Tag Archive | medalje

Stradija (8/12)

(Faqja e meparshme)

Edhepse kisha mendue që të shkoj së pari te ministri i arsimit, prapseprap, për shkak të këtyne ngjarjeve të fundil të papëlqysheme dëshirojsha me ndie çka mendon për kët punë ministri i mbrojtjes dhe të njajtën ditë shkova te ai.

Ministri i mbrojtjes, vocrrak i hajthëm me krahnuer të futun përmbrenda dhe me duer të holla, kish mbarue së kënduemi uratën, pak përpara se me më pranue.

Në zyrën e tij njiherë era e fastigenit dhe e tamjanit sikur në ndonji faltore dhe në tavolinën e tij gjindeshin plot libra fetarë, të vjetër dhe tashma të zverdhuem.

Unë në kohën e parë mendova se kisha gabue dhe ardhë te ndokush tjetër, por uniforma e oficerit të naltë, të cilën e kishte veshë zotni ministri, më dha me besue në të kundërtën.

— Më falni, zotni, — tha ambëlsisht, me nji za të butë, të hollë — mu tash e mbarova së kënduemi uratën e rregullshme. Unë kët gja e baj gjithmonë sa herë ulem në punë dhe veçanërisht tash e lyp puna me u lutë shum ma tepër për shkak të ngjarjeve të fundit të papëlqyeshme në jug të vendit tonë të dashtun.

— Poqese ata vazhdojnë sulmet, këto munden me u ba shkak ende për luftë? — e pyeta.

— A, jo, nuk ekziston kurrfarë rreziku.

— Por mue ma han mendja, zotni ministër, se rreziku tashma ekziston kur ata vrasin njerëz dhe plaçkisin çdo ditë nëpër tanë nji krahinë të vendit tonë.

— Vrasin, kjo asht sagllam, por na nuk mund të jemi aq të pakulturuem, aq t’egjër si… Këtu asht ftoftë, thuese po fryn korent prej dikahit. Plasa tue u thanë sherbëtorëve krahthatë që n’odën time temperatura të jetë gjithmonë gjashtëmbëdhetë gradë e gjysë, por megjithatë kurrgja… — e ktheu zotni ministri bisedën e fillueme dhe i ra ziles për të thirrë sherbëtorin.

Sherbëtori hyni e u përkul dhe dekoratat i tinglluen në krahnuer.

— Paj a ju kam thanë, pafshi zotin, që temperatura në kabinetin tim të jetë gjashtëmbëdhetë gradë e gjysë, kurse që, tash përsëri ftoftë; mandej njifarë korenti; vërtet me u mërdhi njeriu!

— Qe, zotni ministër, vegla për matjen e nxehtsis tregon tetëmbëdhetë! — tha sherbëtori me njerzi dhe u përkul.

— Atëherë, mirë — tha ministri i kënaqun me përgjigjen — tash mundeni me Shkue, po të keni qejf.

— Sherbëtori u përkul prap thellë, dhe duel.

— Mu kjo temperatura e mallkueme, besomni, asht kah më jep shum brenga, e temperatura për ushtri asht gja me randsi. Poqese temperatura nuk asht si lypet me qenë, ushtrija nuk vlen kurrgja… Tanë mëngjesin e kam përgatitë nji qarkore për të gjitha komandat. Qe bash do t’jua lexoj.

„Meqenëse në kohën e fundit janë shpeshtue invadimet e Anutëve në krahinat jugore të vendit tonë, urdhnoj që ushtarët, çdo ditë së bashku, nën komandë, t’i luten zotit të madhnueshëm për shpëtimin e atdheut tonë të shtrejtë e të dashtun, të vaditun me gjakun e të parëvet tanë trima. Uratën për kët rast, ate që lypet ka me e caktue prifti ushtarak; por në fund t’uratës të vijë dhe kjo: „Zoti i mshirshëm t’ua çeli dyert e parajsës qytetarëve të mirë, të qetë dhe të drejtë që ranë fli të furis s’Anutëve t’egjër! Zoti t’iu përdllojë shpirtin e tyne të drejtë dhe patriot; u qoftë i lehtë dheu i stradis, të cilin e deshtën me sinqeritet dhe nxehtsisht! Lavdi u qoftë!” Këte duhet ta shqiptojnë të gjithë ushtarët dhe eprorët njiherit, por duhet të shqiptohet me za të devotshëm dhe të përshpirtshëm. Mandej të gjithë të drejtohen, ta ngrejnë kryet krenarisht dhe mburrshëm si iu ka hije bijve trima të vendit tonë dhe të bërtasin tri herë me za bumbullues:  „Rrnoftë Stradija, poshtë Anutët!” Duhet me pasë kujdes që tanë kjo punë te kryehet bukur dhe me kujdes, sepse prej saj mvaret e mira e atdheut tonë. Kur t’i kryejnë të gjitha këto pa rrezik, atëherë disa çeta me flamur, të marshojnë ngadhnjyeshëm nëpër rrugë, me tingujt bumbullues luftarak të muzikës, kurse ushtarët duhet të hjedhin hapat rreptë, ashtuqë në çdo hap t’u tundet truni në krye. Mbasi puna asht e ngutshme, këte keni me e krye menjiherë pikë për pikë dhe mbi të gjitha me raportue holisishëm… Në të njajtën kohë urdhnoj në mënyrën ma të rreptë që t’i kushtoni kujdes të veçantë temperaturës nëpër kazerma që të mundet me u zbatue kushti ma esencial për zhvillimin e ushtris”.

— Kjo do të ketë sukses patjetër, poqese qarkorja mbërrin me kohë! — thashë.

— M’asht dashtë me u ngutë medoemos, dhe, shyqyr zotit, asht rrahë me telegraf tanë qarkorja nji orë të tanë para ardhjes suej. Sikur të mos isha ngutë që punën ta baj me mend kështu me kohë, mund të kishin ndodhë plot akcidente të papëlqyeshme dhë të këqija.

— Keni të drejtë! — thashë, sa për të thanë diçka, megjithse nuk mujsha me i ra n’erë kurrkund se çfarë gjaje e keqe kishte me ndodhë.

— Po, zotnija im, ashtu asht. Sikur unë. si ministër i ushtris të mos kisha punue ashtu, ndonjani prej komandantëve në jug të vendit, do të kishte mujtë me e përdorë ushtrin që me armë t’u shkojë në ndihmë qytetarëve tanë dhe të derdhi gjak anuti. Gjithë oficerët tanë mendojnë se kjo do t’ishte mënyra ma e mira por ata nuk duen që të mendojnë për këto punë pak ma thellë dhe ma gjithanshëm. Ma parë e ma dalë, na, qeverija e sodit duem politikë të jashtme paqsore, të devotshme, na nuk duem ndaj anmiqvet të jemi jo njerëz; e për ate që ata po sillen ashtu egërsisht ndaj nesh, Zoti ka me ua pague me vuejtje të përjetshme dhe kërsitje dhambësh në zjarmin e ferrit. Gjaja e dytë, or zotni i im i dashtun, e cila poashtu ka randsi, asht se qeverija e sodit nuk ka partizanë në popull dhe ushtrija na duhet kryekreje për punët tona të mbrendshme politike. Për shembull, poqese ndonji komune gjindet në duer të kundërshtarëve, atëherë duhet me përdorë ushtrin e armatosun që trathtarët e këtillë të këtij atdheu të vuejtun, të dënohen dhe pushteti t’i jepet në dorë ndonji njeriut tonë…

Zotni ministri u kollit dhe unë ia grabita fjalën:

— Të gjitha këto janë të vërteta, por, poqese invadimet e çetave t’Anutëve marrin përpjestime më të forta?

— E, atëherë do të kishim ndërmarrë edhe na masa ma t’ashpra.

— Çka mendoni, poqese guxoj me pyetë, zotni minister, në nji rast të këtillë?

— Kishin me u marrë masa ma të rrepta, por prap me takt, urtsi dhe tue mendue mirë. Në kohën e parë do të kishim urdhnue që nëpër tanë vendin të merren prap rezolucione ma të rrepta dhe, për zotin, poqese edhe kjo nuk do të ndihmonte, atëherë kishte me na u dashtë medoemos, kuptohet, pa humbë asnji çast, me nxjerrë nji fletore patriotike me tendencë ekskluzivisht patriotike, dhe në nji fletore kësisoji me sjellë nji varg të tanë artikujsh t’ashpër, bile edhe shpotitës kundër Anutëve. Por, zoti mos e dhashtë, që tashma për fat të keq, puna të mbërrijë deri aty — tha ministri dhe uli kryet me përultsi dhe zu me ba kryq, tue përshpëritë me buzët e veta të zbeta e të dobsueme, urata të nxehta.

Mue, në të vërtetë, nuk më preku aspak ndjenja e bekueme, religjioze, por, edhe unë, vetëm sa për të ba shoqni, fillova me u kryqzue dhe më kapluen disa mendime të çuditshme:

„Vend i çuditshëm! — mendova — Atje vriten njerzit, kurse ministri i mbrojtjes këndon uratë dhe mendon me nxjerrë fletore patriotike. Ka n’ushtri të bindshme dhe trime; kjo asht provue në kaq lufta; po pge atëherë mos me nxjerrë nji sasi ushtarësh në kufi dhe me ndalue rrezikun prej çetave t’Anutëve?

— Ju çudit, ndoshta, plani im kësisoji, zotni? — m’i ndërpreu ministri mendimet.

— Paj edhe më çudit! — thashë pa dashje, edhepse u pendova menjiherë për at mos përsiatje.

— Nuk jeni mjaft në korent të punës, i dashtuni im. Nuk asht këtu gjaja kryesore me e ruejtë vendin, por me e mbajtë kabinetin sa ma gjatë. Kabineti i kaluem ndejti në fuqi nji muej, kurse na teksa dy tri javë dhe të rrëxohemi kështu, s’ka lezet. Pozitën e kemi gjithmonë të tronditun dhe na, ta merr mendja, s’kemi çare pa përdorë të gjitha masat që të mbahemi sa ma tepër në pushtet.

— Çka bani?

— Punojmë ate që kemi ba deri tash! Përgatisim çdo ditë gjana të paprituna, bajmë kremtime, dhe tash, mbasi punët i kemi keq, duhet të trillojmë medoemos ndonji komplot. E kjo barem asht lehtë në vendin tonë. Dhe, gjaja që ka randsi, asht se gjindja asht mësue aq me kët punë sa bile, edhepse asht krejt robnisht e ndëgjueshme, kërkon me marrë vesh: „Çka? Vallë nuk ka ende kurrnji komplot?” vetëm poqese njeriu vonon me e përdorë disa ditë ma tepër kët mjet shum të sigurt për ta pengue opozitën. Kështu, pra, për shkak të këtyne befasive, kremtimeve, komploteve, kemi nevojë gjithmonë për ushtri për punët tona të mbrendshme. Pse njerzit vriten, kjo asht për ne gja e dorës së dytë, or zotnija im. Për mue gjaja kryesore asht që të kryej punët ma të ngutshme, ma të dobishme për vendin se sa ate që do t’ishte ashiqare budallallëk, me luftue kundra Anutëve. Si më duket nga gjithë shejat mendimi juej në lidhje me këto punë, nuk asht origjinal; kështu, për fat të keq, mendojnë dhe оficerët tanë dhe ushtrija jonë, por na antaret e kabinetit të sodit, e shiqojmë punën shum ma thellë dhe ma me mend.

— Paj, vallë ushtrija a duhet për ndonji gja tjetër mа shum se sa asht mprojtja e vendit, mbrojtja e atyne fаmiljeve, atje në jug, që vuejnë prej zullumit të huej? Po ajo krahinë zotni ministër, i dërgon n’ushtri bijt e vet, i dërgon me gëzim, sepse në ta, n’ushtri, sheh mbështetjen e vet, — i thashë zotni ministrit, mjaft me zemrim edhepse nuk ishte nevoja me ia thanë, por i plas damari njeriut dhe ban çdo gja, si me i pasë këcye dreqi në qafë.

— A mendoni se ushtrija nuk ka detyrë ma të ngutshme, zotni? — më tha zotni ministri me za të butë, por qortues dhe me njifarë përbuzje, tue më matë me nënçmim prej majës së kres deri në fund të kambëve.

— A mendoni? — përsëriti ai tue fsha me dhimbje.

— Por, ju lutem,… — fillova diçka dhe kush e din çka dojsha me thanë, sepse edhe vetë nuk e dij, por ministri ma preu fjalën me za ma të fortë, tue shqiptue në mënyrë sinjifikative pyetjen e vet të randsishme dhe bindse.

— Po paradat?

— Çfarë paradash?

— Po vallë dhe për këte mund të pyesi njeriu? Paj, barem kjo asht çashtje me shum randsi në vend! — u zemrue pak ministri i qetë dhe i devotshëm.

— Më falni, nuk e kam dijtë këte — thashë.

— Nuk e keni dijtë?!… Gjepra! E unë ju flas pada se, për shkak befasish të randsishme në vend duhet të ketë medoemos dhe kremte e parada. E ku do të mujshin me u ba këso punësh pa ushtri? Këto janë barem për sot detyrat e saja kryesore. Le t’invadojnë çetat anmike, këto nuk janë aq gjana me randsi; por me randsi asht që na të paradojmë nëpër rrugë me ushtimën e burijave; sikur tashma rreziku ta kërcnojë shum vendin, atëherë, ndoshta dhe ministri për punët e jashtme të vendit, ndoshta do të fillojë me u kujdesue për te, poqese nuk ndodhet rastësisht i zanun me punët e veta shtëpijake. Ai, i ngrati, ka mjaft fëmij, por megjithkëte shteti kujdeset për njerzit e vet me merita. Fëmijt e tij mashkuj e dini, mësojnë shum keq; çka mund të bajshin tjetër veçse me i mbajtë me bursë të shtetit. Kjo asht e drejtë; edhe për fëmijt femna shteti kujdeset, sepse u përgatit miraz me shpenzimet e qeveris ose dhandrrit që ka me e marrë vajzën e ministrit, ka me i dhanë pozitë të naltë, të cilën ndryshe, kuptohet tashma, nuk do të kishte mujtë me e marrë kurr.

— Asht gja e bukur kur çmohen meritat — thashë.

— Te na kjo asht gja e mrekullueshme. Në kët pikë nuk mundet me u barasue kush me ne: kushdo që të jetë ministër, madje i mirë ose i keq, shteti bujar gjithmonë kujdeset për familjen e tij. Unë nuk kam fëmij, porse shteti do ta dergojë kunatën time me mësue pikturë.

— Zojusha kunatë ka prirje, a?

— Paj ajo deri tash nuk ka vizatue kurrgja; por kush e din mund të pritet sukses. Me te do të shkojë edhe burri i saj, baxhanaku im. Edhe ai asht caktue bursist shteti. Ai asht njeri shum i vyeshëm dhe serioz; mund të shpresojmë prej tij shum gjana.

— Ky ëasht çift i ri?

— Të rij, ende mbahen; baxhanaku ka gjashtëdhetë dhe kunata rreth pesëdhetë e katër vjet.

— Zotni baxhanaku i juej sigurisht merret me shkencë?

— O, po si jo! Ai krykreje asht pemëshitës, por me gëzim lexon romane; kurse fletoret, si thuhet, i përbinë, lexon çdo fletore tonën, fletoret e ndryshme i çfletzon dhe romane ka lexue ma tepër se njizet. Ate e kemi çue të studjojë gjeologjin.

Zotni ministri heshti, filloi me mendue diçka dhe zu me i dredhë rruzaret e veta që i vareshin në shpatë.

— Përmendët befasin, zotni ministër? — ia kujtova bisedën e fillueme, sepse nuk m’interesonte shum as baxhanaku i tij, as kunata e tij.

— Por, po, keni të drejtë, unë e shmanga pakëz bisedën në gjana të dorës së dytë. Keni të drejtë. Kemi organizue nji befasi shum të madhe, e cila do të ketë patjetër sinjifikacion të madh politik.

— Kjo do të jetë, vërtetë, gja me randsi! A thue njeriu nuk guxon me dijtë kurrgja për te para se të ndodhi? — e pyeta me kureshtje.

— Pse jo, ju lutem? Kjo gja i asht shpallë popullit dhe tanë, populli përgatit gazmime dhe pret çdo çast ngjarje me randsi.

— Kjo do të jetë ndonji lumrn për vendin tuej?

— Lumni e rrallë. Tanë populli gëzohet dhe e përshëndet me entuziazëm qeverin për administratën e urtë dhe patriotike. Për kurrgja tash nuk flitet e nuk shkruhet ma në vendin tonë, por vetëm për at ngjarje të lumtun që do të ndodhi shpejt.

— Dhe ju, patjetër, keni përgatitë gjithëçka lypet që nji ngjarje e tillë e lumtun të ndodhi medoemos?

— Na ende nuk kemi mendue kurrgja ma me themel për te, por nuk përjashtohet mundsija që me të vërtetë të ndodhi ndoji ngjarje e lumtun. Ju, e dini sigurish at prrallën e moçme, prrallën e stërlashtë se si në nji vend pushteti i kumtoi popullit të pakënaqun se do të çfaqet në vend nji Zheni i madh, në të vërtetë Mesija, që do ta shpëtojë prej borxheve, administratës së keqe dhe prej çdo fatkeqsije e mjerimi dhe do ta çojë popullin nëpër rrugë ma të mira, kah nji ardhmëni e lumtun. Dhe me të vërtetë populli i dërmuem dhe i pakënaqun prej pushtetit toksuer dhe qeverimit, u qetsue dhe u banë argtime nëpër gjithë vendin… A thue nuk e keni ndëgjue kurr kët prrallë të vjetër?

— Jo, por asht shum interesante. Ju lutem çka ndodhi ma vonë?

— Filluen, siç ju tregova, gëzimi e dëfrimi në tanë vendin. Madje, populli, tubue në mbledbjen e madhe të përgjithshme popullore, vendosi që me ndihma të mëdha të blehen pasuni të mëdha dhe të ngrehen shum pallate, në të cilat do të shkruhej: „Populli Zhenis së vet të madh dhe shpëtimtarit”. Të gjitha këto u banë për nji kohë të shkurtë, të gjitha ishin përgatitë, vetëm pritej Mesija. Madje populli me votime të hapta, ia zgjodhi dhe emnin shpetimtarit të vet.

Zotni ministri u ndalue dhe i muer përsëri rruzaret e veta në të cilat filloi me i numrue kadalë kokrrat.

— Dhe u cfaq Mesija? — e pyeta.

— Jo.

— Kurrsesi?

— Ndoshta kurrsesil — tha ministri me indiferencë dhe dukej se e tregonte kët prrallë pa vullnet.

— Pse?

— Kush e din!

— Paj madje nuk ndodhi as kurrgja me randsi?

— Kurrgja.

— Gja e çuditshme! — thashë.

— Në vend të Mesis, at vjet ra breshën i madh dhe i asgjasoi të gjitha të mbjellunat në vend! — tha ministri tue shique qetas rruzaret qelibari.

— Po populli? — pyeti.

— Cili?

— Paj populli i atij vendi për të cilin flet kjo prrallë interesante.

— Kurrgja! — tha ministri.

— Bash kurrgja?

— Çka kishte me ba?… Populli si populli!

— Kjo asht nji çudi e mrekullueshme! — thashë.

— Hë de! Po ta kqyrni me të drejtë populli tekembrama asht në qar.

— Në qar?

— Kuptohet.

— Nuk kuptoj!

— Gja e thjeshtë… Populli, barem disa muej jetoi në gëzim e lumni.

— Kjo asht e vërtetë! — thashë i turpnuem që nuk mujta me e interpretue kështu menjiherë nji gja të thjeshtë.

— Mbas kësaj kuvenduem ende mbi gjana të ndryshme dhe zotni ministri ma përmendi midis tjerash se si bash me rastin e kësaj ngjarjeje të lumnueshme, për të cilën ishte fjala, po në të njajtën ditë do të bajë edhe tetëdhetë gjenerala.

— Po sa sish keni tash? — pyeta.

— Kemi mjaft, shyqyr zotit, por duhet me u ba ajo punë medoemos për shkak të famës së vendit. Mendoni vetëm si tingllon kjo: tetëdhetë gjenerala për nji ditë.

— Kjo imponon, — thashë.

— Ta merr mendja. Me randsi asht që të bahet sa ma tepër kangë e piskamë!

(Faqja tjetër)

Stradija (2/12)

(Faqja e meparshme)

Mu pranë bregut, pak ma tutje, në të majtë të vendit ku zbrita, vuna rë nji piramidë të madhe prej mermeri me germa t’arta të gdhenduna. Iu avita kureshtshëm ma afër, tue mendue se mu këtu do t’i lexoj emnat e trimave të lavdishëm për të cilët më pat tregue baba. Kur atje — çfarë gjaje e papritun? Në mermer fjalë të gdhenduna:

„Deri këtu në veri shtrihet toka e popullit të lavdishëm dhe fatbardhë, të cilit, Zoti i madh i ka dhurue lumnin e madhe të rrallë që në gjuhën e tij, plotsisht në pajtim me rregullat gramatikore, për krenarin e vendit dhe të popullit, k-ja para is shndërohet gjithmonë në c[1].

E lexova nji herë, dy herë, por kurrsesi nuk mujta të përmblidhem prej habis se çka duen me thanë të gjitha këto. Çka ishte edhe ma e çuditshme për mue, fjalët ishin të shkrueme në gjuhën time amtare.

— Po, kjo asht gjuha në të cilën ka folë edhe im at dhe të parët e tij dhe unë, por nuk asht ai vend, ai më ka folë për nji vend krejt tjetër. Ajo që më shtyn me dyshue asht se flitej e njajta gjuhë por mendova se mundet me ndodhë që të jenë dy popuj të largët, prej nji origjine, vllazën të njajtë, që kanë nji gjuhë, por që nuk dijnë njani për tjetrin. Pak-ngapak mëni çudija, kështuqë dhe vetë zuna me u krenue që rastsisht edhe gjuha ime amtare asht po e atillë dhe bash me at veçori të bukur.

Kalova kalan dhe u drejtova rrugës që çon në qytet qe të çlodhem ndokund në hotel nga udhtimi i gjatë dhe mandej të kërkoj punë, në mënyrë që prej fitimit të mundem me e vazhdue rrugën ma tutje për ta kërkue atdheun tim.

Nuk kalova disa hapa kur, papritmas, rreth meje, si rreth ndonji përbindshi, zu me u tubue njerzija prej të gjitha anëve. Pleq e të rij, mashkuj e femna, iu zihej fryma, ngrihen në maje të gishtave, shtyhen, shtypen që të më shohin sa ma mirë. Në fund u tubuen, aq shum njerëz, sa u mbyll rruga dhe u pre çdo qarkullim.

Gjindja më shiqon me çudi, por edhe mue ajo gjinde e panjoftun më mrekullon. Cilindo që ta kqyrë, asht i stolisun me dekorata e shirita. Rrallë kush prej atyne që ishin ma të vorfën mban nji ose dy dekorata, kurse në përgjithsi secili asht i stolisun aq shum, sa as teshat nuk i shifen. Disa kanë aq sosh sa nuk mujnë as me i çue në trup, por tërheqin karroca të vogla mbas vedit me plot dekorata për merita të ndryshme, hyj, shiritë, dhe çfarë dekoratash, jo.

Mezi mujta me ecë nëpër kët turmë njerzish të lavdishëm që më vallojnë dhe gushaten kush mundet me i hapë rrugë vedit ma afër meje. Madje, disa ziheshin për kët punë e ndiheshin edhe qortime kundër atyne që qëndrojshin gjatë pranë meje:

— Paj ndoshta jeni ngi ma tue kqyrë; lenani tash pak që të shofim edhe na.

Cilindo që afrohej, përnjiherë hynte ngutshëm në bisedë që të mos e zmbrapte ndokush.

Më mërziten ma të njajtat pyetje me habi:

— Prej kah je?… Vallë s’ke asnji dekoratë?…

— S’kam.

— Sa vjet ke?

—- Gjashtëdhetë.

— Dhe ende asnji dekoratë?!

— Asnji.

Vikama hapej nëpër turmë si në panair kur çfaqen përbindshat.

— Ndëgjoni, burra; njeriu gjashtëdhetë vjeç pa asnji dekoratë për be!

Të zihet fryma, poterë, rrëmujë, shtymje gjithnji ma tepër e ma tepër dhe njërzit nga të gjitha rrugët tubohen dhe sulmojnë që të përshkohen nëpër turmë për me më pa. Në fund filloi dhe rrahja kështuqë u përzi edhe policija për ta vu rregullin.

Edhe unë, para se filluen me u rrahë, pyeta kënd mbërrijta mbi meritat, për të cilat ishin dekorue.

Njani më tha se ministri i tij e kishte dekorue për merita të rralla dhe flijim kundrejt atdheut, sepse kishte pasë shum pare shtetnore nëpër duer nji vjet të tanë dhe n’arkë, kur u ba kontrolli, u gjetën vetëm dy mijë dinarë ma pak se sa duhej me qenë. „Asht e drejtë”, flitej, „sepsë ka mujtë me i ba rrush e kumbulla të gjitha, por fisnikija dhe shpirti patriotik nuk e kanë lanë me e ba at punë.

Njani ishte dekorue pse kishte qenë nji muej rojtar i disa magazinave shtetnore dhe asnji magazinë nuk ishte djegë.

Njani ishte dekorue për shkak se ma së pari veneroi dhe konstatoi se fjala libër mbaron në mënyrë shum interesante me r dhe fillon me l.

Nji gjellëbamse ishte dekorue për arsye se për pesë vjet shërbim në nji shtëpi të pasun kishte vjedhë vetëm disa sende t’argenda e t’arta.

Njani ishte dekorue sepse, mbasi kishte dalë me nji deficit të madh, nuk e kishte vra vedin simbas shembullit të marrë t’atëhershëm, por rhe arrogancë kishte bërtitë para gjyqit:

— Unë pikëpamjet dhe idet e mija i kam tregue në vepër, të tilla janë botëkuptimet e mija dhe ju dënomni. Qe ku jam! (Këtu e rrahi gjoksin dhe bani nji hap përpara).

Ai, mendoj, e muer dekoratën për kurajo civile, (dhe asht e drejtë!)

Nji mixhok kishte marrë dekoratë sepse ishte plakë dhe nuk kishte vdekë.

Njani ishte dekorue sepse ishte pasunue pa u mbush gjysëvjetori tue e furnizue shtetin me drithë të keq dhe shum gjana tjera.

Nji trashigimtar i pasim ishte dekorue sepse nuk e bani rrush e kumbulla pasunin atnore dhe sepse dha pesë dinarë për qëllime mirëbase.

Kush kishte me i mbajtë në mend të gjitha! Prej secilit kam mbajtë në mend nga nji dekoratë të tij dhe me i radhitë të gjitha, do t’ishte gja e pamundun.

Elem, kur tashma krisi gëverra dhe shamata, u përzie policija, policët zim me shpërnda gjinden dhe nji kryeplak, a çka asht, urdhnoi që ta sjellin nji karrocë të mbyllun. Më hypën në karrocë, rreth së cilës gjindeshin policë t’armatosun për me e zmbrapë gjinden. Ai u ul me mue dhe më çoi diku, ndërsa nga të gjitha anët njerzit ngarendshin mbrapa karrocës.

Qerri u ndal para nji shtëpije së madhe, t’ulët, por të lanun shkretë.

— Ku gjindemi tash kështu? — e pyeta at kryeplakun (barem unë ashtu e thërras) që e siguroi qerrin dhe vetë u ul me mue mbrenda.

— Kjo asht policija e jonë.

Kur zbrita prej qerrit, pashë dy vetë tue u rrahë mu para dyerve të policis. Policët qëndrojshin përqark dhe shiqojshin zanjen, e, edhe shefi i policis edhe gjithë nëpunsit tjerë shiqojshin me kënaqsi.

— Pse rrahen? — pyes.

— Paj, urdhni asht i këtillë, që të gjitha skandalet të bahen këtu para syve të policis, sepse a dini se si asht? Ku do të mujshin shefi dhe nëpunsit tjerë me kontrollue çdo skutë. Kështu asht ma lehtë për ne dhe ma açik. Zihen dy vetë dhe, poqese duen me u rrahë, vijnë këtu. Ata, të cilët bajnë skandale poshtë, në rrugë në vend jo kompetent, na duhet medoemos me i dënue.

Zotni shefi, nji burrë i trashë, me mustaqe të thime, i rruem, me gushë të fryeme nën mjekrën e rrumbullakët, kur më pa, për pak qe tue i ra të fikët prej çudis.

— Prej kah je, pash Zotin, or burrë? foli dhe mbasi e mblodhi vedin prej çudis dhe i hapi duert, filloi me më vrejtë nga të gjitha anët.

Ai që erdh me mue, pëshpëriti diçka me te; ndoshta i referoi krejt çka kishte ndodhë. Shefi u mrrol dhe më pyeti ashpër:

— Prej kah je, fol!

— Unë zuna me i tregue fije e për pe kush jam, prej kah jam dhe ku shkoj, mirëpo ai filloi me u nxe dhe bërtiti:

— Mirë, mirë, leni ti ato marrzina, por çka asht me randsi, tregom ti mue si ke guxue kështu me shkue nëpër rrugë në titerr të ditës.

Fillova me shique trupin teposhtë dhe rreth vedit mos gjindet ndonji send jo i rendomë në mue, por nuk më ra në sy kurrgja. Kështu kam kalue nëpër shum vende dhe kurrkush kurrkund nuk më ka marrë në përgjegjsi.

— Pse s’po leh? — bërtiti ai njerzisht, ashtu sikurse, simbas qarkores, në përgjithsi sillet policija n’at vend dhe venerova si dridhej prej zemrimit. — Unë do të të fus në burg, sepse ti ke shkaktue shum skandale në vend jo kompetent dhe e ke shqetsue tanë qytetin me marrin tande.

— S’po marr vesh kurrgja, zotni, çka kam mujtë me ba kaq keq — vërejta me frigë.

— Je plak dhe nuk din as ate që dijnë fëmijt e vegjël nëpër rrugë. Po të pyes ty edhe njiherë: Si ke mujtë ti me kalue kështu nëpër rrugë dhe me shkaktue çrregullime, çka asht ma zi, në vend jo kompetent?

— Unë jam njeri korekt.

— Ti je i marrë, kështu plak… Korekt… Hajde ku i ke dekoratat.

— S’kam.

— Rren, qen plak.

— Pasha Zotin, nuk kam!

— Asnji?

— Asnji.

— Sa vjeç je?

— Gjashtëdhetë.

— Vallë për gjashtëdhetë vjet asnji nishan?

— Po ku ke jetue? Në hanë a po ku?

— Nuk kam asnji, pasha tokë e qiell! — zuna m’u përbe!

Shefi u çmerit. Hapi gojën, zgurdulloi syt, shiqoi në mue dhe s’bani ciu me gojë.

Kur u çpi pak, nga çudija urdhnoi që t’ia sjellin sa ma parë nja dhetë dekorata.

Prej odës përbri sollen plot dekorata të ndryshme, hyj, shiritë, dekorata që varen në qafë dhe shum medale.

Shefi urdhnoi dhe kështu në kambë e në dorë m’i vunë nja dy tre hyj, nji shirit, tri katër dekorata m’i varën në qafë, disa m’i ngjiten në setër dhe pos këtyne m’i vunë nja njizet medale dhe kujtimore.

— Kështu, bre vlla! — bërtiti shefi i kënaqun, i cili trilloi mënyrën me shmangë skandalet e matejshme. — Kështu — mandej shtoi — tash i ngjan njeriut të rendomtë; ashtu ma alarmoi tanë qytetin, ra befas si ndonji përbindsh… Ti ndoshta edhe nuk ke dijtë se sot asht festë? — mbaroi pyetjen, tue m’u drejtue mue.

— Jo.

— Mrekulli! — tha, pak i fyem, heshti dhe tha:

— Para pesë vjetëve, në ditën e sotshme asht tredhë kali im të cilit tash i hypi rregullisht dhe sot kam marrë urime nga qytetarët ma të shquem dhe kah mbramja do ta shetis kalin tim rreth orës nandë me pishtarë nëpër rrugë dhe mandej do t’epen valle në hotelin ma të mirë, ku mund të hyjnë vetëm qytetarët ma të shquem.

Tash qeshë gadi me u ndezë flakë prej çudis, por që mos t’i bijsha në sy, përmblodha vedin dhe iu afrova edhe ia urova me fjalë:

— Më falni që nuk kam dijtë për kët ditë tuej feste dhe më vjen shum keq që nuk kam mujtë me ju urue në kohën e duhun, por, qe, tash po e baj kët punë.

Ai m’u falenderue nga thelbi i zemrës për ndejnjat e mija të sinqerta që ushqej karshi kalit të tij besnik dhe menjiherë urdhnoi të më qerasin.

Me qerasën venë e pasta dhe unë u përshëndeta me shefin dhe u nisa me nji polic (të cilin ma dhanë të më çojë në lokandë), i stolisun me hyj dhe dekorata, kështuqë mujsha me shkue i qetë rrugës, pa poterë dhe rrëmujë prej gjindes, gja që do të më ndodhte patjetër sikur të kisha shkue ashtu pa nishane.

Ai polici më çoi në lokandë. „Te atdheu ynë i dashtun, i vuejtun”. Hotelieri ma caktoi nji odë dhe kështu hyna me u çlodhë. Mezi prita që të mbetem vetëm e të përmblidhem nga mbresa e çuditshme që bani në mue ky vënd herën e parë.

(Faqja tjetër)

 

[1] Rregull në gjuhën sërbishte, sh. i përkth.