Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (5/5)
Ambienti ndikon në njeriun dhe Marku s’pati çare pa iu nënshtrue në njifarë mase atij ndikimi dhe filloi me pasardhsit e tij të virtytshëm rae shetitë, me pshtye, dhe me u shty nëpër dyert e ministrive me lutje në dorë, tue pritë që të dali para Ministrit dhe t’i lutet për nji grimë detyrëz shtetnore — vetëm aq sa t’ushqehej me bukë, natyrisht të bardhë.
Tashma merret vesh se kjo pritje e kotë para dyerve nuk zgjatte pak kohë dhe mbas disa ditësh i thanë që ta dorzojë lutjen n’arkivë, që të protokolohet.
Lutja e Markut e qiti Ministrin në hall të madh. — O vlia, ç’ka të baj me at njeri? E respektojmë, të thomi; gjithçka, gjithçka, por nuk duhet të vinte. Burri i dheut nuk asht për këto kohna.
Tekembrama, tue pasë parasysh emnin e tij të madh dhe meritat e maparshme e emnoi praktikant në nji rreth ku ban dreqi voe!
Tash Marku mëzi ia duel në krye me lutje që tia lanë armët; ia dhanë nji rrogë të plotë në Ministri, e aj shkoi me e marrë Sharacin mbasi t’i paguejë shpenzimet për mbajtjen e tij.
Sharaci, edhepse ushqye mirë, nuk dukej as per s’afërmi si përpara, ishte ligshtue shum; por edhe Marku ishte ma i lehtë barem tridhetë okë.
Kësodore Marku veshi petkat, ngjeshi armët, mbrehi Sharacin, e mbushi calikun me venë, e varri për ynkash, i hypi Sharacit, bani kryq dhe u nis për detyrë, rrugës kah i thanë. Shum kush e kshilloi me shkue me ferovi, por ai nuk deshti për mall të dynjas.
Marku kahdo që bredhte, pyette gjithnji për at rreth dhe tregonte emnin e nënprefektit.
Mbas nji ditë e gjysëm udhtimi mbërrini. Hyni n’oborrin e zyres së rrethit, i zbriti kalit, e lidhi Sharacin për nji man, uli calikun dhe ndejti i armatosun në fresk që të pijë venë.
Policët, praktikantët, shkruesit shiqojshin nëpër dritare me çudi, kurse gjindja i sillej trimit larg për rreth.
Erdhi kapiteni, i cili ishte vu në dije se Marku vinte në rrethin e tij.
— Qoftë lavdue Krishti — tha.
— Për gjithmonë e jetë, o trim i panjoftun — përgjegji Marku.
Teksa rroki armët, kalin dhe venën, harroi tana hallet dhe filloi me u sjellë menjiherë simbas të moçmes dhe me folë me vargje.
— A je ti praktikanti i ri?
Marku e prezentoi vedin dhe kapiteni i tha:
— E, po ti nuk mundesh me qenë në zyre me calik dhe armë.
— Asht adeti k’shtu në Sërbi t’madhe.
Me arm’ n’dorë njerzët venë pijnë
Me arm’ n’dorë deri gjumin bajnë!
Kapiteni filloi me ia spjegue se duhej t’i hiqte armët patjetër, poqese mendonte me ndejtë, në detyrë dhe me marrë rrogë.
Marku e pa se nuk kishte shteg tjetër, sepse — s’kish çka të bante burri i dheut, duhej me jetue medoemos, e paret i ishin sosë; por i ra në mend dhe e pyeti:
— A gjindet ndonji shërbim ku njeriu mban armët që të mundem me qenë edhe unë aty?
— Gjindet shërbimi policuer.
— Çka punon polici?
— Paj i përcjell nëpunsit rrugës me armë që, poqese i sulmon kush, t’i mbrojë; kujdeset për rregull, kujdeset që mos t’i bajë kush tjertrit dam dhe gjana kësisoji, — tha kapiteni.
— E, kështu, a?! Kjo asht detyrë e mirë… u gëzue Marku.
Dhe kështu Marku u ba polic. Edhe kjo asht përsëri ndikim i ambientit, ndikim i pasardhësve të virtytshëm me gjak të nxehtë dhe antuziazëm që t’i shërbejnë atdheut të vet. Por Marku as në kët detyrë nuk mujti as afërsisht me qenë aq i përshtatshëm dhe i vyeshëm si do të kishte mujtë me qenë edhe ma i keqi pasardhës i tij, e lene ma ndonji tjetër, ma i mirë.
Marku, tue shkue me kapitenin nëpër rreth pa shum mjerim dhe kur nji ditë iu ba se edhe kapiteni i tij nuk punonte bash me të drejtë, i ra shuplak dhe ia nxuer tre dhambë.
Për kët shkak, mbas nji gjakderdhjeje të gjatë luftarake, e kapën dhe e shoqnuen me roje në çmendinë për kontroll.
Marku nuk mujti me durue kët goditje dhe u nda këso jete befas plotsisht i zhgënjyem dhe i stërmunduem.
Kur duel para zotit, deri zoti u qesh, gjithë qiejt u dridhën.
— A e hakmore, Mark, Kosovën? — pyeti në gaz.
— U stërmundova dhe Kosovën time të mjeirë as që e pashë! Më rrahën, më burgosën, u bana polic dhe në fund të fundit më çuen me roje midis të marrëve… u ankuë Marku.
— E dijsha se ke trie dalë me këpucë të kuqe!… foli zoti butësisht.
— Të falem nderit zot dhe ma fal kusurin; as vetë nuk do ta besoj ma kukamën e pasardhësve të mij dhe vajin për Kosovën! Dhe poqese u duhen policë, barem për at detyrë kanë plot me zgjedhë, secili ma i mirë se tjetri. Më fal, o zot, por më duket se ata nuk janë pasardhsit e mij, megjithse më këndojnë mue, porse janë pasardhsit ë atij Sul Gabelit tanë.
— Ate kam dashtë me e çue edhe unë sikur ti të mos m’ishe lutë aq fort me shkue. E dijsha se ti nuk u nevojitesh atyne!…
— Edhe Sula do t’ishte, midis Sërbëve, polici ma i keq. Të gjithë e kanë kalue n’at pikë! — tha Marku e zu me qa.
Zoti fshani randë dhe i rrudhi krahët.
Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)