Tag Archive | gjueti

Ditari i gjuetarit (4/4)

(Faqja e meparshme)

Tanë ditën e kalova në gjueti dhe kur ra mbramja gjindesha larg prej shtëpis në lamë te axha im.

Lama gjindet në skajin e kories së madhe, te rruga. Për kët punë asht çelë posaçërisht toka. Puhija e mbramjes shushuriron nëpër gjethet e qarrave të naltë, degzat e thata rrapllojnë tanë pylli sikur digjet në dritën e kandshme, të flashkët, të kuqrremtë, parajzi, të cilën e derdhë dielli tue perëndue. Prei kories përtej lamës ndihet gungatja e pllumbave dhe të guguruemit e turtujve dhe sa ma tepër që perëndimi bahet ma i sbetë gugurima asht gjithnji ma e fortë. Nëpër rrugë ngrihen re tymi. Barijt u grahin dhenve dhe gjedhit. Shpërthejnë pallja dhe blegrimi. Bariu i vogël në ndonji guracak të dobët, pa shalë e fre. Kalin e kërleshun, me kopresh në krye, të ngadalshëm, pa kurrfarë stolije, bariu e qëllon me kambë të zbathuna e tërheqë kapistrën dhe shan kurse kali i dobët e shtjen kryet në ndonji therrishte të çkuli ende pak bar, ashtu kalmthi ose të këpusi ndonji kungelë. Në lamë asht mbarshtrue gruni me bykë. me kashta asht stivue rreth strumbullari, dhe njerzit presin që të dali hana për me e hjedhë grunin. Në fund të muIlinit me erë, në nji krekëz janë varrë torbat dhe tenxheret. Nën te rrin grueja dhe i jep fëmis gji, kurse nji burrë tash disa vjet stërvitet me ba kapelë prej kashte. Në skajin tjetër pak matej, në korie, koten kuajt e nxjerrun prej lamës, nëpër vithe e trup zbardh djersa që ka zanë kore si shkumbë sapuni. Pranë tyne qerri dhe qet e lidhun për zhgjedhë janë shtri të qetë, rishpërtypin, lëvrisin nganjiherë dhe zgjedha kërset e cingrrojnë cingaret që iu laviren për qafe. Përtej rrugës ara, prej saj korrtarët nisen nëpër shtëpija, grat me duqet në krah ku gjinden çanakët dhe vorbat e shprazta ndër torba e ndonjena e banë edhe fëmin në djep në shpinë. Vajzat me shamija të bardha hjedhun mbi krye dhe me njanin skaj të fundit kapun për bel, ku shifet këmisha e bardhë e trashë prej linit, shkojnë të përqafueme dy nga dy. Me drapna në sup këndojnë n’at kuqrrim të mrekullueshëm të mbramjes:

„O jaran a po të dhambin plagët”

Heshtin dhe djelmoshat me guna të vogla mbi krah dhe drapën të ngjitun për bel shkojnë mbas me kapela kashte me strehe të gjanë, këmisha e djersitun u asht ngjitë për shpatulla, kurse pluhni e halat janë kapë për fvtyrën e djersitun. Ata iu përgjigjen me za të pilotë disi të dhimbshëm:

„Po t’mos dhimbshin, plag’ s’do t’ishin thirrë.”

Ma pleqt ndejten ende nji trohë, erdhën këndej te xhaxha, u ulën të gjithë në bar në korie.

Perëndimi gjithnji ma i zbetë, nëpër mugullinën e parë lakuriqet, kryqzohen, del ndonji flanzë dhe ngrihei tue i rrahë krahët, pllumbat gugatin gjithnji ma fortë. Xhaxhaj e shkund prej gjoksiv këmishën e djersitun, që ngjitet për trup. dhe që asht nxi nga pluhni e halat. Flokët, mustaqet dhe mjekrën i ka plot me pluhun, kurse djersa asht përzie me pluhun nëpër fytyre dhe shkri më nja. Fshihet me skajin e mangës së gjanë të këmishës së bardhë. Puhija e freskon.

— Epmani, fëmij, bardakun.

— Ia sollën bardakun plot me raki.

Ai muer bardakun, i lëmoi mustaqet e thime, e derdhi pakëz bardakun, mbasi ia hoqi mutuzën prej gjetheve të lisit, bani kryq disa herë dhe filloi:

— O zot ndihmoma dhe gëzona, ndihmoje çdo vlla dhe puntor të vyeshëm, katundarin që ushqen dhe krymbat edhe mizat përdhese dhe shpendët e malit edhe nëpunsit. Ti, o zot i vetëm, ngjitja dorën atij dhe ndihmoje. T’u turrsha Millojë! — përshëndet komshin e vet.

Edhe ky poashtu bani kryq, derdhi pak bardakun dhe bekoi:

— O zot, ndihmona dhe gëzona dhe epna çdo të mirë e shëndet.

Muzgu bahet gjithnji ma i dendun. Gjithnji ma tepër humbin trajtën objektet ma të largta dhe dalngadalë u ba terr. Puhija fryen gjithnji ma fort dhe shushuron nëpër pyll. Mullini i erës mezi shifet turbull në skaj, kuajt dhe qet pranë lamës, ndihet vetëm kur kali tërfullon ose cingrron cingarja dhe kërset zgjedha.

U ba natë. Në lamë mbetën vetëm dy djelmt e axhës. Do të flejnë këtu në kashtë. Edhe unë ndejta me ta. U shtrimë në kashtë sa hangrëm darkë, dhe ata sa u shtrinë fjetën.

Unë rashë në shpinë, shiqova yjt që janë derdhë nëpër qiellin e kaltërt dhe ndëgjova shushurimën misterioze të gjetheve. Për pak duel hana e plotë mbas malit dhe filloi me lundrue nëpër qiellin e kaltërt të pikluem me yj, shëndrisin rrezet e saj t’argjendta dhe e prarojnë rrethinën. Nëpër rrugë kërkllojnë qerret e ngarkueme, prei së largu ndihet se si trokullojnë mullijt e erës, tue kërkllue qerret bijnë cingaret, qajnë dyzanash dhe kris kanga dyzanshe:

„Nat e errtë ti je plot errsi”…

Kanga tretet në largsi dhe mezi mbërrin te unë dhe ndiej:

„Po vuej vuejtje”…

Humbi në natë kur qe befas shpërthen kanga që këndojnë grat tue ba punë dore, e fuqishme dhe e fortë dhe e theu heshtjen e natës.

„Shkëlqe hanë! shkëlqe vajzë!”

Krahnori më gufon prej ambëltimit. Kur papritmas briti nji herë diçka në luginë afër lamës gjithnji ma fort e ma fort, gjithnji ma afër e ma afër dhe ma në fund u ndëgjue edhe shushurima.

M’u çuen rrëqethjet. Zani nji nji si ai që tregojnë per klithtarin.

Krejt dijen time e rrou e zeza dhe më kapi friga. E shtyna Likën që flente bri meje në nji gjum të thellë.

Ai u trand, zgjati veshin, u tmerue dhe më tha tue pëshpëritë:

— Ky ësht klithtari. Po, pasha zotin! Edhe mue diçka ftoftë rreth zemrës dhë tanë fijet e flokëve m’u çuen përpjetë.

— Ta zgjoj bacën.

— Zgjoje.

Ai e tundi. Këceu prej gjumit, përgjoj dhe u çue.

— Ku asht ajo pushka jote? — më pyeti me zfi t’ulët.

I tregova, ai e muer. Neve na tha mos të lëvizim dhe mos të flasim. Shiqoi kapsollin në pushkë, dhe ngadale pa u ndie shkoi në pyll. Na heshtim dhe përqethemi prej frigës, përputhë njam për tjetrin, e ai gogoli me za të çuditshëm ende bërtet gjithnji dhe gjithnji ma me fuqi.

Krisi befas pushka, Jehuen grykat dhe u ba qetsi. Mbas pak ndiem hapat, vjen Garro (ashtu quhej djali ma i madh i xhaxhajt) dhe trheqë diçka.

— Qe klithtari! — tha tue qeshë dhe kur erdhi e fërfiloi para nesh dhelpnën.

— Ama, a asi zani të tmershëm paska?

— Unë mendoj se ju mësoni ndonji send në shkollë dhe ti mbas kaq shkolle nuk din as si e ka zanin dhelpna.

— Sikur të kisha duket so, kam vra sish do t’isha njeri i pasun — tha Garro.

— Si e gjete?

— Unë e dij ku kalon ajo, se mos asht kjo hera e parë!

Garro me të vërtetë ishte në tanë rrethinën i njoftun si ma i pari dhe ma i miri gjuetar dhelpnash.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Ditari i gjuetarit (3/4)

(Faqja e meparshme)

Ditën e punës më duhej me shkue në gjueti vetëm, sepse mu n’at kohë, mbas Shën Pjetrit ishte koha e punës ma të madhe fushore, krejt deri në vjeshtën e vonë.

Çohem heret. Isha në nji breg në pyll dhe lindja teksa u skuq, prej tokës thuese ngrihet ngadalë, pa u ndie veli i errët i natës dhe në vend të tij derdhet mbi gjithçka — ngjyra e kuqrremtë e bukur. Agimi qeshet kandshëm në lindje dhe prej asaj buzëqeshjeje të mrekullueshme, plot shije, thuese gjithçka këndjellet, gjithçka noton në lumni e fatbardhsi. E ndjej se si ajo buzëqeshje e agimit u derdh rabi lule, mbi bar, mbi pyje, mbi gjithçka që shiqoj. Njifarë heshtje solemne, nji paqë e thellë. Në shpirt ndiej nji gëzim e çudi, sepse ajo buzëqeshje e agimit, e cila vërshon bujarisht botën me lumni nuk asht buzëqeshje e nji gëzimi të çastit të qenjes së vdekshme, por asht triumfi i natyrës së pavdekshme, i përjetsis. Vetëm zogjt, këto krijesa të vogla shpirtbardha, përshëndesin me kangën e tyne të kandshme kët gëzim, por na ndiejmë ma se nji cicrrim i tyne e trazon kët paqë të thellë të natyrës, por na duket se e ban edhe ma të shyhretshme.

Ndejta kështu në nji lis të rrëxuem, të cilin furtuna e kishte shkulë këtu shpejt me rrajë, dhe kundrova bukurin rreth vedit, thitha thellë fëllimin e kandshëm të mëngjesit dhe gati harrova për çka isha nisë. Rreth meje gjindeshin gjithmonë zogj për t’i gjuejtë. Gugurojnë pllumbat turtujt gungasin, qukapikthat qukasin përdridhen tue u zvarritë rreth degëve të thata ndër qarra të naltë, qëllojnë fuqishëm me sqep drunin e thatë dhe druni i thatë ep kumbim të qartë dhe të kandshëm. Edhe zagari i im kishte ra si unë në nji gjendje shpirtnore lirike. U ul në bisht pranë kambëve të mija dhe medonte diçka thellë. Por kjo ndjesi e ambël e lëshoi ate përpara. U fuk befas në pyll si i tërbuem e lehi sa mujti dhe jehuen grykat. Shiqova n’at anë dhe geri para tij ngjitet nëpër lis. Ai fugoi, zu me këcye përpjetë dhe me kuisë, kurse geri e shtrini bishtin për degë, vështroi frigueshëm me syt e vegjël dhe lëviz para tij kambët e përnjiherë këcen me bishtin e hapun nëpër ajr dhe duket sikur fluturon në nji dru tjetër ma t’afërm, prej andej në të tretin, të katërtin, derisa nuk mbërrini në nji qarr të naltë. Zagari si i tërbuem vrapoi mbas tij dhe filloi me u përvjedhë pa dobi ende ma me zemrim tue ndjekë çdo lëvizje të tij; e kapa pushkën dhe vrapova edhe unë mbas tij. Geri tash në tokë tash në lis, tash prej lisit në lis, ku asht pylli ma i dendun, kurse na energjikisht mbas tij derisa e nxuerëm në patalok, ku u ngjit në nji qarr vetmitar. Këtu ishte shtri me aq mjeshtri për lis sa vëzhgova tanë nji gjys ore derisa e pikasa. Vuna pushkën për faqe dhe e shtina në shej. Pushka krisi, e ai nuk u largue, ndërsa zagari zu me u sjellë vërdall marrzisht nëpër pyll. E ndeza fishekun e dytë dhe ai u përplasë për tokë. Zagari filloi me ulurue prej gëzimit dhe mësyni në te.

— E vrau! — u ndie mbrapa meje zani i njifarë Markut. Ky asht nji fukara i këputun pa askend në botë dhë shërben te nji farë Nikolla, katundar i pasun. Ruen kafshët e punon edhe në fushë. N’at shtëpi asht qysh në vogjli dhe asht mësue aq me njerzit e shtëpis sa e trajtojshin si pjestar të familjes.

— E vrava! — thashë krenarisht, mbasi u ktheva dhe e pashë tue shkapërcye hujt e arës së tij.

— Ka plot kësish: na i faruen krejt arrat! Të kishin me u hangër barem sikurse janë të randë si kungujt. Mirëpo sikur të haheshin nuk do të mundshim me i gjetë kurrkund edhe sikur të paguejshim për secilin ma tepër se për derkun ma të mirë.

Marku më foli kështu, tue hecë ma afër meje dhe kur m’u afrue krejtsisht u përshëndet:

— Mirë mëngjes!

— E mira të gjetë, çka po ban?

— Qenke çue cok heret, a?

— Paj dëshiroj kështu me e shique agimin, e edhe për punë të gjuetis.

— More lene agimin, pash zotin, dhe flej, kur ta ka dhanë zoti. Njeriu ma s’ambli flen në mëngjes. Çka ke me shique. Ligji i tij asht! Ai m’u ka mërzitë, sepse sa t’agojë mue më pret shati ose drapni ose tarnakopi, posa agon as nji e mirë nuk më pret.

— Je mësue dhe kjo gja të duket e rëndomtë, por edhe poqese nuk ke dobi ma të madhe, së paku, të ka hajr shëndeti prej këtij pylli dhe prej këtij mëngjesi të freskët.

— Shëndeti?… e, or vlla i im, çfarë shëndeti! Punoj prej mëngjesit deri në mbramje, e kur bahet terr, më shpojnë njimijë palë djersë, e kur bij me fjetë më dhemb çdo kocëz. Çfarë shëndeti?… por s’kam çare pa qenë shëndosh edhe poqese nuk ma kanda. Katundari nuk ka kur me ra as me lëngue. Ethet më dridhin nganjiherë dhe çkrihem, më merren kambët tue ecë dhe prap më duhet medoemos me shkue n’arë.

U ula në nji cung t’ultë, kurse zagari u shtri pranë meje dhe vuni kryet në kambët e përparshme të shtrime. Marku ndejti galue pranë meje. E nxora kutin që ta mbështjelli nji cigare. Para se ta shtijë kutin në xhep Marku fërkoi shuplakat e duerve dhe e shiqoi duhanin.

— A e pin duhanin?

— Për fatin tim të keq e pij dhe sa ma i shtrejtë të bahet duhani aq ma tepër më pihet. Kur duhani ishte ashtu cullak, disi edhe nuk më pihej. E provova, por cok nuk ma donte zemra. Kurse tash prejse duelën ato letrat e shkreta nuk e pij, por e ha duhanin si bukë, falë i qofsha zotit.

Ia zgjata kutin.

Ma parë e ma dalë ai e shiqoi nga të gjitha anët dhe e la në tokë skaj vedit. I fërkoi shuplakat e vrazhda të duerve, lëmoi mustaqet dhe me njifarë solemniteti dhe serioziteti e muer kutin. E hapi, nxuer letrat dhe mbasi e la kurtin përsëri pranë vedit, zu me fry abollaqe prej krejt tubës se letrave të mundet ashtu me frymë me e nda nji fije letre. Të fryemit vazhdoi aq gjatë sa m’erdhi tashma te hunda tue shique. Tekembramja, i doli në krye operacionit disi me sukses dhe e ndau nji fije. Marku e muer dhe e ngjiti për buzën e poshtme, të cilen i njomi ma përpara me gjuhë. Letra dridhet në buzë nga puhija, kurse ai e ujdisi tubën e letrave, i bani fijet barabar krejt si kishin qenë para se me i fry dhe mandej lëshoi letrën në prehën mbi këmishën e trashë. Mbas kësaj pune prap i fërkoi duert dhe morri kutin. Me njanën dorë mban njanin skaj të kutis së hapun dhe me tjetrën i bjen disa herë anës tjetër.

Mandej duhanin fije-fije e shtrëngon me gishta dhe e menjanon kutin që duhani pluhun të ndahet në njanën anë. Kur e kreu edhe kët punë për faqe të bardhë, e veni kutin në prehën dhe filloi me nxjerrë me dy gishta të mëdhej, të trashë nji grimcë duhan dhe me e vu në shuplakë të dorës së majtë. Këtë e bani aq seriozisht, qetë e ngadalë dhe kjo nxjerrje e grimcës së duhanit zgjati aq shum sa unë deri atëherë do t’i kisha mbështjellë e pi dy cigare. Kur nxuer aq sa mendoi se asht mjaft për nji cigare e shtrëngoi dorën ku e kishte vu duhanin dhe e bani grusht e me at tjetrën e mbylli kutin që të mos derdhej duhani gand.

— Mendoj se asht i shtrejtë, zverdhon si dukati? — pyeti tue mendue për duhan edhe tue mos pritë përgjigjen, sikur t’i kishte shpëtue pa qëllim ai mendim, zu me hukatë në grushtin ku gjindej duhani.

— Pse po hukat?

— Kështu e kam zakon. Jemi mësue ashtu dhe, a e dini, zbutet dhe duhani shpenzohet ma pak. Cigarja qëndron e ndezun ma gjatë, kurse duhani i thatë sakaq.

Të hukatunit vazhdoi ma gjatë se sa gati të gjitha marifetet deri tash, ma në fund hapi grushtin i cili krejt ishte djersitë, kurse duhani në te ishte ma tepër i lagët se i zbutun. E shkundi duhanin në letër, por tueqenëse në dorën e djersitun mbetën të ngjituna shum grimca duhani, atëherë e vuni letrën me duhanë në kuti, të cilën e mbante në prehën dhe zu kadale e me durim me i kapë me maje të gishtave n’at dorë fije për fije dhe me i vu në letër. Kur e bani edhe kët punë, tue folë kalimthi se si asht dam që nuk ka ra shi tash sa kohë fërkoi duert përsëri, muer at letrën me duhan, e mbështeti për gjuni dhe filloi me e dredhë cigaren me aq seriozitet si mjeku kur ban ndonji operacion shum të vështirë. E mbështolli tue u ndihmue ashtu me gju dhe e lagu me gjuhë skajin e letrës të cilën e ngjiti dhe e lagu prap përsipër. E përdrodhi letrën në dy anët e cigares, mandej e kundroi si kishte me kundrue me kënaqsi artisti veprën e krijueme me vuejtje e mundime. Kështu cigaren gati e vuni në vesh dhe mandej muer kutin, e hapi me kujdes, i rregulloi përsëri fijet e letrës e shtiu tubën në kuti dhe mandej mblodhi me kujdes prej prehnit çdo thërmizë të duhanit të derdhun, e edhe këto i vuni në kuti, e mbylli dhe ma zgjati me fjalë:

— Të bukur e paske kët kuti!

Ia dhashë qibritin që ta ndezi cigaren. Qënaroi gjatë dhe ma në fund ia mbusha mendën me e ndezë. E ndezi me kujdes, e thithi tymin e duhanit thellë dhe mbas kësaj shiqoi cigaren se sa ishte djegë, si njeri i unshëm që shiqon kafshatën e ambël.

Tue pi duhan, i erdhi edhe goja.

— Faleminderës zotit, si asht kjo punë. E merr njeriu barin, e mbështjell në letër kështu dhe pin. E thonë se zifti i ban dam krahnorit. A thue kush e shpiku këte së pari, të kisha me e dijtë?

Ndërsa unë përsiatsha si me iu përgjegjë, ai vazhdoi:

— Po mendoj tash diçka si mundet me ndodhë kjo punë! Qe, tash, kafshët, qejt dhe krijesat tjera nuk pijnë duhan, si me pasë ndonji përbamje tjetër, kurse njeriu, hem tymon hem pin dhe çka nuk ban. Shkova vjetin e kaluem në vnesht me zagarin tim dhe rrushi posa kishte zanë me u shejë. Unë u ngopa deri në fyt, kurse qeni nuk deshti as me e kërkue! Nuk ishte i pjekun mirë. Kështu shiqoj diçka dhe për zotin, i qofshim falë, disa herë kafshët janë ma të zgjueta se njeriu. Shkojmë në kazan dhe dehemi, pasha kryqin, sa mos me e pa njani tjetrin, kurse kafshët jo! Hanë, pijnë ujë dhe shtrihen të çdejuna si ka hije. Mue këtu pranë torishtes, kur fryhem me raki, kishin mujtë me më çue deri në Kragujevc, kurse qejt e çdejun ruejnë edhe mue edhe torishten.

— Paj njeriu nuk dehet çdo ditë! — i thashë tue mos dijtë çka me i thanë.

— Pin, mirëpo ndër dit pime pija del me djersë dhe njeriu as nuk mundet me u dejë. Por ndër festa dhe kështu ndonjiherë, ose kur pjekin raki kazanat, të kishe me qëllue me pa kur rrijmë rreth dumaracit dhe gypthi shkon prej gojës në gojë. Vjetin e kaluem Leka i ngratë u nis për Kragujevc dhe ia muer dreqi mend e u kthye te kazani. E kazani i tij në kumbullishten e tij. U kthye gjoja kalimthi, mirëpo atje si në çdo kazan, kishin mbërri para agimit dhetë vetë. Kështu, siç e din, njerzit shkojnë njani te tjetri dhe askush nuk pyet askend as që thërret kush në këso rastesh, por secili shkon si në bunar. Kështu, ky te ai e ai te ky. Leka u ul këtu dhe pak nga pak derisa u ba terr. Harroi me heqë edhe torbën prej krahut, tue e shty, si thot fjala, hajt edhe nji grimë, hajt edhe nji grimë. Kur u errsue mirë, ai u ngrit dhe rrap dup, rrap dup, duel prej kumbullishtes. Askush nuk e pyeti kah do t’ia mbajë. Menduen se ashtu shkoi. Kur ai, jo, por gjoja ishte nisë për Kragujevc.

Mandej, tregoi edhe vetë se si i ndodhi: „U nisa, thot, dhe u tfillova për Kragujevc e më ra në mend se tashma ishte errsue. Si dola prej kumbullishtes, ajo avullorja, ma ngjiti në krye e as nuk isha i zoti me luejtë kambën. Kumbullishtja e madhe dhe rreth e përqark krejt me gardh, unë u kapa për te dhe iu mërtheva rrotull. Bijsha, zijsha në thue, por gardhi më ndihmonte dhe mbahesha. Ec ec ton në naten e lume. Por kërrkund i shkreti Kragujevc. U habita çka më ndodhi kështu, tanë natën u mbyta tue ecë dhe kurrsesi nuk po mundem me mbërri në Kragujevc. Mbërthehem përsëri e, hajt e haj, jo, kurrkund Kragujevci. U ndalova e pak prej asaj avullorës orëpreme, pak ndoshta prej të lodhtit mezi më bajnë syt dritë. Agimi zbardhi ngapakë, gjelat kikirikojnë, pulat rrahin krahët, fluturojnë prej vendit ku kishin ndejë. Shiqoj, kryet më buçet prej rakis dhe shof gjithçka si nëpër mjegull. Ndjeva se kërsiti diku dera e shtëpis „Këtu qe besa, do të kërkoj me bujtë dhe le të dalë ku të dalë” — mendova dhe bana hesap se e kisha tretë rrugën dhe se gjindesha diku, bile, në qarkun e Beogradit. Bërtita me sa za pata.

— Ej, i zoti i shtëpis!

— Ej — u përgjegj zani.

— Të lutem, vlla, të më pranojsh në konak. Jam udhtar, dhe prej nji vendi të largët, kam gabue rrugën, e këtu nuk e njof kërkend as nuk e dij se ku gjindet mejhanja.

— Prej kah je?

— Jam prej nahijes së Kragujevcit. Nga Shumadija, vlla! — dhe ia tregova katundin.

— Po a ti qenke mor orpremi im, hyn në shtëpi zoti të vraftë! Çfarë prej së largu, ti nuk je largue as nga gardhi yt.

„E njofta zanin e grues sime, tha, dhe u kfilla thuese nuk kisha vu gja në buzë.”

Marku më tregoi gjatë e gjatë dhe ma në fund tha se si tashma tri katër vera kanë punue në fushë tue u qeshë për atë sjellunit e Lekës rreth gardhit.

Heshtëm.

— Të shkoj pakëz te gjaja — i tha Marku vedit, u përshëndet dhe shkoi.

Ndejta vetëm dhe ende gjatë tue u kënaqë me mrekullin e mengjesit të freskët në nji pjesë të bukur të pyllit dhe mandej, nëpër shtegun e rrëpijshëm të ngushtë u ktheva në shtëpi.

(Faqja tjetër)

Ditari i gjuetarit (2/4)

(Faqja e meparshme)

Në klasët e nalta të gjimnazit baba më lejonte me bajtë pushkë, por atëherë prap më duhej me u mëshefë prej mësimdhansit. Kur dojsha me shkue me shokë në gjueti ndër dit feste, na duhej nga disa dit me bisedue e me ba planin si me i bajtë pushkët nëpër qytet dhe mos me i ra kërkujt në sy, mu sikur të bajshim ndonji krim të madh. E çuem punën aq larg sa tytën e pushkës e shtijshim në kambzat e pantallonave dhe njana kambë tue hecë dukej si e shtangueme, kurse dipçikun e shtijshin nën mallotë. Teksa agimi. Nëpër rrugë kurrkumd njeri i gjallë, kurse na përvidhemi ashtu ngadalë dhe vëzhgojmë anash mos po na del kund befas mësimdhansi i gjuhës latine. Ai, në të vërtetë, ishte edhe i vetmi që donte me zanë kush pin duhan, kush shkon në mejhane, kush në gjueti dhe ishte stërvitë aq tepër n’at mjeshtri, sa na edhe në shtëpi kur e ndezim cigaren së pari këqyrim nën shtrat dhe nëpër të gjitha qoshet, që të sigurohemi mos të dalë edhe prej atyhit mësimdhansi i rrezikshëm ë mos të vikasi në mënyrën e vet të tmershme.

— E, të baft mirë, bir!… ta piu dreqi çorbën!

E atij që i thot se i’a pin dreqi çorbën, ai ma tepër se njish nuk mundet me marrë. Ashtu edhe unë, sikur edhe të gjithë, duhesha pa çare më e ruejtë çorbën time të pakët gazmore.

Kështu, ngadalë me frigë me nji kambë të ngrime, kalojmë nëpër qytet dhe vëzhgojmë në të gjitha anët dhe si mbrojtje kundra rrezikut bajmë ndër duer gramatikën e latinishtes dhe shënimet ku ishin të notueme veçanërisht përjashtimet e zhgjedhimit të tretë. Posa takojmë ndokend e shiqojmë dyshueshëm a mos asht ndonji mik i atij mësimdhansit dhe për çdo rast i hapim shënimet e nisim me këndue me za.

Kështu kalojmë pranë kujtdo me kujdes.

Kur kështu kalojmë qytetin pa therrë në kambë dhe dalim në fushë, ndijmë sikur na hiqet ndonji peshë prej shpine. Në fushë çlirohemi, marrim pushkët, i varrim në krah dhe shkojmë matej gëzueshëm, tue këndue.

Endemi poshtë e përpjetë. Pijmë lirisht duhan derisa të na kërset veshi, kapërdisemi me pushkë në krah, qesim çdo çast në gjithçka: ndër garguej, ndër mulliza, ndër sorra, trumcaktë, në zogun ma të vogël që ka falë zoti, kurse pushkët i mbushim si për ujq, kështuqë edhe kur vrasim ndonji zog rrezik-zi, nuk mbetet kurrgja prej tij.

Gjithçka, gjithçka, por vetëm kthimi në mbramje asht i tmershem, sepse në mëngjes kur kaluem, të gjithë flejshin, kurse në mbramje, deri në nji kohë të natës, janë zgjuet të gjithë në qytet, gjindja vlon nëpër rrugë. Kur vijmë mu para qytetit ndiejmë frigë, sikurse do të këçejmë në llogorin anmik. Prap e shtijmë tytën e pushkës në kambzën e pantallonave, e lidhim rrypin për bel, dhe mbi dipçik i mbërthejmë mallotat. Ecim me gramatikën latinishte ndër duer dhe kushdo që të na shiqojë na këputën kambët prej frige dhe të tmeruem presim pyetjen.

— Ku keni qenë me pushkë?

Njiherë duel kështu befas përpara nesh ai mësimdhansi i tmershëm.

— Ju qoftë me shëndet! — tha, e na i hoqë kësulat.

— Në vend që të mësoni silleni poshtë e nalt në kët kohë! — bërtiti aq me za të naltë sa nisi me u tubue gjindja përrreth.

— E pat çorba! — Mendova me frigë dhe belbzova:

— Kemi qenë në fushë, zotni, kemi mësue latinisht. Ia tregova librin dhe shënimet, kurse ai i rrudhi veshët dhe cok i turpnuem murmuroi:

— Mirë, mirë, fëmij, vetëm ashtu përpiquni! Natën e mirë fëmij.

U largue dhe na ndiem nji gëzim sikur me pasë shpëtue prej vdekjes.

Për kët shkak, mbas kryemjes së maturës, për mue ishte lumnija ma e madhe që guxojsha botnisht në pikë të ditës, me kalue nëpër qytet me pushkë në krah, përmatepër me zagar për dore dhe me ecë kështu, mendoni, pa kurrfarë përjashtimpesh për zgjedhimin e tretë, plotsisht si njeri i lirë.

Pra, ditën e parë, mbasi dhashë provimin e maturitetit, kur muerëm dëftesat, na tre vetë u pajisëm për gjueti. Bota vlon nëpër rrugë dhe na botnisht pa kurrfarë frige, i bajmë pushkët, torbat e gjuetarëve, tërheqim zagarët me zinxhirë dhe shiqojmë ngadhnjyeshëm. Më vinte cok keq që nuk na vinte veshin askush dhe kurkush nuk na pyette.

— Ku po shkoni me ato pushkë?

Bile, si për inat, kurrkund nuk u takuem me mësidhansin e gjuhës latine, edhepse ndejtëm nergut para njij pijetoreje kundrejt shtëpis së tij dhe këtu si gjuetarë pimë kafe, biseduem në cilën anë me shkue, të gjitha këto punë i bamë ngadalë e me oigare te ndezuna…

Nxansit e rij kalojnë dhe na shiqojnë me zili, çuditshëm, sikur ta kishim rrokë qiellin me dorë, si me pasë realizue idealet ma të fundit t’aspiratës njerzore.

E neve, na bahet cok zemra mal prej gëzimit.

Gati tash dhe nuk na shkohej në gjueti, por kishim dëshirë me u endë nëpër qytet ashtu kryq e tërthuer me pushkë dhe cigare të ndezuna.

Me mbarimin je gjimnazit, kalova verën në katund te prindët.

Nuk kam ndie kurr kënaqsi ma tepër se atëherë. Para disa ditësh tmerr, pagjumsi natën, kryet si prej plumbit; eci rrugës dhe u kam lakmi gjithë njerëzve që s’kanë provime. E kisha zili deri qenin e zotnis sim në shtëpin e të cilit banojsha. Unë i pa fjetun, i përgjumshëm me tutën e akullt dhe frigën: „Sikur mos ta jap provimin!” dhe përpos kësaj më duhej ende me mësue njiqind çudina, kurse qeni shtrihet nën hijen e arrës dhe flente ambël, qetë. Kërkllon qerri dhe ai pëmjiherë shiqon me sy të përgjakun në rrugë e bile, as nuk ndien për detyrë me lehë, por kuis prej kënaqsis, i zgjat kambët ma mirë dhe vazhdon me fjetë. Kur mërzitet kruen qafën me çapoj, fugon deri te vedra me ujë, llap, si din vetëm qeni, dhe kthehet përsëri në fllad. Asht turp, por duhet ta pranoj se isha në gjendje në këso çasesh me u ndrrue me qenin vetëm që të më dali prej kres ajo tollovi landësh dhe ajo frigë prej shpirtit. Nëpër krye më sillen pa rend dhe pa lidhje të gjitha çuditë që munden me ndodhë në botë: papët e Romës, kuajt e Cezarit, rrajët katrore, gypat e Toriçelit, të gjithë gurët që munden me u gjetë në botë, kafshët, profile të ndryshme dhe deri çka hante e ndjera xhaxheshë e Gunduliqit. Të gjitha këto përziheshin edhe gurët edhe personalitetet historike, edhe formulat kimike dhe të gjitha kafshët që gjinden në botë e deri dhe hyjt. Më dukej se të gjithë njerzit kudo që gjindeshin ishin tubue në kryet tim si në panair dhe i kishin marrë me vedi të gjitha sendet e mundshme në botë dhe i kishin sjellë të gjitha kafshët, dhe të gjitha këto, vetëm vlojshin e bajshin zhurmë.

Kështu pra, disa dit para dhe qe, mbas provimit të gjitha këto brenga si me i pasë heqë me dorë. Mbaruen panairi dhe zhurma, çdo gja shkoi në vendin e vet dhe unë ndjeva nji lumni të jashtëzakonshme e fatbardhsi si kurr ma përpara, që mundem me fjetë i qetë, me u çue kur due, mos me ça kryet tue hangër drekë se deri kur mbretnoi Karli i Madh dhe ku gjindet Serpentina, si shumzohen mijt e fushave dhe mbas sa kohe kishim me ndëgjhe na në tokë sikur sot të kërsasi topi në diell dhe për sa kohë do të vinte halla në gosti te na sikur, të thomi, dje në mesditë pikërisht të jetë nisë me ferovi ekspres prej Marsit. Prej të gjitha këtyne tash kurrgja, ndjej vedin në gjendje normale, shiqoj të gjitha sendet ashtu si janë. Dhe më kujtohet sot me trup se si bisedova njiherë me nanën tue hangër drekë, kur m’erdhi në kohën e provimeve.

Ajo han, unë e llokoçis pjatën me lugë dhe mendohem.

— Ha, bir, e lumja unë për ty!

Unë nuk përgjegja që mos ta prishi mendimin.

— Ha, i marrë, mos çaj kryet kaq fort. Le të bahet çka të bahet. Zoti i vraftë edhe ato dijeni!

Unë thitha supën dhe harrova me heqë lugën prej gojës, vazhdova me mendue tue shique habitshëm nëpër dritare.

— Ha, bir, dhashtë zoti të digjen të gjitha librat. Ti të më jeshë shëndoshë, o shpirti im!… Ha, lum nana për ty, a shef si ke mbetë fidan prej asaj shkollës së mallkueme! Ha, mos mendo kurrgja kur asht nana me ty.

— Ashtu, diçka po mendoj.

— Paj çka je tue mendue, bir, tregoji nanës sate, mos mëshif prej meje. Kam me të ndihmue gjithçka.

— Po mendoj diçka, nanë, sikur ti t’ishe në hanë dhe unë këtu, sikur ti të jesh nisë sot me ferovi kah unë, kur kishe me mbërrijtë?

Nana së pari bani kryq dhe mandej çau. I ranë lot të mëdhej nëpër faqe të rudhuna dhe me shiqim plot lutje, frigë e dëshprim, më shiqoi, ma kapi kryet dhe më puthi në ballë.

— Leni të gjitha, bir dhe hajde me nanën…

Dhe unë qava.

Qe, deri ku më pat çue halli i shkollës dhe friga për provim, prandej mu për kët arsye m’erdh e ambël jeta e qetë, pushimi i pabrengë, lirija e plotë.

Mos ta baj tërkuzë, sepse kjo do të ju shtynte juve, lexues me pyetë: „Çka po na çan kryet e po na mundon me ato marrzina, por nëqoftëse të vjen për dore trego atë që fillove!”

Ani, mirë po më thueni, gjaja që ka randsi asht që u bana njeri i lirë, njeri në vedi që mundet me pi duhan, me shkue në pijetore dhe çka asht ende ma bukur, me bajtë pushkën botnisht dhe mos me u frigue nga mësimdhansi i giuhës latine.

(Faqja tjetër)

Ditari i gjuetarit (1/4)

Isha nxanës në klasën e parë të gjimnazit. Megjithate nuk më lejojshin me bajtë pushkë. Por ndoshta ma tepër dhe mu për shkak që ma kishm ndalue kët satisfakicon, gjakimi im ndaj gjuetis bahej gjithnji ma i fortë, e ma i fortë, i pa frenueshëm.

M’u desht patjetër me përdorë dhelpni. E mërzis me lutje shërbtorin që ta marri pushkën me vedi, kur të shkojë në korie me i ruejtë thit që ta pres atje dhe t’ia marr pushkën. Ta merr mendja, për at shërbim më duhej me doemos me ia i dhanë disa fitila prej duhanit të babës.

Unë tashma mbërrina në korie. Pres me padurim; xehem me thit që ungrojnë rreth meje bezditshëm tue kujtue se ndoshta u kam sjellë ushqim i përza idhshëm prej meje dhe i qëlloj me kambë, shkop, thuese ata ishin fajtorë që shërbëtori nuk vinte me pushkë.

Mbas nji pritjeje të gjatë u duk edhe ai. Pushkën e ka në krah, kurse në dorë mban strajcën me misër. Dashnori s’mundet me u gëzue kurr ma tepër për të dashtimën e vet që i vjen në takim s e sa unë për shërbëtorin.

— Ku e ke ate? — pyet ai tue shkapërcye hujt dhe dorën e vuni në gojë si ban njeriu kur e mban cigaren tue pi duhan.

Nxora duhanin prej xhepit, mbështjellë me letër të disa gazetave të vjetra dhe ia dhashë. Ai ma parë i zhdaraviti thit, shpërndau misrin në disa grumbuj të vegjël dhe u ul në cung. Mbasi ndezi cigaren, shtini në gji tepricën e duhanit n’at letër te vogël, letrat e duhanit nën shapkë dhe tha i kënaqun si njeri që ia ka dalë në krye me e plotsue dëshirën e vet:

— Qe, bre, pushka, ta solla, por hapi syt, more rrezik-zi, që të mos vritesh vajhalli, pasha zotin, poqese ndodh ndonji e keqe.

— Çka? — e pyes, bukur i friguem prej asaj vërejtjeje.

— Çka? e, or burazer, çka? Për punën se plas gryka, të bie ne krye copa e pushkës dhe të mbyt në vend. Kështu Lenk Velinovi u vra në vend, bile tue qenë burr plak.

— Pushka, ndoshta ka qenë e keqe që i ka plasë? — thashë që të mundem me u qetsue.

Sreja (ashtu e thirrshin at sherbtorin) i ngrehi me merak dy tri tima duhan, e lëshoi tymin ngadalë prej gojës në nji shirit të ngushtë sikur ta kursente, më dukej se i vinte keq që ta lëshonte pa dhimbje përnjiherë, dhe tha:

— Dreq asht pushka! Si plasi! Pushkë e shëndoshë pa kurrfarë behane, si zemra, mirëpo plasi cok vetë. Ndoshta e ka pasë rriskun me vdekë prej pushkës!

Ky të spjeguem më frigoi edhe ma tepër.

— More, hajde të thotë njeriu prap se pushka ka qenë e mbushun dhe plasi nga të kërsitunit e ndoshta ia ka pasë rrasë dhe plumbin shum. Por çka ke me ba kur ajo kërset vetëvetiu. Kështu qëndron e shprazun për bukuri, askush nuk e prek dhe, kur don me ndodhë taksirati, ajo kërset vetë befas. Trees! Si rrufeja, zot më ruej.

— A thue nxehet baruti prej diellit ose kur asht afër zjarmit? — pyes.

— Nuk, të lutem. Millosavi ecte rrugës midis dimnit dhe e bante pushkën në dorë, e mbante kështu për mjedisi, kurse para tij ecte njifarë Zhika. Unë me Millosavin krah për krah, e edhe vetë bajsha pushkën. Kur pëmjiherë krisi pushka, Zhika ra si qiri dhe zu me kukat. Unë dhe Millosavi u drodhëm befas me shique përrreth. Thashë e vrau dikush nga urrejtja. Ndërsa shiqova pushka e Millosavit tymonte…

Unë nuk e pyeta çka ndodhi matej, dhe ai e ndërpreu mendimin, e, mbas njij pushimi të shkurtë, përfundoi kështu:

— Të thashë, pushka asht dreq! Nganjiherë kur të ban lazëm nuk ndez, bre, edhe pushka ma e mirë, sikur ta hjedhish cok mjedis zjarmit, kurse nganjiherë, kur asht për taksirat, ndez vetë, thuese dreqi ia tërhoq kambzën. Asht ajo që thonë se dreqi as nuk lavron as nuk mih, por përgatit të këqija. Pushkën pa fe sendi në te e mbush dreqi për taksirat dhe bumbullon si shën Ilija.

Mandej m’i tregoi disa raste, ku pushka e zbrazët, pa barut e plumi plasi dhe e mbyti njeriun në vend.

— Rrisku asht ky-përsëriti ai prap — Po të thom, rrisku, e kur të vijë ajo dekika, dreqi vetë e mbush pushkën.

Sreja, mbasi më trimnoi kaq bukur, ma la pushkën dhe u çue e shkoi.

Mbeta vetëm. U ula n’at cung ku ndejti ai dhe u rreka me ia mbushë mendjen vedit se si nuk vjen kurrfarë rreziku me shti me pushkë. Mirëpo, nuk ec. Më sillej nëpër krye ajo që tha Sreja: „dreqi as nuk lavron as nuk mih, por punon për të këqija dhe nuk mundem kurrsesi me e largue prej vedit kët fjali. E mora pushkën në dorë dhe më përshkoi nji tërqethje sikur me e pasë prekë gjarpnin me dorë. Gjithçka në pushkë më dukej ogurzi, plot me parandjenja. Fillova me mendue se si kaq njerëz, të gjithë ushtarët, baba, gjithmonë me pushkë dhe askujt nuk i ndodhi asgja e keqe, e kjo të më ndodhi mue për herën e parë. Trimnue prej këtyne mendimeve, kontrollova që të mos jetë e ngrehun dhe tue qenë i përgaditun për çdo gja, e varra në krah. U nisa nëpër shtegun e ngushtë ma thellë në korie, tue u përpjekë që të mos mendoj për Llukën që u vra dhe aksidentet tjera, por të mendoj për numrin aq të madh të njerëzve të cilëve anuk u ndodhi kurr, asnji e keqe. Por pak nga pak, mandej menjiherë më kaloi nëpër krye ajo fjalija e Srejës:

— Kur don me ndodhë taksirati, pushka vetëvetiu kërsket si rrufeja.

Mbas mendimesh kësisoj gjithmonë shiqojsha pushkën se mos e ngrehte vet dreqi, si thonte Sreja dhe tueqenëse këto mendime të zeza plot me parandjesi mbizotnojshin gjithnji ma tepër e ma tepër t’arsyetemunit tim paqsues, m’u ba se asht ma mirë ta heqi pushkën prej krahut dhe ta baj në dorë.

Tue luftue kështu në vetëvehte me mendime dhe tue trimnue vedin prej nji frigë të çuditshme që më kaploi, mbërrina bile në skajin tjetër të kories. Sikur mos t’ishin hujt, padyshim, as këtu nuk do t’isha ndalë dhe deri atëherë as që më ra ndërmend me vëzhgue ku do të bjerë ndonji pëllumb që ta gjuej ose turtull. U ndala. Sipër meje shushuroi nji pëllumb me krah dhe fluturoi larg e ra në dru në nji arëz. Mue sikur m’erdhi keq që ra aq larg prej meje sa mos me mujtë me shti, por nga ana tjetër m’u ba qejfi që ndodhi ashtu, megjithse kët ndjesin e dytë u rreka ta largoj, dhe të besoj ngultas se nuk kam me e lanë pa shti soll të më vijë në shej.

Mëngjes i freskët veruer. Dielli teksa nxjerrr kryet në lindje me rreze t’arta, të kuqrremta, të kandshme. Vesa ende nuk asht largue, derdhet e të bahet sikur tanë natyra, e lame mbas gjumit të natës, e përtrime dhe e kuqrrueme, qeshet plot lumni e kënaqsi dhe sikur zogjt ndihmojnë me kangën e tyne kët gëzim të nanës së tyne natyrë dhe nuk mundem me u ngopë se kënduemuni. Mu afër koris gjindet nji arë e korrun nëpër të cilën zverdhojnë shtregët ku janë palue duejt. Pak ma tej, nëpër ara në shpatinë janë përhapë puntorët, larasojnë fundat, dhe zbardhin këmishat e burrave të linta, të gjithë të krrusun me drapna në dorë, korrin e vetëm kohë më kohë, vajzat drejtojnë trupin dhe kërset kanga, këndojnë nji strofë e prap krrusen me punue, kurse djelmoshat drejtojnë trupin dhe vazhdojnë strofën e dytë dhe kështu këmbyeshëm derisa ndonjani të mos bajë shaka dhe të shpërthejë qeshje e piskamë dhe të plasi zhurma e potera, të cilave, prej arave tjera, puntorët tjerë fillojnë me iu përgjegjë me poterë edhe ma të madhe. Kështu njerzit, si i thonë nji fjale „qeshin prej hallit”. N’anën e majtë gjindet njani skaj i katundit. Prej kumbullishteve të gjelbërta depërtojnë oxhaqet e bardha prej të cilave shpërtheu tymi n’ajrin e tejpashëm të freskët, ersues aq qetë, tinzisht, thuese nuk lëviz, thuese asht i pikturuem, thuese nuk asht tym.

Ky fëllim i freskët i mëngjesit dhe bukurija e ambientit dhe ato kangë korrtarçe ndikuen në mue në mënyrë të volitshme. U kthjellova, iku parandjenja, u zhduk friga, ndjeva në krahnuer njifarë ambëltimi dhe trimnije.

Ma në fund ndjeva n’afërsi të guguruemit e turtullit, aq qartë thuese më qondronte në krah. Shiqova djathtas kur në nji shtregë afër gardhit turtulli me bishtin e kthyem kah unë. Guguron dhe dredh kryet herë andej herë këndej.

Animirë, m’erdhi në thumb. Turtulli gjah i bukur. Zemra më troklloi ma fort, mora pushkën me guxim, por megjithate me njifarë frige të mësheftë. Rashë në gjuj pranë gardhit nëpër të cilën e shtina pushkën dhe ashtu të mbështetun në nji hu, prej kësaj pozite e shtërngova për krah, e përputha për faqe tue e mbajtë shtërngueshëm ndër duer, sikur duhet kur merr njeriu nishan. Shiqova kështu turtullin nëpër nishan, e vëzhgova dhe nga tronditja ndjeva se m’u dridh cok trupi prej njifarë frige. Animirë, tash asht nevoja me ngrehë çarkim me marrë shej me gjithë mend dhe me qitë.

Në nji ças vendosa për të gjitha. E shtina gishtin në pushkë, e vuna sikur pak përparandej, vetëm se tash aq e shrëngova pushkën sa më dhimbti krahu. Shiqoj turtullin dhe ai gurgon gëzueshëm dhe përdredh kryet e vogël, shiqoj, shiqoj dhe kur mendova se e kam marrë mjaft në shej dhe se duhet me shti; ndjeva njifarë rënqethje, zemra rrahi fort dhe duert m’u dridhën. Ma në fund e quejta Srejën të marrë, që nuk din kurrgja, u zemrova, në vehten time që jam zemërlepër, i mbylla syt dhe fillova me e lëvizë gishtin kah kambza. Gishti e preku kambzën dhe unë sikur u dogja prej saj, m’u ba sikur të gjitha ato tregimet e Srejës do të ndodhin në mue, se më kishte ardhë dekika për të cilën tha Sreja dhe me nji tronditje të madhe tërhoqa kryet mbrapa dhe e largova pushkën prej vedit n’anën e djathtë. Pushka i ra atij hunit tjetër që me këte kryqzohet në çatall dhe kumboi, kurse turtulli i trembun i rrahu krahët, u ngjit nalt dhe fluturoi diku larg.

Mundohesha me ia mbushë vedit mendjen me zor se si m’erdhi keq që më shpëtoi gjahu, por, në të vërtetë, ndjejsha edhe gëzim sikur njeriu që ka shpëtue prej ndonjij rreziku.

Ndjeva, befas, nji qeshje me za prej arës ma t’afërme. Puntorët janë kthye kah unë dhe qeshën se si e Iëshova prej dore gjahun e sigurt.

— Paj, pse nuk po shtin, bre? — bërtiti njani. Nji djalosh nja njizetvjeçar e la drapnin dhe në vrap u drejtue kah unë.

— Më fluturoi — u përgjegja.

— Çka prite?

— Nuk e dij si asht e mbushum pushka, kam frigë mos të pëlcasi.

— Qe ai, ngarendi me shprazë pushkën — bërtiti tjetri, — Mos ia jep!

— Jepja, të paça, le të vritet as! — bërtiti tjetri dhe jehoi gazi.

Ai i skuqun në fytyrë, përspjeti të huejt, i shkaperceu dhe m’u afrue.

— Ku je bre, çfarë pushkze ke… (e muer, filloi me e shique dhe me e vu për faqe)… Ua, sa e lehtë qënka, iu preftë ora!… Kjo mundet me këcye dhe me ta marrë krejt nofullën përnjiherë.

— Të rren, more, qit vëtë! — bërtiti prap ai prej arës, tue ndivnue çka flasin.

— Mos e ndëgjo, të paça shëndosh, të gënjen! — tha ky dhe filloi me u përpjekë që të shofi se si i punon çarku.

— Rueju, pasht zotin, pushka asht e lehtë, ta dijsh.

— Vallë ma e mirë e randa?

— Ma e mirë, nuk këcen!… Në të vërtetë nuk i’a dij hujin derisa mos ta provoj.

— Paj provoje!

Ai u përvodh në korie me pushkë. Nuk shifet me sy. Nji pllumb kungatë në majen e njij dege të thame të njij qarri. Unë dhe puntorët e shiqojmë tue pritë rezultatin me padurim.

Në ndërkohë krisi pushka. Fluturuen shum zogj, disa u ngjitën nalt mbi korie, disa me nji fërshëllimë të rrepië, fluturuen në largsi, erdhi, erë baruti prej pyllit, u ndie nji shushuritje e atillë sikur me qenë diçka tue pikue nëpër tokë. Ai pllumbi fluturoi nalt dhe menjiherë u ul kah toka, gjithnji ma poshtë, ma poshtë, ma përsëkiti dhe ra në megje afër atyne puntorëve. Dy-tre çobaj të vegjël ngarendën dhe zunë me u shtye kur mbërrijën te pllumbi, kush ka me e marrë.

— E vrau, pasha zotin e shpirtin! — vikatën disa prej puntorëve që e kishin ndjekë me kujdes vazhdimisht at punë.

N’at kohë edhe gjuetari duel në patalok, ma la pushkën dhe fugoi kah pllumbi, tue i sha çobajt. Muer pllaumbin prej tyne, e shiqoi dhe nisi me tregue me kënaqsi se si kishte pasë vështirsi me iu afrue tinëz.

Unë shkova te puntorët që të marr vesh prej Arsenit (ashtu e kishte emnin ai që e vrau pllumbin) a këceu pushka shum.

— More unë kam hall sa t’i afrohem, se kur ta shti në shej, si me e pasë në torbën time!

— A këceu? — e ndërpreva.

— Këceu, dhe shum! thashë, pasha fen, ma shkuli faqen!

Tjerët u qeshën e ai vazhdoi:

— Ma jep pushkën që ta baj në gjueti. Për ty asht ndonji që nuk këceu shum.

— Epja atij pllumbin kur asht fisheku i tij! — I tha njani.

— Mirë, por t’mi japin njizet pare.

Unë nxora njizet pare.

— Shiqo, don me m’i dhanë me të vërtetë. Mos m’i jep, pash shëndetin, por tueqenëse ke barut e plumb, eja për ndonji festë te unë që t’i vras disa. Bijnë te na atje në prrue edhe me nji të shtime mundesh me vra dhetë e ma tepër.

Në fund të fundit ia dhanë njizet pare, mora pllumbin e varra për pushkë dhe u nisa atje, n’anën tjetër të kories, që ta pres Srejën, aty ku e prita kur e pruni pushkën.

Sreja u ul në cung dhe kur më shiqoi, më pyeti: — kush ta vrau këtë!

— Çka, kush ma vrau?

— Nuk mundesh ti me vra, s’asht punë e lehtë?

— Bash vetë e kam vra! — e mashtrova, sepse m’erdhi keq që më nënçmon.

Sreja u qesh me pa të keq.

(Faqja tjetër)