Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (2/5)
Udhton Marku në kal ngadalë dhe çuditet burri i dheut pse Sërbët ikin prej tij kur e kanë thirrë aq fort dhe i kanë qitë aq shum kangë. Nuk mundet me ia spjegue vedit at çudi. Ma në fund mendoi se ende nuk e dijnë kush asht ai dhe imagjinon me kënaqsi se kur të marrin vesh, kanë me e pritë për mrekulli, se ai ka me bashkue gjithë Sërbët dhe me u tfillue kundra sulltanit.
Tue shkue ashtu, pau pranë rrugës nji hije të mrekullueshme lisi të madh, dhe i zbriti Sharacit, e lidhi, e hoq calikun dhe zu me pi venë. Pinte ashtu dhe mendonte, prandej gjumi nisi me e kotë pakëz trimin. Marku e pshteti kryet pa shti kurrnji nënkrejcë dhe u shtri me ba nji sy gjum. Taman zu me e kapë gjumi, kur qe, Sharaci tue pikasë do njerëz që e rrethojnë Markun, zu me çukërmue. Ishte shkruesi i rrethit me dhetë gjindarmë. Marku këceu si i tërbuem, e hodhi qyrkun krahëve, tue e kthye përsëmbrapshti (e kishte heqë për shkak të të nxehtit) i hypi Sharacit, muer në njanën dorë shpatën e në tjetrën topuzin, kurse dyzgit e Sharacit i mbajti me dhambë dhe ashtu bani jyrysh midis gjindarmëve. Ata u tmeruen dhe Marku ashtu i furishëm mbas gjumit, zu me u dhurue veçaveç: dikuj shpatën, dikuj topuzin. Nuk u suell as tri herë dhe të dhetët ranë pikë gjallë për dhe. Shkruesi kur pa çka ndodhi, harroi hetimin dhe paragrafet, por ktheu shpinën dhe zu me ikë. Marku iu lëshue përmbrapa dhe i bërtiti:
— Ndalu, kurvë, deli i panjoftun.
Që ty Marku t’cakrrojë me topuz.
Mbasi i tha këto fjalë, e vërtiti topuzin dhe e lëshoi mbas „deliut të panjoftun”. E kapi nji grimë me bisht të topuzit dhe ai u rrëxue si qiriu. Tinglluen zingjit e shprazta. Marku befi deri te ai, por nuk deshti me e mbytë, ia lidhi duert përmbrapa mandej ia vari Sharacit të vet n’ynkash dhe u kthye te caliku, e kur nisi me pi, i tha këtij të mjerit:
— Eja, kurvë, që të pijmë venë!…
Ai vetëm gjimon nga dhimbjet, përdridhet dhe përpushet ashtu i varun për ynkash. Kjo iu duk Markut gja qesharake, prandej zu me qeshë se si ai kuis me za të hollë „Si maca” mendoi Marku dhe prap qeshi; burri i dheut mbante barkun me dorë prej të qeshunit dhe syt iu mbushën me lot të mëdhej si arrat.
Ai zu me iu lutë tue qa që ta lëshojë dhe i premtoi se nuk ka me ba hetime.
Marku ia dha gazit edhe ma tepër, sa qe tue plasë burri i dheut; nga gazi i madh nuk pat kur me folë me dhetërrokshin por gaboj dhe ia futi në prozë:
— Paj kush dreqi i mallkuem, o i mjer’ i zotit, të shtërngoi me ardhë këndej?
Por, megjithate, Marku asht zemërmshirshëm. I erdhi keq burrit të dheut dhe tamam tue u afrue me e zgjidhë kur shiqoi, qe dhetë vetë tjerë me bajraktarin njimbëdhetë, të gjithë njinji të veshun si ata të parët, prap e rrethuen. Marku befi ke Sharaci, e hodhi ate në bar (e ai u rrokullis disi teposhtë në hendek skaj rrugës dhe ztt me rënkue), por Marku i hypi Sharacit dbe poashtu sulmoi. Prap, sa u suell dy tri herë, dhetë gjindarmët ranë pikë gjallë për dhe; kurse shkruesi filloi me ikë, mirëpo Marku edhe ate e mbërrini me bishtin e topuzit. E lidhi dhe e varri për ynkash, mandej shkoi me e nxjerrë at të parin prej hendekut. Ai asht krejt i përlloçun dhe qull, uji rrjedh prej tij. Marku prej të qeshunit të madh mezi e suell deri te Sharaci e, edhe ate e varri n’anën tjetër për ynkash. Të dy përpushen dhe gjimojnë, kuisin pafuqishëm dhe rreken me shpëtue, por Marku qesh gjithnji ma shum e ma fort, bile njanit i bërtiti:
— E, vallahi, vetëm për nji këso qeshje nuk më vjen keq që kam ardhë prej botës tjetër.
Por ku gjindet lumnija aty gjindet gjithmonë dhe fatkeqsija. Ashtu ndodhi dhe tash. Tamam kur Marku i kënaqun merr me u kthye te caliku dhe, si thot, t’ia fshijë dhambët edhe asaj teprice venë, kur qe përnjiherë u ndëgjuen borizanët dhe trumbetat prej së largu. Gjithnji afër e ma afër Sharaci i shqetsuem filloi me turfullue dhe me i ngrehë veshët pip.
— Ndihmë — kujisin ata dy vetët.
Gjithnji ma afër e ma afër, borizanët dhe trumbetat ndihen gjithnji ma çiltë, gjimon toka prej topave të randë, kërsasin bataret e pushkëve. Sharaci i çatalloi syt dhe zu me këcye si i tërbuem. Ata dy vetët bërtitën dhe zunë me u përpushë. Sharaci gjithnji ma i shqetsuem. Marku u hutue bukur fort prej asaj çudije, por bani kryq, mënjanoi legenin me venë, e çpiku dhe iu afrue Sharacit tue i folë:
— Ah mor Shar, moj e mira e ime
Treqind vera tashma që janë mbushë
Qysh me ty që, paj un’jam bashkue
Asnjiher’ ti ende s’je frigue!
Me ndihm’ t’zotit mir’ po, ka me u ba.
Kërsitën topat, u trand edhe vetë Marku, Sharaci këceu, thuese u tërbue; ata dy vetët fluturuen poshtë prej kalit dhe u rrokullisën në hendek me kukamë. Marku qeshi nga halli dhe mezi mbërrini me i hypë Sharacit. Kur pushkët e topat u ndëgjuen tashma për s’afërmi, Sharaci kaloi vetimshëm përtej atij hendekut si i tërbuem dhe ngarendi nëpër ara e të mbjelluna nëpër karrmë dhe gropa. Marku nuk mundte me e ndalë. U ba petull në kalë, mbronte fytyrën me dorë që të mos ia gërvishtin therrat; i ra kësula lëkurëshqarthi, shpata i këcente prej belit, kurse Sharaci shkelte nën vedi çdo gja dhe fugonte si i krisun. Taman duel në patalok, kur atje, pa se asht i rrethuem prej ushtris, ushtojnë burijat, bijnë trumbetat, kërsasin pushkët gjëmojnë topat nëpër naltsinat përreth. Para tij, mbas tij, majtas, djathtas, gjithkah ushtrija. Sharaci u çue dik përpjetë dhe vrapoi drejt. Marku e kapi topuzin dhe iu vërsul turmës që bahej gjithnji ma e dendun rreth tij. Ndoqën shoqi shojnë ma se dy orë derisa Sharaci filloi me qitë shkumbë të përgjakun, e, edhe Marku ishte lodhë tashma tue qëllue me topuzin e randë. Pushkët nuk mujshin me i ba gja lehtë, sepse mbante në trup parzmoren e hekurt, nën këte këmishën pancir të gërshetueme prej çelikut dhe mbi te petka tre fish e mandej qyrkun lëkurë ujku. Por pak pushkët, pak topat, pak morija e goditjeve e mposhtën Markun. Ia muerën kalin, ia muerën armët, e lidhën dhe e çuen nën roje në rreth për hetime.
Dhetë ushtarë para tij, dhetë përmbrapa, dhe kështu nga dhetë në të dy anët me pushkë të mbushuna e me bajoneta mbi to. Duert ia kanë lidhë përmbrapa dhe ia kanë vu verigat; ndër kambë i kanë vu pranga të randë gjashtë okë. Nji batalion ushtarë gjindet përpara si roje kryesore, regjimenti ec përmbrapa, kurse mbas regjimentit bumbllon divizioni, që merr fund me komandantin e divizionit rrethue nga shtatmadhërija dhe ndër anë, andej e këndej, bumbullojnë divizionet e artileris nëpër naltsina.
Gjithçka asht përgatitë si në kohën e luftës. Dymbëdhetë ushtarë e mbajnë Sharacin, nga gjashtë në çdo anë, e edhe atij i vunë qystek të fortë dhe rrjetë në gojë që të mos e kafshojë ndokend. Marku u mrrol, i këceu në fytyrë njifarë melankolije, jo në qef, i vari mustaqet dhe këto i ranë në krahë. Secili mustak sa qingji gjashtëmuejsh, kurse mjekra deri në shokë, si qingji njivjeçar. Rrugës, ku e çojnë, gjindja ngjitet nëpër huj, gardhiqe, e druj vetëm që ta shohin megjithse ai, përkah gjatsija i kalonte rëndom nji pllambë e ma tepër të gjithë ata rreth vedit.
E suellën në ndërtesën e rrethit. Nënprefekti rrin në zyrën e vet, nji burralec i vogël i përçudun, me krahnuer të futun përmbrenda, me shiqim të topitun, kollitet nga pak tue folë, kurse duert i ka si shkopij. N’anën e majtë dhe të djathtë të tavolinës së tij nga gjashtë policë me revole gati për zjarm.
E nxuerën para tij Markun e lidhun kambë e duer me pranga.
Kapiteni u tremb prej prangave të Markut dhe u dridh si n’ethe; i çatalloi syt dhe nuk mujti me folë. Mezi e muer vedin dhe tue kollitë ngapak, filloi me e pyetë me za të ngjirun:
— Si quheni?
— Mark Kraleviqi! — kumboi zani i fuqishëm e kapiteni u trand dhe e lëshoi pendën, policët u prapsuen, kurse gjindja zuni derën.
— Ju lutem, folni me za ma t’ulët, sepse gjindeni para pushtetit. Nuk jam shurdhan. Kur keni lindë?
— Vitin 1321.
— Prej kah jeni?
— Prej Prilepit, qytetit të bukur.
— Me çka merreni?
Marku u çudit kur ai e pyeti për këte.
— Po pyes: a jeni nëpunës, tregtar apo punoni tokën?
— Mue as baba nuk më ka lavrue
Që me bukë të më kef ushqye.
— Me çfarë pune keni ardhë atëherë?
— Si me çfarë pune? Paj Ju më thirrni si nji ditë për ditë, tash pesëqind vjet. Gjithmonë më këndoni ndër kangë dhe kukatni: „Ku jë, o Mark?” „Eja, o Mark!” „Kuku Kosovë!” aq sa edhe në vorr më duel mbi kapuç dhe iu luta zotit të më lirojë që të vij këndej.
— O, vlla i dashtun, ke ba marri. Gjepra, paj kangët retëm ashtu këndohen. Po të kishe qenë i mençëm nuk do t’ishe mbështetë në kangë, as na nuk do të kishim tash kaq kokëçamje as na me ty, as ti me në. Sikur t’ishe thirrë zyrtarisht, me thirrje kjo do t’ishte punë tjetër. E kështu nuk ke rrethana lehtsuese… Gjepra, çfarë punësh mundesh me pasë këtu?… përfundoi kapiteni mërzitshëm dhe në vedi mendoi: „Dreqi ju marrtë ty dhe kangët!” Njerzit tallen dhe këndojnë profka e mue tash të më kapin ethet!”
— Oj Kosovë ti përherë e rrafshtë
Pse trishtueshëm ti, mue po më pret,
Për mbas princit tonë paj të vyeshëm
Nëpër ty tash t’daj’ pleqni sulltani! …
— foli Marku si për llogari të vetën, mandej iu drejtue nënprefektit:
— Un’ do t’nisem dhe kurrkush mos dasht’
Dhe të nisem, me ardhë dhe n’mos mujsha
Do të shkoj n’qytet t’Carigradit
Do ta vras, po, carin e Stambollit…
Kapiteni këceu prej vendit.
— Mjaft, ky ësht nji faj i ri. Ju me këte po doni me na shkaktue fatkeqsi të madhe, sepse tash vendi ynë asht në marrëdhanje miqsore me imperatorin turke.
Marku mbet gojëhapun prej çudis. Kur e ndjeu këte, për pak nuk i ra të fikët. Miqsi me Turqit!… Paj pse dreqin më thërrasin mendon në vedi dhe nuk mundet me u koncentrue prej çudis.
— Për çka kujtoni, Ju lutem, ju keni ba faje të shumta, për të cilat jeni të pandehun!
- Më 20 të këtij mueji e keni mbytë në mënyrë rënqethse Pjetër Tomiqin, tregtar, që shetitte me velespit. Mbytjen e keni ba me paramendim sikur dëshmojnë dëshmitarët e përmendun në padi: Millan Kostiqi, Sima Simiqi, Avram Sreqkoviqi e tjerë. Simbas hetimeve të sakta në vend dhe vizitës mjeksore, ju e keni mbytë Pjetrin me armë të topituna, të randa dhe mandej të vdekunit ia keni pre kryet. A doni që të ju lexoj padin?
- Të njajtën ditë keni sulmue Mark Gjorgjeviqin, mejhanexhin e katundit V… me qëllim që, simbas natyrës s’uej t’egër, ta mbytni, por ai, ka ikë fatmirsisht. Këtij qytetari të ndershëm, i cili ka qenë edhe deputet i popullit ia keni nxjerrë tre dhambë të shëndoshë. Simbas raportit mjeksuer ky asht lëndim i randë. Ai asht ankue dhe kërkon që të dënoheni mbas ligjit dhe t’i pagueni damin, kohën e humbun dhe të gjitha shpenzimet gjyqsore.
- Keni vra njizet gjindarmë dhe i keni plague randë dy shkrues të rrethit.
- Pesëdhetë padina gjinden për tentativë vrasjeje.
Marku nuk din me folë prej çudis.
Na këtu kemi me e hetue çashtjen dhe derisa të marrin fund hetimet Ju do të jeni në burg këtu, mandej çashtjen do t’ia referojmë gjyqit. Atëherë mundeni me marrë ndonji avokat që të ju mbrojë.
Markut iu kujtue probatin Obiliqi dhe mendoi: Uh, ç’kishte për ta mbrojtë, ai! I erdhi diçka randë, derdhi lot prej syve dhe vikati:
— Ah mor, v’llam, Obiliq Milloshi
Vall’ s’po sheh a s’don me ndi për mue?
Në çfarë hallesh unë paj kam ra
Due ta hupi kokën po kuqloshe
Pa pikë faji Zotit të vërtetë!…
— Çoni tash në burg! — tha kapiteni me frigë dhe u kollit ngjirshëm.