Nuk kuptoj

M’erdhi koha me shkue n’ushtri, por kurrkush nuk më thrret. Më kapi njifarë ndiesije patriotike dhe nuk më lente të qetë as ditë as natë. Eci rrugës dhe vetëm i shtrëngoj grushtat; kur ndonji i huej kalon pranë meje, unë i kërcas dhambët dhe shpesh më këcen trilli që të vërsulem e t’ia veshi nji flakareshë. Bij me fjetë dhe tanë natën e lume andrroj se si therri anmiqt, derdhi gjak për farefisin tim dhe hakmerrem për Kosoven. Mezi pres me padurim të më thrrasin, por prita kot.

Shiqoi se si shum vetë i kapin për jake e i çojnë në kazermë dhe cok i kam lakmi.

Nji ditë prej ditësh i erdhi thirrja njij plaku, i cili për nafakë quhej si unë. Çka asht ma tepër, madje, nji thirrje e ashpër në të cilën thuhej që të paraqitet menjiherë në komandë si i arratisun!…

— Çfarë i arratisuni — tha plaku, kur i kam kalue tri lufta dhe kam qenë i plaguem, qe këtu: njifet vendi edhe tash!

— Mirë e ke, por duhet me shkue medoemos te komandanti: kështu asht rregulli.

Plaku shkoi dhe komandanti e përzuni jashtë.

— Kush të ka thirrë ty, more plak i qelbun?! — bërtiti dhe për pak qe tue hangër dhe të rrahuna.

Kështu, sikur mos ta përzejshin plakun n’at mënyrë, unë, dalldisë dhe ba merak tepër në kazermë, qesh gati me mendue se si ka mujtë me shkue aq larg fuqija e proteksionit!

Nga dëshira e flakët rashë në dëshprim. Madje, kur kalojsha rrugës pranë oficerëve, kot i përplassha kambët për toke aq fort sa më dhimshin tabanet, vetëm si me thanë, mos u bijsha në sy atyne si ndonji ushtar i vlefshëm — të gjitha më shkuen huq: nuk më thirrën që nuk më thirrën ushtar kurrsesi.

Kjo punë m’erdhi në maje të hundës dhe unë nji ditë u ula dhe ia shkrova nji lutje komandës që të ketë mirsin me më pranue n’ushtri. E shkrina në të tanë flakën patriotike, dhe në fund thashë:

„Ah, zotni komandant, ta dijshi si më rreh zemra dhe si më vlon gjaku ndër dej, tue pritë orën e dëshirueme tash sa mot kur kam me u quejtë mprojtës i kunorës dhe i atdheut tim, mprojtës i liris dhe i altarit sërb, kur kam me hy edhe unë në radhët e hakmarrësve të Kosovës”!

Aq e stolisa lutjen sa gjithkush kishte me thanë se asht poezi lirike, dhe isha i kënaqun kur mendojsha se nuk më duhej rekomandim ma i madh.

Krejt i lumtun nga shpresa e madhe, u çova dhe fill në komandë.

— A muj me dalë para zotni komandantit? — e pyeta ushtarin që rrinte para derës.

— Nuk e dij, tha ushtari me përtesë dhe i rrudhi krahtë.

— Pyete; thuej: ka ardhë nji, që don me krye shërbimin ushtarak! — i thashë unë tue mendue se ky ka me më pritë më buzë në gaz dhe ka me fugue te komandanti për ta lajmrue, për ardhjen e njij ushtari të ri e se komandanti, madje, ka me dalë në derë fluturimthi, me m’i rrahë krahët dhe me bërtitë: „Kështu, skyfter; ec këndej!”

Në vend të kësaj, ushtari më shiqoi me keqardhje si me dashtë të më thonte me shiqim: „Eh, more balosh, çka të ka rrokë nëpër bark e ngqtesh! Ka me të dalë për hunde!”

Atëherë nuk e kuptova at shiqim dhe u çudjta pse më shiqoj ashtu.

Prita gjatë para derës. Shetita, piva duhan, ndejta, pshtyna, shiqova nëpër dritare, gojita, bisedova më do katundarë që pritshin si unë dhe çka nqk bana tjetër n’at kohë që s’kalonte kurr.

Nëpër të gjitha zyrat punohej gjallnisht; ndihej potera, rraptima dhe shamjet. Vazhdimisht jepeshin urdhna dhe koridori vetëm ushtonte nga britma: „Si urdhnon”. Posa përsëritej disa herë „si urdhnon” dhe urdhni nga ma i nalti ma t’ultit, mbërrinte te ma i riu; ushitari si vetima ngarendte nëpër koridor, prej njij zyre rrasej në nji tjetër. Tash prap në kët të dytën pëlcitte potera dhe prap ndëgjohej me za të naltë disa herë „si urdhnon”, shqiptue me zane të ndryshme, dhe prap ushtari vraponte: shkonte në nji dhomë tjëtër.

