Te menduemit e njij kau të rendomtë Sërb

Në botë ndodhin çudina të ndryshme, e vendi ynë, siç thot shumkushi, âsht i pasun në nji masë t’atillë me çudina, saqë as ato nuk janë mâ çudina. Te na ka njerëz në pozita të ndryshme shum të nalta, të cilët nuk mendojnë kurrgjâ, prandej, ose për ta plotsue kët mungesë, ose ndoshta për arsyena tjera, filloi me mendue thellë nji ka i rëndomtë katundi, i cili nuk ndryshonte fare nga  qét tjerë sërbë. Nji Zot e di çka kishte ndodhë që ai ka gjenial të marrë guximin për nji ndërmarrje – mendim aq arrogant, sepse deri tash janë dhanë prova se, nga kjo zeje, në Sërbi, ke muejtë me pasë vetëm dam. Të themi se ai i ngrati, ashtu i pasherr, nuk e din se kjo zeje s’ka hesap në vendlindjen e tij, dhe se at punë nuk po ia përshkruejmë si kurajë të poçasme civile, mirëpo prapseprap mbetet enigëm pse të mendojë pikërisht kau, mbasi ai nuk âsht as zgjedhjës, as këshilltar, as kryeplak, as që e ka zgjedjë kush deputet në ndonji parlament të qeve, ose madje (nëqoftëse âsht i kaluem nga mosha) senator, e nëqoftëse mëkantori ka andrrue që të bâhet ministëe në ndonji vend të qeve, atëherë do të duhej, përkundrazi, të stërvitej si me mendue sa mâ pak, siç bâjnë ministrat e shkëlqyeshëm në disa vende të lumtuna, sadoqë vendit tonë nuk i ec rrota e nafakës as në kët punë.

Në fund të fundit çka na intereson ne që kau në Sërbi muer zejen që e kanë braktisë njerzit, ban vaki që ai të ketë nisë me mendue pikërisht simbas ndonji instikti të natyrshëm.

Paj çfarë kau âsht ky? Ai âsht nji ka i rëndomtë, i cili – siç thot zoologjija – ka kryet, trupin dhe gjymtyrët, të gjitha si edhe qet tjerë, ngreh qerrin, kullot bar, han krypë, ripërtyp dhe buluron. Quhet Zdap.

Qe se kur filloi ai me mendue. Nji ditë i zoti i tij i vuni para qerrit atê dhe shokun e tij Torollakun ngarkoi qerrin me disa hûj të vjedhun dhe i çoi në qytet për t’i shitë. Zotnija i shiti hûjt posa mbërrijti te shtëpijat e para në qytet, muer të hollat, zbërtheu Zdapin dhe shokun e tij, e mbërtheu nën zgjedhë zinxhirin me talla kallomoqi dhe hyni i gëzueshëm në nji kafehane të vogël të kërpitet si njeri, me ndonji gotë rakí. Në qytet ishte njifarë feste, kështuqë burra, gra dhe fëmij kalojshin në të katër anët. Torollaku, i cili âsht edhe ashtu i njoftun midis qéve pak si budallë, nuk shiqonte kurrgjâ, por filloi me hangër drekë me gjithë seriozitet, u fry mirë, pëllati pak nga kënaqsija, mandej u shtri dhe filloi me ripërtypë, tue u kotë me lëzet. Nuk ua vente veshin fare njerëzve të ndryshëm, që kalojshin pranë tij në të katër anët. Ai kotej dhe ripërtypte i qetë. (Dam që nuk âsht njeri, mbasi ka prirje për karierë të naltë). E Zdapi nuk shtini kurrgjâ në gojë. Shiqimi i tij andrrues dhe dukja e tij e pikllueshme tregojshin në shiqimin e parë se ai ishte mentar me shpirt të butë e të ndieshëm. Pranë tij kalojshin njerzit, Sërbët, krenarë për të kaluemen e tyne të vrazhdë. Zdapi e shiqonte këtê dhe shpirtin e tij e kaploi pikllimi, dhimbja për padrejtsin shum të madhe dhe nuk mundë t’i nënshtrohej nji ndjenje kaq të fortë dhe të papritun, por pëllati me pikllim dhe dhimje, e në syt e tij u rrokollisën lotët. Dhe Zdapi filloi me mendue nga dhimbja shum e madhe.

– Me çka mburret zotnija i im dhe bashkatdhetarët e tij tjerë – Sërbët? Pse e çojnë kryet aq nalt dhe farefsin tim e shiqojnë me krenari dhe përbuzje të teprueme? … Mburren me atdheun, mburren me atê që fati i mëshirshëm u caktoi të lindin këtu në Sërbí. Po edhe mue më polli nana këtu në Sërbi dhe kjo jo vetëm që âsht atdheu im dhe i babës tim, por edhe stërgjyshat e mij, si edhe stërgjyshat e tyne, u dyndën të gjithë në këto vise nga vendlindja e vjetër sllave. Dhe kurrkush prej nesh qéve nuk ndien ndonji krenari për kët gjâ, por na mburremi gjithmonë me atê se kush mund të tërheqë peshë mâ të madhe në përpjetëtje, e as nji ká nuk i tha deri më sot ndonji kau austriak: “Çka don ti, unë jam ká sërb, atdheu im âsht vendi krenar Sërbija, aty kanë pjellë të gjitë të parët e mij, këtu, në kët vend, gjinden edhe vorret e stërgjyshave të mij!” Zot na ruej, na nuk jemi mburrë kurr me këtê! Njerëz të çuditshëm!

Tue mendue kështu kau e tundi kryet me pikllim, tinglloi kumbona nën fytin e tij dhe kërsiti zgjedha.

Torollaku hapi syt, e shiqoi shokun dhe pëllati:

– Ti po merresh prap me marrzinat tua. Ha, mor budallë, trashu, a nuk shef se të kanë dalë brijët, sikur t’ishte mirë me mendue, atëherë njerzit nuk do të na kishin lanë kët gjâ né qéve. Nuk do të na binte në gojë ky fat.

Zdapi e shiqoi shokun e vet trishtueshëm, drodhi kryet nga ai dhe u thellue edhe mâtej në mendimet e veta.

– Mburret me të kaluemen e tyne të ndritshme. Kanë Fushën e Kosovës, betejën e Kosovës. Çudi e madhe, po athue edhe të parët e mij nuk i kanë bajtë edhe asokohe ushtris ushqimet dhe gjanat e nevojshme për luftë; sikur të mos kishim qenë na, atëherë njerzit do të kishin qenë të shtrënguem ta kryejnë vetë kët punë. Kanë kryengritjen kundër Turqve. Kjo âsht nji çashtje e madhe, fisnike, por kush ka qenë aty. Athue kanë bâ kryengritje këta kryezbrazsit mendemëdhej, që shtijnë miza në pê gjithë ditën dhe fryhen me krenari si bibaj pranë meje, sikur ajo t’ishte nji meritë e tyne. Qe, le të marrim si shembull vetëm zotnin tim. Edhe ai mburret dhe lavdrohet me kryengritje, e sidomos me atê, në të cilën katragjyshi i tij rá dëshmor si trim i rrallë në luftë për çlirimin e atdheut. Athue kjo âsht meritë e tij? Katragjyshi i tij ka pasë të drejtë të mburret, por ai nuk ka; katragjyshi i tij ka rá dëshmor që zotnija i im si pasardhës i tij të mundte me jetue i lirë. Dhe ai âsht i lirë, por çka ban në kët lirí? Vjedh hûjt e huej, i hyp qerrit dhe unë e tërheqi si atê, ashtu edhe hûjt, pin rakí, nuk punon kurrgjâ dhe mburret me të kaleumen e ndritshme. Po sa të parë të mij kanë pré ata gjatë kryengritjes për t’i ushqye luftëtarët, athue edhe të parët e mij nuk kanë tërheqë asokohe nevojat për luftë: topa, ushqim, municion, dhe neve prapseprap nuk na shkon ndërmend të kapardisemi me meritat e tyne, sepse na nuk kemi ndryshue, na kryejmë edhe sot detyrën tonë siç e kanë krye edhe të parët tanë, me ndërgjegje dhe durim.

Ata mburren me vuejtjet e stërgjyshave të tyne, me robnin pesëqindvjeçare. Farefisi im vuen që nga krijimi, edhe na vuejmë dhe jemi rob edhe sot, por na nuk kemi bâ poterë kurr për kët gjâ. Ata thonë se Turqit i kanë mundue, pré, ngulë në hûj, por edhe të parët e mij i kanë pré si Sërbët, ashtu edhe Turqit, i kanë pjekë dhe i kanë bâ me psue mundime të ndryshme.

– Mburrën me fé, e nuk besojnë në kurrgjâ. Çfarë faji kam unë dhe mbarë fisi im që nuk na pranojnë të bâhemí krishtenë. Feja u thot: “Mos vjedh,” e, qe, zotnija i im vjedh dhe pin me të hollat, që i fiton nga vjedhja. Feja u udrhnon që t’i bâjnë mirë t’afërmit të vet, kurse ata i bâjnë vetëm keq njani tjetrit. Njeriu mâ i mirë për ta, të cilin e konsiderojnë si shembull virtyti, âsht vetëm ai që nuk ban keq, e, kuptohet, se kurrkujt nuk i shkon aspak ndërmend që të kërkojë prej ndokujt, jo vetëm që kurrkush të mos i bâjë keq kurrkujt, por të bâjë dhe mirë. Dhe, qe, shif ku kanë rá; shembujt e virtyteve të tyne janë të barabartë me çdo gjâ të padobishme, që vetëm nuk i ban keq kurrkujt.

Kau fshani thellë, e fshamja e tij çoi bile edhe pluhnin e rrugës.

Athue atëherë – vazhdoi ai mâtej mendimet e veta të trishtueshme – nuk jemi unë dhe fisi im mâ të mirë në kët pikë se të gjithë ata? Unë nuk kam vrá kurrkend, kurrkend nuk kam marrë nëpër gojë, nuk i kam vjedhë kurrgjâ kurrkujt, nuk kam pushue kurrkend nga puna e shtetit pa kurrfarë faji, nuk kam shkaktue deficit n’arkën e shtetit, nuk kam falimentue me dallavere, nuk kam lidhë me pranga dhe arrestue kurr njerzit e pafajshëm, nuk kam dëshmue rrêjshëm, nuk kam qenë kurr ministër dhe nuk i kam bâ keq vendit, e përveçse nuk kam bâ keq, u bâj mirë edhe atyne, të cilët më bâjnë keq. Mue më ka pjellë nana, e njerzit e këqij ma kanë rrëmbye menjiherë edhe qumshtin e nanës. Zoti e krijoi ndoshta barin për né qét, e jo për njerzit, por ata na rrëmbejnë edhe atê. Dhe na, edhepse hamë rrahje kaq tq mëdha, prapseprap ua tërheqim qerret, ua lavrojmë tokën dhe i ushqejmë me bukë, Por, prapseprap kurrkush nuk na i njef meritat tona për atdheun…

– Poqese feja âsht me të vërtetë send i bukur, ajo u thot atyne, njerëzve, që t’i mbajnë të gjitha krezhmet, mirëpo ata nuk duen t’i mbajnë as ato pak krezhme, e unë e fisi im mbajmë krezhme gjatë gjithë jetës sonë , prejse na ndajnë nga gjít e nanës.

Kau e uli kryet, dhe sikur të travajohej diçka, e çoi përsëri kryet përpjetë, dihati nëpër hundë me inat, dhe iu duk sikur i ra në mend diçka e randsishme që e mundonte; pëllati papritmas gëzueshëm:

– E, tash e dij, duhet të jetë kjo – dhe vazhdoi me mendue:

– Kjo âsht, pra: mburren me lirin dhe të drejtat civile. Më duhet me mendue serizoshit për këte. Mendoi, mendoi, por nuk i ecte kurrsesí. – Në çka qëndrojnë këto të drejta të tyne? Nëqoftëse policija u jep urdhën me votue, ata votojnë, edhe na do të mund të pëllatshim aq: “Pëëër”. E nëqoftëse nuk u jep urdhën, ata nuk guxojnë me votue, as me u përzie në politikë nji-nji si edhe na. Edhe ata durojnë shpeshherë pá kurrfarë faji burgimin dhe të rrahunat. Na të paktën pëllatim dhe tundim bishtin, kurse ata nuk kanë as kaq kurajë civile.

N’at çast duel i zoti nga kafehanja. I dejun, kambët i ngatrrohen, syt i ka të turbulltë, flet disa fjalë të pakuptueshme dhe tue ecë leqe-leqe, u nis kah qerri:

– Qe për çka e përdori ky stërnip krenar lirin, të cilën ia dhanë të gatshme stërgjyshat tue derdhë gjakun e vet. Ta zamë se zotnija i im âsht i dejun dhe vjedh, po për çka e përdorin lirin tjerët? Vetëm që të mos punojnë kurrgjâ dhe të mburren me të kaluemen dhe meritat e të parëve të tyne, për të cilat nuk dhanë kurrfaë kontributi mësa dhe unë.

– E na qét kemi mbetë puntorë aq të zellëshëm dhe të dobishëm, sa kanë qenë të parët tanë. Më të vërtetë jemi qé por prapseprap mund të mburremi me punën tonë të mundimshme dhe me meritat tona të soçmë.

Kau fshani thellë dhe përgatiti qafën për zgjedhë.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Ознаке: , , , , , , , , , , , ,

About Домановић

https://domanovic.wordpress.com/about/

Оставите одговор

Попуните детаље испод или притисните на иконицу да бисте се пријавили:

WordPress.com лого

Коментаришете користећи свој WordPress.com налог. Одјави се /  Промени )

Фејсбукова фотографија

Коментаришете користећи свој Facebook налог. Одјави се /  Промени )

Повезивање са %s

%d bloggers like this: