Ditari i gjuetarit (3/4)
Ditën e punës më duhej me shkue në gjueti vetëm, sepse mu n’at kohë, mbas Shën Pjetrit ishte koha e punës ma të madhe fushore, krejt deri në vjeshtën e vonë.
Çohem heret. Isha në nji breg në pyll dhe lindja teksa u skuq, prej tokës thuese ngrihet ngadalë, pa u ndie veli i errët i natës dhe në vend të tij derdhet mbi gjithçka — ngjyra e kuqrremtë e bukur. Agimi qeshet kandshëm në lindje dhe prej asaj buzëqeshjeje të mrekullueshme, plot shije, thuese gjithçka këndjellet, gjithçka noton në lumni e fatbardhsi. E ndjej se si ajo buzëqeshje e agimit u derdh rabi lule, mbi bar, mbi pyje, mbi gjithçka që shiqoj. Njifarë heshtje solemne, nji paqë e thellë. Në shpirt ndiej nji gëzim e çudi, sepse ajo buzëqeshje e agimit, e cila vërshon bujarisht botën me lumni nuk asht buzëqeshje e nji gëzimi të çastit të qenjes së vdekshme, por asht triumfi i natyrës së pavdekshme, i përjetsis. Vetëm zogjt, këto krijesa të vogla shpirtbardha, përshëndesin me kangën e tyne të kandshme kët gëzim, por na ndiejmë ma se nji cicrrim i tyne e trazon kët paqë të thellë të natyrës, por na duket se e ban edhe ma të shyhretshme.
Ndejta kështu në nji lis të rrëxuem, të cilin furtuna e kishte shkulë këtu shpejt me rrajë, dhe kundrova bukurin rreth vedit, thitha thellë fëllimin e kandshëm të mëngjesit dhe gati harrova për çka isha nisë. Rreth meje gjindeshin gjithmonë zogj për t’i gjuejtë. Gugurojnë pllumbat turtujt gungasin, qukapikthat qukasin përdridhen tue u zvarritë rreth degëve të thata ndër qarra të naltë, qëllojnë fuqishëm me sqep drunin e thatë dhe druni i thatë ep kumbim të qartë dhe të kandshëm. Edhe zagari i im kishte ra si unë në nji gjendje shpirtnore lirike. U ul në bisht pranë kambëve të mija dhe medonte diçka thellë. Por kjo ndjesi e ambël e lëshoi ate përpara. U fuk befas në pyll si i tërbuem e lehi sa mujti dhe jehuen grykat. Shiqova n’at anë dhe geri para tij ngjitet nëpër lis. Ai fugoi, zu me këcye përpjetë dhe me kuisë, kurse geri e shtrini bishtin për degë, vështroi frigueshëm me syt e vegjël dhe lëviz para tij kambët e përnjiherë këcen me bishtin e hapun nëpër ajr dhe duket sikur fluturon në nji dru tjetër ma t’afërm, prej andej në të tretin, të katërtin, derisa nuk mbërrini në nji qarr të naltë. Zagari si i tërbuem vrapoi mbas tij dhe filloi me u përvjedhë pa dobi ende ma me zemrim tue ndjekë çdo lëvizje të tij; e kapa pushkën dhe vrapova edhe unë mbas tij. Geri tash në tokë tash në lis, tash prej lisit në lis, ku asht pylli ma i dendun, kurse na energjikisht mbas tij derisa e nxuerëm në patalok, ku u ngjit në nji qarr vetmitar. Këtu ishte shtri me aq mjeshtri për lis sa vëzhgova tanë nji gjys ore derisa e pikasa. Vuna pushkën për faqe dhe e shtina në shej. Pushka krisi, e ai nuk u largue, ndërsa zagari zu me u sjellë vërdall marrzisht nëpër pyll. E ndeza fishekun e dytë dhe ai u përplasë për tokë. Zagari filloi me ulurue prej gëzimit dhe mësyni në te.
— E vrau! — u ndie mbrapa meje zani i njifarë Markut. Ky asht nji fukara i këputun pa askend në botë dhë shërben te nji farë Nikolla, katundar i pasun. Ruen kafshët e punon edhe në fushë. N’at shtëpi asht qysh në vogjli dhe asht mësue aq me njerzit e shtëpis sa e trajtojshin si pjestar të familjes.
— E vrava! — thashë krenarisht, mbasi u ktheva dhe e pashë tue shkapërcye hujt e arës së tij.
— Ka plot kësish: na i faruen krejt arrat! Të kishin me u hangër barem sikurse janë të randë si kungujt. Mirëpo sikur të haheshin nuk do të mundshim me i gjetë kurrkund edhe sikur të paguejshim për secilin ma tepër se për derkun ma të mirë.
Marku më foli kështu, tue hecë ma afër meje dhe kur m’u afrue krejtsisht u përshëndet:
— Mirë mëngjes!
— E mira të gjetë, çka po ban?
— Qenke çue cok heret, a?
— Paj dëshiroj kështu me e shique agimin, e edhe për punë të gjuetis.
— More lene agimin, pash zotin, dhe flej, kur ta ka dhanë zoti. Njeriu ma s’ambli flen në mëngjes. Çka ke me shique. Ligji i tij asht! Ai m’u ka mërzitë, sepse sa t’agojë mue më pret shati ose drapni ose tarnakopi, posa agon as nji e mirë nuk më pret.
— Je mësue dhe kjo gja të duket e rëndomtë, por edhe poqese nuk ke dobi ma të madhe, së paku, të ka hajr shëndeti prej këtij pylli dhe prej këtij mëngjesi të freskët.
— Shëndeti?… e, or vlla i im, çfarë shëndeti! Punoj prej mëngjesit deri në mbramje, e kur bahet terr, më shpojnë njimijë palë djersë, e kur bij me fjetë më dhemb çdo kocëz. Çfarë shëndeti?… por s’kam çare pa qenë shëndosh edhe poqese nuk ma kanda. Katundari nuk ka kur me ra as me lëngue. Ethet më dridhin nganjiherë dhe çkrihem, më merren kambët tue ecë dhe prap më duhet medoemos me shkue n’arë.
U ula në nji cung t’ultë, kurse zagari u shtri pranë meje dhe vuni kryet në kambët e përparshme të shtrime. Marku ndejti galue pranë meje. E nxora kutin që ta mbështjelli nji cigare. Para se ta shtijë kutin në xhep Marku fërkoi shuplakat e duerve dhe e shiqoi duhanin.
— A e pin duhanin?
— Për fatin tim të keq e pij dhe sa ma i shtrejtë të bahet duhani aq ma tepër më pihet. Kur duhani ishte ashtu cullak, disi edhe nuk më pihej. E provova, por cok nuk ma donte zemra. Kurse tash prejse duelën ato letrat e shkreta nuk e pij, por e ha duhanin si bukë, falë i qofsha zotit.
Ia zgjata kutin.
Ma parë e ma dalë ai e shiqoi nga të gjitha anët dhe e la në tokë skaj vedit. I fërkoi shuplakat e vrazhda të duerve, lëmoi mustaqet dhe me njifarë solemniteti dhe serioziteti e muer kutin. E hapi, nxuer letrat dhe mbasi e la kurtin përsëri pranë vedit, zu me fry abollaqe prej krejt tubës se letrave të mundet ashtu me frymë me e nda nji fije letre. Të fryemit vazhdoi aq gjatë sa m’erdhi tashma te hunda tue shique. Tekembramja, i doli në krye operacionit disi me sukses dhe e ndau nji fije. Marku e muer dhe e ngjiti për buzën e poshtme, të cilen i njomi ma përpara me gjuhë. Letra dridhet në buzë nga puhija, kurse ai e ujdisi tubën e letrave, i bani fijet barabar krejt si kishin qenë para se me i fry dhe mandej lëshoi letrën në prehën mbi këmishën e trashë. Mbas kësaj pune prap i fërkoi duert dhe morri kutin. Me njanën dorë mban njanin skaj të kutis së hapun dhe me tjetrën i bjen disa herë anës tjetër.
Mandej duhanin fije-fije e shtrëngon me gishta dhe e menjanon kutin që duhani pluhun të ndahet në njanën anë. Kur e kreu edhe kët punë për faqe të bardhë, e veni kutin në prehën dhe filloi me nxjerrë me dy gishta të mëdhej, të trashë nji grimcë duhan dhe me e vu në shuplakë të dorës së majtë. Këtë e bani aq seriozisht, qetë e ngadalë dhe kjo nxjerrje e grimcës së duhanit zgjati aq shum sa unë deri atëherë do t’i kisha mbështjellë e pi dy cigare. Kur nxuer aq sa mendoi se asht mjaft për nji cigare e shtrëngoi dorën ku e kishte vu duhanin dhe e bani grusht e me at tjetrën e mbylli kutin që të mos derdhej duhani gand.
— Mendoj se asht i shtrejtë, zverdhon si dukati? — pyeti tue mendue për duhan edhe tue mos pritë përgjigjen, sikur t’i kishte shpëtue pa qëllim ai mendim, zu me hukatë në grushtin ku gjindej duhani.
— Pse po hukat?
— Kështu e kam zakon. Jemi mësue ashtu dhe, a e dini, zbutet dhe duhani shpenzohet ma pak. Cigarja qëndron e ndezun ma gjatë, kurse duhani i thatë sakaq.
Të hukatunit vazhdoi ma gjatë se sa gati të gjitha marifetet deri tash, ma në fund hapi grushtin i cili krejt ishte djersitë, kurse duhani në te ishte ma tepër i lagët se i zbutun. E shkundi duhanin në letër, por tueqenëse në dorën e djersitun mbetën të ngjituna shum grimca duhani, atëherë e vuni letrën me duhanë në kuti, të cilën e mbante në prehën dhe zu kadale e me durim me i kapë me maje të gishtave n’at dorë fije për fije dhe me i vu në letër. Kur e bani edhe kët punë, tue folë kalimthi se si asht dam që nuk ka ra shi tash sa kohë fërkoi duert përsëri, muer at letrën me duhan, e mbështeti për gjuni dhe filloi me e dredhë cigaren me aq seriozitet si mjeku kur ban ndonji operacion shum të vështirë. E mbështolli tue u ndihmue ashtu me gju dhe e lagu me gjuhë skajin e letrës të cilën e ngjiti dhe e lagu prap përsipër. E përdrodhi letrën në dy anët e cigares, mandej e kundroi si kishte me kundrue me kënaqsi artisti veprën e krijueme me vuejtje e mundime. Kështu cigaren gati e vuni në vesh dhe mandej muer kutin, e hapi me kujdes, i rregulloi përsëri fijet e letrës e shtiu tubën në kuti dhe mandej mblodhi me kujdes prej prehnit çdo thërmizë të duhanit të derdhun, e edhe këto i vuni në kuti, e mbylli dhe ma zgjati me fjalë:
— Të bukur e paske kët kuti!
Ia dhashë qibritin që ta ndezi cigaren. Qënaroi gjatë dhe ma në fund ia mbusha mendën me e ndezë. E ndezi me kujdes, e thithi tymin e duhanit thellë dhe mbas kësaj shiqoi cigaren se sa ishte djegë, si njeri i unshëm që shiqon kafshatën e ambël.
Tue pi duhan, i erdhi edhe goja.
— Faleminderës zotit, si asht kjo punë. E merr njeriu barin, e mbështjell në letër kështu dhe pin. E thonë se zifti i ban dam krahnorit. A thue kush e shpiku këte së pari, të kisha me e dijtë?
Ndërsa unë përsiatsha si me iu përgjegjë, ai vazhdoi:
— Po mendoj tash diçka si mundet me ndodhë kjo punë! Qe, tash, kafshët, qejt dhe krijesat tjera nuk pijnë duhan, si me pasë ndonji përbamje tjetër, kurse njeriu, hem tymon hem pin dhe çka nuk ban. Shkova vjetin e kaluem në vnesht me zagarin tim dhe rrushi posa kishte zanë me u shejë. Unë u ngopa deri në fyt, kurse qeni nuk deshti as me e kërkue! Nuk ishte i pjekun mirë. Kështu shiqoj diçka dhe për zotin, i qofshim falë, disa herë kafshët janë ma të zgjueta se njeriu. Shkojmë në kazan dhe dehemi, pasha kryqin, sa mos me e pa njani tjetrin, kurse kafshët jo! Hanë, pijnë ujë dhe shtrihen të çdejuna si ka hije. Mue këtu pranë torishtes, kur fryhem me raki, kishin mujtë me më çue deri në Kragujevc, kurse qejt e çdejun ruejnë edhe mue edhe torishten.
— Paj njeriu nuk dehet çdo ditë! — i thashë tue mos dijtë çka me i thanë.
— Pin, mirëpo ndër dit pime pija del me djersë dhe njeriu as nuk mundet me u dejë. Por ndër festa dhe kështu ndonjiherë, ose kur pjekin raki kazanat, të kishe me qëllue me pa kur rrijmë rreth dumaracit dhe gypthi shkon prej gojës në gojë. Vjetin e kaluem Leka i ngratë u nis për Kragujevc dhe ia muer dreqi mend e u kthye te kazani. E kazani i tij në kumbullishten e tij. U kthye gjoja kalimthi, mirëpo atje si në çdo kazan, kishin mbërri para agimit dhetë vetë. Kështu, siç e din, njerzit shkojnë njani te tjetri dhe askush nuk pyet askend as që thërret kush në këso rastesh, por secili shkon si në bunar. Kështu, ky te ai e ai te ky. Leka u ul këtu dhe pak nga pak derisa u ba terr. Harroi me heqë edhe torbën prej krahut, tue e shty, si thot fjala, hajt edhe nji grimë, hajt edhe nji grimë. Kur u errsue mirë, ai u ngrit dhe rrap dup, rrap dup, duel prej kumbullishtes. Askush nuk e pyeti kah do t’ia mbajë. Menduen se ashtu shkoi. Kur ai, jo, por gjoja ishte nisë për Kragujevc.
Mandej, tregoi edhe vetë se si i ndodhi: „U nisa, thot, dhe u tfillova për Kragujevc e më ra në mend se tashma ishte errsue. Si dola prej kumbullishtes, ajo avullorja, ma ngjiti në krye e as nuk isha i zoti me luejtë kambën. Kumbullishtja e madhe dhe rreth e përqark krejt me gardh, unë u kapa për te dhe iu mërtheva rrotull. Bijsha, zijsha në thue, por gardhi më ndihmonte dhe mbahesha. Ec ec ton në naten e lume. Por kërrkund i shkreti Kragujevc. U habita çka më ndodhi kështu, tanë natën u mbyta tue ecë dhe kurrsesi nuk po mundem me mbërri në Kragujevc. Mbërthehem përsëri e, hajt e haj, jo, kurrkund Kragujevci. U ndalova e pak prej asaj avullorës orëpreme, pak ndoshta prej të lodhtit mezi më bajnë syt dritë. Agimi zbardhi ngapakë, gjelat kikirikojnë, pulat rrahin krahët, fluturojnë prej vendit ku kishin ndejë. Shiqoj, kryet më buçet prej rakis dhe shof gjithçka si nëpër mjegull. Ndjeva se kërsiti diku dera e shtëpis „Këtu qe besa, do të kërkoj me bujtë dhe le të dalë ku të dalë” — mendova dhe bana hesap se e kisha tretë rrugën dhe se gjindesha diku, bile, në qarkun e Beogradit. Bërtita me sa za pata.
— Ej, i zoti i shtëpis!
— Ej — u përgjegj zani.
— Të lutem, vlla, të më pranojsh në konak. Jam udhtar, dhe prej nji vendi të largët, kam gabue rrugën, e këtu nuk e njof kërkend as nuk e dij se ku gjindet mejhanja.
— Prej kah je?
— Jam prej nahijes së Kragujevcit. Nga Shumadija, vlla! — dhe ia tregova katundin.
— Po a ti qenke mor orpremi im, hyn në shtëpi zoti të vraftë! Çfarë prej së largu, ti nuk je largue as nga gardhi yt.
„E njofta zanin e grues sime, tha, dhe u kfilla thuese nuk kisha vu gja në buzë.”
Marku më tregoi gjatë e gjatë dhe ma në fund tha se si tashma tri katër vera kanë punue në fushë tue u qeshë për atë sjellunit e Lekës rreth gardhit.
Heshtëm.
— Të shkoj pakëz te gjaja — i tha Marku vedit, u përshëndet dhe shkoi.
Ndejta vetëm dhe ende gjatë tue u kënaqë me mrekullin e mengjesit të freskët në nji pjesë të bukur të pyllit dhe mandej, nëpër shtegun e rrëpijshëm të ngushtë u ktheva në shtëpi.