhe han darkë, e mbas darke shtrihet në shtroja dhe flen.

Shum prej opozicionarëve treguen nga nji tregimth t’urtë dhe instruktiv dhe spjeguen se çka na mëson ai tregim. Mandej opozijonarët kaluen në konvinksionet e parimet e tyne.

Njani propozoi të mbyllet mbledhja dhe gjithë tok të shkojnë në mejhane për të pi nga nji gotë venë.

Këtu mendimet u ndanë dhe qenë të detyruem me zhvillue medoemos nji diskutim të bujshëm. Kurrkush ma mik dremitte. U votue në parim. Mbas mbarimit të votimit prefekti kumtoi se propozimi asht pranue në parim, se përgjithsisht njerzit duen me shkue në mejhane, dhe tash u zhvillue diskutimi ndër hollsina: çka do të pijnë atje?

Disa duen venë e sodë.

— Nuk duem, — bërtasin tjerët — ma e mirë asht birra!

— Unë për parim, nuk pij birrë! — tha njani prej grupit të parë.

— Unë, prap, për parim nuk pij venë.

Dhe kështu u çfaqën shum parime dhe konvinksione dhe u hap nji diskutim i bujshëm.

Disa përmendën kafen (ata janë nji pakicë e tmershme), kurse njani midis tyne nxuer orën, shiqoi dhe tha:

— Sahati tre e pesëmbëdhjetë minuta! Edhe unë tash nuk muj me pi kafe. Unë parimisht pij kafe vetëm deri n’orën tre mbasdite dhe mbas kësaj kohe nuk pij, sikur edhe kryet me ma shkurtue.

Mbas shum fjalimesh, të cilat vazhduen tanë mbasdrekën, erdhi koha me votue.

Prefekti, si përfaqsues i vyeshëm i pushtetit; pat qëndrim objektiv dhe të drejtë. Nuk deshti me ndikue për kurrgja në votimet e lira; çdo qytetar e lejoi që ta japi votën për konviksionin e vet në formë paqsore, parlamentare. Në fund të fundit, kjo e drejtë i asht dhanë secilit me ligjë dhe pse atëherë me ia heqë?

Të votuemit u ba me rregull shum të mirë.

Mbas mbarimit të votimit, prefekti i çue me fytyrë të kapardisun, serioze, si i ka hije kryetarit të mbledhjes politike, dhe me za edhe ma të randsishëm shpalli rezultatin e votimit.

— Kumtoj se grupi për venë e sodë ka fitue me shumicë të madhe, mandej vjen frakcioni me numër pak ma të vogël për venë të papërzieme, mandej frakcioni për birrë. Për kafa kanë votue vetëm tre vetë (dy për t’ambël dhe nji për t’idhët), në fund nji vqtë për melanzhë.

Harrova me përmendë që ai pat fillue nji fjalim kundra qeveris, por turma mbyti me poterë sulmin e tij fëminuer. Mandej ai, pak ma vonë, zu me folë se si asht kundra dhe nji mbledhjeje të këtillë dhe se si kjo nuk asht mbledhje e opozitës, porse pushtetit i ka ba mendja hyqëm me u tallë, mirëpo edhe këtu tjerët me vikamë e poterë e ndaluen të flasi.

Prefekti, mbas kësaj, heshti pakëz, mandej shtoi:

— Sa më përket mue, unë do të pij birrë, sepse ministri im nuk pin kurr venë e sodë.

Opozita zu me u luhatë befas dhe gjithë deklaruen se duen me pi birrë, përpos atij që votoi për melanzhë.

— Unë nuk due me ndikue në lirin tuej, — tha prefekti, — dhe kërkoj prej jush që të qëndroni në konviksionin tuëj.

— Zoti na ruejtë! Kurrkush nuk donte me ndie për konviksion dhe zunë me provue se si të votuemit duel rastsisht kështu dhe se edhe ata çuditeshin vetë si ndodhi kjo punë, mbasi, në të vërtetë, kurrkush nuk kishte mendue ashtu.

Dhe kështu krejt kjo shamatë mbaroi me lezet dhe shkuen në mejhane mbas njij pune të gjatë e të mundimshme politike.

Pinë, kënduen, ngrehën dolli për qeverin e popullin dhe në njifarë kohe të natës të gjithë u shpërndanë nëpër shtëpija qetë dhe bukur.

(Faqja tjetër)

Stradija (2/12)

(Faqja e meparshme)

Mu pranë bregut, pak ma tutje, në të majtë të vendit ku zbrita, vuna rë nji piramidë të madhe prej mermeri me germa t’arta të gdhenduna. Iu avita kureshtshëm ma afër, tue mendue se mu këtu do t’i lexoj emnat e trimave të lavdishëm për të cilët më pat tregue baba. Kur atje — çfarë gjaje e papritun? Në mermer fjalë të gdhenduna:

„Deri këtu në veri shtrihet toka e popullit të lavdishëm dhe fatbardhë, të cilit, Zoti i madh i ka dhurue lumnin e madhe të rrallë që në gjuhën e tij, plotsisht në pajtim me rregullat gramatikore, për krenarin e vendit dhe të popullit, k-ja para is shndërohet gjithmonë në c[1].

E lexova nji herë, dy herë, por kurrsesi nuk mujta të përmblidhem prej habis se çka duen me thanë të gjitha këto. Çka ishte edhe ma e çuditshme për mue, fjalët ishin të shkrueme në gjuhën time amtare.

— Po, kjo asht gjuha në të cilën ka folë edhe im at dhe të parët e tij dhe unë, por nuk asht ai vend, ai më ka folë për nji vend krejt tjetër. Ajo që më shtyn me dyshue asht se flitej e njajta gjuhë por mendova se mundet me ndodhë që të jenë dy popuj të largët, prej nji origjine, vllazën të njajtë, që kanë nji gjuhë, por që nuk dijnë njani për tjetrin. Pak-ngapak mëni çudija, kështuqë dhe vetë zuna me u krenue që rastsisht edhe gjuha ime amtare asht po e atillë dhe bash me at veçori të bukur.

Kalova kalan dhe u drejtova rrugës që çon në qytet qe të çlodhem ndokund në hotel nga udhtimi i gjatë dhe mandej të kërkoj punë, në mënyrë që prej fitimit të mundem me e vazhdue rrugën ma tutje për ta kërkue atdheun tim.

Nuk kalova disa hapa kur, papritmas, rreth meje, si rreth ndonji përbindshi, zu me u tubue njerzija prej të gjitha anëve. Pleq e të rij, mashkuj e femna, iu zihej fryma, ngrihen në maje të gishtave, shtyhen, shtypen që të më shohin sa ma mirë. Në fund u tubuen, aq shum njerëz, sa u mbyll rruga dhe u pre çdo qarkullim.

Gjindja më shiqon me çudi, por edhe mue ajo gjinde e panjoftun më mrekullon. Cilindo që ta kqyrë, asht i stolisun me dekorata e shirita. Rrallë kush prej atyne që ishin ma të vorfën mban nji ose dy dekorata, kurse në përgjithsi secili asht i stolisun aq shum, sa as teshat nuk i shifen. Disa kanë aq sosh sa nuk mujnë as me i çue në trup, por tërheqin karroca të vogla mbas vedit me plot dekorata për merita të ndryshme, hyj, shiritë, dhe çfarë dekoratash, jo.

Mezi mujta me ecë nëpër kët turmë njerzish të lavdishëm që më vallojnë dhe gushaten kush mundet me i hapë rrugë vedit ma afër meje. Madje, disa ziheshin për kët punë e ndiheshin edhe qortime kundër atyne që qëndrojshin gjatë pranë meje:

— Paj ndoshta jeni ngi ma tue kqyrë; lenani tash pak që të shofim edhe na.

Cilindo që afrohej, përnjiherë hynte ngutshëm në bisedë që të mos e zmbrapte ndokush.

Më mërziten ma të njajtat pyetje me habi:

— Prej kah je?… Vallë s’ke asnji dekoratë?…

— S’kam.

— Sa vjet ke?

—- Gjashtëdhetë.

— Dhe ende asnji dekoratë?!

— Asnji.

Vikama hapej nëpër turmë si në panair kur çfaqen përbindshat.

— Ndëgjoni, burra; njeriu gjashtëdhetë vjeç pa asnji dekoratë për be!

Të zihet fryma, poterë, rrëmujë, shtymje gjithnji ma tepër e ma tepër dhe njërzit nga të gjitha rrugët tubohen dhe sulmojnë që të përshkohen nëpër turmë për me më pa. Në fund filloi dhe rrahja kështuqë u përzi edhe policija për ta vu rregullin.

Edhe unë, para se filluen me u rrahë, pyeta kënd mbërrijta mbi meritat, për të cilat ishin dekorue.

Njani më tha se ministri i tij e kishte dekorue për merita të rralla dhe flijim kundrejt atdheut, sepse kishte pasë shum pare shtetnore nëpër duer nji vjet të tanë dhe n’arkë, kur u ba kontrolli, u gjetën vetëm dy mijë dinarë ma pak se sa duhej me qenë. „Asht e drejtë”, flitej, „sepsë ka mujtë me i ba rrush e kumbulla të gjitha, por fisnikija dhe shpirti patriotik nuk e kanë lanë me e ba at punë.

Njani ishte dekorue pse kishte qenë nji muej rojtar i disa magazinave shtetnore dhe asnji magazinë nuk ishte djegë.

Njani ishte dekorue për shkak se ma së pari veneroi dhe konstatoi se fjala libër mbaron në mënyrë shum interesante me r dhe fillon me l.

Nji gjellëbamse ishte dekorue për arsye se për pesë vjet shërbim në nji shtëpi të pasun kishte vjedhë vetëm disa sende t’argenda e t’arta.

Njani ishte dekorue sepse, mbasi kishte dalë me nji deficit të madh, nuk e kishte vra vedin simbas shembullit të marrë t’atëhershëm, por rhe arrogancë kishte bërtitë para gjyqit:

— Unë pikëpamjet dhe idet e mija i kam tregue në vepër, të tilla janë botëkuptimet e mija dhe ju dënomni. Qe ku jam! (Këtu e rrahi gjoksin dhe bani nji hap përpara).

Ai, mendoj, e muer dekoratën për kurajo civile, (dhe asht e drejtë!)

Nji mixhok kishte marrë dekoratë sepse ishte plakë dhe nuk kishte vdekë.

Njani ishte dekorue sepse ishte pasunue pa u mbush gjysëvjetori tue e furnizue shtetin me drithë të keq dhe shum gjana tjera.

Nji trashigimtar i pasim ishte dekorue sepse nuk e bani rrush e kumbulla pasunin atnore dhe sepse dha pesë dinarë për qëllime mirëbase.

Kush kishte me i mbajtë në mend të gjitha! Prej secilit kam mbajtë në mend nga nji dekoratë të tij dhe me i radhitë të gjitha, do t’ishte gja e pamundun.

Elem, kur tashma krisi gëverra dhe shamata, u përzie policija, policët zim me shpërnda gjinden dhe nji kryeplak, a çka asht, urdhnoi që ta sjellin nji karrocë të mbyllun. Më hypën në karrocë, rreth së cilës gjindeshin policë t’armatosun për me e zmbrapë gjinden. Ai u ul me mue dhe më çoi diku, ndërsa nga të gjitha anët njerzit ngarendshin mbrapa karrocës.

Qerri u ndal para nji shtëpije së madhe, t’ulët, por të lanun shkretë.

— Ku gjindemi tash kështu? — e pyeta at kryeplakun (barem unë ashtu e thërras) që e siguroi qerrin dhe vetë u ul me mue mbrenda.

— Kjo asht policija e jonë.

Kur zbrita prej qerrit, pashë dy vetë tue u rrahë mu para dyerve të policis. Policët qëndrojshin përqark dhe shiqojshin zanjen, e, edhe shefi i policis edhe gjithë nëpunsit tjerë shiqojshin me kënaqsi.

— Pse rrahen? — pyes.

— Paj, urdhni asht i këtillë, që të gjitha skandalet të bahen këtu para syve të policis, sepse a dini se si asht? Ku do të mujshin shefi dhe nëpunsit tjerë me kontrollue çdo skutë. Kështu asht ma lehtë për ne dhe ma açik. Zihen dy vetë dhe, poqese duen me u rrahë, vijnë këtu. Ata, të cilët bajnë skandale poshtë, në rrugë në vend jo kompetent, na duhet medoemos me i dënue.

Zotni shefi, nji burrë i trashë, me mustaqe të thime, i rruem, me gushë të fryeme nën mjekrën e rrumbullakët, kur më pa, për pak qe tue i ra të fikët prej çudis.

— Prej kah je, pash Zotin, or burrë? foli dhe mbasi e mblodhi vedin prej çudis dhe i hapi duert, filloi me më vrejtë nga të gjitha anët.

Ai që erdh me mue, pëshpëriti diçka me te; ndoshta i referoi krejt çka kishte ndodhë. Shefi u mrrol dhe më pyeti ashpër:

— Prej kah je, fol!

— Unë zuna me i tregue fije e për pe kush jam, prej kah jam dhe ku shkoj, mirëpo ai filloi me u nxe dhe bërtiti:

— Mirë, mirë, leni ti ato marrzina, por çka asht me randsi, tregom ti mue si ke guxue kështu me shkue nëpër rrugë në titerr të ditës.

Fillova me shique trupin teposhtë dhe rreth vedit mos gjindet ndonji send jo i rendomë në mue, por nuk më ra në sy kurrgja. Kështu kam kalue nëpër shum vende dhe kurrkush kurrkund nuk më ka marrë në përgjegjsi.

— Pse s’po leh? — bërtiti ai njerzisht, ashtu sikurse, simbas qarkores, në përgjithsi sillet policija n’at vend dhe venerova si dridhej prej zemrimit. — Unë do të të fus në burg, sepse ti ke shkaktue shum skandale në vend jo kompetent dhe e ke shqetsue tanë qytetin me marrin tande.

— S’po marr vesh kurrgja, zotni, çka kam mujtë me ba kaq keq — vërejta me frigë.

— Je plak dhe nuk din as ate që dijnë fëmijt e vegjël nëpër rrugë. Po të pyes ty edhe njiherë: Si ke mujtë ti me kalue kështu nëpër rrugë dhe me shkaktue çrregullime, çka asht ma zi, në vend jo kompetent?

— Unë jam njeri korekt.

— Ti je i marrë, kështu plak… Korekt… Hajde ku i ke dekoratat.

— S’kam.

— Rren, qen plak.

— Pasha Zotin, nuk kam!

— Asnji?

— Asnji.

— Sa vjeç je?

— Gjashtëdhetë.

— Vallë për gjashtëdhetë vjet asnji nishan?

— Po ku ke jetue? Në hanë a po ku?

— Nuk kam asnji, pasha tokë e qiell! — zuna m’u përbe!

Shefi u çmerit. Hapi gojën, zgurdulloi syt, shiqoi në mue dhe s’bani ciu me gojë.

Kur u çpi pak, nga çudija urdhnoi që t’ia sjellin sa ma parë nja dhetë dekorata.

Prej odës përbri sollen plot dekorata të ndryshme, hyj, shiritë, dekorata që varen në qafë dhe shum medale.

Shefi urdhnoi dhe kështu në kambë e në dorë m’i vunë nja dy tre hyj, nji shirit, tri katër dekorata m’i varën në qafë, disa m’i ngjiten në setër dhe pos këtyne m’i vunë nja njizet medale dhe kujtimore.

— Kështu, bre vlla! — bërtiti shefi i kënaqun, i cili trilloi mënyrën me shmangë skandalet e matejshme. — Kështu — mandej shtoi — tash i ngjan njeriut të rendomtë; ashtu ma alarmoi tanë qytetin, ra befas si ndonji përbindsh… Ti ndoshta edhe nuk ke dijtë se sot asht festë? — mbaroi pyetjen, tue m’u drejtue mue.

— Jo.

— Mrekulli! — tha, pak i fyem, heshti dhe tha:

— Para pesë vjetëve, në ditën e sotshme asht tredhë kali im të cilit tash i hypi rregullisht dhe sot kam marrë urime nga qytetarët ma të shquem dhe kah mbramja do ta shetis kalin tim rreth orës nandë me pishtarë nëpër rrugë dhe mandej do t’epen valle në hotelin ma të mirë, ku mund të hyjnë vetëm qytetarët ma të shquem.

Tash qeshë gadi me u ndezë flakë prej çudis, por që mos t’i bijsha në sy, përmblodha vedin dhe iu afrova edhe ia urova me fjalë:

— Më falni që nuk kam dijtë për kët ditë tuej feste dhe më vjen shum keq që nuk kam mujtë me ju urue në kohën e duhun, por, qe, tash po e baj kët punë.

Ai m’u falenderue nga thelbi i zemrës për ndejnjat e mija të sinqerta që ushqej karshi kalit të tij besnik dhe menjiherë urdhnoi të më qerasin.

Me qerasën venë e pasta dhe unë u përshëndeta me shefin dhe u nisa me nji polic (të cilin ma dhanë të më çojë në lokandë), i stolisun me hyj dhe dekorata, kështuqë mujsha me shkue i qetë rrugës, pa poterë dhe rrëmujë prej gjindes, gja që do të më ndodhte patjetër sikur të kisha shkue ashtu pa nishane.

Ai polici më çoi në lokandë. „Te atdheu ynë i dashtun, i vuejtun”. Hotelieri ma caktoi nji odë dhe kështu hyna me u çlodhë. Mezi prita që të mbetem vetëm e të përmblidhem nga mbresa e çuditshme që bani në mue ky vënd herën e parë.

(Faqja tjetër)

 

[1] Rregull në gjuhën sërbishte, sh. i përkth.