Tag Archive | zyra

Kraleviq Marku për herën e dytë midis Sërbëve (4/5)

(Faqja e meparshme)

Marku hyni, u përzie në grumbull dhe u ul në skaj në nji karrikë, që të mos bijë në sy shtati i tij i madh.

Njerëz mos me pasë ku me e shti gjylpanën, të gjithë ishin t’emocionuem prej fjalimeve të flakta e diskutirheve dhe kurrkush as që e vuni re Markun.

Në vendin e nderit tribuna, në te tavolina për kryesin dhe nji tavolinë për sekretarët.

Qëllimi i mbledhjes ishte me dhanë nji rezolucion me të cilin duhej dënue sjelljen barbare t’Arnautëve në Kosovë dhe në tanë Sërbin e Vjetër e Maqedoni dhe zullumet që pësojshin Sërbët prej tyne në votrën e vet të lindjes.

Prej fjalëve që foli kryetari, tue spjegue qëllimin e mbledhjes, Marku u shndërrue. Syt filluen me i shëndritë nga nji zjarr i tmershëm, tanë trupi iu dridh, i mblodhi grushtat gati për luftë, zu me u shtrëngue dhe dhambët i caklluen.

— Mezi njiherë rashë në Sërbë të vërtetë, të cilët i kam lypë. Ata më kanë thirrë mue!… — mendoi Marku i gëzueshëm dhe kënaqej se ka me i gëzue kur t’i paraqitet. Sillej në karrikë prej padurimit sa për pak ajo nuk u thye krejt. Por nuk deshti menjiherë, priti çastin ma të përshtatshëm.

— E ka fjalën Mark Markoviqi — kumtoi kryetari dhe i ra ziles.

Të gjithë heshtën që ta ndijnë gojtarin ma të mirë.

— Zotni dhe shokë! — filloi ai. — Nuk asht gja e mirë për ne, por vetë rrethanat, vetë ndiesija me shtyen që ta filloj fjaIimin tim me vargjet e Jakshiqit:

„Na Sërbë nuk jemi, na njerëz nuk jemi!…
Ah t’ishim Sërbë, ah t’ishim njerëz
Athue n’at mënyrë, ng’Avall’e kaltërt
Do t’kqyrshim ftoftë n’çastin e zjarrtë
A thue n’a mënyrë, oh, vllazën, t’dashtun
A thue n’at mënyrë do t’na përbuzshit.”

Mbretnoi heshtja. Kurrkush s’merrte frymë. Heshtjen e theu për nji ças vetëm kërcitja e dhambëve të Markut dhe krikllimi i karrikës, në të cilën rrinte; shum vetë përrreth e shiquen me urrejtje e përbuzje pse e prishi at heshtje të shejtë, patriotike.

Gojtari vazhdoi:

— Po, shokë, qortim i tmershëm i poetit të madh për kët breznin tonë të mefshtë. Na shiqojmë qetsisht se si çdo ditë bijnë fli nga disa Sërbë prej hanxharit gjaksuer arnaut, shiqojmë si digjen shtëpijat sërbe në kryeqytetin e Dushanit, se si çnderohen vajzat sërbe dhe populli pson vuejtjet ma të mëdha, këtu, ndër krahina ku gjindeshin lavdija e vjetër sërbe dhe zotnillëku. Po, vllazën, prej këtyne krahinave si dhe prej PriIepit atdheut të fatosit tonë ma te madh, Kraleviqit, ndjeni fshamjet e robnis dhe tingllimin e verigave të cilat ende i tërheqin stërnipat e mjerë të Markut, kurse Kosova e mjerë ende tash çdo ditë vaditet me gjakun sërb, ende pret hakmarrje, ende asht e etshme për gjakun e anmikut, të cilën e kërkon gjaku i drejtë i Llazarit dhe i Obiliqit. E na edhe sot mbi atë fushë të mjerë lufte, mbi at vorr të shejtë të kreshnikëve tanë vigana, mbi at sqenë të lavdis s’Obiliqit të pavdekshëm, mundemi me rënkue me at jehun e trishtueshëm të lahutës, të cilin populli e përcjell me kangë në të cilën trimi ynë i madh Kraleviqi, si përfaqsues i zis së popullit, derdh lot prej syve dhe flet:

„Tungjatjeta, oj Kosovë e rrafshët.
Pse ti mue m’prite me trishtim!”

Prej këtyne fjalëve Markut iu rrokullisën lotët si arrat, por nuk deshti me u paraqitë. Pritte çka do të bajshin ma vonë. Aq iu mbarue qejfi sa i harroi dhe i fali te gjitha vuejtjet që i hoqi deri tash. Për nji ças të këtillë kishte me dhanë gadi edhe kryet e vet kuqlosh. Bile ishte gadi me u nisë për Kosovë, edhe sikur të binte prap në burg.

— Këto fjalë therin në zemër çdo Sërb, gjithë populli ynë këtu qan me Markun, por veç këtyne lotëve bujarë të kreshnikut tonë të madh, na duhen edhe musklat e Kraleviqit e të Obiliqit! — vazhdon gojtari gjithnji ma me nxehtsi.

Marku, syt gjak, me shiqim të tmershëm këceu dhe me grushta të shtëmguem të ngritun sipër kres, iu vërsul kuvendtarit si lua i egërsuem. Shum vetë i rrxoi dhe i shkeli me kambë dhe filloi kukama. Kryetari dhe sekretarët e mbuluen fytyrën me duer dhe u rrasën nën tavolihë prej frige, kurse Sërbët e entuziazmuem e zunë derën me nji klithmë të tmershme, të dëshprueme:

— Ndiiihmëë!

Gojtari u zverdh, e lëshuen kambët, u dridh si në ethe, shiqimi iu shtangue, buzët iu irnosën, u mundue me e gëlltitë pshtymën dhe zgjati qafën e i kapsiti syt. Marku mbërrini te ai, i vërtiti duert mbi kryet e tij dhe bërtiti me za të tmershëm:

— Qe Marku, mos u frigoni, vllazën!

Djersa e mbuloi gojtarin, u ba në fytyrë si çivit, u luhat dhe ra si qiriu.

Marku u prapsue, i nguli syt n’at të mjerin e vilanosun, i lëshoi duert, dhe me shprehjen e nji çudije jo të rëndomtë, vëzhgoi rreth vedit. U shtangue prej çudis kur pa se si Sërbët zunë derën dhe dritaret tue bërtitë dëshprueshëm: „Ndihmë! Policija… Krimineli!”

Marku u kapit prej çudis, u lëshue në nji karrigë dhe e zhyti kryet midis duerve të veta përbeti e leshatuke.

Tash i erdhi randë ma së tepërmi, sepse, mbas nji shprese aq të madhe në sukses të sigurt dhe mbas aq entuziazmi, situata ndryshoi menjiherë dhe befas.

Marku qëndroi gjatë ashtu pa lëviz si i gurzuem.

Pak nga pak filloi me u fashitë kukama dhe në vend t’asaj potere të tmershme të pak maparshme mbretnoi nji heshtje vorri, në të cilën mund të ndëgjohej mirë frymëmarrja mjaft e randë e gojtarit të vilanosun, që filloi me ardhë në vedi nji grimë. Kjo heshtje e papritun e çuditshme bani që kryetari i mbledhjes, nënkryetari e sekretarët filluen me e çue kryet pak nga pak, frigueshëm e me kujdes. Shiqojshin njani tjetrin të friguem me nji shprehje të çuditshme si të dojshin me pyetë: „Çka u ba kështu, pashë zotin?” Mandej filluen me shique rreth vedit me çudi edhe ma të madhe. Salla mbeti gadi e shpraztë, tash vetëm nga jashtë shum patriotë i zgjatshin krehat me pa nëpër derë e dritare të hapuna. Marku në sallë si gur, rrinte në karrikë, me brryla ndër gjuj dhe kryet e pshtetun ndër duer. Nuk lëvizte, nuk i ndihej as frymmarrja. Ata të shkelunit u tërhoqën rrëshqan përjashta mbrapa tjetërve, kurse gojtari i vilanosun erdhë në vedi, shiqoi edhe ai frigueshëm rreth vedit, kontrolloi vedin me dorë, shiqoi kryetarin dhe sekretarët, ai ata e ata ate, thuese me çudi e me frigë, pyetshin njani tjetrin: „Çka ndodhi kështu me ne? A thue kemi mbetë vërtetë gjallë?” Shiqimet e të gjithëve u ndaluen me çudin ma të madhe në Markun dhë mandej prap i këmbyen shiqimet midis tyne, thuese me shprehjen e fytyrave pyetshin e përgjegjeshin: „Kush ësht ky gogol? Çka të bajmë?! — Nuk dij!”

Ajo hështje e papritun ndikoi edhe në Markun që ta çojë kryet. Edhe në fytyrën e tij gjindej gadi e njajta shprehje çudije: „Çka ndodhi kështu befas, vllazën te mij, pafshi zotin!?”

Ma në fund, Marku, me delikatesë, butë, aq sa mundte, ia drejtoi fjalën atij gojtarit me nji shiqim plot mshirë:

— Çka të gjetë që u rrxove, bre vlla i dashtun?…

— Më ra me grushtë! — tha ai qortueshëm dhe e preku me dorë tepen e kres.

— Paj unë as nuk të kam prekë, pasha zotin dhe shën Gjonin! Ti fole mirë dhe tha se Sërbëve u duhet krahu i djathtë i Markut dhe tueqenëse unë jam kamb’ e krye Kraleviq Marku vetëm t’u paraqita; mirëpo ti u tmerove.

Të gjithë të pranishmit u hutuen ende ma keq dhe filluen me u largue kadalë prej Markut.

Marku tash tregoi çka e shtyni me iu lutë zbtit që ta lejojë me ardhë midis Sërbëve dhe çka ndodhi krejt me te, e çfarë vuejtjesh pësoi, së si ia rrëmbyen armët, petkat e calikun dhe si kaloi Sharaci, tue tërhëqë tramvaje dhe tue sjellë dollapin e kopshtarit.

Tash gojtari erdhi nji grimë në vedi dhe tha:

— Eh, vlla, ke punue cok marrzisht.

— Më duel ma mbi kapuç kukama dhe thirrja e pamejshme. U valavita në vorr, u valavita ma tepër se pesë kavaljete dhe nuk mujta cok me durue ma tepër!

— Ama në kangë këndohen ato sende, bre vlla, i im! Njerzit vetëm këndojnë ashtu. Ti nuk din çka asht poezija.

— Mirë, të lutem, rijerzit këndojnë, por ju ashtu edhe keni folë, qe, ti mu tash fole poashtu!

— Mos u ban naiv, të lutem, vlla, nuk asht gjithmonë çdo gja ashtu sikurse flitet. Njeriu ashtu flet që stili të jetë ma i bukur, ma i hieshëm! Shifet se as retorikën nuk e din. Ti je njeri i kallëpit të moçëm, or vlla, prandej nuk din shum sende. Shkenca, i dashtun i im, ka shkue shum përpara. Flas, ta merr mendja, por ti duhet ta dijsh se, simbas rregullave të retorikës gojtari duhet të këtë stil të bukur, të hieshëm, te ketë mjeshtri me i entuziazmue ndëgjuesit, të përmendë gjak, thikë dhe hanxhar, verigat e robnis dhe luftën! Të gjitha këto vetëm për punë të bukuris së stilit, e kurrkush nuk mendon seriozisht, sikurse mendon ti, se duhet menjiherë me i përvjelë duert, dhe hajde, hidhu në luftë me gjithë mend. Po kështu edhë në kangë hidhet fraza: „Çou, o Mark…” e tjera, por kjo asht për punë të bukris… Nuk kupton, vlla, ke ba marri; shifet se je njeri i thjeshtë, i kallëpit të vjetër. I merr fjalët ende në kuptimin ad literam dhe nuk e din se stili letrar fillon menjiherë me dukunin e tropes dhe të figurave.

— Çka të baj tash? As zoti nuk më thrret që të kthehem mbrapa, as këtu s’mundem me qëndrue.

— Vërtet hall i madh — ndërhyni kryetari si i brengosun.

— Shum hall i madh — edhë tjerët thanë me të njajtin ton.

— Sikur të kishit zhiranta të mirë dhe të merrshit disi pare me kambial! — tha gojtari.

Marku nuk kuptoi.

— A keni miq të mirë këtu në vend?

— Përpos zotit s’gjindet kush për mue.
Nuk e kam paj probatimin t’im
Probatimin Obiliq Milloshin
Probatimin Millan prej Toplicës
Probatimin…

Marku deshti me rreshtue edhe ma, por ai gojtari e ndërpreu:

— Dy kishin me qenë mjaft, nuk duhen ma tepër!

— Por, po mendoj diçka… fiiloi kryetari mendueshëm, me madhshti e u ndal tue fërkue ballin me dorë, mbas nji heshtjeje të shkurtë iu drejtue Markut me pyetje:

— A?… A din me këndue e me shkrue?

— Dij hem me këndue hem me shkriie — tha Marku.

— Po mendoj diçka, qysh kishte me qenë sikur të paraqesish disi lutje për ndonji detyrë. Kishe me mujtë me u lutë ndokund që të të shtinë në punë si praktikant.

Marku mezi u muer vesh me ta çka asht praktikanti dhe në fund të fundit pranoi, sepse i thanë që në krye të motmotit do të kishte nga gjashtëdhetë-shtatëdhetë duket e ai trimi ishte filuz.

Ia shkruen lutjen, i dhanë nji gjysëm dinari për pullë dhe nji gjysëm dinari që t’i gjindej në ngushticë, poqese do t’i ndodhte ndonji fatkeqsi dhe e drejtuen që ta jepte lutjen në Ministrin e mbrendshme.

(Faqja tjetër)

Nuk kuptoj

M’erdhi koha me shkue n’ushtri, por kurrkush nuk më thrret. Më kapi njifarë ndiesije patriotike dhe nuk më lente të qetë as ditë as natë. Eci rrugës dhe vetëm i shtrëngoj grushtat; kur ndonji i huej kalon pranë meje, unë i kërcas dhambët dhe shpesh më këcen trilli që të vërsulem e t’ia veshi nji flakareshë. Bij me fjetë dhe tanë natën e lume andrroj se si therri anmiqt, derdhi gjak për farefisin tim dhe hakmerrem për Kosoven. Mezi pres me padurim të më thrrasin, por prita kot.

Shiqoi se si shum vetë i kapin për jake e i çojnë në kazermë dhe cok i kam lakmi.

Nji ditë prej ditësh i erdhi thirrja njij plaku, i cili për nafakë quhej si unë. Çka asht ma tepër, madje, nji thirrje e ashpër në të cilën thuhej që të paraqitet menjiherë në komandë si i arratisun!…

— Çfarë i arratisuni — tha plaku, kur i kam kalue tri lufta dhe kam qenë i plaguem, qe këtu: njifet vendi edhe tash!

— Mirë e ke, por duhet me shkue medoemos te komandanti: kështu asht rregulli.

Plaku shkoi dhe komandanti e përzuni jashtë.

— Kush të ka thirrë ty, more plak i qelbun?! — bërtiti dhe për pak qe tue hangër dhe të rrahuna.

Kështu, sikur mos ta përzejshin plakun n’at mënyrë, unë, dalldisë dhe ba merak tepër në kazermë, qesh gati me mendue se si ka mujtë me shkue aq larg fuqija e proteksionit!

Nga dëshira e flakët rashë në dëshprim. Madje, kur kalojsha rrugës pranë oficerëve, kot i përplassha kambët për toke aq fort sa më dhimshin tabanet, vetëm si me thanë, mos u bijsha në sy atyne si ndonji ushtar i vlefshëm — të gjitha më shkuen huq: nuk më thirrën që nuk më thirrën ushtar kurrsesi.

Kjo punë m’erdhi në maje të hundës dhe unë nji ditë u ula dhe ia shkrova nji lutje komandës që të ketë mirsin me më pranue n’ushtri. E shkrina në të tanë flakën patriotike, dhe në fund thashë:

„Ah, zotni komandant, ta dijshi si më rreh zemra dhe si më vlon gjaku ndër dej, tue pritë orën e dëshirueme tash sa mot kur kam me u quejtë mprojtës i kunorës dhe i atdheut tim, mprojtës i liris dhe i altarit sërb, kur kam me hy edhe unë në radhët e hakmarrësve të Kosovës”!

Aq e stolisa lutjen sa gjithkush kishte me thanë se asht poezi lirike, dhe isha i kënaqun kur mendojsha se nuk më duhej rekomandim ma i madh.

Krejt i lumtun nga shpresa e madhe, u çova dhe fill në komandë.

— A muj me dalë para zotni komandantit? — e pyeta ushtarin që rrinte para derës.

— Nuk e dij, tha ushtari me përtesë dhe i rrudhi krahtë.

— Pyete; thuej: ka ardhë nji, që don me krye shërbimin ushtarak! — i thashë unë tue mendue se ky ka me më pritë më buzë në gaz dhe ka me fugue te komandanti për ta lajmrue, për ardhjen e njij ushtari të ri e se komandanti, madje, ka me dalë në derë fluturimthi, me m’i rrahë krahët dhe me bërtitë: „Kështu, skyfter; ec këndej!”

Në vend të kësaj, ushtari më shiqoi me keqardhje si me dashtë të më thonte me shiqim: „Eh, more balosh, çka të ka rrokë nëpër bark e ngqtesh! Ka me të dalë për hunde!”

Atëherë nuk e kuptova at shiqim dhe u çudjta pse më shiqoj ashtu.

Prita gjatë para derës. Shetita, piva duhan, ndejta, pshtyna, shiqova nëpër dritare, gojita, bisedova më do katundarë që pritshin si unë dhe çka nqk bana tjetër n’at kohë që s’kalonte kurr.

Nëpër të gjitha zyrat punohej gjallnisht; ndihej potera, rraptima dhe shamjet. Vazhdimisht jepeshin urdhna dhe koridori vetëm ushtonte nga britma: „Si urdhnon”. Posa përsëritej disa herë „si urdhnon” dhe urdhni nga ma i nalti ma t’ultit, mbërrinte te ma i riu; ushitari si vetima ngarendte nëpër koridor, prej njij zyre rrasej në nji tjetër. Tash prap në kët të dytën pëlcitte potera dhe prap ndëgjohej me za të naltë disa herë „si urdhnon”, shqiptue me zane të ndryshme, dhe prap ushtari vraponte: shkonte në nji dhomë tjëtër.

Zilja ra në zyrën e komandantit.

Ushtari hyni.

Pënnbrenda u zhvilluen nji murmurim i mbyllët dhe mbas kësaj ushtari klithi „Si urdhnon”.

Atëherë duel krejt i skuqun në fytyrë dhe muer frymë lirisht si me u çlirue prej ndonji frige që shpëtoi ashtu rae faqe të bardhë.

— Hyni, kush don, te zotni komandanti — tha dhe i fshiu djersët nga balli.

Hyna imë i pari.

Komandanti më pret, ulun pranë tavolinës, tue pi duhan me cigarishte qelibari.

— Mirë dita — e përshëndeta në të hymë.

— Ç’ke — më tha me nji za aq të rreptë sa m’u prenë kambët, pa e teprue, ndjeva çiltas se zuna me u kalamendë.

— Pse po bërtitni zotni?! — fillova unë, mbasi e mblodha pakës vedin.

— A thue ti dashke me më mësue, a?! Qërou jashtë! — bërtiti me za edhe ma të naltë dhe i ra dyshemes me kambë.

Ndjeva si më kapën tërqethjet, kurse flakën time patriotike thuese dikush e lagi me ujë, por megjithatë shpresova se puna do të ndryshonte kur t’ia tregoj dëshirën time.

— Unë kam ardhë me shërbye n’ushtri — thashë plot krenari, në drejtqëndrim, dhe e shiqova mu në sy.

— E, ushtar i arratisun! Prit pak, të tillët na edhe i kërkojmë! — bërtiti dhe i ra ziles.

U hap nji derë n’anë të majtë të tavolinës së tij dhe u paraqit nji kapter. Muer drejqëndrim, ngriti kryet çatalloi syt, i paloi duert për kofsha, bani disa hapa ma afër tij tue i përplasë aq fort sa me t’u shurdhue veshët; u ndal, u gatit dhe në qëndrim të përshkruem, si i gurzuem, shqiptoi zashëm:

— Urdhnoni, zotni kolonel!

— Këte këtu merre shpejt me vedi, qethe, vishe dhe mbylle në fjokë!

— Si urdhnon.

— Qe lutjen, Ju lutem!… Nuk jam i arratisun, por due me krye shërbimin ushtark — thashë tue u dridhë.

— Nuk je i arratisun? Atëherë çka don me at hitje?

— Due të jem ushtar!

Ai u zmbrap pak, e rrudhi njanin sy dhe me nji ton shpotitës tha:

— Ta merr mendja, don burri i dheut n’ushtri!… Hm, ashshshtu demek!… shkurt e shpejt, fill prej sokakut në kazermë për ta heqë qafe sa ma parë shërbimin ushtarak, thuese këtu mund të vijë kush mundet.

— Tash e kam kohën.

— Nuk të njof dhe s’due me ndie… — filloi komandanti dhe në ndërkohë hyni nji oficer me njifarë akti.

— Kqyrni atje, në listën e rekrutëve, kur asht shkrue ky! — i tha ai oficerit dhe tregoi me dorë kah unë; tue më shique, pyeti:

— Si quhesh?!

Unë ia shtrina lutjen.

— Çka më duhen mue profkat tua — bërtiti; dhe i ra lutjes me dorë, ajo u rrexue në dysheme.

„Uh, nji stil kaq i bukur”, — mendova dhe harrova me e tregue emnin prej pikllimit.

— Si quhesh, pse nuk flet — bërtiti.

— Radosav Radosavleviq.

— Kqyrni në listën e rekrutëvë — urdhnoni oficerin.

— Si urdhnon — tha ky dhe hyni në zyrën e vet dhe e urdhnoi njanin prej oficerëve ma të rij.

— Kqyrni në librin e rekrutëve a ndodhet ndonji Radosav?

— Si urdhnon — bërtiti oficeri i dytë dhe doli në koridor, e thirri kapterin dhe i dha të njajtin urdhën.

— Si urdhnon — përgjegji me za bumbullues.

Kapteri i dha të njajtin urdhën rreshterit, ky tetarit dhe tetari njij ushtari.

Vetëm ndihet si kërcasin hapat, ndalet njani para tjetrit dhe çdo gja merr fund me „si urdhnon”.

— Lista, l i i i s t a! — u ndie nëpër tanë entin dhe filluen me rraptue, tue i heqë prej raftit dengat e shumtë të pluhnosun shushurisin fletët, e kërkojnë në pupa.

Ndërsa ndodhshin të gjitha këto, unë rrijsha në nji qoshe të zyrës së komandantit tue mos guxue as me marrë frymë, aq më kishte kapë njifarë frige. Komandanti rrinte dhe pinte duhan tue shfletsue nji notes.

Me të njajtin rend sikurse ishte dhanë urdhni, erdhi afërsisht edhe përgjigja, vetëm tash kjo u nis prej ma të riut dhe mbërrini deri te kapteri.

Hyni kapteri te komandanti.

— Ç’ke?

— Kam nderin me lajmrue zotni kolonelin se ai ushtari, të cilin e kemi kërkue, — ka vdekë.

Unë e humba vedin dhe qesh gati në kët turbullim e frigë me e besue edhe kët gja.

— Ai ushtari ka vdekë! — tha komandanti.

— Por unë jam gjallë — bërtita frigueshëm si me qenë me të vërtetë tue shpëtue prej vdekjes.

— Hajt, hup! Ti për mue je i vdekun; nuk ekziston në botë derisa të të dërgojë komuna!

— Ju vërtetoj se imë jam ai… nuk jam i vdekun, qe tek më ke.

— Jashtë, në listë thot, „i vdekun”, kurse ti don me më vërtetue!?

Nuk dijsha çka me ba dhe dola.

Shkova në shtëpi (jetojsha në nji vend tjetër) dhe për disa dit nuk mujta me ardhë në vedi. Nuk më ra ma në mend me shkrue lutje.

Nuk kishin kalue as tre muej prej asaj kohe dhe akti mbërrini prej komandës në vendin tonë që komuna të më lajmrojë me u paraqitë mbrenda njizet e katër orësh.

— Ti je ushtar i arratisun — më tha nji kapiten te i cili më çoi ushtari.

Unë ia tregova krejt punën çka kishte ndodhë kur isha paraqitë te komandanti.

— Mirë, shko pra, derisa të kullohet kjo punë.

Unë shkova.

Posa u ktheva në vendin tim mbërrini thirrja prej njij komande tjetër.

Më thirrën atje, t’i paraqitem menjiherë komandës sime, pse atje kisha hy gabim në listën e tyne.

Shkova në komandën time dhe tregova se më thrret komanda… që të më kumtojë me u paraqitë këtu.

— Paj pse me ardhë këtu!?

— Pse me shkue atje kur ata kanë me më çue këtu dhe, mbasi jam këtu — fillova me arsyetue, do t’ishte marri me shkue në komandën e atjeshme.

— Ti paske ardhë me na spjegue punën a? Nuk bahet kështu, gjithkund dihet rregulli…

— Çka me ba! S’kisha kah me ia mbajtë pos me shkue prej K… në M… që atje të më kumtojnë që të shkoj në K… ku dhe u nisa.

U paraqita, pra, në komandën e atjeshme.

Prap urdhna, hapa „si urdhnon” — dhe më thanë ma së mbrami se as që më ka thirrë kush…

U ktheva në shtëpi. Posa e çlodha shpirtin dhe qe prap akti prej M… në të ciiin thuhej se kjo asht thirrja e dytë, se do të më shoqnojnë me roje dhe dënojnë poqese nuk paraqitem në kohën e caktueme.

Vrapova prap pa shpirt.

Ma banë kumtimin.

Qe kështu, pak ma vonë hyna në kazermë dhe e kreva shërbimin ushtarak dy vjeçar.

Kishin kalue pesë vjet prej asaj kohe. Unë gati kisha harrue se kisha qenë ushtar.

Nji ditë më thirrën në komune.

Shkova. Kur atje nji deng kolosal aktesh prej komandës: dengu i kishte dhetë kilogram. Do sende të qepuna të bashkueme njani me tjetrin dhe dengu ishte rritë aq shum sa u ishte dashtë patjetër me e nda dyzash.

— Më kanë urdhnue me ju çue në komandë — më tha kryeplaku.

— Vallë prap, a?! — bërtita prej çudis.

Mora këto akte. Në to mija nënshkrime, urdhna, spjegime, paditje, përgjigje, vula fetarësh, kapitenash, nënprefektash, shkollash, komunesh divizionesh dhe çka mos tjetër. I shqyrtova të gjitha këto dhe pashë se ishte vërtetue zyrtarisht se jam gjallë dhe se më thrrasin menjiherë me krye shërbimin ushtarak në kuadrin aktiv.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)