Nga shënimet e katundit (4/4)

(Faqja e meparshme)

IV
SHPIRTI I MIRË

Dikush lufton për pushtet, dikush për zotnillëk, dikush për begati, dikush që t’i eci puna mbarë në dashni, dikush për pozitë, dikush për fron, dikush për lavdi, kurse ajo, nafakë premja, luftoi tanë jetën për sapun. Dhe jo për ndonji sapun të shtrejtë, por për sapun teshash, sapun petkash, si e thrrasin katimdarët sapunin me duhmë të randë. Qe, tue luftue për at sapun, e kaloi jetën.

E mbaj në mend qysh kur isha fëmi. E vogël, e bashme, pakëz shqepon me kërdhokullin e djathtë. Kryet bukur i madh, fytyra ziverdhë, e shëmtuet, gjithmonë me zbokth nga përdorimi i shumtë i sapunit; goja e hollë, e lagët, e gjanë; syt e veckël, simpatikë, të pikllueshëm, shiqojnë nën shamin e pastër, të cilën e ngreh gati mu në sy. Qyshse e mbaj në mend ajo asht e vejë; jetonte me vllaznin në nji familje patriarkale dhe kryente detyrën si komandant i fëmijve.

Ajo i ushqen, u këndon, i përkdhel me fjalë. Ajo, si thot me mjeshtri, „bjen cop” që të flejnë, ajo i zgjon, ajo gjithçka. Edhe ajo hante drekë, darkë e flente n’at kamp fëmijsh, megjithse e kishte kthinzën e vet.

Këtu soll të hyj njeri dhe të shohë se ajo nuk lufton kot gjithë jetën e saj për sapun. Erson pastërtija dhe fasligeni. Edhë veshmbathja e saj asht e pastër prej majes se kres deri në fund të kambëve. Çdo kërpë, të cilën e gjen n’oborr (edhe kët pimë e bante) asht e lame dhe e palueme mirë.

— Pse? Ka me u dashtë edhe kjo për arrnesë, kurse ata e kanë hjedhë! — flet dhe e çon kërpën prej tokës, por nuk e len të ndytë. Menjiherë merr sapun e ujë dhe e lan ate tue ndrrue ujin tri herë dhe tri herë e fërkon me sapun.

Rrin midis oborrit me fëmij, përtyp bukën, kurse fëmijt nga dy-tre ndër grumbujz, hanë bukë me tambël, e edhe zihen, rrahen me lugë ndër vedi dhe flokzit u zbardhen krejt prej tamblit. Ajo ndërhyn, ban fjalë me ta, fëmijt nuk e kanë frigë, nuk i ndëgjojnë dhe ajo ia shkreh vajit dhe zen me mallkue fatin, kurse fëmijt shpërthehen gazit. Atëherë në çastin e fundit kërkon intervenimin e fuqive të jashtme dhe thrret në ndihmë etnit dhe nanat. Kur e ven qetsin ajo prap u këndon fëmijve ndonji kangë përkdhelse në mënyrën e saj të veçantë.

Kurrkush nuk ka bisedue kurr me te seriozisht. Çdo bisedë me të asht tallje në lidhje me sapunin e saj. Gjithmonë me fëmij, edhe ajo me vjet u ba fëmi i vërtetë. Herë qan për kurrgjasend, herë qeshet sa i shkojnë lotët.

Nganjiherë dëshirat e saj shtriheshin deri te ndonji shami ose bluzë pambuku, edhepse n’arkë kishte shamija të reja të papërdoruna që i kishte marrë ndër darsma para kaq e kaq vjetësh, por ajo ato i ruen, i palon. Çdo ditë i nxjerr të gjitha nga dhetë herë prej arkës dhe i palon përsëri.

Por sapuni, sapuni i shkretë! Mendimi për sapun ia mbushi tanë ekzistencën e saj, dhe menden dhe zemrën dhe shpirtin e saj,

Sikurse pat thanë Napoleoni: Për luftë janë tri gjana të nevojshme: së pari — pare, së dyti — pare, së treti — prap pare, ashtu dhe ajo simbas këtij kryeluftari sikurse ta dinte kët frazë, do të bërtitte me plot bindje: tri sende janë të nevojshme për jete: së pari — sapun, së dyti — sapun dhe së treti — prap sapun!

Katundarët shpesh qeshnin dhe e ngucshin për manin e saj që kishte për pastërti, por mue kjo punë më dukej simpatike. Lahet çdo ças. Dhe kur lahet, ndalu dhe kqyr! Sahat të tanë lahet. Dhetë herë lyhet me sapun dhe shpërlahet. Për kët arsye edhe fytyrën e ka me zbokth.

Teksa shkon ndokush prej shtëpis në qytet ajo menjiherë mbrapa tij.

— Blejm, vlla, pak sapun!

— Çfarë sapuni! Nuk mujmë gjithmonë me shpenzue pare për te.

— Bleje, allahile, tash dhe mandej, hej, nuk kam me lypë për nji kohë të gjatë.

Dëshprohet kur ai që shkon kthehet pa sapun. Atëherë shkon në kthinzën e vet e qan thuese groposi çdo gja që ka mbas shpirti. Kishte gjithmonë rezervë barem dy kile sapun por këte nuk e shpenzonte pa i ardhë thika në fyt, si me thanë asnjiherë edhe sikur të punonte me mëditje gjithmonë për nji thërmi ma të vogël sapuni.

Po të vijë kush prej dhanduerve ose ilakave në gosti, ajo menjiherë para tij dhe në vend të përshëndetjes:

— Aha! Qe ku e kam dhandrin tlm, ka me ble ai sapun për mue.

Ma vonë vllaznija u ndanë. Asaj i dhanë nji lopë dhe treqind kilogram drith si ushqim për nji motmot. Ajo mbeti te vllau ma i madh. Dhe ma vonë vazhdoi me u marrë më fëmij, dhe u lut e kukati për sapun.

Posa ndien se ndbkush asht fejue, ajo menjiherë shkon te ai.

— A po martohesh, asht dita jote, dhe për mue nuk paske ble sapun!

Kjo kërkesë asaj i ishte ba pasion dhe në kohën e fundit ajo i ndau njerzit në dy grupe: të mirët, që asaj i blejnë sapun, dhe të këqijt, renegatët, që nuk kishin ble kurr sapun për të.

Kot i flitni asaj për ndokend dhe i veni në pah të gjitha virtytet ë kësaj bote për të provue se ai asht i mirë, të gjitha i hyjnë për nji vesh e i dalin për tjetrin. Ndëgjoi njiherë se si vllau i saj bisedonte me katundarët se Pavli asht shum i mirë për kryetar.

— Ua, çka i ka ra në te! Edhe djalin e martoi dhe vajzën e dha dhe nuk ma bleu kurr nji sapun — hodhi ajo me rreptsi.

— Ajo, bile, në njifarë mënyre mendonte se me i ble asaj sapun asht gja ma e detyrueshme për çdo qytetar sërb se sa me pague tatimin.

Kishin kalue dhetë vjet dhe unë nuk e kisha pa. Posa shkova në të pamë në shtëpin e tyne, vllau i kishte vdekë disa muej ma përpara.

Rrin në shtrojen ku flente vllau i saj dhe qan e rënkon:

— Kuku, vlla i im, kush ka me më ble sapun? Kurse ti vetë më blejshe sapun dhe thojshe: qe ku e ke sapunin! Kuku, e mira ime!… Dhe motra për ty i ka dhanë dërrasat e veta dhe nuk i janë dhimtë motrës për ty!… Me dërrasat e mija të kam vorrue, o e mira ime!…

— Hesht, budallaqe! Çka po kukat aty? — i briti njani prei gjelmve të vllaut.

— Po si, hesht! Të më bleni sapun dhe atëherë nuk qaj.

— Po çfarë dërrasash — pyeta.

— Po e din; ajo i dha dërrasat e veta dhe me to e kemi vorrue babën, e mjera — i tha djali i vllaut të saj.

— Paj vallë gjithsecili i ka të bame gati dërrasat për arkivol?! — pyeta me habi.

— Gjithsecili, po! Kur u ndanë vllaznija ndër vedi ata muerëri landë nga pylli i përbashkët dhe ia gdhendën dërrasat secilit.

— Po ku gjinden ato të tijat?

— Paj nuk pat i ndjeri Nino, e baba i mjere ia dha të vetat.

— Dërrasat e motrës, or vlla i dashtun, kanë qenë asisoj që ke mujtë me u shtri në to! Të thata, vlla, sa të mira kanë qenë, tash nuk gjindet aso lande, por motrës nuk i vjen — vajton ajo.

— Paj edhe për ty kanë me gdhendë tjera — e ngushllova.

Ajo fshani dhe ngadalë tue qa:

— Nuk ka tash t’atilla. Ajo ishte, e dini, landë e thatë dhe dërrasat nuk do të m’ishin kalbë në tokë as njizet vjet.

Ia bleva asaj nji kilogram sapun. Pikllimi i saj u zbut nji trohe prej njij gëzimi aq të papritun.

E ngrata donte ma shum nji kilogram sapun se sa fronin e carit të Rusis.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Ознаке:, , , , , , , ,

About Домановић

https://domanovic.wordpress.com/about/

Оставите одговор

Попуните детаље испод или притисните на иконицу да бисте се пријавили:

WordPress.com лого

Коментаришет користећи свој WordPress.com налог. Одјавите се /  Промени )

Google photo

Коментаришет користећи свој Google налог. Одјавите се /  Промени )

Слика на Твитеру

Коментаришет користећи свој Twitter налог. Одјавите се /  Промени )

Фејсбукова фотографија

Коментаришет користећи свој Facebook налог. Одјавите се /  Промени )

Повезивање са %s

%d bloggers like this: