Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (3/5)

(Faqja e meparshme)

Puna, natyrisht, vijoi rrugën e vet ligjore. Mbasi policija bani hetime në vend, i hetoi fajet hollsisht, ia referoi të gjitha aktet gjyqit për veprim të matejshëm.

Gjyqi caktoi seancat, i thirri dëshmitarët, bani ballafaqime. Prokurori publik, ta merr mendja, kërkoi që Marku të dënohet me vdekje. Avokati i Markut, prap, provoi energjikisht se Marku asht i pafajshëm dhe kërkoi të lirohet. E nxuerën Markun në gjyq, e ndëgjuen e kthyen prap mbrapa në burg. Edhe ai disi u hutue prej çudis çka mbarohej me te. Gjaja ma e randë për të ishte se i duhej me pi ujë, e ai nuk ishte mësue me te. Gjithçka kishte me e durue lehtë, asht trim, por ndjente se uji i bante shum dam. Filloi me u tha dhe me u shugate. Ai nuk ishte ma Marku, as zoti mos e dhashtë të jetë! Burri i dheut dalëngadalë u ba shkop, petkat lavareshin në te, thuese nuk ishin të tijat dhe kur ecte i ngrehte kambët zhag.

Bërtitte shpesh në dëshprim:

— Ah, o zot, po kjo asht ma zi se burgu i mallkuem i Azaqit.

Tekembramja, gjyqi dha vendimin, me të cilin, tue pasë para sysh meritat e Markut për çashtjen sërbe dhe shum rrethana lehtësuese, e dënoi Markun me vdekje, të paguejë damet dhe të gjitha shpenzimet gjyqsore.

Çashtja shkoi në gjyqin e apelacionit dhe ky e ktheu dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm, kurse gjyqi i diktimit gjeti disa të meta dhe ia ktheu aktet gjyqit, tue kërkue që të pyeten e të betohen disa dëshmitarë.

Procedura gjyqsore zgjati kështu dy vjet dne ma në fund edhe gjyqi i diktimit e vërtetoi akt-gjykimin e ndryshuem, simbas të cilit Marku u dënue me dhetë vjet burg të randë ndër pranga dhe të paguejë të gjitha shpenzimet penale dhe gjyqsore, por jo si fajtuer politik, mbasi u provue se nuk i përkitte asnji partije politike.

Natyrisht për nji vendim të këtillë patën në konsideracion faktin se Kraleviq Marku asht fatos i madh i popullit dhe se ky proçes asht nji rast unik. Tekembrama nuk ishte as punë e lehtë: Edhe ekspertët ma të mëdhej ranë në pikë të hallit. Si mundesh me e dënue me vdekje dikend që dihet, se ka vdekë para aq shum kohe, dhe asht çfaqë sërish prej botës tjetër?

Dhe kështu, Marku, pa pikë faji, ra në burg. Tueqenëse shpenzimet gjyqsore dhe penale nuk kishin prej çka me i nxjerrë, u vendos që të shiten në licitacion publik: Sharaci, petkat dhe armët I Markut. Shteti i bleu menjiherë veresije për muze armët dhe petkat, kurse Sharacin e bleu shoqnija e tramvajeve me pare në dorë.

Markun e qethën, e rruen, e lidhën me vargoj të randë e veshën me tesha të bardha dhe e çuen në qytetin e Beogradit. Marku këtu vuejti aso vuejtjesh që as nuk i kishte shkue nëpër mend kurr se mundet me i durue. Në fillim bërtitte, zemrohej, kërcnonte, por u mësue gradualisht dhe iu dorzue qetsisht fatit. Dhe, kuptohet, gjatë kohës së burgimit që ta mësojë ndonji send dhe ta përgatisin për shoqnin, në të cilën duhej të vepronte mbasi ta kryente dënimin, si antar i dobishëm, filluen pak nga pak me e mësue të punojë punë të dobishme: bante ujë, vaditte kopshtin, prashitte qepët, kurse ma vonë zu me mësue me ba brisqe, brusha, konop dhe shum gjana tjera.

Edhe Sharaci i ngratë tërhiqte tramvajin prej mëngjesit deri në mbramje, pa pushue. Edhe ai u ligshtue. Kur ecte, mezi i qitte kambët dhe posa e lëshojshin e zente gjumi dhe andrronte, ndoshta, kohën e lumtun kur pinte venë kuqloshe mbantë ndër jela gërsheta t’artë ndër thundra patkoj t’argjent, në gjoks silambeta t’artë dhe frenin e praruem — kur bante në shpinë zotnin e vet ndër lufta e mejdane t’idhta dhe me te zente zanat në vrap. Tash ishte ligshtue: vetëm asht e lëkurë, brijët i numroheshin, kurse ndër kërdhokulla mujshe me ia varrë torbën.

