Tag Archive | Kosova

Andrra e çuditshme

I qofsha falë Zotit, çka nuk më shtihet n’adërr! Dhe njerzit tjerë, padyshim shofin andrra të marra e shapakote, por, ndoshta, nuk i shkruejnë, sikurse mue m’u ka ba disi mani që, posa ta shof ndonji andërr të çuditshme, menjiherë pendën në dorë dhe shkruej, që t’u japi rast edhe tjerëve me u çuditë.

Në mbramje më zu nji gjum i qetë dhe i thellë e andrra më çoi në nji kohë para njiqind vjetësh, mirëpo kjo kohë nuk asht ashtu sikurse unë dhe të gjithë na e kemi mësue prej historis, por krejt ndryshe. Nji send që n’andrrën time asht i barabartë me kohën e atëhershme, asht se Sërbija thuese nuk asht e lirueme dhe se në te sundojnë Turqit. E ndjeva vedin si mos me qenë n’andërr, por gjithçka më dukej si në zhgandërr. Turqit sundojnë Sërbin, kanë, si, ministrina, ente, organizim, nëpunës, gjithçka, si na sod. Beogradi po ai si edhe ky sod: të njajtat rrugë, të njajtat shtëpija, gjithçka nji soj, vetëm që ndër shum tregtiza dhe ndërtesa shtetnore mbishkrime truqishte e nëpër rrugë plot Turq, dhe na Sërbët, po ata që jemi dhe sod, ndeshemi me ta dhe i përshëndesim:

— Servus, Jusuf!

— Servus!

Kjo asht përshëndetja me të vobektit e tyne, me klasën ma t’ultë, por kur kalon tashma ndokush ma i mirë se ata ose bile pushteti, atëherë njeriu ulet në gjuj, heq kësulën dhe i palon syt për dhe. Gjaja ma e çuditshme asht se gjinden edhe Sërbë në policin turke. Ruena Zot, por kjo punë nuk m’u duk n’andërr aspak e çuditshme.

Ministrat dhe aristokratët kalojnë rrugës me çallma, me çibuka të gjatë, me hap të ngadalshëm, të mrroltë. Të gjithë përkulen deri në tokë para tyne për t’i nderue, kurse ata mëzi bajnë tenezyl me ia kthye përshëndetjen këtij dhe atij, të cilit ma me gëzim kishin me i ra në krye me çibuk dhe me i lejue që t’u falet nderës për at nderim me gjithë zemër e përulshëm.

Na po ata, të sotshmit, vetëm thuese nuk jemi qytetarë të lirë si sod, por raje që dridhet prej frigës edhe për kryet edhe për familjen edhe për pasunin e vet.

Turqit nuk na kursejnë aspak. Disa prej nesh i burgosin; do tjerë lidhin me vargoj të randë, disa i persekutojnë, disa i heqin prej shërbimit shtetnuer dhe çfarë zullumesh tjera nuk trillojnë për ne, rajen besnike dhe të bindun.

Po kështu prej thellsis së Sërbis mbërrijnë pa pra lajmet e zeza: se si ndonjanit prej popullit ia kanë rrëmbye pasunin, dikujt për tatim ia kanë shitë edhe shtëpin dhe çdo gja rreth saj; dike e kanë mbytë, dike e kanë ngulë në hu, dike e kanë përzanë nga vendi i lindjes. Princat i lidhin me pranga dhe i burgosin vetëm po ta çojnë zanin kundra dhunës dhe marrin tjerë që i levërdisin pushtetit t’egër turk; në faltoret e shejta i shtijnë policët e vet dhe i rrahin priftnit me kamxhikë, pa marrë parasysh kush janë, mjafton që nuk e përkrahin sjelljen e pamirë të Turqve.

— Deri kur kemi me durue kët përdhuni e zullum? — më pyeti, gjoja, njihërë nji mik i mirë imi, të cilin, teksa para dy tri ditësh, e kishin lirue prej burgut. Ky asht (ashtu si e njofta n’andërr) njeri i vobekët, guximtar edhe trim, por për shkak të sjelljes së tij ndaj Turqvet hoqi shum keq e vuejti, dhe shum Sërbë largoheshin prej tij që Turqit të mos i marrin mëni për shkak të shoqnimit me të.

— Eeeeh, çka mundemi me ba?! pëshpërita nëpër dhambë dhe vëzhgova ndër të gjitha anët që mos ta ndëgjojë kush bisedën tonë.

— Si çka mundemi me ba? — më pyeti ai dhe më shiqoi rreptë ndër sy.

— Kështu, çka mundemi me ba?

— Të luftojmë! — tha ai.

Thuese dikush m’i preu kambët me kosë, fillova cok me u luhatë dhe nga friga mezi bëlbzova:

— Me kend?

— Me Turqit, po me kend tjetër? — prap ai me ashpërsi.

Rrathë gjithfarë ngjyrash nisen me më luejtë para syve dhe u prapsova instiktivisht prej njifarë frige.

— Por, por p…. por… zuna me belbzue.

— Çka por, s’ka këtu por, duhet me luftue, dhe mbaroi puna — bërtiti miku im zemrueshëm dhe më la e iku.

Ndejta gjatë n’at vend, si i gurzuem prej çudis. Nuk mujsha me ardhë në vedi. N’at ças ia behi nji tjetër prej miqve te mij të mirë. U përshëndet dhe e çuditi brengosja ime, të hutuemit.

— Çka të gjet? — pyeti.

Ia tregova bisedimin me mikun e parë.

Ai qeshi fort dhe m’a rrahu krahun me dorë:

— Ha, ha, ha, ha, po vallë ti nuk e njef atë?… Ha, ha, ha, ha… Vallë a nuk e mban në mend se ai ka qenë gjithmonë ashtu në tri rrotë!… Çka thot: të luftojmë!… Ha, ha, ha, ha! Bukur, pasha Zotin. As ma pak, as ma tepër por na të dy t’i shpallim luftë imperatoris turke! Ha, ha, ha, ha!… Falë i qofsha Zotit, kqyre sa njeri i marrë! — më tha miku dhe zunë me iu mbushë syt me lot prej të qeshunit t’ambël.

— Njeri i çuditshëm — thashë.

— I marrë, nuk asht i çuditshëm. Don me e kthye lumin përpjetë dhe me u shitë trimni Turqve. Ai asht njeri i marrë. Çfarë dobije pat prej asaj pune? E burgosën, e hodhën ndër pranga, e rrahën — këto janë krejt qari i tij, përpos kësaj shkatrroi edhe vedin edhe familjen e vet, por këto të mos i shti në hesap. Gjinden ende kësi të fërflluemësh. Le të ngushllohet që ka ende kush me i ba shoqni — vërejti miku im dhe mandej zu me u qeshë përsëri.

— Ha, ha, ha, ha!… Luftë Sulltanit, ec e luej! — foli dhe u shkreh prap në gaz.

Tanë puna m’u duk edhe mue qesharake dhe filluem të dy me u qeshë.

Andrra asht send i çuditshëm, sepse kurrgja në të nuk asht e çansueme pikërisht, e çka asht edhe ma bukur çdo gja i duket njeriut e natyrshme, e vërtetë. Kështu ndodhi edhe me mue në kët andërr.

Thuese jam në Beograd e njikohsisht edhe në disa male, nëpër kodra, me njerëz të popullit, kurse në pyll t’errët, të gjanë, gjindet nji hotel i vetmuem, i mshefun, i shtruem bukur, elegant.

Ai miku im i fërflluem dhe luftarak, thirri si na tridhetë burra të njoftun prej të gjitha krahinave që të merren vesh çka me bë kundra zullumit turk. Turqit kishin fillue me ba prej ditës në ditë, prej çasit në çast, të këqija gjithnji ma të mëdha e ma të mëdha, kështuqi na u desht medoemos me vu gishtin në krye seriozisht e me mendue: Çka me ba për kët mjerim të përgjithshëm të popullit.

Në nji dhomë të shlirshme të njij hoteli u mblodhëm na dhetë vetë dhe kuvenduem, tue pi melanzhë, në lidhje me gjanat e rëndomta të përditshme, tue pritë tjerët.

Unë jam si profesor në nji shkollë, dhe tregova se si n’orën e ardhshme do të jap mësim për gypat e Toriçelit; nji tregtar tregoi se si Turqit bajnë ma tepër pazar në dyqanin e tij se sa Sërbët; njani prap, nuk e di çka ishte, tregoi se si dje e goditi nji macë dhe e theu nji shkop shum të bukur; por, tha, ka me e ndreqë. Nji katundar tregoi se si dosa ia hanë zogjt e pulave, dhe çuditet burri i dheut çka me ba me te, e pra asht dosë e mirë dhe prej sojit të mirë.

Ndërsa na bisedojshim kështu, nji nga nji erdhën edhe burra tjerë të njoftun, që janë thirrë në kët mbledhje të msheftë të randsishme.

Erdhën ende dhetë vetë, ndejtën pak dhe filluen me mbërrijtë kartë — vizitat me përmbajtje: „Nuk muj me ardhë për shkak të njij pune me randsi. Pranoj çdo gja që keni me vendosë…” „Jam i penguem prej punës; pranoj çdo gja që të vendosni.” „Më duhet me shkue patjetër te rrobaqepsi për t’i ba provë petkat, më falni për sod…” „Më vjen keq që nuk muj me ardhë, sepse nuk kam çare pa shkue në stacion për ta pritë tezen. Ka lajmrue se vjen sod me ferovi”. — dhe tashma gjindeshin gjithmonë arsyena të randsishme që penguen edhe njerzit tjerë të njoftun, të thirrun me ardhë në kët mbledhje.

Tueqenëse nuk kishim tashma kend me pritë ma tepër konvokatori u çue dhe filloi me za të dridhshëm:

— Nuk kanë ardhë të gjithë. Nuk kanë dashtë as nuk kanë pasë guxim, njisoj. Mujmë edhe na njizët vetë në njizet krahina të vendit tonë me ba shum. Zullumi dhe përdhunija turke e kanë kalue çdo masë. Matej s’ka ku me shkue, as që mund të durohet. Kurrkush prej nësh nuk e ka t’ë siguruem kryet në trup e lene ma pasunin. Po vallë në heshtje, duerkryq dhe kryeulun të presim kur do të na vijë rendi që kryet të na rrokulliset nëpër ledinë; ose të përbuzim nderin e familjevet tona dhe t’i lëshojmë Turqit për shkak të jetës sonë dhe të njij cope bukë, të na i çnderojnë vajzat dhe grat, të na i rrenojnë kishat, të na rrahin me kamxhikë nëpër rrugë; ose, ndoshta, t’i përkdhelim ata mizorë e të lavdojmë zuilumin e tyne që të mujmë me jetue rahat? Çka duhet edhe ajo jetë. Çka na duhet mëndafshi e ari kur ta humbim fen dhe kombsin, nderin dhe fytyrën? Jo, vllazën, kështu nuk mund të durohet ma. Kjo gjendje nuk mund të qëndrojë ma gjatë!

— Nuk mund të qëndrojë!… Gjepura. Asht lehtë me thanë nuk mund të qëndrojë, por kush t’i ndëgjon fjalët? Çka mundesh me ba? Flet si me qenë Cari i Rusis që teksa t’u bërtasish Turqve: „Nuk duhet me ba ma kështu”, ata të gjithë në gjuj para teje. Po të pyes ty: Çka do të mujmë me ba, ti dhe unë, na të gjithë? — ia preu fjalën njeni prej nesh që dallohej për urtsi e matuni.

— Na mujmë shum dhe poqese kërkojmë me u ba ma mirë, ma mirë dhe ka me u ba. Dëshira jonë mundet për nji çast me u ba urdhën.

Disa prej njerëzve të njoftun i rrudhën krahët dhe, tue u shique ndër vedi me shprehjen e fytyrës thuese pyesin shoqishojnë dhe i përgjigjen njani tjetrit, u tmeruen prej frigës: „Çka ka ky njeri? Zoti, qoftë lavdue, e din?” I shkëmbyen përseri shiqimet dhe tash shprehja e fytyrës foli: „Njeri i marrë!”

Nji tjetër prap, tue ndejtë karshi tij, me brryla në tavolinë, syt gjysëmçelun, e shiqonte, në të vërtetë e matte, disi trishtueshëm pa folë kurrgja, gjatë, dhe vetëm atëherë i hapi syt nji trokë ma tepër dhe e shiqoi me bisht të synit disi përbuzshëm me nënçmim dhe pëshpëriti nëpër dhambë kadalë dhe zgjatueshëm:

— Eeeeh!… mandej e ktheu kryet dhe me njifarë mërzije zu me i ra tavolinës me gishta.

— Jeni tue kuvendue! — tha prap njani nga qoshja ironikisht.

Ai që u dallue për urtsi e matuni u çue dhe u ndal përpara shokut tonë të vrullshëm, i kryqzoi duert në krahnuer dhe zu me e matë prej majës së kres deri në fund të kambëve, si njeri plot përvojë, që flet me nji djalosh të pamarrun vesh.

— Bukur, të lutem, pse kemi ardhë këtu dhe ç’ka don ti?

— Na kemi ardhë që të merremi vesh më çfarë mënyre do t’i japim fund përgjithmonë kësaj tiranije, kësaj përdhunije turke. Këtu jemi mbledhë gadi njerzit ma të njoftun nga tanë vendi, që së bashku të kërkojmë ilaç! — përgjegji konvokatori me za të matun, plot besim se ka me u ba mirë.

— Mirë, këte e dëshirojmë edhe na!

— Kur e dëshirojmë çka presim ma tepër?

— Ruejmë kot krenat, kurse edhe ato kemi me i humb, por atëherë kur ta humbim edhe nderin dhe fytyrën! — u nxe ai i pari dhe i ra tavolinës me grusht aq fort sa shum vetë u larguen pak ma tutje.

— Ma mirë rob nga nji herë se gjithmonë i vdekun! — hodhi fjalën dikush.

— Leni, ju tjerët, që na të kuvendojmë ma së pari — na tha i matuni dhe mandej iu kthye prap të vrullshmit me fjalë:

— Mirë, të lutem thuejmë ti mue çka mendon se duhet me ba? — pyeti ftoftë dhe plot takt.

— Të çojmë krye kundra Turqve. T’i ngrehim njerzit, secili në krahinën e vet, dhe t’i mbysim edhe na ata, sepse ata po na mbysin që po na mbysin. Tjetër ilaç nuk ka as nuk mundet me pase!

Disa u qeshën prej atyne fjaleve te rrepta e të flakta si në nji punë fëmijsh, disa vëzhguen frigueshëm rreth vedit, kurse disa banë shakana te randa e therrse n’adresë t’alij fjalimi jo të rëndomtë

— Mirë, ti po thue që të çojmë krye, a? —  pyeti i matuni.

— Të çojmë krye! — përgjegji ai ngultas dhe në sy i shëndriti shkëndija.

— Me kend, hajt de, me kend!?

— Unë, ti, ky, ai, na, na të gjithë, populli!

— Çka po flet dokrra?… Ku asht populli, me kend je marrë vesh?

— Me ty, me këta burra, këtu.

— Po çka jemi na?

— Si çka jemi?

— Ashtu, të pyes!

— Njerëz.

— Vërtet jemi njerëz, por sa gjindemi këtu?

— Njizet.

— Këte ma thuej. Njizet, ta merr mendja, po këta s’janë kurrgja! Ha, ha, ha!… Njizet.

— Këta janë shum — vikati i vrullshmi, sepse na njizet i qërojmë njizet Turq në njizet vende të ndryshme dhe secili prej nesh mund të ketë barem nga tre shokë të mirë e besnikë, e secili prej tyne mundet me e ba po at punë. Vetëm të fillojë se mandej kanë me hy ende të pakënaqunit dhe hakmarrsit, të cilëve zaten iu ka ardhë shpirti në maje të hundës. Le të bahet tym’e flakë dhe çka të japi Zoti. Vetë ngjarjet kur fillojnë me u zhvillue kanë me tregue rrugën e drejtë nëpër të cilën duhet me shkue.

Shum vetë u qeshën me përbuzje, kurse ata të matunit e shiquen me bisht të synit, tue tundë kryet thuese u vinte keq për të për nji mosgjykim kësisoji dhe thanë:

— Fët e fët, hidhemi na njizet dhe i mbysim njizet Turq, kurse ata tjerët i kapë friga dhe disa ikin n’Azi, disa hidhen n’ujë.

— Të gjithë jeni qyqana — vikati ai vrullshmi dhe i ra tavolinës me grusht.

— Mirë, të lutem; qe, po e pranoj planin tand, dhe po bahemi me ty të gjithë na këtu. Mirë, na jemi njizet dhe në rastin ma të mirë, secili prej nesh të mbledhi ende nga dhetë shokë, këta bajnë dyqind, po e zamë se ndodh rast i rrallë — hajt mirë, mundet edhe kjo me ndodhë — secili mbyt nga dy Turq në çdo vend; të thomi se këtyne dyqindve u bashkohen edhe aq. Animirë — Turqit rrijnë që t’i mbysim edhe aq prej tyne si mizat — në fund çka kemi ba me kët punë?

— Shum.

— Shum, por për të keqen tonë. Zemrojmë vetëm Turqit e Sulltanin dhe atëherë kqyr ku me e strukë kryet. Atëherë, ti kishe me pa, i dashtuni im, sa i urtë asht propozimi yt.

— Athue populli, ndoshta, nuk ka me u bashkue me shokë kur të shofi se ka fillue lufta? As na nuk kemi me u shtri në rrugë që të na shkelin Turqit, por kemi me luftue ndër prita.

— Populli, populli!… Flet si fëmi. Nuk bahet kjo punë kështu, or i dashtuni im! Të luftojsh! Bukur, hajde, të gjithë të luftojmë. Po grat e fëmijt t’i varrim për gozhdë, a? Apo t’i lamë që t’i pjekin Turqit? Qe, ti ke fëmi, po kështu edhe i dyti, i treti. Nesër vritesh, e familja?

— Nuk kemi me u vra të gjithë. Nuk due me mendue për at punë. Si t’urdhnojë Zoti.

— Paj për çka të mendoj?

— Që të luftojmë dhe le të dali ku të dali.

— Ti prap je tue folë si fëmi. Të luftojsh, të luftojsh dhe nuk i mendon rrjedhimet? Qe, edhe për këte po lëshoj pe; hajde, kurr kush të mos i prekë familjet dhe !e te ndodhi rasti ma i mirë që Turqit të flejnë nji muej dhe na t’i bashkojmë edhe njizet mijë luftarë, po me çka mandej do të luftojmë?… Ku i ke armët, ku asht baruti, plumbi, ushqimi për ushtarë? S’e kemi nji grosh, të vorfun në pikë të fundit, raje. As bukë, as bylmet, as armë, as xhephane — dhe të luftojmë!

— Këto gjinden kur të shtrëngohen burrat — tha ai entuziaste.

— Gjinden. Bukur, qe, edhe këte po e zamë se asht ashtu, megjithse asht e pamundun. Animirë, ke njizet mijë ushtarë me armë të mira, ke topa dhe topxhi të mirë, ke ushqim, xhephane, çdo send. Po çka?… Prap kurrgja. Dyndet ushtrija e mbretit e na shkel për nji ditë, dhe çka bamë? Faqen e zezë e emnin Jakup… aq njerëz do të kishin me u varrë dhe ngulë ndër huj, aq familje do të kishin me shkue nën shpatë e edhe ata që do të teprojshin, kishin me heqë vuejtje ma të këqija se sa tash. Kështu asht kjo; lene që prej gjithë kësaj pune s’del kurrgja, por kur na disa sulmojmë, mbytëm s’mbytëm kend, Turqit do të na mbysin të gjithë neve dhe do të na zhbijnë deri në brezin e nandë.

— Paj të vritemi, dhe kështu jeta nuk na duhet!

— Ti nuk je vetëm. Ke familjen tande. Ti nuk i përket vetëm vedit, por duhet të kujdesesh edhe për familje.

— Ta merr mendja, s’asht kurrgja kjo punë me vdekë kot pa sukses të sigurt? Përmateper jo vetëm me vdekë, por me mbytë edhe familjen, për të cilën duhet të kujdesemi patjetër — mori fjalën njani.

— Paj për te nuk duhet as me folë — tha tjetri.

— Sikur t’isha vetëm, të vritem, niiherë vdes burri, por kam nanën, që s’ka kush e kqyr — tha i treti.

— More ti nanën, kurse unë përpos nanës gruen dhe pesë fëmij! — tha i katërti.

— Unë e kam motrën për të cilën kujdesem! — tha i pesti; nuk po çaj kryet për vedi, por kisha me e mbytë edhe atë mo marrin time.

— Unë gjindem në detyrë shtetnore dhe me këte ushqej edhe prindët pleq edhe familjen! Nuk asht nevoja të më mbysin, por vetëm të ma marrin kët kore bukë, të cilën e fitoj me nderë dhe jemi të mbytun edhe unë edhe familja ime. Ta pyesim vedin? pse të gjitha këto? Për marri! Ku ka ba vaki që njizet vetë ta nisin luftën me rajen që s’ka bukë me hangër kundra njij organizimi carist dhe ushtrije të fuqishme. Do t’ishte ma mirë për mue ta marr revolverin dhe ta vras vedin; dhe kjo punë asht ma e urtë, atëherë, së paku, nuk do të ma kishin ngucë familjen — dëshmoi i gjashti.

Edhe unë gjeta gjithashtu nji arsye të randsishme për shkak të detyrës shtetnore.

Njani tha prap:

— Unë, vërtet, jam i vetëm, por kam edhe unë, si njeri, detyrimet e mija personale, që më pengojnë. Kryet tem nuk e ankoj, por për nji punë t’urtë dhe jo me vdekë marrisht dhe me kët punë me i sjellë dame çashtjes së përgjithshme. Asht nevoja me punue n’at punë, por me shum mend dhe me kujdes.

— Ashtu asht — miratuem.

— Ju lutem, për të as që mund të bisedohet, së paku ndër këto rrethana, kur tereni nuk asht i përgatitun. Kjo do të thonte peshku në det e tigani në zjarm. Nuk gjindet asnji prej nesh të cilit nuk ia don zemra të mirën e këtij vendi dhe mu për kët arsye asht nevoja me pimue me plan, me organizim, shkallë-shkallë, me themel. Kjo punë asht si ujë i qetë që shemb bregun. Por, vllazën, ta lamë me nji anë ate që asht e pamundshme dhe të shofim çka mundemi me ba në këto dit të vështira; të bisedojmë për të gjitha dhe të mendojmë mirë për të gjitha — zu me spjegue ai i urti dhe i matuni.

— Ashtu asht — i miratuem me loçkë të zemrës arsyenat e njeriu të prashëm, serioz, plot përvojë dhe ton diplomatik.

— Me ba kryengritje asht punë e madhe dhe e randë, por duhet me pasë në mend dhe me mujtë me parashique të gjitha rrjedhimet qofshin të mira, qofshin të këqija për popullin tonë dhe me vendosë pikërisht: a ka kuptim me ba aq flijime apo asht ma mirë e ma me mend me e shty ket punë për nji moment ma të përshtatshëm. Dhe kët pune me e përsiatë bile edhe atëherë kur kryengritja të jetë përgatitë me dheta vjet. E tash le të shofi shoku ynë i ndershem çka duhet krejt ne kët punë nëqoftëse mendojmë me fillue me mend:

1) Duhet me themelue këshill të veçantë dhe në çdo vend nënkëshilla, që duhet të përgatisin dhe në të vërtetë ta edukojnë popullin për kryengritje:

2) Lypet me mbledhë msheftas pare prej popullit që të formohet fondi për blemje armësh dhe gjanash të nevojshme luftarake dhe për këte kishte me u dashtë ma së paku nji shumë prej nja dhetë miljonësh;

3) Gjithashtu duhet me themelue fondin vejan dhe për mbajtjen e fëmijve të pafuqishëm, mbetë pa prind, që vriten në luftë. Ky fond lypet me qenë diku jashtë shtetit e në bankë të sigurt dhe duhet pa çare me pasë ma së paku njiqind miljon, që, familjet tona të hikuna të munden me jetue përjashta si u ka hije.

4) Me themelue fondin e invalidëve dhe të spitalit. Dhe këtu duhen shuma kolosale. Ndokush e humb dorën, kambën dhe të mos jetë i detyruem me lypë lëmoshë, por të ketë prej kah me u mjekue dhe me u mbajtë si duhet.

5) Me iu sigurue pension luftarëve, sepse çdo luftar për pesë vjet mundet me u qitë në pension: „Luftari në pension”. Nuk asht as e drejtë që i dërmuem, i lodhun prej mundimeve të luftës, të vdesë në mjerim e në skam, por të shkojë burri i dheut ndokund përjashta që, së paku den të vdesi, të rrnojë me lezet.

6) Asht e nevojshme me përgatitë dy tri shtete të forta kufitare që të na ndihmojnë në rasë se ndërmarrja jonë nuk do të ketë sukses.

7) Kur të përgatisim për kohën e parë barem gjashte mijë luftarë t’armatosun dhe të stërvitun mirë atëherë lypet me nxjerrë tinzisht nji gazetë patriotike që njerzit t’informohen mirë.

— Ashtu asht!… u ndie zani i shumicës.

— E, zotni, mue më falni — tha nji tregtar — kam punë në dugajë. Pranoj çka të vendosni.

— Mue m’udhton xhaxhesha me vapor dhe s’kam çare pa e përcjellë! — thashë e nxorra orën dhe shiqova kohën.

— Mue më duhet medoemos që ta nxjerri gruen me shetitë. Më falni dhe pranoj ate që vendosni! — tha nji nëpunës dhe kqyri orën.

— Ndaluni, burra! Mos shpërndaheni derisa ta caktojmë çka kemi me ba me gazetën — u ndie zani i dikujt.

— Kjo punë asht e lehtë. Gjaja me randsi asht që të gjithë t’i përputhim mendimet, që mbasi të bahen të gjitha ato përgatitje, të cilat, kuvendtari i ndershëm i radhiti urtsisht dhe me taktikë, me e nxjerrë gazetën patriotike! — thashë.

— Ashtu asht, ashtu asht — u ndie nga të gjitha anët.

— Atëherë t’i zgjedhim tre vetë që të mendojnë mirë për tanë at punë, edhe që ta shkrujenë programin e hollsishëm të gazetës, të cilën kishte me u dashtë me e quejtë Lufta!

Lufta e përgjakshme —  propozoi dikush.

Lufta e përgjakshme — përgjigjen zanet gjimuese nga të gjitha anët.

— Ani mirë, në mbledhjen e ardhshme, ata tre vetë, që kemi me i zgjedhë, duhet të na paraqesin nji plan të hollsishëm dhe orientimin e gazetës, e cila ka me dalë teksa të bahen të gjitha ato përgatitje me prekosion — thashë dhe n’at çast u tranda dhe u zgjova.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Deti i vdekun (3/5)

(Faqja e meparshme)

Unë kam udhtue shum nëpër botë. Disa besojnë dhe shum nuk besojnë, por u han mendja së unë e kam parafytyrue at botë. Gja e çuditshme! Tekembramja, si thot fjala, tymi im le të shkoj drejt. Gjaja që ka randsi asht që unë të besoj se ia kam shkue hujin udhtimit.

Tue udhtue nëpër botë, njeriu shef çdo gja, shpesh çka nuk e ka pa as n’andërr, e lene ma me e mendue në zhgandërr. Kam lexue në disa fletore angleze se si tanë shtypi anglez e sulmoi shum ashpër nji Anglez të ngratë, i cili kishte shkrue do impresione udhtimi nëpër Sërbi. E lexova edhe unë at deskripcion dhe m’u duk mjaft i vërtetë, por kurrkush prej Anglezëve nuk besonte as që ekziston bile ndonji vend Sërbi, e lene ma atë që ai shkruen për at vend. E quejtën njeri të ngaritun dhe bile edhe të marrë. Qe, le të shofin tash kritikët se njeriu mundet me pa çdo gja në botë dhe të mos bërtasi pa me: nuk asht gja e përpikët, nuk e ka ngjyrën e natyrshme; si me pasë ra prej hane (dhe nuk shofin se pranë tyne e pranë nesh kalojnë aq individë, të cilët janë shum ma të këqij se sa të kishin ra prej hane) sepse tashma peni i tyne stereotipik, i kuq, i cili, nuk dij, përshkohet nëpër veprën kritike, dreqi e marrtë, më ka dalë tashma mbi kapuç.

Qe, pra, ashtu edhe unë, tue udhtue hasa nji shoqni të mrekullueshme, në të vërtetë nji vend, nji shtet apo si ta quejmë.

Gjaja e parë që hasa në kët vendth (hajde bash ashtu ta thrrasim troç) qe nji mbledhje politike.

— Bukur, për zotin; ku ndesha papritmas në kët çudi! — mendova me vedi dhe m’ uprish qejfi, sepse në Sërbi më kanë dalë për hundësh mbledhjet politike dhe pjesëmarrja në punët publike. Të gjitha punët janë ujdisë dhe ndreqë aq mirë sa njeriu nuk ka me kend as me u hangër si duhet.

U habita — mbledhjen e udhëheq përfaqsuesi i pushtetit në kët krahinë të vendthit, ndoshta e quejnë prefekt, e ai edhe e ka konvokue mbledhjen.

Shum qytetarë janë të përgjumshëm, t’ajun sysh prej gjumit, disa koten tue ndejtë në kambë, gojën e kanë gjysëhapun, syt e mbyllun dhe kryet u luhutet majtas, djathtas, nalt, poshtë: nja dy krena qytetarësh zunë me luhatë pak ma fort, u ndeshën njani në tjetrin, dy politikajt u tronditën e shiquen njani tjetrin me shiqim të topitun, nuk ti habitën prej kurrgjaje, syt i mbyllën përsëri e krenat vazhduen me u luhatë. Shum janë shtri dhe flejnë dhe të gërhatunit përhapet me t’u kënaqë shpirti tue ndëgjue. Shum, në të vërtetë janë çuët, por i fërkojnë syt dhe gojisin ambëlsisht e zashëm, thuese po u ndihmojnë sa për harmoni ma të madhe, atyne që gërhasin në kor. Kur shiqova, policët nga të gjitha anët i bajnë në shpinë qytetarët. Secili ka ngarkue në shpinë nga nji dhe e çon he mbledhjë. Disa të qetë heshtin dhe shiqojnë me indiferencë rreth vedit, disa kanë fjetë dhe disa sish kthehen dhe ikin. Disa që rezistojnë i çojnë lidhun.

— Çfarë mbledhje asht kjo? — pyes njanin.

— Kush i bjen në fije? — m’u përgjegj më indiferëncë.

— Ndoshta nuk asht opozita?

— Opozita! — përgjegji prap tue mos kqyrë as kush e pyet.

— A thue pushteti e thrret opozitën në mbledhje dhe i sjell njerzit me përdhunë? — e pyeta.

— Pushteti!

— Paj vallë kundra vedit?

— Sigurisht! — më përgjegji me mërzi, me nji farë dyshimi.

— Ndoshta mbledhja asht kundra popullit? — e pyeta.

— Ndoshta! — përgjegji ai në të njajtën mënyrë.

— Po çka mendon ti? — e pyeta.

— Ai më shiqoi topitshëm, turbullueshëm, rrudhi krahët dhe i hapi duert si të thonte: „Çka më duhet mue!”

E lashë dhe deshta me iu afrue nji tjetrit, por fytyra e tij pa kurrfarë, shprehje më ktheu prej asaj orvatjeje të marrë dhe të pasuksesshme.

Ndëgjova befas njifarë zani t’idhtë.

— Çka don me thanë kjo? Njeri i gjallë nuk don n’opozitë! Kjo nuk mund të durohet ma. Të gjithë vetëm partizanë të qeveris dhe të pushtetit, të gjithë të bindshem, të gjithë të qetë, dhe kjo si nji ditë për ditë në nji mënyrë t’atillë sa me u neveritë edhe prej kësaj bindshmenije.

— Ky asht popull shum i mirë dhe i kulturuem! — mendova me vehte dhe i pata lakmi këtij vendthi ideal. Këtu ndoshta as xhaxhesha ime e ndjerë nuk kishte me hukatë, as nuk do të parashikonte ndonji rrezik. Njerzit e kulturuem dhe të bindshëm shum ma t’urtë se sa, kërkonte mësuesi i vjetër prëj nesh si fëmij, sepse urtsija e tyne dhe sjellja e mirë i asht velë madje edhe vetë policis paqëdashse.

— Poqese ju vazhdoni kështu dhe ma tutje — vikati prefekti ashpër dhe zemrueshëm — atëherë na dijmë me e rrotullue fletën tjetër, që qeverija t’i emnojë opozicionarët me dekretligjë. Shkurt e shpejt, dhe forma të tilla, nëqoftëse nuk e keni dijtë, gjinden edhe në vende tjera. Për pris t’opozitës ekstremiste dhe të rreptë kundër regjimit të sotshëm emnohet filani me rrogë muejore 15 mijë dinarë. Për antarë të këshillit kryesuer të partis opozicionare: filani, fistiku dhe udha mbarë. Mandej, për opozicionerë të qarkut x, y, filani, fistiku, dhe rahat me zotin. Nuk mundet kjo kështu me shkue ma gjatë. Dhe qeverija ka gjetë tashma rrugën dhe mënyrën që të nxjerri edhe nji fletore kundra vedit. Për kët punë ajo ka fillue tashma bashkëfjalime dhe ka gjetë, njerëz të mirë, të sigurte dhe besnikë.

Qytetarët, gjegjsisht opozicionerët, shiqojnë përgjumshëm prefektin dhe në fytyrat e tyne nuk pikaset asnji ndryshim. Kjo punë as nuk i habit as nuk i nxit, as nuk i gëzon, kurrgja absolutisht, thuese prefekti s’kishte folë kurrgja.

— Pra tash, ju jeni opozita — tha prefekti.

Gjindja e shiqon dhe hesht qetsueshëm e me indiferencë. Ai muer listën e të gjithë të pranishëmve, gjegjsisht t’atyne që i kishin sjellë në mbledhje dhe filloi me thirrë emnat:

— Të gjithë janë këtu! — tha mbas thirrjes me kënaqsi.

Prefekti u struk në mbështetsen e karrigës dhe i fërkoi duert nga kënaqsija.

— Eh — miiiirë! — tha ai me buzëqeshje në fytyrë.

— Tash, pash emnin e zotit, të fillojmë!… Dëtyra juej, si kundërshtarë qeveritarë, asht që ta sulmoni qeverin shum ashpër dhe ta dënoni punën e saj politike dhe drejtimin e politikës si të jashtme ashtu edhe të mbrendshme.

Gjindja pak ngapak zu me ardhë në vedi, ndërsa vetëm njani u çue në maje të gishtave, ngriti dorën dhe rrënkoi me za të dobët:

— Unë e dij, i lutem zotnis, nji tregim rreth opozicionerit.

— Eh — hajt pra, tregoje!

Qytetari, u kollit pak, i luejti krahët dhe filloi me tregue me nji ton t’atillë që duket ma tepër se asht tue kikirikue, njinji si na kur përgjigjeshim dhe i përsëritshim tregimthat instruktivë.

— Njiherë kishin qenë dy qytetarë: njani e kishte emxiin Millan e tjetri Ilija. Millani ishte qytetar i mirë dhe i ndëgjueshëm, kurse Ilija i mbrapshtë dhe i pahajr. Millani e ndëgjonte qeverin e vet të mirë për gjithçka, kurse Ilija kishte qenë i pahajr dhe nuk e ndëgjonte qeverin e vet të mirë, por votonte kundra kandidatëve të qeveris. Qeverija e mirë thirri edhe Millanin edhe Ilin me shkue te ajo dhe u tha:

— „Mirë, Millan, ti je qytetar i mirë dhe i ndëgjueshëm, qe ty plot pare dhe ke me pasë përpos detyrës sate edhe nji tjetër me rrogë ma të mirë”. Kështu foli dhe ia dha Millanit të mirë nji qese ding me pare. Millani ia puthi dorën qeveris së mirë dhe shkoi gëzueshëm në shtëpin e vet.

Mandej iu kthye Ilis dhe i tha:

„Ti’ Ili, je qytetar i keq dhe i pahajr, për kët shkak kam me të burgosë, me ta heqë rrogën që merr dhe me ua dhanë atyne që janë të mirë e të ndëgjueshëm.”

Gjindarmët erdhën dhe e burgosën menjiherë Ilin e keq dhe të pahajr, ai vuejti shum dhe e mjeroi familjen e vet.

Kështu e pin çdo kush që nuk e ndëgjon eprorin e vet dhe qeverin e vet.

— Shum mirë! — tha prefekti.

— Unë e dij, të lutem zotni, çka na mëson ky tregim! — tha nji qytetar tjetër.

— Mirë. Trego!

— Prej këtij tregimthi shofim se si lypet njeriu me i besue dhe me iu bindë qeveris së vet që të mundet me rrnue i qetë me familjen e vet. Qytetarët e mirë dhe të ndëgjueshëm nuk punojnë si Ilija, prandej çdo qeveri i don! — foli opozicioneri.

— Bukur, po çka asht detyra e qytetarit të mirë dhe të ndëgjueshëm.

— Detyra e qytetarit të mirë dhe patriotik asht që të çohet në mëngjes prej shtrojës.

— Shum bukur; kjo asht detyra e parë. A ka dhe ndonji detyrë tjetër?

— Ka dhe ma.

— Cilat janë?

— Që qytetari të veshet, të lajë syt dhe të hajë mëngjes.

— Po mandej?

— Mandej del pa zhurmë prej shtëpis së vet dhe shkon fill në punën e vet; poqese nuk ka punë, atëherë shkon në mejhane, ku pret kohën e drekës. Tamam në mesditë vjen prap pa zhurmë në shtëpin e vet dhe han drekë. Mbas dreke pin kafe, i ian dhambët dhe shtrihet me fjetë. Kur të ngihet gjumë mirë, pastrohet dhe shkon me shetitë, mandej në mejhane dhe kur vjen koha e darkës, vjen fill në shtëpin e vet dhe han darkë, e mbas darke shtrihet në shtroja dhe flen.

Shum prej opozicionarëve treguen nga nji tregimth t’urtë dhe instruktiv dhe spjeguen se çka na mëson ai tregim. Mandej opozijonarët kaluen në konvinksionet e parimet e tyne.

Njani propozoi të mbyllet mbledhja dhe gjithë tok të shkojnë në mejhane për të pi nga nji gotë venë.

Këtu mendimet u ndanë dhe qenë të detyruem me zhvillue medoemos nji diskutim të bujshëm. Kurrkush ma mik dremitte. U votue në parim. Mbas mbarimit të votimit prefekti kumtoi se propozimi asht pranue në parim, se përgjithsisht njerzit duen me shkue në mejhane, dhe tash u zhvillue diskutimi ndër hollsina: çka do të pijnë atje?

Disa duen venë e sodë.

— Nuk duem, — bërtasin tjerët — ma e mirë asht birra!

— Unë për parim, nuk pij birrë! — tha njani prej grupit të parë.

— Unë, prap, për parim nuk pij venë.

Dhe kështu u çfaqën shum parime dhe konvinksione dhe u hap nji diskutim i bujshëm.

Disa përmendën kafen (ata janë nji pakicë e tmershme), kurse njani midis tyne nxuer orën, shiqoi dhe tha:

— Sahati tre e pesëmbëdhjetë minuta! Edhe unë tash nuk muj me pi kafe. Unë parimisht pij kafe vetëm deri n’orën tre mbasdite dhe mbas kësaj kohe nuk pij, sikur edhe kryet me ma shkurtue.

Mbas shum fjalimesh, të cilat vazhduen tanë mbasdrekën, erdhi koha me votue.

Prefekti, si përfaqsues i vyeshëm i pushtetit; pat qëndrim objektiv dhe të drejtë. Nuk deshti me ndikue për kurrgja në votimet e lira; çdo qytetar e lejoi që ta japi votën për konviksionin e vet në formë paqsore, parlamentare. Në fund të fundit, kjo e drejtë i asht dhanë secilit me ligjë dhe pse atëherë me ia heqë?

Të votuemit u ba me rregull shum të mirë.

Mbas mbarimit të votimit, prefekti i çue me fytyrë të kapardisun, serioze, si i ka hije kryetarit të mbledhjes politike, dhe me za edhe ma të randsishëm shpalli rezultatin e votimit.

— Kumtoj se grupi për venë e sodë ka fitue me shumicë të madhe, mandej vjen frakcioni me numër pak ma të vogël për venë të papërzieme, mandej frakcioni për birrë. Për kafa kanë votue vetëm tre vetë (dy për t’ambël dhe nji për t’idhët), në fund nji vqtë për melanzhë.

Harrova me përmendë që ai pat fillue nji fjalim kundra qeveris, por turma mbyti me poterë sulmin e tij fëminuer. Mandej ai, pak ma vonë, zu me folë se si asht kundra dhe nji mbledhjeje të këtillë dhe se si kjo nuk asht mbledhje e opozitës, porse pushtetit i ka ba mendja hyqëm me u tallë, mirëpo edhe këtu tjerët me vikamë e poterë e ndaluen të flasi.

Prefekti, mbas kësaj, heshti pakëz, mandej shtoi:

— Sa më përket mue, unë do të pij birrë, sepse ministri im nuk pin kurr venë e sodë.

Opozita zu me u luhatë befas dhe gjithë deklaruen se duen me pi birrë, përpos atij që votoi për melanzhë.

— Unë nuk due me ndikue në lirin tuej, — tha prefekti, — dhe kërkoj prej jush që të qëndroni në konviksionin tuëj.

— Zoti na ruejtë! Kurrkush nuk donte me ndie për konviksion dhe zunë me provue se si të votuemit duel rastsisht kështu dhe se edhe ata çuditeshin vetë si ndodhi kjo punë, mbasi, në të vërtetë, kurrkush nuk kishte mendue ashtu.

Dhe kështu krejt kjo shamatë mbaroi me lezet dhe shkuen në mejhane mbas njij pune të gjatë e të mundimshme politike.

Pinë, kënduen, ngrehën dolli për qeverin e popullin dhe në njifarë kohe të natës të gjithë u shpërndanë nëpër shtëpija qetë dhe bukur.

(Faqja tjetër)

Deti i vdekun (2/5)

(Faqja e meparshme)

Të gjitha këto kanë qenë vetëm embrion i së mirës. Kemi qenë fëmij të mirë dhe të ndëgjueshëra dhe, në të vërtetë prej vjeti në vjet secili gjeneracion premtonte gjithnji ma tepër e ma tepër se vendi ynë për së shpejti do të kishte poashtu qytetarë të mirë e të ndëgjueshëm, por kosh e din a do të vijë ajo kohë e bekueme që aspiratat tona, në të vërtetë mendimet dhe idealet e xhaxheshës sime të ndjerë, gjeniale, të realizohen plotsisht në kët nanën Sërbi të vuejtun, të cilën e duem kështu nxehtsisht e me shpirt të pastër.

Kush e din a thue ka me ardhë ndonjiherë koha që të realizohen dëshirat tona dhe të zbatohet në vepër ky program i ynë ideal politik:

Neni 1

Kurrkush nuk punon kurrgja.

Neni 2

Çdo Sërb në moshën madhore e ka rrogën fillestare 5.000 dinarë

Neni 3

Mbas pesë vjetësh, çdo Sërb, (në shtëpin ku nuk ka Sërb mundet edhe Sërbjanja) ka të drejtë më marrë pension të plotë.

Neni 4

Pensioni ka shtesën periodikë prej 1.000 dinarësh në vjet.

Neni 5

Duhet të mirret medoemos nji vendim i Parlamentit populluer (dhe me këte, për qëllime patriotike, me Parlamentin ka me u pajtue eksepsionalisht edhe Senati) dhe ky vendim ka me u konsiderue si pikë e veçantë ë Kushtetutës, simbas të cilës: pemët, bimët e dobishme përgjithsisht, gruni e lë gjitha të mbjellunat tjera duhet të prodhojnë fantastikisht mirë, dy herë në vjet, e poqese çfaqet dificit në buxhetin shtetnuer, atëherë dhe tri, paj merret vesh, kur asht e nevojshme ende ma tepër, si t’i vijë për levërdi këshillit financiar.

Neni 6

Kafshët, cilat do qofshin, pa marrë parasysh çfarë gjinije kanë e sa të mëdha janë, gjithashtu mbas urdhnit ligjuer, don me thanë mbas aprovimit lë të dyja dhomave, duhet të përparojnë shum mirë dhe të shtohen shum shpejt.

Neni 7

Kafshët, nuk mujnë n’asnji rast me marrë rrogë prej arkës shtetnore, tue përjashtue nevojat shtetnore të jashtëzakonshme.

Neni 8

Dënohet kushdo që mendon për punët shtetnore.

Neni 9

Njeriu, ma në fund, nuk guxon me mendue për kurrgja, pa lejen e veçantë të policis, sepsë mendimi e prish lumnin.

Neni 10

Në rend të parë, policija nuk guxon absolutisht me mendue kurrgja.

Neni 11

Kush don, vetëm sa për shaka, me u marrë me tregti duhet me fitue medoemos tepër shum: në nji dinar nji mijë.

Neni 12

Fustanet e grave, reliket, natyrisht dhe zhyponët si dhe nevojat tjera mbillen dhe bijnë shum shpejt nën çdo klimë dhe në çdo tokë, çdo muej, me bojna të ndryshme, dhe simbas modës ma të re franceze. Kapelat, dorzat dhe sendet tjera t’imta mund të mbillen me sukses edhe nëpër saksina (gjegjsisht çdo gja mbillet vetëm mbas urdhnave ligjorë).

Neni 13

Fëmijt nuk linden. Poqese dalin kësish prej ndokahit, të rriten e t’edukohen me maqina të posaçme. Poqese atdheut i nevojiten sa ma tepër qytetarë, ka me u ngrehë fabrika që ban fëmij.

Neni 14

Kurrkush nuk paguen tatime.

Neni 15

Të paguemit e borxheve dhe të tatimeve ndëshkohet rreptsisht dhe kjo vlen për cilindo, përpos kur vërtetohet se at violacion e ka ba individi i smutë nga mendja.

Neni 16

Hiqen të gjitha gjanat e panevojshme, sikurse janë: vjehrrat, kontrolli kryesuer dhe sekundar, borxhet kurente shtetnore e private, panxharët, pasuli, gjuha greke dhe latine, krastavecat e kalbun të gjitha rasat cilatdo qofshin, me propozicion e pa propozicion, gjindarmët, çashtja e thive, mendët, së bashku me logjikën.

Neni 17

Kush i bashkon Sërbët, të burgoset atypëraty në shej mirënjohjeje dhe dashunije për popull.

Program i mrekullueshëm. Këte s’kanë çare pa e pranue bile dhe kundërshtarët politikë, poqese nji program i tillë përgjithsisht dhe mundet me pasë kundërshtarë. Dëshirat tona bujare, nuk mund të realizohen kur gjithçka asht kot.

Por, ate që na nuk e kemi mbërrijtë e nuk e kemi realizue me gjithë mundin ton, ate e kanë mbërrijtë tjerët, ma fatbardhë se na.

(Faqja tjetër)

Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (5/5)

(Faqja e meparshme)

Ambienti ndikon në njeriun dhe Marku s’pati çare pa iu nënshtrue në njifarë mase atij ndikimi dhe filloi me pasardhsit e tij të virtytshëm rae shetitë, me pshtye, dhe me u shty nëpër dyert e ministrive me lutje në dorë, tue pritë që të dali para Ministrit dhe t’i lutet për nji grimë detyrëz shtetnore — vetëm aq sa t’ushqehej me bukë, natyrisht të bardhë.

Tashma merret vesh se kjo pritje e kotë para dyerve nuk zgjatte pak kohë dhe mbas disa ditësh i thanë që ta dorzojë lutjen n’arkivë, që të protokolohet.

Lutja e Markut e qiti Ministrin në hall të madh. — O vlia, ç’ka të baj me at njeri? E respektojmë, të thomi; gjithçka, gjithçka, por nuk duhet të vinte. Burri i dheut nuk asht për këto kohna.

Tekembrama, tue pasë parasysh emnin e tij të madh dhe meritat e maparshme e emnoi praktikant në nji rreth ku ban dreqi voe!

Tash Marku mëzi ia duel në krye me lutje që tia lanë armët; ia dhanë nji rrogë të plotë në Ministri, e aj shkoi me e marrë Sharacin mbasi t’i paguejë shpenzimet për mbajtjen e tij.

Sharaci, edhepse ushqye mirë, nuk dukej as per s’afërmi si përpara, ishte ligshtue shum; por edhe Marku ishte ma i lehtë barem tridhetë okë.

Kësodore Marku veshi petkat, ngjeshi armët, mbrehi Sharacin, e mbushi calikun me venë, e varri për ynkash, i hypi Sharacit, bani kryq dhe u nis për detyrë, rrugës kah i thanë. Shum kush e kshilloi me shkue me ferovi, por ai nuk deshti për mall të dynjas.

Marku kahdo që bredhte, pyette gjithnji për at rreth dhe tregonte emnin e nënprefektit.

Mbas nji ditë e gjysëm udhtimi mbërrini. Hyni n’oborrin e zyres së rrethit, i zbriti kalit, e lidhi Sharacin për nji man, uli calikun dhe ndejti i armatosun në fresk që të pijë venë.

Policët, praktikantët, shkruesit shiqojshin nëpër dritare me çudi, kurse gjindja i sillej trimit larg për rreth.

Erdhi kapiteni, i cili ishte vu në dije se Marku vinte në rrethin e tij.

— Qoftë lavdue Krishti — tha.

— Për gjithmonë e jetë, o trim i panjoftun — përgjegji Marku.

Teksa rroki armët, kalin dhe venën, harroi tana hallet dhe filloi me u sjellë menjiherë simbas të moçmes dhe me folë me vargje.

— A je ti praktikanti i ri?

Marku e prezentoi vedin dhe kapiteni i tha:

— E, po ti nuk mundesh me qenë në zyre me calik dhe armë.

— Asht adeti k’shtu në Sërbi t’madhe.
Me arm’ n’dorë njerzët venë pijnë
Me arm’ n’dorë deri gjumin bajnë!

Kapiteni filloi me ia spjegue se duhej t’i hiqte armët patjetër, poqese mendonte me ndejtë, në detyrë dhe me marrë rrogë.

Marku e pa se nuk kishte shteg tjetër, sepse — s’kish çka të bante burri i dheut, duhej me jetue medoemos, e paret i ishin sosë; por i ra në mend dhe e pyeti:

— A gjindet ndonji shërbim ku njeriu mban armët që të mundem me qenë edhe unë aty?

— Gjindet shërbimi policuer.

— Çka punon polici?

— Paj i përcjell nëpunsit rrugës me armë që, poqese i sulmon kush, t’i mbrojë; kujdeset për rregull, kujdeset që mos t’i bajë kush tjertrit dam dhe gjana kësisoji, — tha kapiteni.

— E, kështu, a?! Kjo asht detyrë e mirë… u gëzue Marku.

Dhe kështu Marku u ba polic. Edhe kjo asht përsëri ndikim i ambientit, ndikim i pasardhësve të virtytshëm me gjak të nxehtë dhe antuziazëm që t’i shërbejnë atdheut të vet. Por Marku as në kët detyrë nuk mujti as afërsisht me qenë aq i përshtatshëm dhe i vyeshëm si do të kishte mujtë me qenë edhe ma i keqi pasardhës i tij, e lene ma ndonji tjetër, ma i mirë.

Marku, tue shkue me kapitenin nëpër rreth pa shum mjerim dhe kur nji ditë iu ba se edhe kapiteni i tij nuk punonte bash me të drejtë, i ra shuplak dhe ia nxuer tre dhambë.

Për kët shkak, mbas nji gjakderdhjeje të gjatë luftarake, e kapën dhe e shoqnuen me roje në çmendinë për kontroll.

Marku nuk mujti me durue kët goditje dhe u nda këso jete befas plotsisht i zhgënjyem dhe i stërmunduem.

Kur duel para zotit, deri zoti u qesh, gjithë qiejt u dridhën.

— A e hakmore, Mark, Kosovën? — pyeti në gaz.

— U stërmundova dhe Kosovën time të mjeirë as që e pashë! Më rrahën, më burgosën, u bana polic dhe në fund të fundit më çuen me roje midis të marrëve… u ankuë Marku.

— E dijsha se ke trie dalë me këpucë të kuqe!… foli zoti butësisht.

— Të falem nderit zot dhe ma fal kusurin; as vetë nuk do ta besoj ma kukamën e pasardhësve të mij dhe vajin për Kosovën! Dhe poqese u duhen policë, barem për at detyrë kanë plot me zgjedhë, secili ma i mirë se tjetri. Më fal, o zot, por më duket se ata nuk janë pasardhsit e mij, megjithse më këndojnë mue, porse janë pasardhsit ë atij Sul Gabelit tanë.

— Ate kam dashtë me e çue edhe unë sikur ti të mos m’ishe lutë aq fort me shkue. E dijsha se ti nuk u nevojitesh atyne!…

— Edhe Sula do t’ishte, midis Sërbëve, polici ma i keq. Të gjithë e kanë kalue n’at pikë! — tha Marku e zu me qa.

Zoti fshani randë dhe i rrudhi krahët.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (3/5)

(Faqja e meparshme)

Puna, natyrisht, vijoi rrugën e vet ligjore. Mbasi policija bani hetime në vend, i hetoi fajet hollsisht, ia referoi të gjitha aktet gjyqit për veprim të matejshëm.

Gjyqi caktoi seancat, i thirri dëshmitarët, bani ballafaqime. Prokurori publik, ta merr mendja, kërkoi që Marku të dënohet me vdekje. Avokati i Markut, prap, provoi energjikisht se Marku asht i pafajshëm dhe kërkoi të lirohet. E nxuerën Markun në gjyq, e ndëgjuen e kthyen prap mbrapa në burg. Edhe ai disi u hutue prej çudis çka mbarohej me te. Gjaja ma e randë për të ishte se i duhej me pi ujë, e ai nuk ishte mësue me te. Gjithçka kishte me e durue lehtë, asht trim, por ndjente se uji i bante shum dam. Filloi me u tha dhe me u shugate. Ai nuk ishte ma Marku, as zoti mos e dhashtë të jetë! Burri i dheut dalëngadalë u ba shkop, petkat lavareshin në te, thuese nuk ishin të tijat dhe kur ecte i ngrehte kambët zhag.

Bërtitte shpesh në dëshprim:

— Ah, o zot, po kjo asht ma zi se burgu i mallkuem i Azaqit.

Tekembramja, gjyqi dha vendimin, me të cilin, tue pasë para sysh meritat e Markut për çashtjen sërbe dhe shum rrethana lehtësuese, e dënoi Markun me vdekje, të paguejë damet dhe të gjitha shpenzimet gjyqsore.

Çashtja shkoi në gjyqin e apelacionit dhe ky e ktheu dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm, kurse gjyqi i diktimit gjeti disa të meta dhe ia ktheu aktet gjyqit, tue kërkue që të pyeten e të betohen disa dëshmitarë.

Procedura gjyqsore zgjati kështu dy vjet dne ma në fund edhe gjyqi i diktimit e vërtetoi akt-gjykimin e ndryshuem, simbas të cilit Marku u dënue me dhetë vjet burg të randë ndër pranga dhe të paguejë të gjitha shpenzimet penale dhe gjyqsore, por jo si fajtuer politik, mbasi u provue se nuk i përkitte asnji partije politike.

Natyrisht për nji vendim të këtillë patën në konsideracion faktin se Kraleviq Marku asht fatos i madh i popullit dhe se ky proçes asht nji rast unik. Tekembrama nuk ishte as punë e lehtë: Edhe ekspertët ma të mëdhej ranë në pikë të hallit. Si mundesh me e dënue me vdekje dikend që dihet, se ka vdekë para aq shum kohe, dhe asht çfaqë sërish prej botës tjetër?

Dhe kështu, Marku, pa pikë faji, ra në burg. Tueqenëse shpenzimet gjyqsore dhe penale nuk kishin prej çka me i nxjerrë, u vendos që të shiten në licitacion publik: Sharaci, petkat dhe armët I Markut. Shteti i bleu menjiherë veresije për muze armët dhe petkat, kurse Sharacin e bleu shoqnija e tramvajeve me pare në dorë.

Markun e qethën, e rruen, e lidhën me vargoj të randë e veshën me tesha të bardha dhe e çuen në qytetin e Beogradit. Marku këtu vuejti aso vuejtjesh që as nuk i kishte shkue nëpër mend kurr se mundet me i durue. Në fillim bërtitte, zemrohej, kërcnonte, por u mësue gradualisht dhe iu dorzue qetsisht fatit. Dhe, kuptohet, gjatë kohës së burgimit që ta mësojë ndonji send dhe ta përgatisin për shoqnin, në të cilën duhej të vepronte mbasi ta kryente dënimin, si antar i dobishëm, filluen pak nga pak me e mësue të punojë punë të dobishme: bante ujë, vaditte kopshtin, prashitte qepët, kurse ma vonë zu me mësue me ba brisqe, brusha, konop dhe shum gjana tjera.

Edhe Sharaci i ngratë tërhiqte tramvajin prej mëngjesit deri në mbramje, pa pushue. Edhe ai u ligshtue. Kur ecte, mezi i qitte kambët dhe posa e lëshojshin e zente gjumi dhe andrronte, ndoshta, kohën e lumtun kur pinte venë kuqloshe mbantë ndër jela gërsheta t’artë ndër thundra patkoj t’argjent, në gjoks silambeta t’artë dhe frenin e praruem — kur bante në shpinë zotnin e vet ndër lufta e mejdane t’idhta dhe me te zente zanat në vrap. Tash ishte ligshtue: vetëm asht e lëkurë, brijët i numroheshin, kurse ndër kërdhokulla mujshe me ia varrë torbën.

Markut i erdhi randë ma së tepërmi kur, tuë e çue diku në punë, i ndodhi rasti me pa Sharacin e vet aq të rraskapitun. Kjo i dhimbti ma shum se sa të gjitha mjerimet e tij. Shpesh kur e shihte Sharacin aq të trishtueshëm derdhte lot dhe tue fsha ia fillonte:

„Ah Sharac ti e mira e ime!…”

Atëherë Sharaci kthehej dhe hingllonte dhimbshëm, por n’at ças kondukteri i binte ziles dhe tramvaji nisej, kurse roja ia tërhiqte vrejtjen Markut njerzisht që ta vazhdojë rrugën, sepse fuqija dhe shtati i Markut i imponoheshin. Kështu nuk mbërrinte me e mbarue fjalin.

Kështu Marku i ngratë pësoi të zit e ullinit dhetë vjet për fisin e vet, tue mos i braktisë idet për hakmarrjen e Kosovës.

Shoqnija e tramvajeve e nxuer Sharacin jashtë përdorimit dhe ate e bleu nji kopshtar me ia sjellë dollapin.

Kaluen edhe këto dhetë vjet vuejtjesh. E liruen Markun.

Kishte pakëz të holla të kyrsyeme, të cilat i kishte fitue tue shitë cikrrime të ndryshme që i kishte punue vetë.

Së pari shkoi në mejhane dhe thirri dy berberë që ta lajnë dhe ta rruejnë, mandej porositi që t’ia pjekin nji ogiç nandë-vjeçar dhe t’i sjellin mjaft venë e raki.

Pikësëpari deshti që me ushqim dhe pije të mirë të këndellët dhe të përmirsohet mbas kaq vuejtjesh. Ndejti kështu ma tepër se pesëmbëdhetë dit, derisa e ndjeu vedin se ka kthye nji grimë, mandej filloi me rrahë menden çka me ndërmarrë.

Mendoi e çmendoi dhe ma se mbrami vendosi me ba nji punë. U ba tebdil që kurrkush mos me e njoftë dhe u nis ta gjejë së pari Sharacin e ta shpëtojë edhe ate prej taksiratit, mandej të shkojë prej njanit Sërb te Sërbi tjetër dhe të marri vesh kush janë ata që e thirrën aq shum, a janë Sërbë ata që e rrasën në burg dhe qysh ka me u hakmarrë ma së miri për Kosovën.

Marku ndjeu se Sharaci i tij gjindet te nji kopshtar, të cilit ia sillte dollapin, kështu u nis për atje ku i thanë se ka me e gjetë.

E bleu lirë, sepse edhe kopshtari kishte dashtë me ua dhanë magjupëve dhe ia çoi nji katundari, me të cilin u ujdis që ta ushqejë me tërfojë dhe t’i bajë hyzmet, athue mos kthente Sharaci. Marku zu me qa kur e pa Sharacin e mjerë se sa i ngratë dukej. Ai katundari kishte qëllue burr i mirë, pat mëshirë dhe e muer Sharacin për ta ushqye, kurse Marku vazhdoi rrugën kambë.

Tue ecë kështu, e gjeti nji katundar të vobekët n’arë ku punonte dhe e përshëndeti me emnin e zotit.

Marku filloi me kuvendue me te për këte e për ate dhe përnjiherë në bisedë e sipër tha:

— Qysh kishte me qenë sikur Mark Kraleviqi të çohej tash prej vorrit dhe të vinte te ti?

— Kjo tash nuk mundet ma me ndodhë.

— Po sikur me të vërtetë të vinte, çka kishe me ba ti?

— Kisha me e thirrë që të më ndihmojë me e prashitë kët misër — u tall katundari.

— Po sikur të të thirrte për Kosovë?

— More pusho, or vlla i dashtun, ku e gjete ti Kosovën? Nuk kam kohë me shkue në pazar me u ble fëmijve krypë e opinga. E ta dish, nuk kemi as me çka me i ble.

— Mirë, or vlla, por a e din ti se në Kosovë sharroi mbretnija jonë dhe duhet marrë haku për Kosovën?

— Kam sharrue edhe vetë, more vlla i im, ma keq s’ka si bahet. A sheh se po eci zdathë?!… Dhe kur të më shtrëngojë të paguemit e tatimit, s’kam me dijtë as se si e kam emnin, e ti mue më flet për Kosovën e mjerë.

Markun e qiti rruga në shtëpin e nji katundari pasanik.

— Qoftë lavdue Krishti, vlla!

— Për gjithmonë! — përgjegji ai dhe e shiqoi me dyshim. — Prej kah je, or vlla?

— Jam prej nji vendi të largët, dhe pata dëshirë me kalue këtu pari, që të shoh si jetojnë njerzit e këtushëm.

Marku edhe këtij ia përmendi, në bisedë e sipër, qysh kishte me qenë sikur Mark Kraleviqi t’u çfaqte përsëri dhe t’i ftonte Sërbët me u hakmarrë për Kosovën?

— Kam ndie se nji i krisun para dhetë vjetësh ishte shti se ishte Mark Kraleviqi dhe kishte ba disa vrasje e vjedhje dhe e kishin dënue me burg.

— Po, edhe unë kam ndie, por çka kishe me ba sikur të paraqitet Marku i vërtetë dhe të të ftojë në Kosovë?

— Kisha me e pritë, me i qitë mjaft venë me pi dhe me e përcjellë si duhet.

— Po Kosova?

Çfarë Kosove në këto vjet të ngushtë?! Kjo punë kushton shum! Ky asht shpenzim i madh, or vlla.

Marku e la ate dhe u nis. Nëpër katund gjithkund kështu. Disa janë krrusë mbi shetën dhe vetëm pranojnë përshëndetjen „qoftë lavdue Krishti” dhe nuk flasin ma tepër kurrgja. Njerzit nuk mujnë me humbë kohë, duhet me prashitë dhe me krye punët me kohë po dëshruen që drithi të paguejë mirë.

Kështu Marku u mërzit në katund dhe ndau menden me shkue në Beligrad e atjë te përpiqet athue mos mundet me ba diçka për Kosovën dhe të marrë vesh prej kah kaq thirrje të shumta, të sinqerta, me zerhër e nji pritje e këtillë.

Erdhi në Beligrad. Qerre, tramvaje, njerëz — të gjithë ngarendin, nguten, kryqzohën, ndeshen. Nëpunsit nguten ndër zyra, tregtarët me puhë tregtare, puntorët mbas punës së tyne.

E ndeshi nji zotni me influencë të veshun mirë. Marku iu afrue dhe u përshëpdet me te. Ai, hutue nji grimë u prapsue dhe i erdhi turp prej petkave të këqija të Markut.

— Unë jam Mark Kralëviqi. Kam ardhë këndej që t’u ndihmoj vllazënve të mij — tha Marku dhe tregoi krejt si ka ardhë, pse ka ardhë, çka ndodhi krejt me te dhe çka mendon me ba ma vonë.

— Ashtu. Po më mbarohet qejfi që Ju njofta, zotni Kraleviq! Shum mirë po më vjen! Kur mendoni në Prilep?… Po më vjen mirë, besoni, por të më falni, jam kah ngutem për zyre! Servus, Mark — tha ai dhe tfilloi përngutshëm.

Marku e takoi të dytin, të tretin. Me Cilindo që takohej biseda ashtu kryhej për nji çast me: „Jam kah ngutem për zyre! Servus, Mark!“

Dhe kështu Marku i ç’gënjyem, filloi me bjerrë shpresën. Shkon rrugës, hesht, i mrrolun, mustaqet i kanë ra mbi krahë, nuk ndalon kërkend, nuk e pyet kërkend për kurrgja. Dhe kend ka me pyetë ma? Kedo që sheh, nxiton në zyre. Kosovën nuk e përmendi kurrkush për be. Natyrisht, zyra ka ma vleftë se Kosova. Marku, edhepse me nerva shum të fortë, u ba nervoz për at zyrë të mallkueme, e cila, mbas mendimit të tij e konkuronte me aq sukses Kosovën. Ma në fund ndeja filloi me iu ba gjithnji ma e merzitshme e ma e merzitshme në mes t’atij grumbulli njerzish, të cilët thuese nuk punojnë kurrgja, por vetëm nxitojnë me shkue në zyrë. Katundarët ankohen sërish për vjet të papllehshëm dhe në kryepleq, nguten n’ara, punojnë gjithnji dhe bajnë opinga të shkyeme tirç të grisun. Marku borri çdo shpresë në suksesin e vet dhe as nuk e pyeti ma kend as që u takue me njeri. Mëzi pritte që zoti ta thrrasi përsëri ne botën tjetër, që të mos vuejë ma tepër, sepse çdo Sërb ishte i zanun me halle e punës të veta të ngutshme dhe Marku e ndiente vedin plotsisht të panevojshëm.

Kështu nji ditë ecte i dëshpruem e kryevarrë, paret e shkreta i ishin sosë dhe nuk kishte me çka me pi as venë; pijeshitsja Janja tash hanese kur ishte në vorr — ajo po t’ishte gjallë do t’i kishte dhanë rhe pi venë veresije. Shkonte ashtu rrugës me krye për dhe dhe për pak qenë tue i shpërthye lotët kur iu kujtuen koha e vjetër e miqt, sidomos Janja e bukur dhe e zjarrët dhe vena e saj e ftofte.

Kur përnjiherë, vuni re plot gjind para nji mejhaneje të madhe dhe ndjeu përmbrenda nji poterë të madhe.

— Çka asht kjo këtu? — e pyeti njanin, natyrisht, në prozë, sepse edhe ai nga halli e kishte shkrehë të biseduemit në vargje:

— Kjo asht mbledhje patriotike — i tha ai dhe e mati prej majës së kres deri në fund të kambëve, si person të dyshimtë dhe u largue pakëz prej tij.

— Po çka bajnë atje?… prap ia drodhi Marku.

— Shko, bre vlla, dhe shih… i tha ai me zemrim dhe ia ktheu shpinën Markut.

(Faqja tjetër)

Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (2/5)

(Faqja e meparshme)

Udhton Marku në kal ngadalë dhe çuditet burri i dheut pse Sërbët ikin prej tij kur e kanë thirrë aq fort dhe i kanë qitë aq shum kangë. Nuk mundet me ia spjegue vedit at çudi. Ma në fund mendoi se ende nuk e dijnë kush asht ai dhe imagjinon me kënaqsi se kur të marrin vesh, kanë me e pritë për mrekulli, se ai ka me bashkue gjithë Sërbët dhe me u tfillue kundra sulltanit.

Tue shkue ashtu, pau pranë rrugës nji hije të mrekullueshme lisi të madh, dhe i zbriti Sharacit, e lidhi, e hoq calikun dhe zu me pi venë. Pinte ashtu dhe mendonte, prandej gjumi nisi me e kotë pakëz trimin. Marku e pshteti kryet pa shti kurrnji nënkrejcë dhe u shtri me ba nji sy gjum. Taman zu me e kapë gjumi, kur qe, Sharaci tue pikasë do njerëz që e rrethojnë Markun, zu me çukërmue. Ishte shkruesi i rrethit me dhetë gjindarmë. Marku këceu si i tërbuem, e hodhi qyrkun krahëve, tue e kthye përsëmbrapshti (e kishte heqë për shkak të të nxehtit) i hypi Sharacit, muer në njanën dorë shpatën e në tjetrën topuzin, kurse dyzgit e Sharacit i mbajti me dhambë dhe ashtu bani jyrysh midis gjindarmëve. Ata u tmeruen dhe Marku ashtu i furishëm mbas gjumit, zu me u dhurue veçaveç: dikuj shpatën, dikuj topuzin. Nuk u suell as tri herë dhe të dhetët ranë pikë gjallë për dhe. Shkruesi kur pa çka ndodhi, harroi hetimin dhe paragrafet, por ktheu shpinën dhe zu me ikë. Marku iu lëshue përmbrapa dhe i bërtiti:

— Ndalu, kurvë, deli i panjoftun.
Që ty Marku t’cakrrojë me topuz.

Mbasi i tha këto fjalë, e vërtiti topuzin dhe e lëshoi mbas „deliut të panjoftun”. E kapi nji grimë me bisht të topuzit dhe ai u rrëxue si qiriu. Tinglluen zingjit e shprazta. Marku befi deri te ai, por nuk deshti me e mbytë, ia lidhi duert përmbrapa mandej ia vari Sharacit të vet n’ynkash dhe u kthye te caliku, e kur nisi me pi, i tha këtij të mjerit:

— Eja, kurvë, që të pijmë venë!…

Ai vetëm gjimon nga dhimbjet, përdridhet dhe përpushet ashtu i varun për ynkash. Kjo iu duk Markut gja qesharake, prandej zu me qeshë se si ai kuis me za të hollë „Si maca” mendoi Marku dhe prap qeshi; burri i dheut mbante barkun me dorë prej të qeshunit dhe syt iu mbushën me lot të mëdhej si arrat.

Ai zu me iu lutë tue qa që ta lëshojë dhe i premtoi se nuk ka me ba hetime.

Marku ia dha gazit edhe ma tepër, sa qe tue plasë burri i dheut; nga gazi i madh nuk pat kur me folë me dhetërrokshin por gaboj dhe ia futi në prozë:

— Paj kush dreqi i mallkuem, o i mjer’ i zotit, të shtërngoi me ardhë këndej?

Por, megjithate, Marku asht zemërmshirshëm. I erdhi keq burrit të dheut dhe tamam tue u afrue me e zgjidhë kur shiqoi, qe dhetë vetë tjerë me bajraktarin njimbëdhetë, të gjithë njinji të veshun si ata të parët, prap e rrethuen. Marku befi ke Sharaci, e hodhi ate në bar (e ai u rrokullis disi teposhtë në hendek skaj rrugës dhe ztt me rënkue), por Marku i hypi Sharacit dbe poashtu sulmoi. Prap, sa u suell dy tri herë, dhetë gjindarmët ranë pikë gjallë për dhe; kurse shkruesi filloi me ikë, mirëpo Marku edhe ate e mbërrini me bishtin e topuzit. E lidhi dhe e varri për ynkash, mandej shkoi me e nxjerrë at të parin prej hendekut. Ai asht krejt i përlloçun dhe qull, uji rrjedh prej tij. Marku prej të qeshunit të madh mezi e suell deri te Sharaci e, edhe ate e varri n’anën tjetër për ynkash. Të dy përpushen dhe gjimojnë, kuisin pafuqishëm dhe rreken me shpëtue, por Marku qesh gjithnji ma shum e ma fort, bile njanit i bërtiti:

— E, vallahi, vetëm për nji këso qeshje nuk më vjen keq që kam ardhë prej botës tjetër.

Por ku gjindet lumnija aty gjindet gjithmonë dhe fatkeqsija. Ashtu ndodhi dhe tash. Tamam kur Marku i kënaqun merr me u kthye te caliku dhe, si thot, t’ia fshijë dhambët edhe asaj teprice venë, kur qe përnjiherë u ndëgjuen borizanët dhe trumbetat prej së largu. Gjithnji afër e ma afër Sharaci i shqetsuem filloi me turfullue dhe me i ngrehë veshët pip.

— Ndihmë — kujisin ata dy vetët.

Gjithnji ma afër e ma afër, borizanët dhe trumbetat ndihen gjithnji ma çiltë, gjimon toka prej topave të randë, kërsasin bataret e pushkëve. Sharaci i çatalloi syt dhe zu me këcye si i tërbuem. Ata dy vetët bërtitën dhe zunë me u përpushë. Sharaci gjithnji ma i shqetsuem. Marku u hutue bukur fort prej asaj çudije, por bani kryq, mënjanoi legenin me venë, e çpiku dhe iu afrue Sharacit tue i folë:

— Ah mor Shar, moj e mira e ime
Treqind vera tashma që janë mbushë
Qysh me ty që, paj un’jam bashkue
Asnjiher’ ti ende s’je frigue!
Me ndihm’ t’zotit mir’ po, ka me u ba.

Kërsitën topat, u trand edhe vetë Marku, Sharaci këceu, thuese u tërbue; ata dy vetët fluturuen poshtë prej kalit dhe u rrokullisën në hendek me kukamë. Marku qeshi nga halli dhe mezi mbërrini me i hypë Sharacit. Kur pushkët e topat u ndëgjuen tashma për s’afërmi, Sharaci kaloi vetimshëm përtej atij hendekut si i tërbuem dhe ngarendi nëpër ara e të mbjelluna nëpër karrmë dhe gropa. Marku nuk mundte me e ndalë. U ba petull në kalë, mbronte fytyrën me dorë që të mos ia gërvishtin therrat; i ra kësula lëkurëshqarthi, shpata i këcente prej belit, kurse Sharaci shkelte nën vedi çdo gja dhe fugonte si i krisun. Taman duel në patalok, kur atje, pa se asht i rrethuem prej ushtris, ushtojnë burijat, bijnë trumbetat, kërsasin pushkët gjëmojnë topat nëpër naltsinat përreth. Para tij, mbas tij, majtas, djathtas, gjithkah ushtrija. Sharaci u çue dik përpjetë dhe vrapoi drejt. Marku e kapi topuzin dhe iu vërsul turmës që bahej gjithnji ma e dendun rreth tij. Ndoqën shoqi shojnë ma se dy orë derisa Sharaci filloi me qitë shkumbë të përgjakun, e, edhe Marku ishte lodhë tashma tue qëllue me topuzin e randë. Pushkët nuk mujshin me i ba gja lehtë, sepse mbante në trup parzmoren e hekurt, nën këte këmishën pancir të gërshetueme prej çelikut dhe mbi te petka tre fish e mandej qyrkun lëkurë ujku. Por pak pushkët, pak topat, pak morija e goditjeve e mposhtën Markun. Ia muerën kalin, ia muerën armët, e lidhën dhe e çuen nën roje në rreth për hetime.

Dhetë ushtarë para tij, dhetë përmbrapa, dhe kështu nga dhetë në të dy anët me pushkë të mbushuna e me bajoneta mbi to. Duert ia kanë lidhë përmbrapa dhe ia kanë vu verigat; ndër kambë i kanë vu pranga të randë gjashtë okë. Nji batalion ushtarë gjindet përpara si roje kryesore, regjimenti ec përmbrapa, kurse mbas regjimentit bumbllon divizioni, që merr fund me komandantin e divizionit rrethue nga shtatmadhërija dhe ndër anë, andej e këndej, bumbullojnë divizionet e artileris nëpër naltsina.

Gjithçka asht përgatitë si në kohën e luftës. Dymbëdhetë ushtarë e mbajnë Sharacin, nga gjashtë në çdo anë, e edhe atij i vunë qystek të fortë dhe rrjetë në gojë që të mos e kafshojë ndokend. Marku u mrrol, i këceu në fytyrë njifarë melankolije, jo në qef, i vari mustaqet dhe këto i ranë në krahë. Secili mustak sa qingji gjashtëmuejsh, kurse mjekra deri në shokë, si qingji njivjeçar. Rrugës, ku e çojnë, gjindja ngjitet nëpër huj, gardhiqe, e druj vetëm që ta shohin megjithse ai, përkah gjatsija i kalonte rëndom nji pllambë e ma tepër të gjithë ata rreth vedit.

E suellën në ndërtesën e rrethit. Nënprefekti rrin në zyrën e vet, nji burralec i vogël i përçudun, me krahnuer të futun përmbrenda, me shiqim të topitun, kollitet nga pak tue folë, kurse duert i ka si shkopij. N’anën e majtë dhe të djathtë të tavolinës së tij nga gjashtë policë me revole gati për zjarm.

E nxuerën para tij Markun e lidhun kambë e duer me pranga.

Kapiteni u tremb prej prangave të Markut dhe u dridh si n’ethe; i çatalloi syt dhe nuk mujti me folë. Mezi e muer vedin dhe tue kollitë ngapak, filloi me e pyetë me za të ngjirun:

— Si quheni?

— Mark Kraleviqi! — kumboi zani i fuqishëm e kapiteni u trand dhe e lëshoi pendën, policët u prapsuen, kurse gjindja zuni derën.

— Ju lutem, folni me za ma t’ulët, sepse gjindeni para pushtetit. Nuk jam shurdhan. Kur keni lindë?

— Vitin 1321.

— Prej kah jeni?

— Prej Prilepit, qytetit të bukur.

— Me çka merreni?

Marku u çudit kur ai e pyeti për këte.

— Po pyes: a jeni nëpunës, tregtar apo punoni tokën?

— Mue as baba nuk më ka lavrue
Që me bukë të më kef ushqye.

— Me çfarë pune keni ardhë atëherë?

— Si me çfarë pune? Paj Ju më thirrni si nji ditë për ditë, tash pesëqind vjet. Gjithmonë më këndoni ndër kangë dhe kukatni: „Ku jë, o Mark?” „Eja, o Mark!” „Kuku Kosovë!” aq sa edhe në vorr më duel mbi kapuç dhe iu luta zotit të më lirojë që të vij këndej.

— O, vlla i dashtun, ke ba marri. Gjepra, paj kangët retëm ashtu këndohen. Po të kishe qenë i mençëm nuk do t’ishe mbështetë në kangë, as na nuk do të kishim tash kaq kokëçamje as na me ty, as ti me në. Sikur t’ishe thirrë zyrtarisht, me thirrje kjo do t’ishte punë tjetër. E kështu nuk ke rrethana lehtsuese… Gjepra, çfarë punësh mundesh me pasë këtu?… përfundoi kapiteni mërzitshëm dhe në vedi mendoi: „Dreqi ju marrtë ty dhe kangët!” Njerzit tallen dhe këndojnë profka e mue tash të më kapin ethet!”

— Oj Kosovë ti përherë e rrafshtë
Pse trishtueshëm ti, mue po më pret,
Për mbas princit tonë paj të vyeshëm
Nëpër ty tash t’daj’ pleqni sulltani! …

— foli Marku si për llogari të vetën, mandej iu drejtue nënprefektit:

— Un’ do t’nisem dhe kurrkush mos dasht’
Dhe të nisem, me ardhë dhe n’mos mujsha
Do të shkoj n’qytet t’Carigradit
Do ta vras, po, carin e Stambollit…

Kapiteni këceu prej vendit.

— Mjaft, ky ësht nji faj i ri. Ju me këte po doni me na shkaktue fatkeqsi të madhe, sepse tash vendi ynë asht në marrëdhanje miqsore me imperatorin turke.

Marku mbet gojëhapun prej çudis. Kur e ndjeu këte, për pak nuk i ra të fikët. Miqsi me Turqit!… Paj pse dreqin më thërrasin mendon në vedi dhe nuk mundet me u koncentrue prej çudis.

— Për çka kujtoni, Ju lutem, ju keni ba faje të shumta, për të cilat jeni të pandehun!

  1. Më 20 të këtij mueji e keni mbytë në mënyrë rënqethse Pjetër Tomiqin, tregtar, që shetitte me velespit. Mbytjen e keni ba me paramendim sikur dëshmojnë dëshmitarët e përmendun në padi: Millan Kostiqi, Sima Simiqi, Avram Sreqkoviqi e tjerë. Simbas hetimeve të sakta në vend dhe vizitës mjeksore, ju e keni mbytë Pjetrin me armë të topituna, të randa dhe mandej të vdekunit ia keni pre kryet. A doni që të ju lexoj padin?
  2. Të njajtën ditë keni sulmue Mark Gjorgjeviqin, mejhanexhin e katundit V… me qëllim që, simbas natyrës s’uej t’egër, ta mbytni, por ai, ka ikë fatmirsisht. Këtij qytetari të ndershëm, i cili ka qenë edhe deputet i popullit ia keni nxjerrë tre dhambë të shëndoshë. Simbas raportit mjeksuer ky asht lëndim i randë. Ai asht ankue dhe kërkon që të dënoheni mbas ligjit dhe t’i pagueni damin, kohën e humbun dhe të gjitha shpenzimet gjyqsore.
  3. Keni vra njizet gjindarmë dhe i keni plague randë dy shkrues të rrethit.
  4. Pesëdhetë padina gjinden për tentativë vrasjeje.

Marku nuk din me folë prej çudis.

Na këtu kemi me e hetue çashtjen dhe derisa të marrin fund hetimet Ju do të jeni në burg këtu, mandej çashtjen do t’ia referojmë gjyqit. Atëherë mundeni me marrë ndonji avokat që të ju mbrojë.

Markut iu kujtue probatin Obiliqi dhe mendoi: Uh, ç’kishte për ta mbrojtë, ai! I erdhi diçka randë, derdhi lot prej syve dhe vikati:

— Ah mor, v’llam, Obiliq Milloshi
Vall’ s’po sheh a s’don me ndi për mue?
Në çfarë hallesh unë paj kam ra
Due ta hupi kokën po kuqloshe
Pa pikë faji Zotit të vërtetë!…

— Çoni tash në burg! — tha kapiteni me frigë dhe u kollit ngjirshëm.

(Faqja tjetër)

Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (1/5)

Na ka marrë kryet erë ne Sërbëve dhe ma se pesëqind vjet kukasim: „Kuku Kosova!” „Kosova e mjerë!” „Kuku, Llazo!” Kështu vajtuem, tue iu kërcnue me vaj dushmanëve. „Kështu do të bajmë, ashtu do të bajmë”. Vajtojmë trimnisht dhe kërcnohemi, kurse dushmani qeshet; mirëpo në mjerim na ra në mend për Markun dhe zumë me thirrë burrin e dheut që të çohet prej vorrit, të na mprojë e të hakmarret për Kosovën. Thirr sot, thirr nesër, thirr çdo ças për çdo send: „Çou, Mark!” „Eja, Mark”! „Shiqoji, Mark”, lotët, „Kuku Kosova!” „Çka pret, Mark”. Kështuqë të thirrunit kaloi në paturpsi. Dehet dikush në mejhane dhe teksa i prish të hollat, menjiherë bie në pikllim për Kosovën; e kaplon njifarë ndjenje trimnije dhe menjiherë: „Kuku, Mark, ku gjindesh tash?” Dhe kjo, or vlla, jo pak, por zgjati kësodore ma se pesëqind vera. Në Kosovë tashma knetë e tanë lotësh sërbë dhe Marku u valavit në vorr, u valavit dhe dikur i doli burrit të dheut të vdekun përmbi kapuç.

Dhe nji ditë, fill e para selis së zotit.

— Çka ke, or Mark? — e pyet zoti me butsi.

— Lëshom, zot, që të shoh çka bajnë poshtë ata qorrat e mij; më ka dalë përmbi kapuç kukama dhe të thirrunit e tyne!

— E, Mark, Mark, — fshani zoti; të gjitha i dij, por sikur të mundte kush me u ndihmue, unë do t’u kisha ndihmue i pari.

— Vetëm kthemi, o zot, Sharacin dhe armët, epma fuqin e kahershme dhe lëshom që të shiqoj athue mundem me ba ndonji send.

— Shko, mbasi po dëshiron — tha — por nuk ke me kalue mirë.

Dhe përnjiherë, në nji mënyrë të çuditshme Marku në Sharacin e vet zbriti fluturim në tokë.

Sillet rreth vedit, shiqon vendin, por nuk mundet kurrqysh me i ra në te ku gjindet. Shiqon Sharacin. Po, Sharaci ësht po ai. Shiqon topuzin, shpatën; ma së mbrami petkat. Vetë ato, nuk ka dyshim. E çon dorën në calik. Edhe ky këtu, plot me venë. Këtu janë edhe çekët. Gjithçka e bind se ësht ai Marku i kahershëm, por nuk mundet kurrsesi me i ra në fije ku gjindet. Tueqenëse kishte vështirsi me vendosë çka me ndërmarrë tash në tokë, ai ma parë e ma dalë i zbriti Sharacit, e lidhi për lis, e hoqi calikun dhe zti me pi venë abollaqë, si tha, kështu për nge, të mundte me mendue mirë për çdo send.

Marku pin kështu dhe vëzhgon mos po i bjen në sy ndonji i njoftun, kur befas fishklloi dikush në biçikletë pranë tij dhe, tue u frigue prej kalit të çuditshëm, petkave dhe armëve të Markut, u dha kambëve me sa fuqi pat, tue kthye kryet përmbrapa me pa sa gjindej tashma larg prej rrezikut.

Marku, nga ana tjetër, u frigue nga mënyra e çuditshme e t’udhtuemit dhe mendoi se asht ndonji gogol, por megjithate vendosi me luftue me at përbindsh.

Piu ende nji legen me venë, dhe u mërdhez deri në sy; nji legen ia dha Sharacit që ta pijë, mandej e hodhi calikun në bar e rrasi deri në sy kësulën lëkurëshqarthi dhe i hypi Sharacit, i cili ishte mërdhez tashma deri në veshë. Trimi i vyrtytshëm u zemrue dhe i tha Sharacit:

— Po qe se ti, Sharac, nuk e mbërrin,
Katër kambët kam me t’i thye!

Kurndjeu Sharaci nji kërcnim kësisoj të tmershëm, me të cilin ishte zvjerdhë n’at botë, fugoi si kurr deri atëherë.

Kur u shtri në kal, i furishmi krejt pluhnin e fshinte me gjuj nëpër rrugë dhe zingjit rrihshin tokën e zezë. Ikte edhe ai para tij si me pasë krahë dhe gjithçka sillej. E ndoq kështu plot dy orë dhe as ai nuk largohej shum, as Markut nuk iu dha me e zanë. Kështu u avitën afër njani tjetrit te nji mejhane rruge; kur Marku e pau kët gja, u tremb që mos t’ikë krejtsisht në ndonji qytet dhe mbasi tashma i kishte ardhë shpirti te hunda tue e ndjekë, i ra ndërmend n’at kohë topuzi. E nxuer prej duqeve dhe vikati zemrueshëm:

— Po t’jesh’ zan’ e krih sikur të keshë
Ase zanat paj me t’pas’ ushqye
Edhe vjet ti mue me më pas’ ikë
Marku ty sot kish’ me t’shti në dorë.

Foli kështu, mandej e vërtiti topuzin skaj vedit edhe e lëshoi.

Ai, i qëlluem, ra, por as toka nuk e priti gjallë. Marku erdhi te ai, nxuer shpatën dhe ia preu kryet, ia shtini atë Sharacit në strajcë, mandej, tue këndue u drejtue kah mejhanja e rrugës dhe Sharaci mbeti tue çukrëmue pranë asaj vegle djallzore. (Harrova me thanë se Marku edhe atë e preu me shpatë, të cilën e kishin farkue tre farkatarë me tre ndihmës të vet, dhe për nji javë ia kishin ujdisë tehin që të mundet me pre gurë, dru, hekur — me nji fjalë çdo hajmali).

Plot katundarë gjindeshin para mejhanes dhe kur panë çka u bd dhe shiquen Markun të zemruem, bërtitën prej frigës dhe u banë pikë e pesë. Mbeti vetëm mejhanexhiu. U dridh prej frigës si n’ethet ma të forta, iu luhatën kambët, çatalloi syt dhe u zverdh në fytyrë si i vdekun.

— Pashë zotin, o trim i panjoftun
T’bukrat kurte athue ndi e kanë? …

Trimi i panjoftun belbezoi prej frige dhe mëzi spjegoi nga vëdiga se kjo asht mejhane rruge dhe se ai asht mejhanxhiu vetë dora. Marku u tregoi kush asht dhe prej kah dhe se si ka ardhë me hakmarrë Kosovën dhe me e mbytë sulltanin e Turqis. Mejhanexhiu kuptoi vetëm fjalët „me e mbytë sulltanin” dhe friga e kaploi ende ma tepër kur Marku vazhdoi me folë dhe me pyetë kah asht rruga ma e shkurtë për Kosovë dhe si ka me shkue te sulltani. Marku flet, kurse ai dridhet prej frige dhe vetëm ka në tru: „me e mbytë sulltanin!” Ma në fund Marku ndien etje dhe urdhnoi:

— Sillëm, venë, or ti mejhanexhi
Që un’ trimi etjen tash ta shuej
Sepse itht, ajo m’ka mërzitë!

Këtu Marku zbriti prej Sharacit, e lidhi para mejhanes, kurse mejhanexhiu hyni që të sjellë venë. U kthye prej andej, tue pru nji gotë të vogël „nji decshë” në tabake. Duert i dridhen prej frige, vena i dridhet prej gotës dhe kështu i afrohet Markut.

Kur e pa Marku at gotë të vogël, orëpreme, të stërpikun, mendoi se ai po don cok me luejtë harushë me te! U idhnue keq dhe ia krisi mejhanexhis shuplakë fytyrës. I ra aq lehtë sa ia luejti nga vendi tre dhambë të shëndoshë.

Marku prej atyhit prap i hypi Sharacit dhe vazhdoi rrugën. Mirëpo ata katundarët që u banë pikë e pesë, ngarendën drejt në rreth, në polici, me lajmrue për vrasjen e tmershme dhe qatipi u dërgoi telegram fletoreve. Mejhanexniu e lidhi fytyrën me peca të ftofta, i hypi kalit dhe fill te mjeku, muer raportin për lëndim të randë; mandej shkoi te avokati dhe ky e shoshiti hollsisht për çdo send, ia muer të hollat dhe ia shkroi ankesën për faj penal.

Nënprefekti urdhnoi menjiherë nji shkrues që me disa gjindarmë t’armatosun të niset për ta gjurmue kriminelin dhe dërgoi qarkore telegrafike nëpër tanë Sërbin.

Marku as nuk andrron çka po i përgatitet dhe se si mbërrijtën tashma dy-tri padina të tmershme „të furnizueme me taksat ligjore” dhe me citimin e paragrafave për vrasje, i për lëndim të randë për fyemje nderi; mandej këtu gjinden bile të shkrume „friga e psueme”, „dhlmjet e psueme”, „shpenzimet rreth mjekimit”, „kaq e kaq damshpërblime për premjen e punës në mejhanë, koha e humbun, të shkruemit e ankesës dhe taksat”. E bile për zanet alarmuese të përhapuna për vrasjen e sulltanit, ministrija u lajmrue tashma menjiherë me shifër dhe prej andej mbërrini përgjigja e shpejt: „Le të kapet menjiherë ai rrugaç e të dënohet shum rreptë mbas ligjit edhe të syrvejohet me zellin ma të madh që të mos përsëriten këso rastesh, sepse ashtu e duen interesat e vendit tonë, i cili gjindet tash në marrëdhanje miqsore me imperiatorin turke”.

Zani përhapet larg me shpejtsi rrufeje për njeriun e tmershëm me petka e armë të çuditshme e me kalë ende ma të çuditshëm.

Marku, prej asaj mejhanes, u nis rrugës. Sharaci ec me hapa të rregullt, kurse Marku asht mbështetë për kaptell dhe çuditet se si gjithçka asht ndërrue; edhe njerzit, edhe rrethina, edhe adetet, gjithçka, çdo gja.

I vinte randë që ishte çue prej vorrit. Nuk i ka ma shokët e vjetër, nuk ka me kend me pi venë. Gjindja punojnë nëpër arat për rreth. Dielli pjek me të vlue truni, puntorët janë krrusë, punojnë e heshtin. Ai qëndroi pranë rrugës dhe iu bëzani me qëllim që t’i pyesi për Kosovën, por puntorët kur e panë, u dridhën prej frige dhe hikën prej arave e u banë pikë e pesë, U has me dikend në rrugë dhe ky u prapsue dhe qëndroi si i gozhduem i çatalloi syt prej frige, shiqoi djathtas, majtas dhe si i hutuem u hodh me tanë fuqin përtej hendekut ose drizave. Sa ma tepër që Marku i bëzan me u kthye ai aq ma rreptas ik. Natyrisht, secili prej të friguemve ngarend fill në zyrën e rrethit dhe padit për „tentativë vrasjeje”. Para ndërtesës së rrethit populli e ka zanë rrugën sa njeriu mos me mujtë me kalue. Fëmijt piskasin, grat kukasin, burrat tranditen, avukatët shkruejnë padina, rrahen telegrame, policët e gjindarmët shkojnë poshtë e nalt, burijat bijnë për kushtrim nëpër kazerma, mbahen mesha nëpër kisha që të largohet ky mjerim prej popullit. Prozhmitet nëpër turmë se Kraleviq Marku asht çue lugat dhe prej këtij tmeri u trembën edhe policët dhe gjindarmët e deri vetë ushtarët. Ku ta mban, or vlla, me luftue me Markun e gjallë e lene ma kur asht ende lugat!

(Faqja tjetër)