Zilja ra në zyrën e komandantit.

Ushtari hyni.

Pënnbrenda u zhvilluen nji murmurim i mbyllët dhe mbas kësaj ushtari klithi „Si urdhnon”.

Atëherë duel krejt i skuqun në fytyrë dhe muer frymë lirisht si me u çlirue prej ndonji frige që shpëtoi ashtu rae faqe të bardhë.

— Hyni, kush don, te zotni komandanti — tha dhe i fshiu djersët nga balli.

Hyna imë i pari.

Komandanti më pret, ulun pranë tavolinës, tue pi duhan me cigarishte qelibari.

— Mirë dita — e përshëndeta në të hymë.

— Ç’ke — më tha me nji za aq të rreptë sa m’u prenë kambët, pa e teprue, ndjeva çiltas se zuna me u kalamendë.

— Pse po bërtitni zotni?! — fillova unë, mbasi e mblodha pakës vedin.

— A thue ti dashke me më mësue, a?! Qërou jashtë! — bërtiti me za edhe ma të naltë dhe i ra dyshemes me kambë.

Ndjeva si më kapën tërqethjet, kurse flakën time patriotike thuese dikush e lagi me ujë, por megjithatë shpresova se puna do të ndryshonte kur t’ia tregoj dëshirën time.

— Unë kam ardhë me shërbye n’ushtri — thashë plot krenari, në drejtqëndrim, dhe e shiqova mu në sy.

— E, ushtar i arratisun! Prit pak, të tillët na edhe i kërkojmë! — bërtiti dhe i ra ziles.

U hap nji derë n’anë të majtë të tavolinës së tij dhe u paraqit nji kapter. Muer drejqëndrim, ngriti kryet çatalloi syt, i paloi duert për kofsha, bani disa hapa ma afër tij tue i përplasë aq fort sa me t’u shurdhue veshët; u ndal, u gatit dhe në qëndrim të përshkruem, si i gurzuem, shqiptoi zashëm:

— Urdhnoni, zotni kolonel!

— Këte këtu merre shpejt me vedi, qethe, vishe dhe mbylle në fjokë!

— Si urdhnon.

— Qe lutjen, Ju lutem!… Nuk jam i arratisun, por due me krye shërbimin ushtark — thashë tue u dridhë.

— Nuk je i arratisun? Atëherë çka don me at hitje?

— Due të jem ushtar!

Ai u zmbrap pak, e rrudhi njanin sy dhe me nji ton shpotitës tha:

— Ta merr mendja, don burri i dheut n’ushtri!… Hm, ashshshtu demek!… shkurt e shpejt, fill prej sokakut në kazermë për ta heqë qafe sa ma parë shërbimin ushtarak, thuese këtu mund të vijë kush mundet.

— Tash e kam kohën.

— Nuk të njof dhe s’due me ndie… — filloi komandanti dhe në ndërkohë hyni nji oficer me njifarë akti.

— Kqyrni atje, në listën e rekrutëve, kur asht shkrue ky! — i tha ai oficerit dhe tregoi me dorë kah unë; tue më shique, pyeti:

— Si quhesh?!

Unë ia shtrina lutjen.

— Çka më duhen mue profkat tua — bërtiti; dhe i ra lutjes me dorë, ajo u rrexue në dysheme.

„Uh, nji stil kaq i bukur”, — mendova dhe harrova me e tregue emnin prej pikllimit.

— Si quhesh, pse nuk flet — bërtiti.

— Radosav Radosavleviq.

— Kqyrni në listën e rekrutëvë — urdhnoni oficerin.

— Si urdhnon — tha ky dhe hyni në zyrën e vet dhe e urdhnoi njanin prej oficerëve ma të rij.

— Kqyrni në librin e rekrutëve a ndodhet ndonji Radosav?

— Si urdhnon — bërtiti oficeri i dytë dhe doli në koridor, e thirri kapterin dhe i dha të njajtin urdhën.

— Si urdhnon — përgjegji me za bumbullues.

Kapteri i dha të njajtin urdhën rreshterit, ky tetarit dhe tetari njij ushtari.

Vetëm ndihet si kërcasin hapat, ndalet njani para tjetrit dhe çdo gja merr fund me „si urdhnon”.

— Lista, l i i i s t a! — u ndie nëpër tanë entin dhe filluen me rraptue, tue i heqë prej raftit dengat e shumtë të pluhnosun shushurisin fletët, e kërkojnë në pupa.

Ndërsa ndodhshin të gjitha këto, unë rrijsha në nji qoshe të zyrës së komandantit tue mos guxue as me marrë frymë, aq më kishte kapë njifarë frige. Komandanti rrinte dhe pinte duhan tue shfletsue nji notes.

Me të njajtin rend sikurse ishte dhanë urdhni, erdhi afërsisht edhe përgjigja, vetëm tash kjo u nis prej ma të riut dhe mbërrini deri te kapteri.

Hyni kapteri te komandanti.

— Ç’ke?

— Kam nderin me lajmrue zotni kolonelin se ai ushtari, të cilin e kemi kërkue, — ka vdekë.

Unë e humba vedin dhe qesh gati në kët turbullim e frigë me e besue edhe kët gja.

— Ai ushtari ka vdekë! — tha komandanti.

— Por unë jam gjallë — bërtita frigueshëm si me qenë me të vërtetë tue shpëtue prej vdekjes.

— Hajt, hup! Ti për mue je i vdekun; nuk ekziston në botë derisa të të dërgojë komuna!

— Ju vërtetoj se imë jam ai… nuk jam i vdekun, qe tek më ke.

— Jashtë, në listë thot, „i vdekun”, kurse ti don me më vërtetue!?

Nuk dijsha çka me ba dhe dola.

Shkova në shtëpi (jetojsha në nji vend tjetër) dhe për disa dit nuk mujta me ardhë në vedi. Nuk më ra ma në mend me shkrue lutje.

Nuk kishin kalue as tre muej prej asaj kohe dhe akti mbërrini prej komandës në vendin tonë që komuna të më lajmrojë me u paraqitë mbrenda njizet e katër orësh.

— Ti je ushtar i arratisun — më tha nji kapiten te i cili më çoi ushtari.

Unë ia tregova krejt punën çka kishte ndodhë kur isha paraqitë te komandanti.

— Mirë, shko pra, derisa të kullohet kjo punë.

Unë shkova.

Posa u ktheva në vendin tim mbërrini thirrja prej njij komande tjetër.

Më thirrën atje, t’i paraqitem menjiherë komandës sime, pse atje kisha hy gabim në listën e tyne.

Shkova në komandën time dhe tregova se më thrret komanda… që të më kumtojë me u paraqitë këtu.

— Paj pse me ardhë këtu!?

— Pse me shkue atje kur ata kanë me më çue këtu dhe, mbasi jam këtu — fillova me arsyetue, do t’ishte marri me shkue në komandën e atjeshme.

— Ti paske ardhë me na spjegue punën a? Nuk bahet kështu, gjithkund dihet rregulli…

— Çka me ba! S’kisha kah me ia mbajtë pos me shkue prej K… në M… që atje të më kumtojnë që të shkoj në K… ku dhe u nisa.

U paraqita, pra, në komandën e atjeshme.

Prap urdhna, hapa „si urdhnon” — dhe më thanë ma së mbrami se as që më ka thirrë kush…

U ktheva në shtëpi. Posa e çlodha shpirtin dhe qe prap akti prej M… në të ciiin thuhej se kjo asht thirrja e dytë, se do të më shoqnojnë me roje dhe dënojnë poqese nuk paraqitem në kohën e caktueme.

Vrapova prap pa shpirt.

Ma banë kumtimin.

Qe kështu, pak ma vonë hyna në kazermë dhe e kreva shërbimin ushtarak dy vjeçar.

Kishin kalue pesë vjet prej asaj kohe. Unë gati kisha harrue se kisha qenë ushtar.

Nji ditë më thirrën në komune.

Shkova. Kur atje nji deng kolosal aktesh prej komandës: dengu i kishte dhetë kilogram. Do sende të qepuna të bashkueme njani me tjetrin dhe dengu ishte rritë aq shum sa u ishte dashtë patjetër me e nda dyzash.

— Më kanë urdhnue me ju çue në komandë — më tha kryeplaku.

— Vallë prap, a?! — bërtita prej çudis.

Mora këto akte. Në to mija nënshkrime, urdhna, spjegime, paditje, përgjigje, vula fetarësh, kapitenash, nënprefektash, shkollash, komunesh divizionesh dhe çka mos tjetër. I shqyrtova të gjitha këto dhe pashë se ishte vërtetue zyrtarisht se jam gjallë dhe se më thrrasin menjiherë me krye shërbimin ushtarak në kuadrin aktiv.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Ознаке:, , , , , , , , ,

About Домановић

https://domanovic.wordpress.com/about/

Оставите одговор

Попуните детаље испод или притисните на иконицу да бисте се пријавили:

WordPress.com лого

Коментаришет користећи свој WordPress.com налог. Одјавите се /  Промени )

Google+ photo

Коментаришет користећи свој Google+ налог. Одјавите се /  Промени )

Слика на Твитеру

Коментаришет користећи свој Twitter налог. Одјавите се /  Промени )

Фејсбукова фотографија

Коментаришет користећи свој Facebook налог. Одјавите се /  Промени )

Повезивање са %s

%d bloggers like this: