Stradija (12/12)
Qeveris së re të ngratë iu desht patjetër me mendue menjiherë, mirëpo, ministrat në Stradi nuk janë fë regjun n’at zanat. Të flasim sinqerisht, disa dit qëndruen trimnisht e ballënaltë; derisa nuk u sosën edhe paret e fundit n’arkën shtetnore, ata me fytyrë të gëzueshme dhe të kthjelltë pranojshin ditën plot deputacione të popullit dhe mbajshin fjalime prekse për ardhmenin e lumtun të Stradis së tyne të dashtun dhe të vuejtun; kur vinte nata atëherë shtroheshin bankete të shkëlqyeshme e të kushtueshme ku pijshin këndojshin dhe çojshin dollina patriotike. Por kur arka shtetnore u shpraz plotsisht, zotni ministrat filluen me mendue seriozisht dhe me bisedue ndër vedi çka me ndërmarrë në kët gjendje kaq të dëshprueme. Tashma për nëpunsi ishte lehtë: ata ishin dhe zakonisht të mësuem që mos t’i marrin rrogat nga disa muej; pensionerët janë njerëz pleq, mjaft dhe kanë jetue; kurse ushtarët, merret vesh vetvetiu, duhet të mësohen në vuejtje e skamje. Nuk asht kijamet dhe ujën me e durue; furnizuesve, sipërmarrsve, dhe çdo qytetari tjetër të mirë të Stradis së lumtun, asht lehtë me u thanë se pagimi i llogarive të tyne nuk ka hy në buxhetin e këtij vjeti. Por nuk asht lehtë për ministrat, sepse ata, kuptohet, duhet të paguejnë që të flitet dhe të shkruhet mirë për ta. Nuk asht lehtë edhe për plot gjana tjera të ngutshme, sepse gjinden mjaftë gjana që janë ma të ngutshme se Stradija.
Filloi me i kapë dhe erdhën n’ide se duhet me e fuqizue ekonomin; për kët arsye vendosën ta shtijnë borxh vedin me nji hua bukur të madhe, por mbasi për konkludimin e kësaj huaje duhej shpenzue medoemos mjaft të holla për mbledhjet e parlamentit, për udhtimet e ministrave në vendet të hueja, ministrat vendosën të mbledhin për at qëllim të gjitha depozitat prej arkave të shtetit, ku i kishin deponue paret privatët, që n’at mënyrë t’i ndihmojnë atdheut që rrënkonte në mjerim.
Në tanë vendin u ba pshtjellim: në disa fletore flitej për krizën ministrore, ndër disa se si qeverija i kreu volitshëm bashkëfjalimet në lidhje me huan, ndër disa për njanën e për tjetrën, kurse fletoret qeveritare shkruejshin se si vendi nuk ka qenë kurr në nji mirëqenje ma të mirë.
Gjithnji ma tepër e ma tepër filluen me folë për at hua shpëtimtare, fletoret gjithnji ma tepër e ma tepër i mbushën shtyllat e tyne me diskutim për ket çashtje. Nga të gjitha anët lindë interesim i madh dhe për pak nuk shkoi deri aty sa me ndalue gati të gjitha punët. Edhe tregtarët edhe furnizuesit edhe nëpunsit edhe penzionerët edhe të gjithë presin me padurim e tue u dridhë si n’ethe. Ndër të gjitha anët, vetëm për ate flasin, pyesin dhe bajnë parashiqime.
Ministrat ngasin tash në këte tash n’at vend të huej, herë njani, herë tjetri, herë nga dy-tre sëbashku. Parlamenti asht i mbledhun edhe atje bahet debatë, vendoset dhe në fimd aprovohet me konkludue huan pa çare. Mandej secili shkoi në shtëpin e vet, kurse kureshtja e pamasë bahet gjithnji ma e madhe n’opinionin publik.
Ndeshen dy vetë në rrugë dhe në vend të përshëndëtjes, menjiherë:
— Çka u ba me huan?
— Nuk e dij!
— Athue i kanë fillue negociatat?
— Sigurisht!
Ministrat gjithnji ma fort e ma shpesh vizitojshin vendet e hueja dhe ktheheshin mbrapa.
— Ka ardhë ministri? — pyet njani.
— Edhe unë po ndiej.
— Çka asht ba?
— Ndoshta në mënyrë të volitshme!
Kështu vazhdon puna derisa fletoret e qeveris mezi lajmruen, qeverija ka gjithmonë nga disa fletore, në të vërtetë secili ministër fletoren e vet — nji ose dy se qeverija i përfundoi negociatat me nji grup të jashtëm dhe se rezultatet janë shum të volitshme.
„Mundemi me pohue me siguri se për disa dit huaja ka me u nënshkrue dhe parija me u importue në vend”.
Njerzit u qetsuen pak por fletoret qeveritare lajmruen se për dy-tri dit do të vijë në Stradi ndihmsi i atij grupit bankar zotni Horije dhe do ta nënshkruejë kontratën aty.
Tash teksa zu dhe rragatija me gojë e me shkrim. Pyetjet pritjet, kureshtja e tepërt e nervoze dhe të shpresuemit pa mase në nji të huej, që pritshin ta shpëtojë vendin, kishin mbërri kulmin.
Për kurrgja tjetër dhe nuk flasin e nuk mendojnë veçse për at Horijen. Hapet fjala se ka mbërri dhe ka ra në kët e n’at hotel dhe turma e kënaqun e popullit, mashkuj e femna, pleq e të rij, ngasin kah hoteli — ngasin me aq gjakim e marrzisht sa pleqt edhe ma të dobtit i shkelin dhe i shtyjnë me brryla.
Posa duket në rrugë ndonji i huej, udhtar, menjiherë njani i thot tjetrit:
— Hej bre, nji i huej! — dhe e shiqon shoqin në mënyrë sinjifikative, me fytyrë e shiqim si ta pyeste: „A mos asht ai Horije?”
— A mos asht ai? — thot ai tjetri.
— Edhe mue diçka po ma han mendja!
Nga të gjitha anët e kundrojnë të huejin dhe përfundojnë se bash ai do të jetë. Mandej e përhapin lajmin nepër qytet se e kanë pa Horen dhe ky lajm përhapet dhe qarkullon aq shpejt nepër të gjitha shtresat e shoqnis sa bile mbas nji ose dy orëve tanë qyteti pohon me siguri se ai gjindet këtu, se njerzit e kanë pa personalisht dhe kanë folë me te.
Policija hallakatet, ministrat shqetsohen dhe ngarendin në të gjitha anët që të takohen me te e t’i bajnë nderime.
Nuk e gjejnë.
Të nesërmen fletoret lajmrojnë se lajmi i djeshëm për ardhjen e Horijes nuk asht i vërtetë.
Deri ku mbërrini kjo punë ka me u pa prej kësaj ngjarjeje.
Nji ditë dola në stacion ku ndalohet nji barkë e huej.
Barka mbëirmi dhe ushtarët zunë me dalë. Unë bisedojsha diçka më nji mik, kur qe menjiherë turma e njerëzve u mblodh te barka aq me vrull sa për pak nuk më rrëxoi njani që vraponte.
— Çka asht kjo?
— Kush asht? — filluen me e pyetë shum vetë njani tjetrin.
— Ai! — përgjigjen.
— Horije, a?
— Po, erdhi!
— Ku asht, ku gjindet? — ushton turma dhe gjindja zunë me u shty, me u shtypë, me u çue maje gishtash, me vëzhgue: secili don me iu avitë ma tepër.
Me të vërtetë vuna re nji të huej që lutej dhe kërkonte ndihmë që ta lëshojnë, sepse kishte punë të ngushtme. Njeriu mezi flet, në të vërtetë, rënkon, i shtypun dhe i pizatun nga gjindja kureshtare.
Policët menjiherë kuptuen detyrën e tyne të vërtetë dhe ngarendën ta vejnë në dije për ardhjen e tij kryetarin e qeveris e ministrat tjerë; kryetarin e komunes, kryetarët e kishës dhe parsin e vendit.
Mbas pak në turmë u ndëgjuen zanet:
— Ministrat, ministrat!
Dhe ministrat me të vërtetë u dukën me tanë parsin e vendit të Stradis. Të gjithë me petka kremteje, me tanë shiritat dhe dekoratat e shumta (të gjitha nuk i bajnë ndër rrethana të rendomta, por vetëm nga disa). Turma u hap në dy anët e rrugës dhe kështu i hueji mbeti vetëm në midis, nga njana anë, kurse nga ana tjetr u dukën ministrat, tue shkue me i dalë përpara.
Ministrat u ndaluen në nji largsi të përshtatshme, hoqën kapelat dhe u përkulën deri në tokë. Po kështu bani edhe turma. Ai dukej diçka i hutuem, i friguem tepër dhe njikohsisht i çuditum fort, por nuk lëvizte nga vendi, rrinte i palëvizshëm, si statujë. Kryetari i qeveris bani nji hap ma përpara dhe filloi:
— O i huej, shum i çmueshëm, ardhjen tande në vendin tonë historija ka me e shënue me shkroja t’arta, sepse kjo ardhje sinjifikative çel nji epokë të re në jetën tonë shtetnore; ardhja jote ja sjell ardhmenin e lumtun Stradis sonë të dashtun. N’emën të krejt qeveris, n’emën të krejt popullit, të përshëndes si shpëtimtarin tonë dhe brohoris: rrnofsh!
— Rrnoftë! Rrnoftë! — gjimon ajri nga brohoritja prej mija gërmazash.
Mandej kryetari i kishës filloi me këndue kangë të devotshme dhe kumbonat kumbuen nëpër tempuj të kryeqytetit të vendit të Stradis.
Kur u krye edhe kjo pjesë e pritjes zyrtare, atëherë ministrat me buzëqeshje t’ambël në fytyrë, me përultni, iu afruen të huejit, ia shtërnguen dorën me rend, mandej tjerët u larguen dhe qëndruen kryeshtrue, me krena të përuluna, kurse kryetari i qeveris muer valixhen e tij para duerve me njifarë respekti të thellë, e ministri i financave, shkopin e njeriut të famshëm. I muerrën me vedi këto sende si ndonji gja të shejtë. Valixheja, merret vesh, ishte gja e shejtë, sepse në te gjindej sigurisht kontrata fatale; me të vërtetë n’at valixhe gjindej as ma pak as ma shum, por ardhmenija, ardhmenija e lumtun e tanë nji vendi. Për kët shkak, pra, kryetari i qeveris, tue dijtë çka ban në duert e veta, dukej solemn, i ndërruem në fytyrë, krenar, sepse në duert e veta mbante ardhmenin e vendit, të Stradis, kryetari i kishës, si njeri i pajuem prej Zotit me shpirt të madh dhe mendje, pënjiherë edhe vetë e parandsin e asaj valixhje, prandej me fetarët tjerë të mëdhej e rrethuen kryetarin e qeveris dhe kënduen kangë të devotshme.
Kortezhi shkon përpara. Ai dhe ministri i financave përpara, kurse valixhja para duerve të kryetarit të qeveris, rrethue prej fetarësh të mëdhej dhe popullit kryeshtrue mbrapa tyne.
Shkojnë ngadalë, solemnisht, kambë-kambë, këndojnë kangë të devotshmë, kurse kumbonat kumbojnë dhe kërsasin gopedrat. Dhe kështu ngadalë nëpër rrugën kryesore, tue shkue në shtëpin e kryetarit të qeveris. Dhe shtëpijt, dhe kafehanet, dhe faltoret dhe zyret — të gjitha u shprazën, s’mbet njeri i gjallë pa dalë me marrë pjesë në pritjen e të huejit të madh, e cila shënonte nji faqe të re historike. Madje as të smuetit nuk munguen, edhe ata i nxuerrën pjre shtëpijave që të shofin kët festë të rrallë, bile gjithë të smutit i nxuerën prej spitaleve ndër vigje, ata i therrte vërtetë dhimbja, por e ndijshin vedin ma mirë kur mendojshin lumnin e atdheut të tyne të dashtun; edhe fëmijt në gji i nxuerrën; ata nuk qajshin, por i ngulshin syt e vet të vegjël në të huejin e madh, si ta ndijshin që kjo lumtuni përgatitej për ta.
Derisa mbërrinë te shtëpija e kryetarit të qeveris, tashma ra dhe mbramja. Të huejin e shtinë në shtëpi ma tepër ndër duer se kambë; hynë të gjithë ministrat dhe parsija, kurse turma mbeti ose të shiqojë me kureshtje në dritare ose thjesht të kundrojë shtëpin gojëhapun.
Të nesërmen filluen me ardhë deputacione nga populli që ta përshëndesin të huejin e madh dhe teksa agoi, para shtëpis së kryetarit të qeveris, kërklloi qerri ngarkue me dekorata të ndryshme për të huejin shum të çmueshëm.
I hueji, merret vesh, u zgjodh menjiherë kryeministër nderi, kryetar nderi i komunes, i Akademis së shkencave dhe i të gjitha shoqatave e shoqnive të mundshme humanitare në Stradi. Të këtilla ka sijaset, bile dhe shoqni për themelimin e shoqnive. Të gjitha qytetet e zgjodhën antar të vet nderi. Gjithë esnafet e njoftën për mirëbas, kurse nji regjiment i ushtris për nderin e tij u quejt „Regjimenti i fuqishëm i Horijes”.
Të gjitha fletoret e përshëndetën me artikuj të gjatë, shum prej tyne e qitën dhe fotografin e tij. Shum nëpunësi u graduen për nderë t’asaj dite, shum policë u graduen dhe u dekoruen, shum ente të reja u hapën dhe u emnuen nëpunës të rij.
Tash dy dit vazhdon dëfrim i bujshëm në tanë qytetin. Bie muzika, kumbojnë kumbonat, kërcasin gopedrat, jehojnë kangët, pihet pa kursim.
Ministrat, ditën e tretë, edhepse mahmurë nga dëfrimi, qenë të detyruem me flijue patjetër edhe pushimin e trupit të vet për lumnin e vendit dhe të popullit dhe u mblodhën të gjithë që me Horijen të kryejnë negociatat për huan dhe ta nënshkruejnë kontratën që shënon nji epokë të re.
Ma parë e ma dalë sa me çelë kuvendin, filluen bisedat private (harrova me thanë se gjatë dëfrimit valixhen e ruente nji roje e fortë).
— A doni me qenëdrue shum kohë këtu? — e pyet kryeministri.
— Derisa të mos kryej punë dhe kjo do të zgjasi shum kohë.
Fjala shum kohë i hutoi ministrat.
— Mendoni, do të zgjasi shum kohë?
— Patjetër. Puna asht e atillë.
— Na i dijmë kushtet tueja dhe ju tonat dhe ma han mendja se nuk do të ketë kurrfarë pengesash — tha ministri i financave.
— Pengesa? — tha i hueji frigueshëm.
— Po ma han mendja se s’ka me pasë sosh.
— Edhe unë shpresoj.
— Atëherë mundemi me e nënshkrue kontratën e huas — tha ministri i financave.
— Kontratën?
— Po!
— Kontrata asht nënshkrue, e unë qysh nesër do të nisem për rrugë; para së gjithash unë tash, e gjithmonë e jetë do të ju jam mirënjohtës për nji pritje të këtillë. Me ju thanë sinqerisht jam hutue, nuk jam ende mjaft i vetëdijshëm çka po mbarohet me mue. Vërte, në kët vend gjindem tash për herën e parë, por nuk kam mujtë as me andrrue se, si njeri i panjoftun, kam me qenë kështu i pritun gjithkund. Më bahet se jam ende tue andrrue.
— E keni nënshkrue, pra, kontratën? — bërtitën të gjithë nji zani me entuziazëm.
— Që ku e kam! — tha i hueji dhe nxuer nga xhepi nji tabak letër, në të cilën gjindej kontrata dhe muer me e lexue në gjuhën e vet. Kontrata ishte midis atij dhe nji tregtari kumbullash nga thellsija e Stradis, në të cilën ai detyrohej me i furnizue kaq e aq sasi kumbulla për me ba pekmez deri në kët e kët ditë…
Çka mimd të bajshin tjetër gja në nji vend të civilizuem dhe të mençëm, mbasi nji kontrate të këfillë të marrë veçse me e përzanë tinzisht të huejin prej Stradis dhe mbas tri ditësh fletoret qeveritare me dhanë këto shënime:
„Qeverija punon energjikisht për realizimin e nji huaje të re dhe të gjitha dukjet janë se bile, deri në fund të muejit kemi me marrë nji pjesë të pareve.”
Gjindja u informue pak për Horijen, dhe heshti, mandej çdo gja vazhdoi prap si përpara.
—
Kur mora me mendue në lidhje me ngjarjen e fundit, më pëlqeu jashtëzakonisht harmonija e përgjithshme në Stradi. Jo vetëm se ministrat janë simpatikë e të vyeshëm, por venarova se edhe kryetari i kishës asht njeri i mençëm. Kush do të mundte në çastin e bukur, në të vërtetë, në çastin ma vendimtar, kur vendosej për fatin e vendit, me u kujtue që të këndojnë kangë të devotshme mbi valixhen e atij pekmezaxhiut dhe ashtu me ia ngjitë krahun qeveris së zellshme për veprën e naltë? Në nji punë kështu të koklavitun duhet me pasë fat.
Vendosa menjiherë të shkoj te ai at mentar, te kryetari i kishës dhe ta njoh për s’afërmi at burr të madh të Stradis.
(Fundi)
Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)