Tag Archive | zgjidhja

Stradija (8/12)

(Faqja e meparshme)

Edhepse kisha mendue që të shkoj së pari te ministri i arsimit, prapseprap, për shkak të këtyne ngjarjeve të fundil të papëlqysheme dëshirojsha me ndie çka mendon për kët punë ministri i mbrojtjes dhe të njajtën ditë shkova te ai.

Ministri i mbrojtjes, vocrrak i hajthëm me krahnuer të futun përmbrenda dhe me duer të holla, kish mbarue së kënduemi uratën, pak përpara se me më pranue.

Në zyrën e tij njiherë era e fastigenit dhe e tamjanit sikur në ndonji faltore dhe në tavolinën e tij gjindeshin plot libra fetarë, të vjetër dhe tashma të zverdhuem.

Unë në kohën e parë mendova se kisha gabue dhe ardhë te ndokush tjetër, por uniforma e oficerit të naltë, të cilën e kishte veshë zotni ministri, më dha me besue në të kundërtën.

— Më falni, zotni, — tha ambëlsisht, me nji za të butë, të hollë — mu tash e mbarova së kënduemi uratën e rregullshme. Unë kët gja e baj gjithmonë sa herë ulem në punë dhe veçanërisht tash e lyp puna me u lutë shum ma tepër për shkak të ngjarjeve të fundit të papëlqyeshme në jug të vendit tonë të dashtun.

— Poqese ata vazhdojnë sulmet, këto munden me u ba shkak ende për luftë? — e pyeta.

— A, jo, nuk ekziston kurrfarë rreziku.

— Por mue ma han mendja, zotni ministër, se rreziku tashma ekziston kur ata vrasin njerëz dhe plaçkisin çdo ditë nëpër tanë nji krahinë të vendit tonë.

— Vrasin, kjo asht sagllam, por na nuk mund të jemi aq të pakulturuem, aq t’egjër si… Këtu asht ftoftë, thuese po fryn korent prej dikahit. Plasa tue u thanë sherbëtorëve krahthatë që n’odën time temperatura të jetë gjithmonë gjashtëmbëdhetë gradë e gjysë, por megjithatë kurrgja… — e ktheu zotni ministri bisedën e fillueme dhe i ra ziles për të thirrë sherbëtorin.

Sherbëtori hyni e u përkul dhe dekoratat i tinglluen në krahnuer.

— Paj a ju kam thanë, pafshi zotin, që temperatura në kabinetin tim të jetë gjashtëmbëdhetë gradë e gjysë, kurse që, tash përsëri ftoftë; mandej njifarë korenti; vërtet me u mërdhi njeriu!

— Qe, zotni ministër, vegla për matjen e nxehtsis tregon tetëmbëdhetë! — tha sherbëtori me njerzi dhe u përkul.

— Atëherë, mirë — tha ministri i kënaqun me përgjigjen — tash mundeni me Shkue, po të keni qejf.

— Sherbëtori u përkul prap thellë, dhe duel.

— Mu kjo temperatura e mallkueme, besomni, asht kah më jep shum brenga, e temperatura për ushtri asht gja me randsi. Poqese temperatura nuk asht si lypet me qenë, ushtrija nuk vlen kurrgja… Tanë mëngjesin e kam përgatitë nji qarkore për të gjitha komandat. Qe bash do t’jua lexoj.

„Meqenëse në kohën e fundit janë shpeshtue invadimet e Anutëve në krahinat jugore të vendit tonë, urdhnoj që ushtarët, çdo ditë së bashku, nën komandë, t’i luten zotit të madhnueshëm për shpëtimin e atdheut tonë të shtrejtë e të dashtun, të vaditun me gjakun e të parëvet tanë trima. Uratën për kët rast, ate që lypet ka me e caktue prifti ushtarak; por në fund t’uratës të vijë dhe kjo: „Zoti i mshirshëm t’ua çeli dyert e parajsës qytetarëve të mirë, të qetë dhe të drejtë që ranë fli të furis s’Anutëve t’egjër! Zoti t’iu përdllojë shpirtin e tyne të drejtë dhe patriot; u qoftë i lehtë dheu i stradis, të cilin e deshtën me sinqeritet dhe nxehtsisht! Lavdi u qoftë!” Këte duhet ta shqiptojnë të gjithë ushtarët dhe eprorët njiherit, por duhet të shqiptohet me za të devotshëm dhe të përshpirtshëm. Mandej të gjithë të drejtohen, ta ngrejnë kryet krenarisht dhe mburrshëm si iu ka hije bijve trima të vendit tonë dhe të bërtasin tri herë me za bumbullues:  „Rrnoftë Stradija, poshtë Anutët!” Duhet me pasë kujdes që tanë kjo punë te kryehet bukur dhe me kujdes, sepse prej saj mvaret e mira e atdheut tonë. Kur t’i kryejnë të gjitha këto pa rrezik, atëherë disa çeta me flamur, të marshojnë ngadhnjyeshëm nëpër rrugë, me tingujt bumbullues luftarak të muzikës, kurse ushtarët duhet të hjedhin hapat rreptë, ashtuqë në çdo hap t’u tundet truni në krye. Mbasi puna asht e ngutshme, këte keni me e krye menjiherë pikë për pikë dhe mbi të gjitha me raportue holisishëm… Në të njajtën kohë urdhnoj në mënyrën ma të rreptë që t’i kushtoni kujdes të veçantë temperaturës nëpër kazerma që të mundet me u zbatue kushti ma esencial për zhvillimin e ushtris”.

— Kjo do të ketë sukses patjetër, poqese qarkorja mbërrin me kohë! — thashë.

— M’asht dashtë me u ngutë medoemos, dhe, shyqyr zotit, asht rrahë me telegraf tanë qarkorja nji orë të tanë para ardhjes suej. Sikur të mos isha ngutë që punën ta baj me mend kështu me kohë, mund të kishin ndodhë plot akcidente të papëlqyeshme dhë të këqija.

— Keni të drejtë! — thashë, sa për të thanë diçka, megjithse nuk mujsha me i ra n’erë kurrkund se çfarë gjaje e keqe kishte me ndodhë.

— Po, zotnija im, ashtu asht. Sikur unë. si ministër i ushtris të mos kisha punue ashtu, ndonjani prej komandantëve në jug të vendit, do të kishte mujtë me e përdorë ushtrin që me armë t’u shkojë në ndihmë qytetarëve tanë dhe të derdhi gjak anuti. Gjithë oficerët tanë mendojnë se kjo do t’ishte mënyra ma e mira por ata nuk duen që të mendojnë për këto punë pak ma thellë dhe ma gjithanshëm. Ma parë e ma dalë, na, qeverija e sodit duem politikë të jashtme paqsore, të devotshme, na nuk duem ndaj anmiqvet të jemi jo njerëz; e për ate që ata po sillen ashtu egërsisht ndaj nesh, Zoti ka me ua pague me vuejtje të përjetshme dhe kërsitje dhambësh në zjarmin e ferrit. Gjaja e dytë, or zotni i im i dashtun, e cila poashtu ka randsi, asht se qeverija e sodit nuk ka partizanë në popull dhe ushtrija na duhet kryekreje për punët tona të mbrendshme politike. Për shembull, poqese ndonji komune gjindet në duer të kundërshtarëve, atëherë duhet me përdorë ushtrin e armatosun që trathtarët e këtillë të këtij atdheu të vuejtun, të dënohen dhe pushteti t’i jepet në dorë ndonji njeriut tonë…

Zotni ministri u kollit dhe unë ia grabita fjalën:

— Të gjitha këto janë të vërteta, por, poqese invadimet e çetave t’Anutëve marrin përpjestime më të forta?

— E, atëherë do të kishim ndërmarrë edhe na masa ma t’ashpra.

— Çka mendoni, poqese guxoj me pyetë, zotni minister, në nji rast të këtillë?

— Kishin me u marrë masa ma të rrepta, por prap me takt, urtsi dhe tue mendue mirë. Në kohën e parë do të kishim urdhnue që nëpër tanë vendin të merren prap rezolucione ma të rrepta dhe, për zotin, poqese edhe kjo nuk do të ndihmonte, atëherë kishte me na u dashtë medoemos, kuptohet, pa humbë asnji çast, me nxjerrë nji fletore patriotike me tendencë ekskluzivisht patriotike, dhe në nji fletore kësisoji me sjellë nji varg të tanë artikujsh t’ashpër, bile edhe shpotitës kundër Anutëve. Por, zoti mos e dhashtë, që tashma për fat të keq, puna të mbërrijë deri aty — tha ministri dhe uli kryet me përultsi dhe zu me ba kryq, tue përshpëritë me buzët e veta të zbeta e të dobsueme, urata të nxehta.

Mue, në të vërtetë, nuk më preku aspak ndjenja e bekueme, religjioze, por, edhe unë, vetëm sa për të ba shoqni, fillova me u kryqzue dhe më kapluen disa mendime të çuditshme:

„Vend i çuditshëm! — mendova — Atje vriten njerzit, kurse ministri i mbrojtjes këndon uratë dhe mendon me nxjerrë fletore patriotike. Ka n’ushtri të bindshme dhe trime; kjo asht provue në kaq lufta; po pge atëherë mos me nxjerrë nji sasi ushtarësh në kufi dhe me ndalue rrezikun prej çetave t’Anutëve?

— Ju çudit, ndoshta, plani im kësisoji, zotni? — m’i ndërpreu ministri mendimet.

— Paj edhe më çudit! — thashë pa dashje, edhepse u pendova menjiherë për at mos përsiatje.

— Nuk jeni mjaft në korent të punës, i dashtuni im. Nuk asht këtu gjaja kryesore me e ruejtë vendin, por me e mbajtë kabinetin sa ma gjatë. Kabineti i kaluem ndejti në fuqi nji muej, kurse na teksa dy tri javë dhe të rrëxohemi kështu, s’ka lezet. Pozitën e kemi gjithmonë të tronditun dhe na, ta merr mendja, s’kemi çare pa përdorë të gjitha masat që të mbahemi sa ma tepër në pushtet.

— Çka bani?

— Punojmë ate që kemi ba deri tash! Përgatisim çdo ditë gjana të paprituna, bajmë kremtime, dhe tash, mbasi punët i kemi keq, duhet të trillojmë medoemos ndonji komplot. E kjo barem asht lehtë në vendin tonë. Dhe, gjaja që ka randsi, asht se gjindja asht mësue aq me kët punë sa bile, edhepse asht krejt robnisht e ndëgjueshme, kërkon me marrë vesh: „Çka? Vallë nuk ka ende kurrnji komplot?” vetëm poqese njeriu vonon me e përdorë disa ditë ma tepër kët mjet shum të sigurt për ta pengue opozitën. Kështu, pra, për shkak të këtyne befasive, kremtimeve, komploteve, kemi nevojë gjithmonë për ushtri për punët tona të mbrendshme. Pse njerzit vriten, kjo asht për ne gja e dorës së dytë, or zotnija im. Për mue gjaja kryesore asht që të kryej punët ma të ngutshme, ma të dobishme për vendin se sa ate që do t’ishte ashiqare budallallëk, me luftue kundra Anutëve. Si më duket nga gjithë shejat mendimi juej në lidhje me këto punë, nuk asht origjinal; kështu, për fat të keq, mendojnë dhe оficerët tanë dhe ushtrija jonë, por na antaret e kabinetit të sodit, e shiqojmë punën shum ma thellë dhe ma me mend.

— Paj, vallë ushtrija a duhet për ndonji gja tjetër mа shum se sa asht mprojtja e vendit, mbrojtja e atyne fаmiljeve, atje në jug, që vuejnë prej zullumit të huej? Po ajo krahinë zotni ministër, i dërgon n’ushtri bijt e vet, i dërgon me gëzim, sepse në ta, n’ushtri, sheh mbështetjen e vet, — i thashë zotni ministrit, mjaft me zemrim edhepse nuk ishte nevoja me ia thanë, por i plas damari njeriut dhe ban çdo gja, si me i pasë këcye dreqi në qafë.

— A mendoni se ushtrija nuk ka detyrë ma të ngutshme, zotni? — më tha zotni ministri me za të butë, por qortues dhe me njifarë përbuzje, tue më matë me nënçmim prej majës së kres deri në fund të kambëve.

— A mendoni? — përsëriti ai tue fsha me dhimbje.

— Por, ju lutem,… — fillova diçka dhe kush e din çka dojsha me thanë, sepse edhe vetë nuk e dij, por ministri ma preu fjalën me za ma të fortë, tue shqiptue në mënyrë sinjifikative pyetjen e vet të randsishme dhe bindse.

— Po paradat?

— Çfarë paradash?

— Po vallë dhe për këte mund të pyesi njeriu? Paj, barem kjo asht çashtje me shum randsi në vend! — u zemrue pak ministri i qetë dhe i devotshëm.

— Më falni, nuk e kam dijtë këte — thashë.

— Nuk e keni dijtë?!… Gjepra! E unë ju flas pada se, për shkak befasish të randsishme në vend duhet të ketë medoemos dhe kremte e parada. E ku do të mujshin me u ba këso punësh pa ushtri? Këto janë barem për sot detyrat e saja kryesore. Le t’invadojnë çetat anmike, këto nuk janë aq gjana me randsi; por me randsi asht që na të paradojmë nëpër rrugë me ushtimën e burijave; sikur tashma rreziku ta kërcnojë shum vendin, atëherë, ndoshta dhe ministri për punët e jashtme të vendit, ndoshta do të fillojë me u kujdesue për te, poqese nuk ndodhet rastësisht i zanun me punët e veta shtëpijake. Ai, i ngrati, ka mjaft fëmij, por megjithkëte shteti kujdeset për njerzit e vet me merita. Fëmijt e tij mashkuj e dini, mësojnë shum keq; çka mund të bajshin tjetër veçse me i mbajtë me bursë të shtetit. Kjo asht e drejtë; edhe për fëmijt femna shteti kujdeset, sepse u përgatit miraz me shpenzimet e qeveris ose dhandrrit që ka me e marrë vajzën e ministrit, ka me i dhanë pozitë të naltë, të cilën ndryshe, kuptohet tashma, nuk do të kishte mujtë me e marrë kurr.

— Asht gja e bukur kur çmohen meritat — thashë.

— Te na kjo asht gja e mrekullueshme. Në kët pikë nuk mundet me u barasue kush me ne: kushdo që të jetë ministër, madje i mirë ose i keq, shteti bujar gjithmonë kujdeset për familjen e tij. Unë nuk kam fëmij, porse shteti do ta dergojë kunatën time me mësue pikturë.

— Zojusha kunatë ka prirje, a?

— Paj ajo deri tash nuk ka vizatue kurrgja; por kush e din mund të pritet sukses. Me te do të shkojë edhe burri i saj, baxhanaku im. Edhe ai asht caktue bursist shteti. Ai asht njeri shum i vyeshëm dhe serioz; mund të shpresojmë prej tij shum gjana.

— Ky ëasht çift i ri?

— Të rij, ende mbahen; baxhanaku ka gjashtëdhetë dhe kunata rreth pesëdhetë e katër vjet.

— Zotni baxhanaku i juej sigurisht merret me shkencë?

— O, po si jo! Ai krykreje asht pemëshitës, por me gëzim lexon romane; kurse fletoret, si thuhet, i përbinë, lexon çdo fletore tonën, fletoret e ndryshme i çfletzon dhe romane ka lexue ma tepër se njizet. Ate e kemi çue të studjojë gjeologjin.

Zotni ministri heshti, filloi me mendue diçka dhe zu me i dredhë rruzaret e veta që i vareshin në shpatë.

— Përmendët befasin, zotni ministër? — ia kujtova bisedën e fillueme, sepse nuk m’interesonte shum as baxhanaku i tij, as kunata e tij.

— Por, po, keni të drejtë, unë e shmanga pakëz bisedën në gjana të dorës së dytë. Keni të drejtë. Kemi organizue nji befasi shum të madhe, e cila do të ketë patjetër sinjifikacion të madh politik.

— Kjo do të jetë, vërtetë, gja me randsi! A thue njeriu nuk guxon me dijtë kurrgja për te para se të ndodhi? — e pyeta me kureshtje.

— Pse jo, ju lutem? Kjo gja i asht shpallë popullit dhe tanë, populli përgatit gazmime dhe pret çdo çast ngjarje me randsi.

— Kjo do të jetë ndonji lumrn për vendin tuej?

— Lumni e rrallë. Tanë populli gëzohet dhe e përshëndet me entuziazëm qeverin për administratën e urtë dhe patriotike. Për kurrgja tash nuk flitet e nuk shkruhet ma në vendin tonë, por vetëm për at ngjarje të lumtun që do të ndodhi shpejt.

— Dhe ju, patjetër, keni përgatitë gjithëçka lypet që nji ngjarje e tillë e lumtun të ndodhi medoemos?

— Na ende nuk kemi mendue kurrgja ma me themel për te, por nuk përjashtohet mundsija që me të vërtetë të ndodhi ndoji ngjarje e lumtun. Ju, e dini sigurish at prrallën e moçme, prrallën e stërlashtë se si në nji vend pushteti i kumtoi popullit të pakënaqun se do të çfaqet në vend nji Zheni i madh, në të vërtetë Mesija, që do ta shpëtojë prej borxheve, administratës së keqe dhe prej çdo fatkeqsije e mjerimi dhe do ta çojë popullin nëpër rrugë ma të mira, kah nji ardhmëni e lumtun. Dhe me të vërtetë populli i dërmuem dhe i pakënaqun prej pushtetit toksuer dhe qeverimit, u qetsue dhe u banë argtime nëpër gjithë vendin… A thue nuk e keni ndëgjue kurr kët prrallë të vjetër?

— Jo, por asht shum interesante. Ju lutem çka ndodhi ma vonë?

— Filluen, siç ju tregova, gëzimi e dëfrimi në tanë vendin. Madje, populli, tubue në mbledbjen e madhe të përgjithshme popullore, vendosi që me ndihma të mëdha të blehen pasuni të mëdha dhe të ngrehen shum pallate, në të cilat do të shkruhej: „Populli Zhenis së vet të madh dhe shpëtimtarit”. Të gjitha këto u banë për nji kohë të shkurtë, të gjitha ishin përgatitë, vetëm pritej Mesija. Madje populli me votime të hapta, ia zgjodhi dhe emnin shpetimtarit të vet.

Zotni ministri u ndalue dhe i muer përsëri rruzaret e veta në të cilat filloi me i numrue kadalë kokrrat.

— Dhe u cfaq Mesija? — e pyeta.

— Jo.

— Kurrsesi?

— Ndoshta kurrsesil — tha ministri me indiferencë dhe dukej se e tregonte kët prrallë pa vullnet.

— Pse?

— Kush e din!

— Paj madje nuk ndodhi as kurrgja me randsi?

— Kurrgja.

— Gja e çuditshme! — thashë.

— Në vend të Mesis, at vjet ra breshën i madh dhe i asgjasoi të gjitha të mbjellunat në vend! — tha ministri tue shique qetas rruzaret qelibari.

— Po populli? — pyeti.

— Cili?

— Paj populli i atij vendi për të cilin flet kjo prrallë interesante.

— Kurrgja! — tha ministri.

— Bash kurrgja?

— Çka kishte me ba?… Populli si populli!

— Kjo asht nji çudi e mrekullueshme! — thashë.

— Hë de! Po ta kqyrni me të drejtë populli tekembrama asht në qar.

— Në qar?

— Kuptohet.

— Nuk kuptoj!

— Gja e thjeshtë… Populli, barem disa muej jetoi në gëzim e lumni.

— Kjo asht e vërtetë! — thashë i turpnuem që nuk mujta me e interpretue kështu menjiherë nji gja të thjeshtë.

— Mbas kësaj kuvenduem ende mbi gjana të ndryshme dhe zotni ministri ma përmendi midis tjerash se si bash me rastin e kësaj ngjarjeje të lumnueshme, për të cilën ishte fjala, po në të njajtën ditë do të bajë edhe tetëdhetë gjenerala.

— Po sa sish keni tash? — pyeta.

— Kemi mjaft, shyqyr zotit, por duhet me u ba ajo punë medoemos për shkak të famës së vendit. Mendoni vetëm si tingllon kjo: tetëdhetë gjenerala për nji ditë.

— Kjo imponon, — thashë.

— Ta merr mendja. Me randsi asht që të bahet sa ma tepër kangë e piskamë!

(Faqja tjetër)