Tag Archive | buxheti

Stradija (12/12)

(Faqja e meparshme)

Qeveris së re të ngratë iu desht patjetër me mendue menjiherë, mirëpo, ministrat në Stradi nuk janë fë regjun n’at zanat. Të flasim sinqerisht, disa dit qëndruen trimnisht e ballënaltë; derisa nuk u sosën edhe paret e fundit n’arkën shtetnore, ata me fytyrë të gëzueshme dhe të kthjelltë pranojshin ditën plot deputacione të popullit dhe mbajshin fjalime prekse për ardhmenin e lumtun të Stradis së tyne të dashtun dhe të vuejtun; kur vinte nata atëherë shtroheshin bankete të shkëlqyeshme e të kushtueshme ku pijshin këndojshin dhe çojshin dollina patriotike. Por kur arka shtetnore u shpraz plotsisht, zotni ministrat filluen me mendue seriozisht dhe me bisedue ndër vedi çka me ndërmarrë në kët gjendje kaq të dëshprueme. Tashma për nëpunsi ishte lehtë: ata ishin dhe zakonisht të mësuem që mos t’i marrin rrogat nga disa muej; pensionerët janë njerëz pleq, mjaft dhe kanë jetue; kurse ushtarët, merret vesh vetvetiu, duhet të mësohen në vuejtje e skamje. Nuk asht kijamet dhe ujën me e durue; furnizuesve, sipërmarrsve, dhe çdo qytetari tjetër të mirë të Stradis së lumtun, asht lehtë me u thanë se pagimi i llogarive të tyne nuk ka hy në buxhetin e këtij vjeti. Por nuk asht lehtë për ministrat, sepse ata, kuptohet, duhet të paguejnë që të flitet dhe të shkruhet mirë për ta. Nuk asht lehtë edhe për plot gjana tjera të ngutshme, sepse gjinden mjaftë gjana që janë ma të ngutshme se Stradija.

Filloi me i kapë dhe erdhën n’ide se duhet me e fuqizue ekonomin; për kët arsye vendosën ta shtijnë borxh vedin me nji hua bukur të madhe, por mbasi për konkludimin e kësaj huaje duhej shpenzue medoemos mjaft të holla për mbledhjet e parlamentit, për udhtimet e ministrave në vendet të hueja, ministrat vendosën të mbledhin për at qëllim të gjitha depozitat prej arkave të shtetit, ku i kishin deponue paret privatët, që n’at mënyrë t’i ndihmojnë atdheut që rrënkonte në mjerim.

Në tanë vendin u ba pshtjellim: në disa fletore flitej për krizën ministrore, ndër disa se si qeverija i kreu volitshëm bashkëfjalimet në lidhje me huan, ndër disa për njanën e për tjetrën, kurse fletoret qeveritare shkruejshin se si vendi nuk ka qenë kurr në nji mirëqenje ma të mirë.

Gjithnji ma tepër e ma tepër filluen me folë për at hua shpëtimtare, fletoret gjithnji ma tepër e ma tepër i mbushën shtyllat e tyne me diskutim për ket çashtje. Nga të gjitha anët lindë interesim i madh dhe për pak nuk shkoi deri aty sa me ndalue gati të gjitha punët. Edhe tregtarët edhe furnizuesit edhe nëpunsit edhe penzionerët edhe të gjithë presin me padurim e tue u dridhë si n’ethe. Ndër të gjitha anët, vetëm për ate flasin, pyesin dhe bajnë parashiqime.

Ministrat ngasin tash në këte tash n’at vend të huej, herë njani, herë tjetri, herë nga dy-tre sëbashku. Parlamenti asht i mbledhun edhe atje bahet debatë, vendoset dhe në fimd aprovohet me konkludue huan pa çare. Mandej secili shkoi në shtëpin e vet, kurse kureshtja e pamasë bahet gjithnji ma e madhe n’opinionin publik.

Ndeshen dy vetë në rrugë dhe në vend të përshëndëtjes, menjiherë:

— Çka u ba me huan?

— Nuk e dij!

— Athue i kanë fillue negociatat?

— Sigurisht!

Ministrat gjithnji ma fort e ma shpesh vizitojshin vendet e hueja dhe ktheheshin mbrapa.

— Ka ardhë ministri? — pyet njani.

— Edhe unë po ndiej.

— Çka asht ba?

— Ndoshta në mënyrë të volitshme!

Kështu vazhdon puna derisa fletoret e qeveris mezi lajmruen, qeverija ka gjithmonë nga disa fletore, në të vërtetë secili ministër fletoren e vet — nji ose dy se qeverija i përfundoi negociatat me nji grup të jashtëm dhe se rezultatet janë shum të volitshme.

„Mundemi me pohue me siguri se për disa dit huaja ka me u nënshkrue dhe parija me u importue në vend”.

Njerzit u qetsuen pak por fletoret qeveritare lajmruen se për dy-tri dit do të vijë në Stradi ndihmsi i atij grupit bankar zotni Horije dhe do ta nënshkruejë kontratën aty.

Tash teksa zu dhe rragatija me gojë e me shkrim. Pyetjet pritjet, kureshtja e tepërt e nervoze dhe të shpresuemit pa mase në nji të huej, që pritshin ta shpëtojë vendin, kishin mbërri kulmin.

Për kurrgja tjetër dhe nuk flasin e nuk mendojnë veçse për at Horijen. Hapet fjala se ka mbërri dhe ka ra në kët e n’at hotel dhe turma e kënaqun e popullit, mashkuj e femna, pleq e të rij, ngasin kah hoteli — ngasin me aq gjakim e marrzisht sa pleqt edhe ma të dobtit i shkelin dhe i shtyjnë me brryla.

Posa duket në rrugë ndonji i huej, udhtar, menjiherë njani i thot tjetrit:

— Hej bre, nji i huej! — dhe e shiqon shoqin në mënyrë sinjifikative, me fytyrë e shiqim si ta pyeste: „A mos asht ai Horije?”

— A mos asht ai? — thot ai tjetri.

— Edhe mue diçka po ma han mendja!

Nga të gjitha anët e kundrojnë të huejin dhe përfundojnë se bash ai do të jetë. Mandej e përhapin lajmin nepër qytet se e kanë pa Horen dhe ky lajm përhapet dhe qarkullon aq shpejt nepër të gjitha shtresat e shoqnis sa bile mbas nji ose dy orëve tanë qyteti pohon me siguri se ai gjindet këtu, se njerzit e kanë pa personalisht dhe kanë folë me te.

Policija hallakatet, ministrat shqetsohen dhe ngarendin në të gjitha anët që të takohen me te e t’i bajnë nderime.

Nuk e gjejnë.

Të nesërmen fletoret lajmrojnë se lajmi i djeshëm për ardhjen e Horijes nuk asht i vërtetë.

Deri ku mbërrini kjo punë ka me u pa prej kësaj ngjarjeje.

Nji ditë dola në stacion ku ndalohet nji barkë e huej.

Barka mbëirmi dhe ushtarët zunë me dalë. Unë bisedojsha diçka më nji mik, kur qe menjiherë turma e njerëzve u mblodh te barka aq me vrull sa për pak nuk më rrëxoi njani që vraponte.

— Çka asht kjo?

— Kush asht? — filluen me e pyetë shum vetë njani tjetrin.

— Ai! — përgjigjen.

— Horije, a?

— Po, erdhi!

— Ku asht, ku gjindet? — ushton turma dhe gjindja zunë me u shty, me u shtypë, me u çue maje gishtash, me vëzhgue: secili don me iu avitë ma tepër.

Me të vërtetë vuna re nji të huej që lutej dhe kërkonte ndihmë që ta lëshojnë, sepse kishte punë të ngushtme. Njeriu mezi flet, në të vërtetë, rënkon, i shtypun dhe i pizatun nga gjindja kureshtare.

Policët menjiherë kuptuen detyrën e tyne të vërtetë dhe ngarendën ta vejnë në dije për ardhjen e tij kryetarin e qeveris e ministrat tjerë; kryetarin e komunes, kryetarët e kishës dhe parsin e vendit.

Mbas pak në turmë u ndëgjuen zanet:

— Ministrat, ministrat!

Dhe ministrat me të vërtetë u dukën me tanë parsin e vendit të Stradis. Të gjithë me petka kremteje, me tanë shiritat dhe dekoratat e shumta (të gjitha nuk i bajnë ndër rrethana të rendomta, por vetëm nga disa). Turma u hap në dy anët e rrugës dhe kështu i hueji mbeti vetëm në midis, nga njana anë, kurse nga ana tjetr u dukën ministrat, tue shkue me i dalë përpara.

Ministrat u ndaluen në nji largsi të përshtatshme, hoqën kapelat dhe u përkulën deri në tokë. Po kështu bani edhe turma. Ai dukej diçka i hutuem, i friguem tepër dhe njikohsisht i çuditum fort, por nuk lëvizte nga vendi, rrinte i palëvizshëm, si statujë. Kryetari i qeveris bani nji hap ma përpara dhe filloi:

— O i huej, shum i çmueshëm, ardhjen tande në vendin tonë historija ka me e shënue me shkroja t’arta, sepse kjo ardhje sinjifikative çel nji epokë të re në jetën tonë shtetnore; ardhja jote ja sjell ardhmenin e lumtun Stradis sonë të dashtun. N’emën të krejt qeveris, n’emën të krejt popullit, të përshëndes si shpëtimtarin tonë dhe brohoris: rrnofsh!

— Rrnoftë! Rrnoftë! — gjimon ajri nga brohoritja prej mija gërmazash.

Mandej kryetari i kishës filloi me këndue kangë të devotshme dhe kumbonat kumbuen nëpër tempuj të kryeqytetit të vendit të Stradis.

Kur u krye edhe kjo pjesë e pritjes zyrtare, atëherë ministrat me buzëqeshje t’ambël në fytyrë, me përultni, iu afruen të huejit, ia shtërnguen dorën me rend, mandej tjerët u larguen dhe qëndruen kryeshtrue, me krena të përuluna, kurse kryetari i qeveris muer valixhen e tij para duerve me njifarë respekti të thellë, e ministri i financave, shkopin e njeriut të famshëm. I muerrën me vedi këto sende si ndonji gja të shejtë. Valixheja, merret vesh, ishte gja e shejtë, sepse në te gjindej sigurisht kontrata fatale; me të vërtetë n’at valixhe gjindej as ma pak as ma shum, por ardhmenija, ardhmenija e lumtun e tanë nji vendi. Për kët shkak, pra, kryetari i qeveris, tue dijtë çka ban në duert e veta, dukej solemn, i ndërruem në fytyrë, krenar, sepse në duert e veta mbante ardhmenin e vendit, të Stradis, kryetari i kishës, si njeri i pajuem prej Zotit me shpirt të madh dhe mendje, pënjiherë edhe vetë e parandsin e asaj valixhje, prandej me fetarët tjerë të mëdhej e rrethuen kryetarin e qeveris dhe kënduen kangë të devotshme.

Kortezhi shkon përpara. Ai dhe ministri i financave përpara, kurse valixhja para duerve të kryetarit të qeveris, rrethue prej fetarësh të mëdhej dhe popullit kryeshtrue mbrapa tyne.

Shkojnë ngadalë, solemnisht, kambë-kambë, këndojnë kangë të devotshmë, kurse kumbonat kumbojnë dhe kërsasin gopedrat. Dhe kështu ngadalë nëpër rrugën kryesore, tue shkue në shtëpin e kryetarit të qeveris. Dhe shtëpijt, dhe kafehanet, dhe faltoret dhe zyret — të gjitha u shprazën, s’mbet njeri i gjallë pa dalë me marrë pjesë në pritjen e të huejit të madh, e cila shënonte nji faqe të re historike. Madje as të smuetit nuk munguen, edhe ata i nxuerrën pjre shtëpijave që të shofin kët festë të rrallë, bile gjithë të smutit i nxuerën prej spitaleve ndër vigje, ata i therrte vërtetë dhimbja, por e ndijshin vedin ma mirë kur mendojshin lumnin e atdheut të tyne të dashtun; edhe fëmijt në gji i nxuerrën; ata nuk qajshin, por i ngulshin syt e vet të vegjël në të huejin e madh, si ta ndijshin që kjo lumtuni përgatitej për ta.

Derisa mbërrinë te shtëpija e kryetarit të qeveris, tashma ra dhe mbramja. Të huejin e shtinë në shtëpi ma tepër ndër duer se kambë; hynë të gjithë ministrat dhe parsija, kurse turma mbeti ose të shiqojë me kureshtje në dritare ose thjesht të kundrojë shtëpin gojëhapun.

Të nesërmen filluen me ardhë deputacione nga populli që ta përshëndesin të huejin e madh dhe teksa agoi, para shtëpis së kryetarit të qeveris, kërklloi qerri ngarkue me dekorata të ndryshme për të huejin shum të çmueshëm.

I hueji, merret vesh, u zgjodh menjiherë kryeministër nderi, kryetar nderi i komunes, i Akademis së shkencave dhe i të gjitha shoqatave e shoqnive të mundshme humanitare në Stradi. Të këtilla ka sijaset, bile dhe shoqni për themelimin e shoqnive. Të gjitha qytetet e zgjodhën antar të vet nderi. Gjithë esnafet e njoftën për mirëbas, kurse nji regjiment i ushtris për nderin e tij u quejt „Regjimenti i fuqishëm i Horijes”.

Të gjitha fletoret e përshëndetën me artikuj të gjatë, shum prej tyne e qitën dhe fotografin e tij. Shum nëpunësi u graduen për nderë t’asaj dite, shum policë u graduen dhe u dekoruen, shum ente të reja u hapën dhe u emnuen nëpunës të rij.

Tash dy dit vazhdon dëfrim i bujshëm në tanë qytetin. Bie muzika, kumbojnë kumbonat, kërcasin gopedrat, jehojnë kangët, pihet pa kursim.

Ministrat, ditën e tretë, edhepse mahmurë nga dëfrimi, qenë të detyruem me flijue patjetër edhe pushimin e trupit të vet për lumnin e vendit dhe të popullit dhe u mblodhën të gjithë që me Horijen të kryejnë negociatat për huan dhe ta nënshkruejnë kontratën që shënon nji epokë të re.

Ma parë e ma dalë sa me çelë kuvendin, filluen bisedat private (harrova me thanë se gjatë dëfrimit valixhen e ruente nji roje e fortë).

— A doni me qenëdrue shum kohë këtu? — e pyet kryeministri.

— Derisa të mos kryej punë dhe kjo do të zgjasi shum kohë.

Fjala shum kohë i hutoi ministrat.

— Mendoni, do të zgjasi shum kohë?

— Patjetër. Puna asht e atillë.

— Na i dijmë kushtet tueja dhe ju tonat dhe ma han mendja se nuk do të ketë kurrfarë pengesash — tha ministri i financave.

— Pengesa? — tha i hueji frigueshëm.

— Po ma han mendja se s’ka me pasë sosh.

— Edhe unë shpresoj.

— Atëherë mundemi me e nënshkrue kontratën e huas — tha ministri i financave.

— Kontratën?

— Po!

— Kontrata asht nënshkrue, e unë qysh nesër do të nisem për rrugë; para së gjithash unë tash, e gjithmonë e jetë do të ju jam mirënjohtës për nji pritje të këtillë. Me ju thanë sinqerisht jam hutue, nuk jam ende mjaft i vetëdijshëm çka po mbarohet me mue. Vërte, në kët vend gjindem tash për herën e parë, por nuk kam mujtë as me andrrue se, si njeri i panjoftun, kam me qenë kështu i pritun gjithkund. Më bahet se jam ende tue andrrue.

— E keni nënshkrue, pra, kontratën? — bërtitën të gjithë nji zani me entuziazëm.

— Që ku e kam! — tha i hueji dhe nxuer nga xhepi nji tabak letër, në të cilën gjindej kontrata dhe muer me e lexue në gjuhën e vet. Kontrata ishte midis atij dhe nji tregtari kumbullash nga thellsija e Stradis, në të cilën ai detyrohej me i furnizue kaq e aq sasi kumbulla për me ba pekmez deri në kët e kët ditë…

Çka mimd të bajshin tjetër gja në nji vend të civilizuem dhe të mençëm, mbasi nji kontrate të këfillë të marrë veçse me e përzanë tinzisht të huejin prej Stradis dhe mbas tri ditësh fletoret qeveritare me dhanë këto shënime:

„Qeverija punon energjikisht për realizimin e nji huaje të re dhe të gjitha dukjet janë se bile, deri në fund të muejit kemi me marrë nji pjesë të pareve.”

Gjindja u informue pak për Horijen, dhe heshti, mandej çdo gja vazhdoi prap si përpara.

Kur mora me mendue në lidhje me ngjarjen e fundit, më pëlqeu jashtëzakonisht harmonija e përgjithshme në Stradi. Jo vetëm se ministrat janë simpatikë e të vyeshëm, por venarova se edhe kryetari i kishës asht njeri i mençëm. Kush do të mundte në çastin e bukur, në të vërtetë, në çastin ma vendimtar, kur vendosej për fatin e vendit, me u kujtue që të këndojnë kangë të devotshme mbi valixhen e atij pekmezaxhiut dhe ashtu me ia ngjitë krahun qeveris së zellshme për veprën e naltë? Në nji punë kështu të koklavitun duhet me pasë fat.

Vendosa menjiherë të shkoj te ai at mentar, te kryetari i kishës dhe ta njoh për s’afërmi at burr të madh të Stradis.

(Fundi)

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Stradija (6/12)

(Faqja e meparshme)

Ministri i financave, kur i shkova për vizitë, më pranoi menjiherë, edhepse, si thot ai, ishte i zanun me shum punë.

— Bash mirë keni ba që keni ardhë, zotni, kështu kam me mujtë me u çlodhë nji fije. Deri tash kam punue dhe më besoni, tashma po më dhemb kryet! — tha ministri dhe më shiqoi me nji shiqim të kapitun dhe të vuejtun.

— Vërtet pozita e juej asht mjaft e randë pranë nji pune kaq kolosale. Sigurisht keni mendue për ndonji çashtje financiare të randsishme? — vërejta.

— Besoj me bindje se ka me ju interesue në çdo mënyrë polemika që baj me zotni ministrin e botores për nji çashtje shum të randsishme. Prej mëngjesit kam punue plot tri orë në te. Besoj me bindje se kam të drejtë dhe se mbroj nji punë të drejtë!… Qe po ju dëftoj artikullin që e kam ba gati për shtyp.

Unë pritsha me padurim të ndëgjoj at artikull të famshëm dhe në të njajten kohë, të marr vesh rreth çkafit bahet kjo luftë e randsishme dhe e rreptë midis ministrit të financave dhe ministrit të botores. Ministri, me denjsi, me seriozitet solemn në fytyrë, muer në dorë dorëshkrimin, u kollit dhe lexoi titullin:

„Ende dy tri fjalë në lidhje me çashtjen: Deri ku shtrihej në jug kufini i vendit tonë në kohën e lashtë.”

— Paj, kjo si duket qenka ndonji debate historike.

— Historike, — tha ministri pakëz i çuditun prej pyetjes ashtu të papandehun dhe më shiqoi nëpër syzat e veta me nji shiqim të topitun, të lodhun.

— A merreni me histori?

— Unë?! — bërtiti ministri me njifarë idhnimi në za… Kjo asht shkenca me të ciiën merrem tashma afër tridhetë vjet dhe. që mos t’ia rris veshët vedit, me sukses — mbaroi fjalën ministri dhe më shiqoi qortueshëm.

— Unë e çmoj fort historin dhe njerzit që tanë jetën e tyne ia kushtojnë kësaj shkence cok të randsishme, — thashë njerzishëm, që pak ose shum, ta përligji sjelljen time të pak ma përparshme me të vërtetë të pamendueme thellë.

— Jo vetëm e randsishme, zotni i im, por ma e randsishmja a keni marrë vesh, ma e randsishmja! — klithi i entuziazmuem ministri dhe më kqyri në mënyrë sinjifikative tue më shqyrtue.

— S’e Iot as topi! — thashë.

— Qe, shiqoni, — prap tha ministri — sa dam do t’ishte sikur, të themi, kufini i vendit tim të caktohej ashtu si e paraqet kolegu im i botores.

— Edhe ai asht historian? — ia preva fjalën me pyetje.

— Historian i rrejshëm. Ai me punën e vet në kët shkencë sjell vetëm dame. Merrni, vetëm dhe lexoni pikëpamjet e tija në lidhje me kët çashtje për kufinin e vjetër të vendit tonë dhe keni me pa çfarë injorance gjindet aty, madje, me e thanë troç edhe jopatriotizëm.

— Çka provon ai, poqese mundeni me e dijtë? — e pyes.

— Nuk provon ai kurrgja, or zotnija i im! Asht argumentim i trishtueshëm kur ai thot se kufini i vjetër n’anë të jugut ka shkue në veri të qytetit të Kradis. Kjo asht gja e pandershme, sepse anmiqt tonë atëherë munden me ndërgjegje të qetë me pasë pretendime deri mbi Kradi. Çka mendoni, sa dam i sjell me ate këtij vendi të vuejtun? — bërtiti mmistri idhshëm, me urrejtje plot arsye, me za të dridhshëm, të dhimbshëm.

— Dam i pamatun! — vikata edhe unë i çmeritun nga kjo lemeri që do ta përfshinte krejt vendin nga injoranca dhe mof kuptimi i ministrit të botores.

— Unë kët çashtje, zotni, nuk kam me e lanë, sepse këte ma në fund, ma ngarkon detyra që më duhet me e krye karshi atdheut tonë të dashtun si bir i tij. Unë kët çashtje do ta paraqes edhe para vetë përfaqsis popullore dhe ajo le të bijë vendimin e vet që duhet të vlejë për çdo qytetar të këtij vendi. Në rastin e kundërt do të japi dorëheqjen, sepse ky tashma asht konflikti i dytë me ministrin e botores dhe të gjitha këto për çashtje kaq me randsi për vendin.

— Po Parlamenti a mundet me vendosë edhe për këto çashtje shkencore?

— Pse jo? Parlamenti ka të drejtë për të gjitha çashtjet me pru vendime që janë të detyrueshme për çdokend si ligjë. Bash dje nji qytetar i paraqiti Parlamentit nji lutje që dita e lindjes t’i bahet llogari pesë vjet ma heret se sa asht lindë.

— Si mundet kjo? — bërtita pahiri prej çudis.

— Mundet, pse jo?… Ai, po e zamë, asht lindë në vjetin …84 dhe Parlamenti ditën e lindjes së tij e proklamon në vjetin …69.

— Gja e çuditshme! Po çka i duhet kjo?

— I duhet pse vetëm kështu ka të drejtë me u kandidue për deputet në nji vend të shprazët dhe ai asht njeriu ynë dhe do të ndihmojë si ka hije situatën aktuale politike.

I habitun prej çudis nuk mujta me folë asnji fjalë. Ministri thuese e venoroi kët gja dhe tha:

— Si duket po ju çudit kjo gja? Të tilla raste dhe të ngjajshme me këto nuk janë të rralla. Nji zojës Parlamenti ia pranoi lutjen me nji natyrë të njajtë. Ajo u lut që Parlamenti ta shpalli për dhetë vjet ma të re se sa asht. Nji tjetër, prap, paraqiti lutje që Përfaqsija popullore t’i bijë nji vendim kompetent se me burrin e vet ka lindë dy fëmij, të cilët përnjiherë bahen trashëgimtarët legjitim të burrit të saj të pasun. Dhe Parlamenti, kuptohet, mbasi ajo kishte miq të fortë e të mirë, e pranoi lutjen e saj naive dhe fisnike edhe e shpalli nanë të dy fëmijve.

— Po ku janë fëmijt? — e pyeta.

— Cilët fëmij?

— Paj, fëmijt për të cilët po flitni?

— Këta fëmij nuk ekzistojnë, a po merrni vesh, por llogaritet se, për shkak të këtij vendimi të Parlamentit, ajo zojë ka dy fëmij dhe kështu meni jeta e keqe midis asai dhe burrit të vet.

— Këte nuk e marr vesh, — vërejta, edhepse madje nuk ishte e njerzishme, që ta thom at gja.

— Si nuk e merrni vesh?… Gja shum e thjeshtë. Ai tregtari i pasun, burrë i zojës për të cilën flasim, nuk ka fëmij me te. A po merrni vesh?

— Po marr vesh.

— Eh, bukur, tash venja veshin ma tej: meqenëse ai asht shum i pasun, dëshiron që të ketë fëmij, që ta trashëgojnë pasunin e tij të madhe dhe për kët shkak jeta bahet shum e keqe midis tij dhe grues së vet. Grueja e tij, mandej, si po ju tregoj, i paraqiti lutje Parlamentit dhe Parlamenti e muer parasysh. Po tregtari i pasun a asht i kënaqun me nji vendim të këtillë të përfaqsis popullore?

— Ta merr mendja se asht i kënaqun. Tash asht qetsue plotsisht dhe prej atëherë e don shum gruen e vet.

Biseda vazhdoj ma tutje. Kuvenduem për shum gjana, por zotni ministri asnji fjalë të vetme nuk e shtoi për çashtje financiare.

Tekembrama mora guxim ta pyes në mënyrën ma të përulët:

— Financat janë të rregullueme shum mirë në vendin tuej, zotni ministër?

— Shum mirë — tha ai me besim dhe mandej menjiherë shtoi:

— Gjaja ma me randsi asht me e hartue buxhetin mirë; mandej të gjitha punët tjera shkojnë lehtë.

— Sa miliona asht buxheti vjetuer i vendit tuej?

— Ma tepër se tetëdhetë milion dhe këta kështu janë të ndamë: për ish ministrat të cilët tash ndodhen qoftë në pension, qoftë në dispozicion, tridhetë milion; për blemje dekoratash dhetë milion; për me shti popullin që të kursejë pesë milion.

— Më falni, zotni ministër, që po ju pres fjalën… Nuk kuptoj pse me shpenzue pesë milion për me e shti popullin që të kursejë?

— Eh, shifni, zotni, kursimi padyshim asht gjaja ma me randsi, kur asht fjala për financa. Këso novitetesh nuk ka kurrkund në botë, por neve na mësoi për te halli për shkak të rrethanave të këqija të vendit, kështu kemi dashtë me e flijue çdo vjet kët shumë bukur të madhe vetëm që të mundemi me i ndihmue popullit dhe me e lehtsue pak ase shum. Tash, sidoqoftë, ka me ecë puna ma mirë, sepse për kët kohë të shkurtë u asht dhanë rrumbullak nji milion shkrimtarëve të librave mbi kursimin për popull. Unë edhe vetë kam vendosë që t’i ndihmoj pak ose shum popullit në kët pikëpamje dhe tashma kam fillue me e shkrue veprën „Kursimi në popullin tonë në kohën e vjetër”, kurse djali im shkruen veprën „Ndikimi i kursimit në përparimin kulturuer në popull” dhe vajza ime ka shkrue deri tash dy tregime prap për popull, në të cilat flitet si duhet me kursye dhe tash asht tue shkrue të tretin: „Lubica dorëlirë dhe Mica kursimiare”.

— Do të jetë patjetër ndonji tregim shum i bukur?!

— Shum i bukur; në te flitet si sharron Lubica për çashtje dashunije dhe si Mica u martue për nji pasanik të madh dhe gjithmonë u dallue për kursime. „Atij që kursen edhe zoti i ndihmon” përfundon tregimi.

— Kjo do të ketë ndikime jashtëzakonisht të mira në popull — thashë tepër i gëzuem.

— Merret vesh, vazhdon zotni ministri — ndikime të mëdha e të randsishme. Qe, për shembull qyshse njerzit kanë nisë me kursye, vajza ime ka kursye deri tash miraz për vedi ma tepër se njiqindmijë.

— Atëherë kjo qenka për ju partija ma me randsi në buxhet — vërejta.

— Ashtu asht, por vetëm kemi heqë „zi” derisa na ra në mend nji mendim fatmirë kësisoji; kurse partit tjera të buxhetit kanë qenë edhe ma parë, para ardhjes sime si ministër. Për shembull, për kremtet popullore pesë miljon, për shpenzime sekrete qeveritare dhetë miljon, për policin e msheftë pesë miljon, për mbajtjen dhe përforcimin e qeveris në poziten e vet pesë miljon, për reprezentacion antarëve të qeveris nji gjysëm miljoni. Këtu jemi, si gjithkund, shum kursimtarë. Dhe tash vijnë të gjitha partit tjera ma pak të randsishme në buxhet.

— Po për arsim, ushtri, dhe aparatin administrativ?

— Po, keni të drejtë, edhe këtu, përpos arsimit, shkojnë nja dyzet miljon, porse këto hyjnë në deficitin e rregullt vjetuer.

— Po arsimi?

— Arsimi? Eh, ai tashma kuptohet, hyn në shpenzimet e paparashiqueme.

— Paj me çka e mbuloni mandej nji deficit kaq të madh?

— Me kurrgja. Me çka mund të mbulohet? Mbetet borxh. Posa grumbullohet shum deficit, marrim hua dhe kështu prap. Por edhe nga ana tjetër kujdesohemi që në disa parti buxhetore të ketë suficit. Unë tashma në ministrin time kam fillue me e zbatue kursimin dhe në kët punë punojë gjallnisht dhe kolegët tjerë të mij. Kursimi, sikurse po ju thom, asht baza për mirëqenjen e çdo vendi. Dje, n’interes të kursimit, e kam qitë prej pune nji shërbëtuer. Ky asht tashma nji kursun prej tetëqind dinarësh në vjet.

— Keni ba nji punë të mirë! Vërejta.

— Duhet patjetër, zotni, që tashma njiherë të fillojmë me u kujdesue për mirëqenjen e popullit. Shërbëtori qan që ta marr prap në punë, lutet, dhe i ngrati nuk asht as i keq, por ajo që nuk shkon nuk shkon, sepse këte e kërkojnë interesat e atdheut të dashtun. „Me gjysën e rrogës kam me shërbye” thot ai. „Nuk mund të bahet, i thom. Unë jam ministër, por paret nuk janë të mijat por të popullit, të fitueme me djersë e gjak dhe unë duhet patjetër t’i baj syt katër për çdo dinar”. Ju lutem, zotni, thueni vetë, si guxoj me i hjedhë poshtë tetëqind dinarë të shtetit? — mbaroi fjalën ministri dhe me duer të shtrime pritte prej meje përgjegje pozitive.

— As topi nuk e lot!

— Qe, para pak kohe asht dhanë nji shumë e madhe të hollash nji antari të qeveris që ta shërojë gruen, nga buxheti për shpenzime sekrete dhe atëherë, poqese nuk vehet re për çdo pare, vaj halli për popullin?

— Sa janë t’ardhunat e vendit, zotni ministër. Kjo gja, ma merr mendja, asht me randsi?

— Tëhe, kjo bash nuk asht me randsi!… Si të ju thom? Në të vërtetë nuk dihet ende sa janë t’ardhunat. Kam lexue diçka në lidhje me to në nji fletore të jashtme, por kush e din a thue asht gja ekzakte. Vetëm, sidoqoftë, t’ardhuna ka mjaft, mjaft padyshim — tha ministri me emocion dhe mburrje eksperti.

Kët bisedë të kandshme e të randsishme na preu shërbëtori, i cili hyni në zyrën e ministrit dhe lajmroi se nji deputacion nëpunsish dëshiron me dalë para zotni ministrit.

— Do t’i thrras për pak kohë, le të presin, — i tha shërbëtorit dhe mandej m’u drejtue mue.

— Besomni se jam aq i lodhun prej pritjes së shumtë në këto dy tri ditë, saqë cok po m’ushton kryet. Kët kohë tash me ju e grabita që të defrehem në nji bisedim të kandshëm!

— Vijnë për punë? — pyeta.

— Kam pasë, qe shiqoni, mu këtu në kambë nji kallo të madhe për beti dhe para katër ditësh e kam ba operacion dhe operacioni, shyqyr zotit, u ba me shum sukses. Për këte vijnë nëpunsit në krye me shefat e tyne që të m’urojnë e të shprehin gëzimin e tyne për kryemjen e operacionit me sukses.

Unë i kërkova ndjesë zotni ministrit që e pengova në punë dhe që mos ta ndajsha ma gjatë prej punës, në mënyrë ma të njerzishme e përshëndeta dhe dola prej kabinetit të tij.

Dhe me të vërtetë për at kallo të zotni ministrit të financave gjindeshin edhe nëpër fletore gjithmonë komunikata të reja.

„Nëpunsit e entit… dje n’ora katër mbasdreke kanë qenë, në krye me shefin e tyne, si deputacion te zotni ministri i financave që t’i urojnë me gëzim operacionin me sukses të kallos. Zotni ministri urdhnoi t’i pranojë njerzisht dhe me gjithë zemër dhe me kët rast zotni shefi n’emën të tanë nëpunësve t’entit të vet mbajti nji fjalim të prekshëm për at rast dhe zotni ministri i falënderoi të gjithë për kët kujdes të rrallë dhe ndjenjë të sinqertë.”

(Faqja tjetër)