Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (1/5)

Na ka marrë kryet erë ne Sërbëve dhe ma se pesëqind vjet kukasim: „Kuku Kosova!” „Kosova e mjerë!” „Kuku, Llazo!” Kështu vajtuem, tue iu kërcnue me vaj dushmanëve. „Kështu do të bajmë, ashtu do të bajmë”. Vajtojmë trimnisht dhe kërcnohemi, kurse dushmani qeshet; mirëpo në mjerim na ra në mend për Markun dhe zumë me thirrë burrin e dheut që të çohet prej vorrit, të na mprojë e të hakmarret për Kosovën. Thirr sot, thirr nesër, thirr çdo ças për çdo send: „Çou, Mark!” „Eja, Mark”! „Shiqoji, Mark”, lotët, „Kuku Kosova!” „Çka pret, Mark”. Kështuqë të thirrunit kaloi në paturpsi. Dehet dikush në mejhane dhe teksa i prish të hollat, menjiherë bie në pikllim për Kosovën; e kaplon njifarë ndjenje trimnije dhe menjiherë: „Kuku, Mark, ku gjindesh tash?” Dhe kjo, or vlla, jo pak, por zgjati kësodore ma se pesëqind vera. Në Kosovë tashma knetë e tanë lotësh sërbë dhe Marku u valavit në vorr, u valavit dhe dikur i doli burrit të dheut të vdekun përmbi kapuç.

Dhe nji ditë, fill e para selis së zotit.

— Çka ke, or Mark? — e pyet zoti me butsi.

— Lëshom, zot, që të shoh çka bajnë poshtë ata qorrat e mij; më ka dalë përmbi kapuç kukama dhe të thirrunit e tyne!

— E, Mark, Mark, — fshani zoti; të gjitha i dij, por sikur të mundte kush me u ndihmue, unë do t’u kisha ndihmue i pari.

— Vetëm kthemi, o zot, Sharacin dhe armët, epma fuqin e kahershme dhe lëshom që të shiqoj athue mundem me ba ndonji send.

— Shko, mbasi po dëshiron — tha — por nuk ke me kalue mirë.

Dhe përnjiherë, në nji mënyrë të çuditshme Marku në Sharacin e vet zbriti fluturim në tokë.

Sillet rreth vedit, shiqon vendin, por nuk mundet kurrqysh me i ra në te ku gjindet. Shiqon Sharacin. Po, Sharaci ësht po ai. Shiqon topuzin, shpatën; ma së mbrami petkat. Vetë ato, nuk ka dyshim. E çon dorën në calik. Edhe ky këtu, plot me venë. Këtu janë edhe çekët. Gjithçka e bind se ësht ai Marku i kahershëm, por nuk mundet kurrsesi me i ra në fije ku gjindet. Tueqenëse kishte vështirsi me vendosë çka me ndërmarrë tash në tokë, ai ma parë e ma dalë i zbriti Sharacit, e lidhi për lis, e hoqi calikun dhe zti me pi venë abollaqë, si tha, kështu për nge, të mundte me mendue mirë për çdo send.

Marku pin kështu dhe vëzhgon mos po i bjen në sy ndonji i njoftun, kur befas fishklloi dikush në biçikletë pranë tij dhe, tue u frigue prej kalit të çuditshëm, petkave dhe armëve të Markut, u dha kambëve me sa fuqi pat, tue kthye kryet përmbrapa me pa sa gjindej tashma larg prej rrezikut.

Marku, nga ana tjetër, u frigue nga mënyra e çuditshme e t’udhtuemit dhe mendoi se asht ndonji gogol, por megjithate vendosi me luftue me at përbindsh.

Piu ende nji legen me venë, dhe u mërdhez deri në sy; nji legen ia dha Sharacit që ta pijë, mandej e hodhi calikun në bar e rrasi deri në sy kësulën lëkurëshqarthi dhe i hypi Sharacit, i cili ishte mërdhez tashma deri në veshë. Trimi i vyrtytshëm u zemrue dhe i tha Sharacit:

— Po qe se ti, Sharac, nuk e mbërrin,
Katër kambët kam me t’i thye!

Kurndjeu Sharaci nji kërcnim kësisoj të tmershëm, me të cilin ishte zvjerdhë n’at botë, fugoi si kurr deri atëherë.

Kur u shtri në kal, i furishmi krejt pluhnin e fshinte me gjuj nëpër rrugë dhe zingjit rrihshin tokën e zezë. Ikte edhe ai para tij si me pasë krahë dhe gjithçka sillej. E ndoq kështu plot dy orë dhe as ai nuk largohej shum, as Markut nuk iu dha me e zanë. Kështu u avitën afër njani tjetrit te nji mejhane rruge; kur Marku e pau kët gja, u tremb që mos t’ikë krejtsisht në ndonji qytet dhe mbasi tashma i kishte ardhë shpirti te hunda tue e ndjekë, i ra ndërmend n’at kohë topuzi. E nxuer prej duqeve dhe vikati zemrueshëm:

— Po t’jesh’ zan’ e krih sikur të keshë
Ase zanat paj me t’pas’ ushqye
Edhe vjet ti mue me më pas’ ikë
Marku ty sot kish’ me t’shti në dorë.

Foli kështu, mandej e vërtiti topuzin skaj vedit edhe e lëshoi.

Ai, i qëlluem, ra, por as toka nuk e priti gjallë. Marku erdhi te ai, nxuer shpatën dhe ia preu kryet, ia shtini atë Sharacit në strajcë, mandej, tue këndue u drejtue kah mejhanja e rrugës dhe Sharaci mbeti tue çukrëmue pranë asaj vegle djallzore. (Harrova me thanë se Marku edhe atë e preu me shpatë, të cilën e kishin farkue tre farkatarë me tre ndihmës të vet, dhe për nji javë ia kishin ujdisë tehin që të mundet me pre gurë, dru, hekur — me nji fjalë çdo hajmali).

Plot katundarë gjindeshin para mejhanes dhe kur panë çka u bd dhe shiquen Markun të zemruem, bërtitën prej frigës dhe u banë pikë e pesë. Mbeti vetëm mejhanexhiu. U dridh prej frigës si n’ethet ma të forta, iu luhatën kambët, çatalloi syt dhe u zverdh në fytyrë si i vdekun.

— Pashë zotin, o trim i panjoftun
T’bukrat kurte athue ndi e kanë? …

Trimi i panjoftun belbezoi prej frige dhe mëzi spjegoi nga vëdiga se kjo asht mejhane rruge dhe se ai asht mejhanxhiu vetë dora. Marku u tregoi kush asht dhe prej kah dhe se si ka ardhë me hakmarrë Kosovën dhe me e mbytë sulltanin e Turqis. Mejhanexhiu kuptoi vetëm fjalët „me e mbytë sulltanin” dhe friga e kaploi ende ma tepër kur Marku vazhdoi me folë dhe me pyetë kah asht rruga ma e shkurtë për Kosovë dhe si ka me shkue te sulltani. Marku flet, kurse ai dridhet prej frige dhe vetëm ka në tru: „me e mbytë sulltanin!” Ma në fund Marku ndien etje dhe urdhnoi:

— Sillëm, venë, or ti mejhanexhi
Që un’ trimi etjen tash ta shuej
Sepse itht, ajo m’ka mërzitë!

Këtu Marku zbriti prej Sharacit, e lidhi para mejhanes, kurse mejhanexhiu hyni që të sjellë venë. U kthye prej andej, tue pru nji gotë të vogël „nji decshë” në tabake. Duert i dridhen prej frige, vena i dridhet prej gotës dhe kështu i afrohet Markut.

Kur e pa Marku at gotë të vogël, orëpreme, të stërpikun, mendoi se ai po don cok me luejtë harushë me te! U idhnue keq dhe ia krisi mejhanexhis shuplakë fytyrës. I ra aq lehtë sa ia luejti nga vendi tre dhambë të shëndoshë.

Marku prej atyhit prap i hypi Sharacit dhe vazhdoi rrugën. Mirëpo ata katundarët që u banë pikë e pesë, ngarendën drejt në rreth, në polici, me lajmrue për vrasjen e tmershme dhe qatipi u dërgoi telegram fletoreve. Mejhanexniu e lidhi fytyrën me peca të ftofta, i hypi kalit dhe fill te mjeku, muer raportin për lëndim të randë; mandej shkoi te avokati dhe ky e shoshiti hollsisht për çdo send, ia muer të hollat dhe ia shkroi ankesën për faj penal.

Nënprefekti urdhnoi menjiherë nji shkrues që me disa gjindarmë t’armatosun të niset për ta gjurmue kriminelin dhe dërgoi qarkore telegrafike nëpër tanë Sërbin.

Marku as nuk andrron çka po i përgatitet dhe se si mbërrijtën tashma dy-tri padina të tmershme „të furnizueme me taksat ligjore” dhe me citimin e paragrafave për vrasje, i për lëndim të randë për fyemje nderi; mandej këtu gjinden bile të shkrume „friga e psueme”, „dhlmjet e psueme”, „shpenzimet rreth mjekimit”, „kaq e kaq damshpërblime për premjen e punës në mejhanë, koha e humbun, të shkruemit e ankesës dhe taksat”. E bile për zanet alarmuese të përhapuna për vrasjen e sulltanit, ministrija u lajmrue tashma menjiherë me shifër dhe prej andej mbërrini përgjigja e shpejt: „Le të kapet menjiherë ai rrugaç e të dënohet shum rreptë mbas ligjit edhe të syrvejohet me zellin ma të madh që të mos përsëriten këso rastesh, sepse ashtu e duen interesat e vendit tonë, i cili gjindet tash në marrëdhanje miqsore me imperiatorin turke”.

Zani përhapet larg me shpejtsi rrufeje për njeriun e tmershëm me petka e armë të çuditshme e me kalë ende ma të çuditshëm.

Marku, prej asaj mejhanes, u nis rrugës. Sharaci ec me hapa të rregullt, kurse Marku asht mbështetë për kaptell dhe çuditet se si gjithçka asht ndërrue; edhe njerzit, edhe rrethina, edhe adetet, gjithçka, çdo gja.

I vinte randë që ishte çue prej vorrit. Nuk i ka ma shokët e vjetër, nuk ka me kend me pi venë. Gjindja punojnë nëpër arat për rreth. Dielli pjek me të vlue truni, puntorët janë krrusë, punojnë e heshtin. Ai qëndroi pranë rrugës dhe iu bëzani me qëllim që t’i pyesi për Kosovën, por puntorët kur e panë, u dridhën prej frige dhe hikën prej arave e u banë pikë e pesë, U has me dikend në rrugë dhe ky u prapsue dhe qëndroi si i gozhduem i çatalloi syt prej frige, shiqoi djathtas, majtas dhe si i hutuem u hodh me tanë fuqin përtej hendekut ose drizave. Sa ma tepër që Marku i bëzan me u kthye ai aq ma rreptas ik. Natyrisht, secili prej të friguemve ngarend fill në zyrën e rrethit dhe padit për „tentativë vrasjeje”. Para ndërtesës së rrethit populli e ka zanë rrugën sa njeriu mos me mujtë me kalue. Fëmijt piskasin, grat kukasin, burrat tranditen, avukatët shkruejnë padina, rrahen telegrame, policët e gjindarmët shkojnë poshtë e nalt, burijat bijnë për kushtrim nëpër kazerma, mbahen mesha nëpër kisha që të largohet ky mjerim prej popullit. Prozhmitet nëpër turmë se Kraleviq Marku asht çue lugat dhe prej këtij tmeri u trembën edhe policët dhe gjindarmët e deri vetë ushtarët. Ku ta mban, or vlla, me luftue me Markun e gjallë e lene ma kur asht ende lugat!

(Faqja tjetër)

Ознаке: , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

About Домановић

https://domanovic.wordpress.com/about/

Оставите одговор

Попуните детаље испод или притисните на иконицу да бисте се пријавили:

WordPress.com лого

Коментаришете користећи свој WordPress.com налог. Одјави се /  Промени )

Фејсбукова фотографија

Коментаришете користећи свој Facebook налог. Одјави се /  Промени )

Повезивање са %s

%d bloggers like this: