Tag Archive | vdekje

Nga shënimet e katundit (3/4)

(Faqja e meparshme)

III
VORRIMI NË KATUND

Mixha Mihajl Tomaniqi ishte kojshija ynë. Pak më kujtohet, në të vërtetë, e kam mbajtë në mend ma tepër çibukun e tij se sa atë. Çibuk qershije, të shkruem, të laruem. Më kujtohet kur ai vinte te na, rrinte pranë zjarmit, pinte kafe dhe nga goja i dilshin hallka të denduna tymi. Unë e shiqojsha me dëshirë të flakët çibukun e tij dhe e dojsha ma tepër se çdo send tjetër. Oh, sa qëllime dhe plane të bukura kam pasë me at çibuk dhe më dukej shum marrzi e madhe që nji send aq i bukur të përdoret për të pi duhan, për nji punë aq tarallake.

Nji mëngjes, ishte pranverë, hyni në shtëpin tonë biri i mixha Mihajlit, Marku, kryeshtrue, i piklluem na përshëndeti „qoftë lavdue Krishti”! na shiqoi neve të shtëpis dhe shiqimin e ndali në babën tim.

— Erdha me të lajmruë — tha — dhe u ndalue.

— A mos… shtoi nana me za të naltë, u ndal edhe ajo dhe e shiqoi Markun. Prej shiqimit të saj pashë se kishtë ngja diçka e tmershme.

— Vdiq? — vikati baba dhe i rrahi shuplakat e duerve. — Eh, i ngrati mixha Mihajl! Ama a thue vdiq-a?

— Në mëngjes, orëpremi! — shtoi Marku mbas njij heshtjeje të shkurtë, kurse lotët i rrodhën. I fshini lotët dhe i nguli syt në zjarm në votër.

— Tash nuk ke fajde edhe sikur ta mbysish vedin… Vullneti i Zotit!… Të gjithë kemi me shkue nëpër at rrugë — e ngushlloi nana.

— Nuk lindin ma asi burrash! — tha baba.

— Vullneti i Zotit — shtoi edhe Marku.

— I nxuer fëmijt në selamet, ka lanë mjaft mall, kurse vetë njeri plak… Njeriut i vjen keq, si thot fjala, për zogun e pulës, e lene ma për atë që asht ma i afërmi, për babën, por ajo që duhet me ndodhë s’ka çare pa ndodhë!… Vdekje e bukur! — tha nana.

— Ama thuese e zu gjumi, të ngratin, nuk livriti aspak — tha Marku.

— E, kjo asht vdekje e bukur!… Mos e dhashtë Zoti sikurse ka… — filloi baba.

Marku bani me dorë. fshani dhe si me vehte foli:

— Në vend të huej, pa kurmji njeri t’afërm… dhe… Mos e dhashtë Zoti!

— A e keni lajmrue popin? — e pyeti baba.

— Ka shkue Milivoja (djali i dytë i mixha Mihajlit).

— Për Zotin mall ka lanë e jo mahi! Nuk ke frigë se ke me u turpnue. Ke shyqyr Zotit, dhe me çka me e vorrue. Nuk ka me t’u koqë fytyra.

— Kam shyqyr Zotit! Eeeh, çka me ba?… S’mundem me dalë prej kësaj lëkure e me hy në nji tjetër! Mos e dhashtë Zoti kështu.. I por kjo ka ardhë prej Zotit! — tha Marku tue dalë prej dere.

Baba shkoi menjiherë mbas tij.

Ndërsa zhvillohej kjo bisedë, unë deshta dy tri herë me pyetë për çibukun e mixha Mihajlit, por s’pata guxim, sepse ndjejsha në vedi se bahej nji bisedë mjaft e rrallë dhe e çuditshme. Por mendimin për çibuk nuk e largojsha kurrsesi.

Futem mshehtazi edhe unë n’oborrin e mizha Mihajlit.

Plot njerëz. Fëmijt e tij, fëmijt e fëmijve dhe tjerët nga farefisi, kryeshtrue, kalojnë pranë njerëzve, ofrojnë raki të nxehtë, kafe. Njerzit i qetsojnë, pijnë për shpirtin e të ndjerit. Kunatat dhe grat tjera të farefisit kukasin me tanë zanin; plot gra tjera bredhin andej këndej nëpër shtëpi, oborr, diçka punojnë, bajnë ose gjinden rreth zjarmit të madh n’oborr dhe shiqojnë gjellën që zihet nëpër kusija të mëdha, pijnë raki të nxehtë për shpirtin e të ndjerit. Kundruefl atij zjarmi, nji tjetër, dhe atje në të dyja anët sillen dy fërliq të mëdhej. I sjellin disa djelmosha. Përrreth plot njerëz. Qeshen ndër vedi, tallen, vejnë kore bukur që të pikojë në to yndyra nga mishi që piqej, hanë meze dhe pijnë raki të nxehtë.

E tanë kjo punë mue nuk m’interesonte, madje më vinte e mërzitshme. Unë mendojsha me ngulm për çibukun e mixha Mihajlit. Frigohesha, parandjejsha dhe dridhesha që mos ta vorrosin edhe çibukun me mixha Mihajlin.

— Soll të kisha me e dijtë athue kush ka me e përdorë çibukun?!

Megjithë dëshirën që kisha me marrë vesh për çibukun nuk mujta me kuptue kurrgja.

Kur rashë me fjetë në mbramjen e asaj dite, mendojsha për çibukun e me ato mendime fjeta, dhe të nesërmen tashma ndërmora masa ma serioze. Shiqova nëpër gardh t’oborrit të mixha Mihajlit, po n’at vend sikur dje, por për fatin tim pashë vërsnikun tim Mikën, nipin e mixha Mihajlit. Vendosa me ia hapë zemrën. I bëzana nëpër gardh dhe ai fugoi menjiherë. I propozova që të luejmë në kumbullishten tonë dhe ai e pranoi propozimin.

— Çka të luejmë? — pyet.

— Tregtarin. Ti të shesish thi e unë të blej.

— Hajde.

Mika u ul skaj koritës së madhe prej së cilës pijnë ujë thit dhe u ujdis sikur mixha Mihajli, kur u shitte thi tregtarëve, kollitet dhe pret që unë të filloj.

— He, prit, po shkoj me e marrë badifokën e babës që e ban në gjueti! — thashë i entuziazmuem prej ides së re të bukur.

— Po unë çka me ba? — filloi ai me u revoltue. Unë po e vrj torbën, e ti shit thi.

Mue më vetoi në krye nji mendim edhe ma bet.

— Ti merre çibukun e gjyshit dhe ban sikur je tue pi duhan.

E pat edhe kjo.

Ai fugoi në njanën anë dhe unë në tjetrën.

U ktheva unë me torbë dhe pres me padurim. Ai s’asht kurrkund. Mosdurimi im për nji kohë të shkurtë mbërrmi kulmin. Ma zu frymën era e fasligenit dhe e tamjanit. Të gjithë janë të qetë, te tubuem rreth sandykut. Popi këndon me epitrahilin në gjoks, mësuesi dhe nxansit përgjigjen me kangë. Rrasem edhe unë. Fytyra e mixha Mihajlit si dyelli, në krye e ka fesin e kuq, duert mbi krahnuer, si dylli. Më kaploi friga.

— Ik prej këndej! — murmuroi dikush dhe më shtyni. Unë u tërhoqa mbrapa, ndërsa nji tjetër më përzuni prej oborrit.

Unë u futa në kumbullishten tonë, kur qe për mrekulli të Zotit, Mika aty. Pranë tij çibuku. Filluem prap me ra n’ujdi se çfarë roli me luejtë secili prej nesh.

„Zot i shejtë, i fuqishëm, i pavdekshëm, kij mëshirë për ne” — u ndie prej oborrit të mixha Mihajlit kanga e pikllueshme e vorrimit.

— Kuku, kuku — shungulloi ajri nga gjama e grave.

Mika, i tmeruem, zu me kukatë edhe vetë, dhe mue më kaploi friga.

Kukama dhe kanga ndiheshin gjithnji ma dobët e ma dobët, funerali largohej.

Zani i kangës mbërrinte ende i dobët, „Zot i shejtë” vetëm dhe pak mundë të ndëgjohej të kënduemit, ndërsa unë dhe Mika u muerëm vesh që ta presim çibukun dhe të bajmë kloqe, nga oborri i mixha Mihajlit ndihëj gjithnji ma i fortë e ma i fortë gazi dhe zgërdhimja e shërbyesve të dejun.

(Faqja tjetër)