Tag Archive | paga

Stradija (9/12)

(Faqja e meparshme)

Në ministrin e arsimit jam krejt shkenctar i qëruem.

Vetëm këtu punohet me themel dhe kujdes. Nga pesëmbëdhetë dit madje dhe njizet dit zbukurohet stilizimi i aktit ma të vogël, prandej kuptohet tashma se këtu gjinden edhe imtsit gramatikore, rasa gjithfarësh, me parafjalë e pa parafjalë.

Shiqova aktet.

Nji drejtor, për shembull, shkruen:

„Zotni Ministrit t’Arsimit.

„Mësimdhansit e këtij gjimnazi tash gjashtë muej nuk kanë marrë rrogën dhe kanë ra në nji ngushticë të tillë materiale sa nuk kanë as bukë. Kjo nuk mund të lejohet ma tej, sepse kësodore ka me ra pahu i mësimdhanësve dhe i vetë mësimit.

I lutem njerzisht zotni Ministrit që të ketë mirsin me ndërmarrë pranë zotni Ministrit të Financave që të japi urdhnin e nevojshëm për me na u dhanë rroga barem për tre muej.”

Në shpinë t’aktit të paluem qëndron:

„Ministrija e Arsimit

1. N. 5860

1-II-891.

Drejtori i Gjimnazit … lutet që gjimnazit t’atjeshëm t’i jepet rroga për tre muej”

Nën këte me dorëshkrim tjetër referati:

„Stili i parregullt. Rendi i fjalëve nuk i përgjigjet sintaksës. Janë përdorë fjalë të hueja: me lejue dhe nevojshëm.” (Këto fjalë n’akt janë nënvizue me laps të kuq).

Nën këte me dorën e Ministrit asht shkrue (dorëshkrimi i shëmtuet, i palexueshëm, sikurse nji dorëshkrim kësisoji e fiton zakonisht menjiherë në të njajtin çast kushdo që bahet ministër):

„Për mendim Pleqsis s’arsimit”.

Nën këto gjindet prap dorëshkrimi i ri:

2- III-891.

„Pleqsis kryesore t’arsimit”.

(Nji Pleqsi e Arsimit dhe gjindej gjithsejt, kurse njeriu kishte me mendue se barem gjindeshin tridhetë të dorës së dytë).

„Ngjitun …, i dërgohet Pleqsis akti i drejtorit … të drejtoris së gjimnazit që t’i studjojë në te trajtat gramatikore, veçorit e sintaksës dhe të stilistikës, mandej t’ia kthejë sa ma parë me mendimin e vet, Ministris s’arsimit për përdorim të matejshëm.”

Me urdhën të Ministrit e tjera

(Nënshkrimi)

Mbasi puna ka karakter të ngutshëm, nuk kaluen as pesëmbëdhetë dit dhe Pleqsija kryesore e arsimit bani mbledhje. Midis gjanave tjera erdhi edhe ky akt dhe Pleqsija vendosi që t’u dërgohet për çmim dy ekspertëve.

Caktuen dy vetë dhe e shtinë vendimin në procesë, dhe sekretari u ngarkue me e zbatue.

Tash vjen letra ekspertëve:

„Zotni

Simbas shkresës së Zotni Ministrit t’arsimit N. P. 5880 datë 2.III të këtij vjeti si dhe mbas vendimit të mbledhjes XV së Pleqsis kryesore t’arsimit, mbajtun me 17-III të të njajtit vjet SBr. 2 kam nderin me ju lutë që ta studjoni aktin e drejtorit të drejtoris së gjimnazit nga pikëpamja e gramatikës, e sintaksës dhe e stilistikës dhe për këte t’i paraqitni Pleqsis nji raport në nji kohë sa ma të shkurtë.

Pranoni, Zotni, edhe me kët rast bindjen për respektin tim shum të mirë.”

Kryetari i Pleqsis kr. t’arsimit

(Nënshkrimi)

Shkresa me përmbajtje të këtillë i asht drejtue edhe referentit të dytë.

Mbas dy muejsh mezi i mbrrini Pleqsis s’Arsimit raporti i hollsishëm në lidhje me aktin ë drejtorit, në të cilin kishin punue së bashku të dy ekspertët. Referati fillon kështu:

„Pleqsis kryesore t’arsimit,

E shqyrtuem dhe e studjuem aktin e drejtorit … të drejtoris së gjimnazit dhe kemi nderim me i paraqitë Pleqsis mendimin tonë që vinjom:

„Çdo gja në natyrë i nënshtrohet ligjit të zhvillimit dhe të përsosmënis graduale. Sikur që prej monerës së parë, me zhvillimin dhe përsosmënin gradual gjatë nji vargu të gjatë shekujsh, erdhëm deri te organizmi i koklavitun i trupit të njeriut, poashtu edhe gjuha u zhvillue, nga zanet shtazore të paartikulueme derisa, mbas nji vargu të gjatë shekujsh, nuk mbërrini naltsin e përsosmënis së gjuhëve të sotshme moderne.

„Që të mundemi me e krye punën sa ma mirë e ma qartë, do të përdorim kët rend:

  1. Pjesa e përgjithshme
  2. Gjuha dhe i formimi i saj.
  3. Origjina e gjuhëve të sotshme.
  4. Rraja e përbashkët (sanskritishtja).
  5. Ndamja e gjyhve ndër grupe ma kryesore.
  6. Nji pjesë nga filologjija komparative.
  7. Historija e shkencës për gjuhë.
  8. Zhvillimi i shkencës për gjuhen në përgjithsi.
  9. Gjuha jonë dhe ligjët e zhvillimit të saj
  10. Vendbanimi i vjetër (Historija).
  11. Gjuhët e përgjashme.
  12. Veçorit e përbashkta dhe ndryshimet e atyne që janë të ngjashme, si motra me gjuhën tonë.
  13. Dijalektet e gjuhës së përbashkët në vendbanimin e vjetër zhviliohen në gjuhë të veçanta.
  14. Dijalektet e gjuhës sonë.

III. Akti i drejtorit

  1. Origjina dhe historija e aktit.
  2. Veçorit e gjuhës në te simbas veçorive të gjuhës së vjetër të Stradis ndër dokumentat e vjetër…”

Dhe kështu më tej. Cili bir nane do të mundte ma të gjitha këto dhe me i mbajtë në mend; mjafton sikur të mbahen mirë në mend dhe këto qe janë përmendë.

Tash vjen përpunimi kompetent i çdo pjese të secilës pikë simbas këtij rendi të caktuem dhe mbas shum, tepër shum, tabakësh të shkruem, mbërrijmë në fjalë dozvoliti (me lejue).

Ma tej thuhet:

Dozvoliti (me lejue) emën foljuer. Sanskr. dharh duhorh, me këcye, me kërcye, me nga andej këndej. (Shif libri III faqja, 15 114, 118 b. H. C. **m.) = pl. donti, r. duti, greqisht… 1. canto, cantare, provoco provocere (sic) k. 3 b zvati, zvoniti, zvuk, zver (me thirrë, me i ra ziles, kumbim, egërsinë) (Shif Gj. L. P. 18) = Prej shkurres këceu kaprolli = zvoliti (jue) me „do”: dozvoliti (me lejue) (H. 16 V.Z.S.N.O.4.GJ.D. 18., 5 libri i III shif shembullin: „Në trimin shtatëmbëdhetë plagë”.

Simbas kësaj gjejmë se fjala dozvoliti (me lejue) nuk asht e jona dhe se duhet, si të damshme për kombin tonë, me e hjedhë në ferrashte.

Me të njajtën mënyrë vjen spjegimi i fjalës nužno (i nevojshëm, i domosdoshëm) dhe mbërrijmë në të njajtin përfundim.

Mandej kaluen në rendin e fjalëve përgjithsisht e në mënyrë të veçantë në rendin e fjalëve n’aktin e drejtorit dhe këtu banë vrejtje kompetente.

Tekembramja: „stili dhe veçorit e stilit n’akt” dhe e mbaruen me tekst të gjanë e të gjatë prej disa tabakësh:

„Paralela ndërmjet gjuhës dhe stilit n’aktin e drejtorit dhe stilit n’Iliadën e Omerit. (Këtu kishin gjetë se stili i Omerit asht shum ma i mirë.)”

„Në bazë të gjitha këtyne.— thonë — jemi të mendimit që ky akt t’i kthehet drejtorit … të gjimnazit, që simbas vërejtjevet tona ta korigjojë me ndërgjegje dhe mbas kësaj pune mund të punohet me aktin çka duhet ma tej.”

Mbas nji mueji të tanë mblidhet Pleqsija e shqyrton aktin dhe mandej vendos që akti t’i kthehet drejtorit që, mbas vërejtjeve t’eksportëve, ta korigjojë dhe t’ia dërgojë përsëri Ministris për punë të matejshme. Zotni referentëve u caktohen nga 250 dinarë gjytyr si honorar për referate, që kanë me u pague nga fondi për pensionin e vejushave të nëpunësve të degës s’arsimit, ose prej buxhetit të caktuem për rrogat e shërbtorëve. Pleqsija me njerzit ia përcjellë mendimin e vet zotni Ministrit për punë të matejshme. Mandej akti prej Ministris (bashkangjitun referati me ./.) i kthehet drejtorit që ta korigjojë simbas rekomandimeve e vërejtjeve t’ekspertëve…

Kështu atje, shqyrtohen themelisht dhe me kompetencë të gjitha sendet dhe shkëmbehen shkresat nji gjysëm vjeti derisa n’akt të ndreqet edhe gabimi ma i vogël gramatikuer dhe vetëm mandej mund të merret në dorë me pa çka duhet ba në lidhje me at akt. Prej aktit ma të vogël nga korespondenca e madhe, rritet nji akt aq i madh sa njeri mezi mundet me e çue në shpindë.

Tanë nëpunsit në Ministri, mbasi janë shkrimtarë, atëherë, kuptohet, shkruejnë libra; vetëm zotni ministri nuk shkruen kurrgja. Para tij s’guxova as me dalë, sepse të gjithë më bindën që të mos baj nji orvatje të këtillë arogante, poqese due me e pasë kryet shëndoshë. Zotni ministri, thonë, merret gadi gjithnji me gjimnastikë, asht njeri shum idhnak dhe don me u zanë. Madje, treguen se nji ditë u rrah me vikarin e kishës. Dhe vikari i kishës ishte sportist i mirë, kalorës i pasionuem, por njeri shum idhnak dhe pokështu zihej me gëzim. I kishte ra me shkop në krye njij prifti në tempullin e Zotit për arsyena të padijtuna. Ai kët ves të mbrapshtë, si mendojnë të gjithë, e kishte fitue tue lexue shum libra të shejtë dhe njeriu i përligj sulmet e tij, e madje as nuk i idhnohej kush. Konflikti i tij i parë me Ministrin kishte ndodhë për shkak të disa vrapimeve kuajsh dhe shpejt u paraqiten edhe shum çashtje tjera, të devotshme dhe të stërshejta prej të cilave mvarej edukimi i drejtë i rinis. Për shembull, kryetari i fes kërkoi që të hyjë pa çare në librat shkollorë për fen edhe nji pjesë në lidhje me rritjen e kuajve, kurse Ministri kërkoi që në vend të saj të hyjë artikulli për notin. Në këto çashtje me randsi asnjani nuk donte me lëshue pa dhe puna, pak nga pak, mbërrini deri aty sa nuk mujshin me e kqyrë njani tjetrin. Ministri, që të mundte me i ba sa ma keq kundërshtarit, urdhnoi që bile as në zoologji ndër shkolla, të mos guxojë kush me dhanë mësim për kalin dhe në vend të kësaj kafshe të neveritshme, kur asaj i vjen radha me e mësue, t’epet mësim për notin n’ujë të ftofët.

Por me u ndërrue nji vend në libër leximi fisht gja e vogë sepse edhe librat shkollorë dhe bile tanë programi i mësimit, ndërrohen krye dy ditësh.

Nuk ka njeri që gjindet me shërbim në degën e arsimit dhe që nuk shkruen libra për shkolla; e përpos kësaj secili kishte përgatitë ndonji libër të dobishëm për lavrimin e nxanësve dhe lektyrë për fëmijt e mirë.

Librat, në të vërtetë shkrimtarët, presin rendin. Duhet me ndihmue shum materialisht dhe për kët shkak edhe librat i blejnë ose ua rekomandojnë shkollave si të detyrueshëm për mësim. Në rend të parë Ministri i kënaq miqt e vet të ngushtë dhe ilakat. Taman sa pranohet nji libër dhe nxansit e blejnë, kur qe, të nesërmen ia sjell ministrit nji libër tjetër ndonji mik tjetër ma i ngushtë dhe kuptohet duhet me i ba nderë edhe atij. Përnjiherë të njajtën ditë qarkorja:

„Tueqenëse libri (për kët dhe at landë prej këtij e atij) mbas nji përdorimi të gjatë asht tregue shum i papërshtatshëm, n’interes të mësimit, libri i deritashëm qitet prej përdorimit dhe merret libri… (emnin e shkrimtarit e kam harrue)”.

Deshta me i ba vizitë ministrit të drejtsis, por ai nuk gjindej në vend. Gjindej n’at kohë në pushim dhe kishte shkue përjashta që t’i studjojë shkollat për fëmijt shurdh-memeca, sepse qeverija ia kishte ngulë në tru vedit që në tokën e stradis t’i themelojë disa shkolla të këtilla që të mundte në kët mënyrë, të përmirsojë rrethanat e këqija financiare të vendit. Mbasi kjo punë, si shum e randsishme dhe sinjifikative, nuk mund të shtyhej ma gjatë, menjiherë kishin ba hapat ma te nevojshëm. Përpos kësaj, posa u dërgue ministri i drejtsis që të studjojë organizimin e shkollave të këtilla me shtesë shum të madhe përpos rrogës, pëmjiherë u emnue drejtori i shkollës për fëmijt shurdh-memeca me rrogë të madhe e shtesë për reprezentacion, mandej u emnuen dhe mësimdhansit, kurse filloi me të madhe dhe ngrehja e ndërtesës së madhe që u caktue për banimin e drejtorit. Kuptohet, mandej u emnue përnjiherë ekonomi për at ent, mjeku, shefi i kontrollit të vendit, arkatari, ndihmës-arkatari, sekretari, tre-katër kopista dhe disa shërbëtorë. Të gjithë, prej drejtorit deri te shërbëtorët, merrshin rrogat me zell dhe pritshin me padurim që të fillojnë punën në detyrën e re — veç drejtorit i cili pëshpëritte poshtë e përpjetë se si ai, me anën e nji njeriu të vet, ilaka i ministrit, do të ndërmjetsojë që n’at ent të pranohen fëmijt plotsisht të shëndoshë.

Ai ent, në të vërtetë nëpunsit, sepse enti as nuk ekzistonte, gjindeshin nën administratën e ministrits së drejtsis, sepse ministri i arsimit kishte deklarue se nuk donte me pasë punë „me çfarëdo shurdhanash”.

Ministri i drejtsis ishte i vetmi që bante kasavet dhe kujdesohej rreth kësaj shkolle për fëmijt shurdh-memeca, kursë punët e ministrit të drejtsis i mbarshtronte ministri i mbrojtjes, ndërsa detyrën e ministrit të mbrojtjes e kryente ministri i arsimit, i cili zakonisht i urrente librat dhe shkollat dhe detyrën e tij si ministër i arsimit e kryente grueja e tij, e cila, si e dijnë të gjithë, lexonte me shum gëzim romane kriminale dhe hante me gëzim akullore me çokolladë.

(Faqja tjetër)

Stradija (3/12)

(Faqja e meparshme)

Posa e mbylla derën mbas vedi, hoqa prëj vedit ato nishane të shumta dhe u ula i lodhun dhe i këputun që ta pushoj shpirtin, ndjeva nji trokllitje në derë:

— Hyn! — thashë, e çka dijsha tjetër gja me thanë.

N’odë hyni nji njeri i veshun si zotni, me syza në hundë (që mos ta përsëris tashma vazhdimisht, duhet me pasë në mend që secili, kush ma pak, kush ma shum, asht i ngarkuem me dekorata. Kur shkova në hotel me at policin, më duhet me e përmendë edhe këtu, pashë tue çue në burg njanin që kishte vjedhë këpucë në nji dugajë dhe mbante dekoratë në qafë. „Çfarë dekorate qenka kjo?” — pyeta policin. — „Kjo asht dekoratë për merita në fushën arsimore e kulturore” — u përgjegj ai seriozisht dhe ftoftë. „Çfarë meritash qenkan këto?” „Paj ai ka qenë karrocier te ish-ministri i arsimit. Karrocier me talent” — m’u përgjegj polici.) Animirë, hyni nji njeri me syza në hundë, u përkul thellë, kuptohet, ashtu bana edhe un dhe u prezentue si nëpunës i naltë në ministrin e punëve të jashtme.

— Po më bahet qejfi! — thashë i habitun prej kësaj vizite të naltë të papritun.

— Ju gjindeni për herën e parë në vendin tonë, zotni? — më pyeti.

— Për herën e parë.

— Jeni i huej?

— I huej.

— Na keni ardhë si me porosi, besoni — bërtiti ai nëopunsi i naltë, gëzueshëm.

Kjo më hutoi edhe ma tepër.

— E kemi nji vend të shprazët për konsull. Këtu kishit me pasë, gja që ka randsi, rrogë të mirë dhe shtesa të mira për reprezentacion, të cilat, kuptohet, kishit me i harxhue për nevoja personale. Ju jeni njeri plak, me përvojë, kurse detyra asht e lehtë: propaganda e idevet tona popullore, ndër vende ku jeton populli ynë nën qeverimin e huej… Taman keni ardhë si me Ju pasë porositë, ka ma shum se nji muej që vuejmë tue kërkue nji personalitet të përshtatshëm për at detyrë të randsishme. Për vendet tjera kemi, shyqyr Zotit, të huej. Kemi Jahudi, Grekë, Cincarë (prej kah këta?!) — Po prej çfarë kombsije jeni, nëqoftëse guxoj me pyetë?

—  Paj, unë e drejta, si të ju thom, edhe vetë nuk e dij!… — thashë i turpnuem dhe taman sa fillova me tregue historin e pikllueshme familiare, ai më ndërpreu tue duertrokitë me entuziazëm dhe zu me këcye nëpër odë prej gëzimit.

— Gja e mrekullueshme, e mrekullueshme!… Kurr ma mirë! Ju do të mundeni vetëm me e krye detyrën e shejtë me ndërgjegje. Pëmjiherë po shkoj te Ministri dhe për disa dit keni me mujtë me u nisë! — tha nëpunsi i naltë si i luejtun prej gëzimit dhe fugoi me i tregue ministrit at zbulim të randsishëm.

Posa shkoi ai, unë u ula dhe e shtina kryet midis duerve. Nuk mujsha me besue kurrsesi se të gjitha këto që i pashë deri tash janë të vërteta në kët vend, kur qe prap dikush troklloi në derë.

— Hyn.

Hyni n’odë prap nji zotni tjetër i veshun me petka elegante dhe u paraqit prap si nëpunës i naltë i nji ministrije. Tha se me urdhnin e Z. Ministrit vjen te unë për nji punë me randsi dhe unë i çfaqa kënaqsin time të jashtëzakonshme dhe lumnin për nji nderim t’atillë.

— Ju jeni i huej?

— I huej.

Ai më shiqoi me respket, u përkul thellë deri në tokë dhe teksa filloi me folë, imë e ndërpreva me fjale:

— Ju lutem, zotni, më thoni si quhet ky vend i Juej?

— Nuk e dini! — bërtiti dhe më shiqoi me nji respekt dhe përulje ma të madhe.

— Stradija — shtoi dhe u prapsue para meje pak ma mbrapa.

— Rast i çuditshëm që kështu asht quejtë edhe ai vendi im bujar e heroik i të parëve të mij — mendova me vehte, por atij nuk i thashë kurrgja, veç e pyeta:

— Për çka mundem me ju shërbye, zotni i ndershëm?

— Asht krijue nji titull i ri i drejtorit të pasunive shtetnore dhe jam i lirë që të ju lutem, n’emën të zotni Ministrit, ta pranoni kët gradë të naltë e patriotike… Ju, sigurisht keni qenë deri tash disa herë ministër?

— S’kam qenë kurr.

— Kurr!… bërtiti ai i shastisun prej çudis… Atëherë në ndonji pozitë të naltë me disa rroga?

— Kurr.

Nëpunsi i naltë thuese u ba memec nga çudija. Tue mos dijtë çka me ndërmarrë në kët rast unik, kërkoi ndjesë që më shqetsoi, tha se do ta lajmëronte zotni ministrin për ate që biseduen ndër vedi.

Të nesërmen të gjitha fletoret shkruen për mue. Në njanën gjindej shënimi:

Njeriu i çuditshëm. Në vendin tonë tashma prej djehit banon nji i huej, i cili ka tash gjashtëdhetë vjet, dhe gjatë kësaj kohe nuk ka qenë kurr ministër as i dekoruem me asnji dekoratë, madje nuk ka pasë asnji detyrë shtetnore, as nuk ka marrë kurr rrogë. Vërtet rast unik në botë. Si kemi marrë vesh, ky njeri i çuditshëm ka ra në „Hotelin te atdheu ynë i vuejtun”. Shum njerëz dje i kanë shkue në vizitë dhe pohojnë se nuk ndryshon aspak prej njerëzvet tjerë. Na do të kujdesemi që për kët qenje enigmatike të marrim vesh sa ma shum hollsina rreth jetës së tij, gja që gjithsesi do të jetë shum interesante për lexuesit tanë të ndershëm dhe mbrenda mundsive do të kqyrim me e qitë dhe fotografin e tij në fletoren tonë.”

Fletoret tjera lajmruen afërsisht të njajtën gja, me nji shtesë të këtillë:

„…Pos kësaj kemi marrë vesh nga burimet e sigurta se ai njeri i çuditshëm ka ardhë edhe me nji mision të randsishëm politik.”

Fletorja qeveritare, përgënjeshtroi njerzisht këto lajme si vijon:

„Fletoret e marra kimdërshtare me marrzin e vet trillojnë rrena të ndryshme dhe përhapin ndër njerëz lajme alarmuese se si ka ardhë në vendin tonë nji i huej nja gjashtëdhetë vjeç, i cili si thonë këta ngatrestarë nuk ka qenë kurr as ministër, as nëpunës, as nuk ka kurrfarë dekorate. Pamundsi të këtilla dhe gjana fund e krye të pavërteta mund t’i mendojnë dhe me qëllim të keq t’i përhapin trut e ngushtë, të mjer dhe të matufosun të bashkëpuntorëve të shtypit kundërshtar, por, kjo gja s’ka me u pi ujë, sepse, shyqyr zotit, qe, tashma nji javë që ka ardhë ky kabinet në fuqi dhe pozita nuk i ësht trandë asnjiherë, sikurse duen të marrët e opozitës.”

Mbas këtyne artikujve nëpër fletore, gjindja filluen me u mbledhë rreth hotelit ku kisha ra. Ndalen, shiqojnë, vërejnë gojëhapun, disa shkojnë disa vijnë, edhe kështu në çdo kohë qëndron rreth hotelit nji grumbull i madh njerzish dhe nëpër ta mbështillen shitsit e fletoreve dhe të libretave dhe vikasin me sa za kanë:

— Roman i ri: „Njeri i çuditshëm”, bleni i parë!

Libër i ri: „Ndodhit e nji plaku pa dekorata!”

Të tilla libreza gjindeshin përherë.

Madje edhe nji mejhane e qiti firmën: „Te njeriu i çuditshëm” dhe në tabelën e madhe njeriu i vizatuem pa dekorata. Gjindja filloi me u tubue pranë këtij përbindshi dhe polidja, natyrisht, s’pat si me ia ba, dhe, n’interesin e moralit publik, e ndaloi nji fotografi të këtillë skandaloze.

Të nesërmen s’pata çare pa e hdërrue hotelin. Tue ecë rrugës, më duhej patjetër me ecë si ka hije, së paku me disa dekorata, kështuqë kurrkush s’ma vuni veshin.

Si njeri i huej kisha mundsi të njifem menjiherë me personalitete të shqueme e me ministra dhe shpejt t’i kushtohem të gjitha sekreteve shtetnore.

Menjiherë pata nderin gjithashtu t’i vizitoj gjithë ministrat në kabinetet e tyne.

Së pari shkova te Ministri i punëve të jashtme. Mu në kohën kur hyna në koridor, ku gjindeshin mjaft njerëz për me dalë para ministrit, shërbëtori lajmroi, tue bërtitë me sa za kishte:

— Zotni Ministri nuk mundet me pranue kurrkend, sepse asht shtri pak në divan me fletë.

Publiku u shpënda, kurse unë iu afrova shërbëtorit rne këto fjalë:

— Nëqoftëse asht e mundun, lajmroni zotni ministrin, që nji i huej dëshiron me u pa me te.

Shërbëtori posa ndjeu fjalen „i huej”, u përkul njerzishëm dhe hyni në kabinet të ministrit.

Përnjiherë u hap dera dykapakshe dhe në te u duk nji njert i përgjumshëm, pak i mbushun bukur i vogëi, u përkul me buzëqeshje dhe mjaft malokçe dhe më thirri personalish mbrenda.

Ministri më çoi te nji kolltuk dhe e ujdisi që t’ulem, kurse ai u ul përkundruell, vuni kambën mbi kambë, lëmoi me kënaqsi barkun e fryem dhe filloi me bisedue:

— Bash po gëzohem, zotni, që më keni ardhë në vizitë. Kam ndëgjue tashma shum gjana në lidhje me ju… — Unë, e dini, deshta m’u shtri, që të flej pak … Çka me ba tjetër? — Nuk kam punë dhe nga merzija nuk di cok çka me ba.

— Çfarë marrëdhanjesh keni me vendet fqije, poqese guxoj me ju pyetë, zotni ministër?

— Eh, si me ju thanë?… Mirë, mirë, gjithsesi mirë… Me ju tregue të drejtën, unë diçka nuk kam pasë as rastin me mendue per at punë, por tue çmue simbas të gjitha shejave, shum mirë, shum mirë… Asnji e keqe nuk na ka ndodhë, përveçse na kanë ndalë në veri eksportimin e thive dhe në jug po hyjn dhe po plaçkisin Anutët prej vendit fqi… Por kjo s’asht kurrgja… Këto janë imtsina.

— Dam për at eksportimin e thive. Po ndiej se keni shum sish në vend? — vërejta njerzisht.

— Ka, shyqyr zotit, ka mjaft sish, por q’aty del hesapi; kemi me i hangër. Këtu ata thit, kanë me u lirue edhe ma tepër; në fund të fundit, çka do të më ndodhte sikur të mos kishim pasë as thi?! Do të jetojmë domosdo — më përgjegji me indiferencë.

Në bisedën e matejshme më tregoi se si ka studjue silvikulturën dhe tash lexon me kënaqsi artikuj mbi blegtorin dhe se si mendon të blejë disa lopë dhe të rrisi viça prej kësaj pune mund të dalin t’ardhuna të mira.

— Në çfarë gjuhe lexoni ma shum? — e pyeta.

— Paj, në gjuhën tonë. Unë gjuhë tjetër nuk due dhe s’kam dashtë me mësue asnji herë. Madje nuk m’asht çfaqë nevoja me dijtë gjuhë të huej, veçanërisht në kët pozitë s’kam nevojë për të; sikur të lindë ndoji nevojë e tillë, asht lehtë me porositë ekspert nga jashtë.

— S’e lot as topi! — ia miratoj mendimet kaq spirituoze dhe origjinale, tue mos dijtë as vetë çka me ba tjetër.

— Vërtet, a i keni në qef troftat? — më pyeti mbas njifarë heshtjeje.

— Nuk i kam hangër kurr.

— Dam, ky asht peshk shum i mirë. Në të vërtetë specialitet. Dje i kam marrë prej nji miku disa copa. Gja jashtëzakonisht e mirë…

Mbasi kuvenduem ende do kohë kështu për gjana të randsishme, kërkova ndjesë prej zotni ministrit që me vizitën time e shqetsova ndoshta në punën e tij të randsishme shtetnore, u përshëndeta me te dhe u nisa.

Ai më përcolli njerzisht deri te dera.

(Faqja tjetër)