Markut i erdhi randë ma së tepërmi kur, tuë e çue diku në punë, i ndodhi rasti me pa Sharacin e vet aq të rraskapitun. Kjo i dhimbti ma shum se sa të gjitha mjerimet e tij. Shpesh kur e shihte Sharacin aq të trishtueshëm derdhte lot dhe tue fsha ia fillonte:

„Ah Sharac ti e mira e ime!…”

Atëherë Sharaci kthehej dhe hingllonte dhimbshëm, por n’at ças kondukteri i binte ziles dhe tramvaji nisej, kurse roja ia tërhiqte vrejtjen Markut njerzisht që ta vazhdojë rrugën, sepse fuqija dhe shtati i Markut i imponoheshin. Kështu nuk mbërrinte me e mbarue fjalin.

Kështu Marku i ngratë pësoi të zit e ullinit dhetë vjet për fisin e vet, tue mos i braktisë idet për hakmarrjen e Kosovës.

Shoqnija e tramvajeve e nxuer Sharacin jashtë përdorimit dhe ate e bleu nji kopshtar me ia sjellë dollapin.

Kaluen edhe këto dhetë vjet vuejtjesh. E liruen Markun.

Kishte pakëz të holla të kyrsyeme, të cilat i kishte fitue tue shitë cikrrime të ndryshme që i kishte punue vetë.

Së pari shkoi në mejhane dhe thirri dy berberë që ta lajnë dhe ta rruejnë, mandej porositi që t’ia pjekin nji ogiç nandë-vjeçar dhe t’i sjellin mjaft venë e raki.

Pikësëpari deshti që me ushqim dhe pije të mirë të këndellët dhe të përmirsohet mbas kaq vuejtjesh. Ndejti kështu ma tepër se pesëmbëdhetë dit, derisa e ndjeu vedin se ka kthye nji grimë, mandej filloi me rrahë menden çka me ndërmarrë.

Mendoi e çmendoi dhe ma se mbrami vendosi me ba nji punë. U ba tebdil që kurrkush mos me e njoftë dhe u nis ta gjejë së pari Sharacin e ta shpëtojë edhe ate prej taksiratit, mandej të shkojë prej njanit Sërb te Sërbi tjetër dhe të marri vesh kush janë ata që e thirrën aq shum, a janë Sërbë ata që e rrasën në burg dhe qysh ka me u hakmarrë ma së miri për Kosovën.

Marku ndjeu se Sharaci i tij gjindet te nji kopshtar, të cilit ia sillte dollapin, kështu u nis për atje ku i thanë se ka me e gjetë.

E bleu lirë, sepse edhe kopshtari kishte dashtë me ua dhanë magjupëve dhe ia çoi nji katundari, me të cilin u ujdis që ta ushqejë me tërfojë dhe t’i bajë hyzmet, athue mos kthente Sharaci. Marku zu me qa kur e pa Sharacin e mjerë se sa i ngratë dukej. Ai katundari kishte qëllue burr i mirë, pat mëshirë dhe e muer Sharacin për ta ushqye, kurse Marku vazhdoi rrugën kambë.

Tue ecë kështu, e gjeti nji katundar të vobekët n’arë ku punonte dhe e përshëndeti me emnin e zotit.

Marku filloi me kuvendue me te për këte e për ate dhe përnjiherë në bisedë e sipër tha:

— Qysh kishte me qenë sikur Mark Kraleviqi të çohej tash prej vorrit dhe të vinte te ti?

— Kjo tash nuk mundet ma me ndodhë.

— Po sikur me të vërtetë të vinte, çka kishe me ba ti?

— Kisha me e thirrë që të më ndihmojë me e prashitë kët misër — u tall katundari.

— Po sikur të të thirrte për Kosovë?

— More pusho, or vlla i dashtun, ku e gjete ti Kosovën? Nuk kam kohë me shkue në pazar me u ble fëmijve krypë e opinga. E ta dish, nuk kemi as me çka me i ble.

— Mirë, or vlla, por a e din ti se në Kosovë sharroi mbretnija jonë dhe duhet marrë haku për Kosovën?

— Kam sharrue edhe vetë, more vlla i im, ma keq s’ka si bahet. A sheh se po eci zdathë?!… Dhe kur të më shtrëngojë të paguemit e tatimit, s’kam me dijtë as se si e kam emnin, e ti mue më flet për Kosovën e mjerë.

Markun e qiti rruga në shtëpin e nji katundari pasanik.

— Qoftë lavdue Krishti, vlla!

— Për gjithmonë! — përgjegji ai dhe e shiqoi me dyshim. — Prej kah je, or vlla?

— Jam prej nji vendi të largët, dhe pata dëshirë me kalue këtu pari, që të shoh si jetojnë njerzit e këtushëm.

Marku edhe këtij ia përmendi, në bisedë e sipër, qysh kishte me qenë sikur Mark Kraleviqi t’u çfaqte përsëri dhe t’i ftonte Sërbët me u hakmarrë për Kosovën?

— Kam ndie se nji i krisun para dhetë vjetësh ishte shti se ishte Mark Kraleviqi dhe kishte ba disa vrasje e vjedhje dhe e kishin dënue me burg.

— Po, edhe unë kam ndie, por çka kishe me ba sikur të paraqitet Marku i vërtetë dhe të të ftojë në Kosovë?

— Kisha me e pritë, me i qitë mjaft venë me pi dhe me e përcjellë si duhet.

— Po Kosova?

Çfarë Kosove në këto vjet të ngushtë?! Kjo punë kushton shum! Ky asht shpenzim i madh, or vlla.

Marku e la ate dhe u nis. Nëpër katund gjithkund kështu. Disa janë krrusë mbi shetën dhe vetëm pranojnë përshëndetjen „qoftë lavdue Krishti” dhe nuk flasin ma tepër kurrgja. Njerzit nuk mujnë me humbë kohë, duhet me prashitë dhe me krye punët me kohë po dëshruen që drithi të paguejë mirë.

Kështu Marku u mërzit në katund dhe ndau menden me shkue në Beligrad e atjë te përpiqet athue mos mundet me ba diçka për Kosovën dhe të marrë vesh prej kah kaq thirrje të shumta, të sinqerta, me zerhër e nji pritje e këtillë.

Erdhi në Beligrad. Qerre, tramvaje, njerëz — të gjithë ngarendin, nguten, kryqzohën, ndeshen. Nëpunsit nguten ndër zyra, tregtarët me puhë tregtare, puntorët mbas punës së tyne.

E ndeshi nji zotni me influencë të veshun mirë. Marku iu afrue dhe u përshëpdet me te. Ai, hutue nji grimë u prapsue dhe i erdhi turp prej petkave të këqija të Markut.

— Unë jam Mark Kralëviqi. Kam ardhë këndej që t’u ndihmoj vllazënve të mij — tha Marku dhe tregoi krejt si ka ardhë, pse ka ardhë, çka ndodhi krejt me te dhe çka mendon me ba ma vonë.

— Ashtu. Po më mbarohet qejfi që Ju njofta, zotni Kraleviq! Shum mirë po më vjen! Kur mendoni në Prilep?… Po më vjen mirë, besoni, por të më falni, jam kah ngutem për zyre! Servus, Mark — tha ai dhe tfilloi përngutshëm.

Marku e takoi të dytin, të tretin. Me Cilindo që takohej biseda ashtu kryhej për nji çast me: „Jam kah ngutem për zyre! Servus, Mark!“

Dhe kështu Marku i ç’gënjyem, filloi me bjerrë shpresën. Shkon rrugës, hesht, i mrrolun, mustaqet i kanë ra mbi krahë, nuk ndalon kërkend, nuk e pyet kërkend për kurrgja. Dhe kend ka me pyetë ma? Kedo që sheh, nxiton në zyre. Kosovën nuk e përmendi kurrkush për be. Natyrisht, zyra ka ma vleftë se Kosova. Marku, edhepse me nerva shum të fortë, u ba nervoz për at zyrë të mallkueme, e cila, mbas mendimit të tij e konkuronte me aq sukses Kosovën. Ma në fund ndeja filloi me iu ba gjithnji ma e merzitshme e ma e merzitshme në mes t’atij grumbulli njerzish, të cilët thuese nuk punojnë kurrgja, por vetëm nxitojnë me shkue në zyrë. Katundarët ankohen sërish për vjet të papllehshëm dhe në kryepleq, nguten n’ara, punojnë gjithnji dhe bajnë opinga të shkyeme tirç të grisun. Marku borri çdo shpresë në suksesin e vet dhe as nuk e pyeti ma kend as që u takue me njeri. Mëzi pritte që zoti ta thrrasi përsëri ne botën tjetër, që të mos vuejë ma tepër, sepse çdo Sërb ishte i zanun me halle e punës të veta të ngutshme dhe Marku e ndiente vedin plotsisht të panevojshëm.

Kështu nji ditë ecte i dëshpruem e kryevarrë, paret e shkreta i ishin sosë dhe nuk kishte me çka me pi as venë; pijeshitsja Janja tash hanese kur ishte në vorr — ajo po t’ishte gjallë do t’i kishte dhanë rhe pi venë veresije. Shkonte ashtu rrugës me krye për dhe dhe për pak qenë tue i shpërthye lotët kur iu kujtuen koha e vjetër e miqt, sidomos Janja e bukur dhe e zjarrët dhe vena e saj e ftofte.

Kur përnjiherë, vuni re plot gjind para nji mejhaneje të madhe dhe ndjeu përmbrenda nji poterë të madhe.

— Çka asht kjo këtu? — e pyeti njanin, natyrisht, në prozë, sepse edhe ai nga halli e kishte shkrehë të biseduemit në vargje:

— Kjo asht mbledhje patriotike — i tha ai dhe e mati prej majës së kres deri në fund të kambëve, si person të dyshimtë dhe u largue pakëz prej tij.

— Po çka bajnë atje?… prap ia drodhi Marku.

— Shko, bre vlla, dhe shih… i tha ai me zemrim dhe ia ktheu shpinën Markut.

(Faqja tjetër)

Ознаке: , , , , , , , ,

About Домановић

https://domanovic.wordpress.com/about/

Оставите одговор

Попуните детаље испод или притисните на иконицу да бисте се пријавили:

WordPress.com лого

Коментаришете користећи свој WordPress.com налог. Одјави се /  Промени )

Фејсбукова фотографија

Коментаришете користећи свој Facebook налог. Одјави се /  Промени )

Повезивање са %s

%d bloggers like this: