Stradija (9/12)
Në ministrin e arsimit jam krejt shkenctar i qëruem.
Vetëm këtu punohet me themel dhe kujdes. Nga pesëmbëdhetë dit madje dhe njizet dit zbukurohet stilizimi i aktit ma të vogël, prandej kuptohet tashma se këtu gjinden edhe imtsit gramatikore, rasa gjithfarësh, me parafjalë e pa parafjalë.
Shiqova aktet.
Nji drejtor, për shembull, shkruen:
„Zotni Ministrit t’Arsimit.
„Mësimdhansit e këtij gjimnazi tash gjashtë muej nuk kanë marrë rrogën dhe kanë ra në nji ngushticë të tillë materiale sa nuk kanë as bukë. Kjo nuk mund të lejohet ma tej, sepse kësodore ka me ra pahu i mësimdhanësve dhe i vetë mësimit.
I lutem njerzisht zotni Ministrit që të ketë mirsin me ndërmarrë pranë zotni Ministrit të Financave që të japi urdhnin e nevojshëm për me na u dhanë rroga barem për tre muej.”
Në shpinë t’aktit të paluem qëndron:
„Ministrija e Arsimit
1. N. 5860
1-II-891.
Drejtori i Gjimnazit … lutet që gjimnazit t’atjeshëm t’i jepet rroga për tre muej”
Nën këte me dorëshkrim tjetër referati:
„Stili i parregullt. Rendi i fjalëve nuk i përgjigjet sintaksës. Janë përdorë fjalë të hueja: me lejue dhe nevojshëm.” (Këto fjalë n’akt janë nënvizue me laps të kuq).
Nën këte me dorën e Ministrit asht shkrue (dorëshkrimi i shëmtuet, i palexueshëm, sikurse nji dorëshkrim kësisoji e fiton zakonisht menjiherë në të njajtin çast kushdo që bahet ministër):
„Për mendim Pleqsis s’arsimit”.
Nën këto gjindet prap dorëshkrimi i ri:
2- III-891.
„Pleqsis kryesore t’arsimit”.
(Nji Pleqsi e Arsimit dhe gjindej gjithsejt, kurse njeriu kishte me mendue se barem gjindeshin tridhetë të dorës së dytë).
„Ngjitun …, i dërgohet Pleqsis akti i drejtorit … të drejtoris së gjimnazit që t’i studjojë në te trajtat gramatikore, veçorit e sintaksës dhe të stilistikës, mandej t’ia kthejë sa ma parë me mendimin e vet, Ministris s’arsimit për përdorim të matejshëm.”
Me urdhën të Ministrit e tjera
(Nënshkrimi)
Mbasi puna ka karakter të ngutshëm, nuk kaluen as pesëmbëdhetë dit dhe Pleqsija kryesore e arsimit bani mbledhje. Midis gjanave tjera erdhi edhe ky akt dhe Pleqsija vendosi që t’u dërgohet për çmim dy ekspertëve.
Caktuen dy vetë dhe e shtinë vendimin në procesë, dhe sekretari u ngarkue me e zbatue.
Tash vjen letra ekspertëve:
„Zotni
Simbas shkresës së Zotni Ministrit t’arsimit N. P. 5880 datë 2.III të këtij vjeti si dhe mbas vendimit të mbledhjes XV së Pleqsis kryesore t’arsimit, mbajtun me 17-III të të njajtit vjet SBr. 2 kam nderin me ju lutë që ta studjoni aktin e drejtorit të drejtoris së gjimnazit nga pikëpamja e gramatikës, e sintaksës dhe e stilistikës dhe për këte t’i paraqitni Pleqsis nji raport në nji kohë sa ma të shkurtë.
Pranoni, Zotni, edhe me kët rast bindjen për respektin tim shum të mirë.”
Kryetari i Pleqsis kr. t’arsimit
(Nënshkrimi)
Shkresa me përmbajtje të këtillë i asht drejtue edhe referentit të dytë.
Mbas dy muejsh mezi i mbrrini Pleqsis s’Arsimit raporti i hollsishëm në lidhje me aktin ë drejtorit, në të cilin kishin punue së bashku të dy ekspertët. Referati fillon kështu:
„Pleqsis kryesore t’arsimit,
E shqyrtuem dhe e studjuem aktin e drejtorit … të drejtoris së gjimnazit dhe kemi nderim me i paraqitë Pleqsis mendimin tonë që vinjom:
„Çdo gja në natyrë i nënshtrohet ligjit të zhvillimit dhe të përsosmënis graduale. Sikur që prej monerës së parë, me zhvillimin dhe përsosmënin gradual gjatë nji vargu të gjatë shekujsh, erdhëm deri te organizmi i koklavitun i trupit të njeriut, poashtu edhe gjuha u zhvillue, nga zanet shtazore të paartikulueme derisa, mbas nji vargu të gjatë shekujsh, nuk mbërrini naltsin e përsosmënis së gjuhëve të sotshme moderne.
„Që të mundemi me e krye punën sa ma mirë e ma qartë, do të përdorim kët rend:
- Pjesa e përgjithshme
- Gjuha dhe i formimi i saj.
- Origjina e gjuhëve të sotshme.
- Rraja e përbashkët (sanskritishtja).
- Ndamja e gjyhve ndër grupe ma kryesore.
- Nji pjesë nga filologjija komparative.
- Historija e shkencës për gjuhë.
- Zhvillimi i shkencës për gjuhen në përgjithsi.
- Gjuha jonë dhe ligjët e zhvillimit të saj
- Vendbanimi i vjetër (Historija).
- Gjuhët e përgjashme.
- Veçorit e përbashkta dhe ndryshimet e atyne që janë të ngjashme, si motra me gjuhën tonë.
- Dijalektet e gjuhës së përbashkët në vendbanimin e vjetër zhviliohen në gjuhë të veçanta.
- Dijalektet e gjuhës sonë.
III. Akti i drejtorit
- Origjina dhe historija e aktit.
- Veçorit e gjuhës në te simbas veçorive të gjuhës së vjetër të Stradis ndër dokumentat e vjetër…”
Dhe kështu më tej. Cili bir nane do të mundte ma të gjitha këto dhe me i mbajtë në mend; mjafton sikur të mbahen mirë në mend dhe këto qe janë përmendë.
Tash vjen përpunimi kompetent i çdo pjese të secilës pikë simbas këtij rendi të caktuem dhe mbas shum, tepër shum, tabakësh të shkruem, mbërrijmë në fjalë dozvoliti (me lejue).
Ma tej thuhet:
Dozvoliti (me lejue) emën foljuer. Sanskr. dharh duhorh, me këcye, me kërcye, me nga andej këndej. (Shif libri III faqja, 15 114, 118 b. H. C. **m.) = pl. donti, r. duti, greqisht… 1. canto, cantare, provoco provocere (sic) k. 3 b zvati, zvoniti, zvuk, zver (me thirrë, me i ra ziles, kumbim, egërsinë) (Shif Gj. L. P. 18) = Prej shkurres këceu kaprolli = zvoliti (jue) me „do”: dozvoliti (me lejue) (H. 16 V.Z.S.N.O.4.GJ.D. 18., 5 libri i III shif shembullin: „Në trimin shtatëmbëdhetë plagë”.
Simbas kësaj gjejmë se fjala dozvoliti (me lejue) nuk asht e jona dhe se duhet, si të damshme për kombin tonë, me e hjedhë në ferrashte.
Me të njajtën mënyrë vjen spjegimi i fjalës nužno (i nevojshëm, i domosdoshëm) dhe mbërrijmë në të njajtin përfundim.
Mandej kaluen në rendin e fjalëve përgjithsisht e në mënyrë të veçantë në rendin e fjalëve n’aktin e drejtorit dhe këtu banë vrejtje kompetente.
Tekembramja: „stili dhe veçorit e stilit n’akt” dhe e mbaruen me tekst të gjanë e të gjatë prej disa tabakësh:
„Paralela ndërmjet gjuhës dhe stilit n’aktin e drejtorit dhe stilit n’Iliadën e Omerit. (Këtu kishin gjetë se stili i Omerit asht shum ma i mirë.)”
„Në bazë të gjitha këtyne.— thonë — jemi të mendimit që ky akt t’i kthehet drejtorit … të gjimnazit, që simbas vërejtjevet tona ta korigjojë me ndërgjegje dhe mbas kësaj pune mund të punohet me aktin çka duhet ma tej.”
Mbas nji mueji të tanë mblidhet Pleqsija e shqyrton aktin dhe mandej vendos që akti t’i kthehet drejtorit që, mbas vërejtjeve t’eksportëve, ta korigjojë dhe t’ia dërgojë përsëri Ministris për punë të matejshme. Zotni referentëve u caktohen nga 250 dinarë gjytyr si honorar për referate, që kanë me u pague nga fondi për pensionin e vejushave të nëpunësve të degës s’arsimit, ose prej buxhetit të caktuem për rrogat e shërbtorëve. Pleqsija me njerzit ia përcjellë mendimin e vet zotni Ministrit për punë të matejshme. Mandej akti prej Ministris (bashkangjitun referati me ./.) i kthehet drejtorit që ta korigjojë simbas rekomandimeve e vërejtjeve t’ekspertëve…
Kështu atje, shqyrtohen themelisht dhe me kompetencë të gjitha sendet dhe shkëmbehen shkresat nji gjysëm vjeti derisa n’akt të ndreqet edhe gabimi ma i vogël gramatikuer dhe vetëm mandej mund të merret në dorë me pa çka duhet ba në lidhje me at akt. Prej aktit ma të vogël nga korespondenca e madhe, rritet nji akt aq i madh sa njeri mezi mundet me e çue në shpindë.
Tanë nëpunsit në Ministri, mbasi janë shkrimtarë, atëherë, kuptohet, shkruejnë libra; vetëm zotni ministri nuk shkruen kurrgja. Para tij s’guxova as me dalë, sepse të gjithë më bindën që të mos baj nji orvatje të këtillë arogante, poqese due me e pasë kryet shëndoshë. Zotni ministri, thonë, merret gadi gjithnji me gjimnastikë, asht njeri shum idhnak dhe don me u zanë. Madje, treguen se nji ditë u rrah me vikarin e kishës. Dhe vikari i kishës ishte sportist i mirë, kalorës i pasionuem, por njeri shum idhnak dhe pokështu zihej me gëzim. I kishte ra me shkop në krye njij prifti në tempullin e Zotit për arsyena të padijtuna. Ai kët ves të mbrapshtë, si mendojnë të gjithë, e kishte fitue tue lexue shum libra të shejtë dhe njeriu i përligj sulmet e tij, e madje as nuk i idhnohej kush. Konflikti i tij i parë me Ministrin kishte ndodhë për shkak të disa vrapimeve kuajsh dhe shpejt u paraqiten edhe shum çashtje tjera, të devotshme dhe të stërshejta prej të cilave mvarej edukimi i drejtë i rinis. Për shembull, kryetari i fes kërkoi që të hyjë pa çare në librat shkollorë për fen edhe nji pjesë në lidhje me rritjen e kuajve, kurse Ministri kërkoi që në vend të saj të hyjë artikulli për notin. Në këto çashtje me randsi asnjani nuk donte me lëshue pa dhe puna, pak nga pak, mbërrini deri aty sa nuk mujshin me e kqyrë njani tjetrin. Ministri, që të mundte me i ba sa ma keq kundërshtarit, urdhnoi që bile as në zoologji ndër shkolla, të mos guxojë kush me dhanë mësim për kalin dhe në vend të kësaj kafshe të neveritshme, kur asaj i vjen radha me e mësue, t’epet mësim për notin n’ujë të ftofët.
Por me u ndërrue nji vend në libër leximi fisht gja e vogë sepse edhe librat shkollorë dhe bile tanë programi i mësimit, ndërrohen krye dy ditësh.
Nuk ka njeri që gjindet me shërbim në degën e arsimit dhe që nuk shkruen libra për shkolla; e përpos kësaj secili kishte përgatitë ndonji libër të dobishëm për lavrimin e nxanësve dhe lektyrë për fëmijt e mirë.
Librat, në të vërtetë shkrimtarët, presin rendin. Duhet me ndihmue shum materialisht dhe për kët shkak edhe librat i blejnë ose ua rekomandojnë shkollave si të detyrueshëm për mësim. Në rend të parë Ministri i kënaq miqt e vet të ngushtë dhe ilakat. Taman sa pranohet nji libër dhe nxansit e blejnë, kur qe, të nesërmen ia sjell ministrit nji libër tjetër ndonji mik tjetër ma i ngushtë dhe kuptohet duhet me i ba nderë edhe atij. Përnjiherë të njajtën ditë qarkorja:
„Tueqenëse libri (për kët dhe at landë prej këtij e atij) mbas nji përdorimi të gjatë asht tregue shum i papërshtatshëm, n’interes të mësimit, libri i deritashëm qitet prej përdorimit dhe merret libri… (emnin e shkrimtarit e kam harrue)”.
Deshta me i ba vizitë ministrit të drejtsis, por ai nuk gjindej në vend. Gjindej n’at kohë në pushim dhe kishte shkue përjashta që t’i studjojë shkollat për fëmijt shurdh-memeca, sepse qeverija ia kishte ngulë në tru vedit që në tokën e stradis t’i themelojë disa shkolla të këtilla që të mundte në kët mënyrë, të përmirsojë rrethanat e këqija financiare të vendit. Mbasi kjo punë, si shum e randsishme dhe sinjifikative, nuk mund të shtyhej ma gjatë, menjiherë kishin ba hapat ma te nevojshëm. Përpos kësaj, posa u dërgue ministri i drejtsis që të studjojë organizimin e shkollave të këtilla me shtesë shum të madhe përpos rrogës, pëmjiherë u emnue drejtori i shkollës për fëmijt shurdh-memeca me rrogë të madhe e shtesë për reprezentacion, mandej u emnuen dhe mësimdhansit, kurse filloi me të madhe dhe ngrehja e ndërtesës së madhe që u caktue për banimin e drejtorit. Kuptohet, mandej u emnue përnjiherë ekonomi për at ent, mjeku, shefi i kontrollit të vendit, arkatari, ndihmës-arkatari, sekretari, tre-katër kopista dhe disa shërbëtorë. Të gjithë, prej drejtorit deri te shërbëtorët, merrshin rrogat me zell dhe pritshin me padurim që të fillojnë punën në detyrën e re — veç drejtorit i cili pëshpëritte poshtë e përpjetë se si ai, me anën e nji njeriu të vet, ilaka i ministrit, do të ndërmjetsojë që n’at ent të pranohen fëmijt plotsisht të shëndoshë.
Ai ent, në të vërtetë nëpunsit, sepse enti as nuk ekzistonte, gjindeshin nën administratën e ministrits së drejtsis, sepse ministri i arsimit kishte deklarue se nuk donte me pasë punë „me çfarëdo shurdhanash”.
Ministri i drejtsis ishte i vetmi që bante kasavet dhe kujdesohej rreth kësaj shkolle për fëmijt shurdh-memeca, kursë punët e ministrit të drejtsis i mbarshtronte ministri i mbrojtjes, ndërsa detyrën e ministrit të mbrojtjes e kryente ministri i arsimit, i cili zakonisht i urrente librat dhe shkollat dhe detyrën e tij si ministër i arsimit e kryente grueja e tij, e cila, si e dijnë të gjithë, lexonte me shum gëzim romane kriminale dhe hante me gëzim akullore me çokolladë.