Tag Archive | vizitor

Stradija (3/12)

(Faqja e meparshme)

Posa e mbylla derën mbas vedi, hoqa prëj vedit ato nishane të shumta dhe u ula i lodhun dhe i këputun që ta pushoj shpirtin, ndjeva nji trokllitje në derë:

— Hyn! — thashë, e çka dijsha tjetër gja me thanë.

N’odë hyni nji njeri i veshun si zotni, me syza në hundë (që mos ta përsëris tashma vazhdimisht, duhet me pasë në mend që secili, kush ma pak, kush ma shum, asht i ngarkuem me dekorata. Kur shkova në hotel me at policin, më duhet me e përmendë edhe këtu, pashë tue çue në burg njanin që kishte vjedhë këpucë në nji dugajë dhe mbante dekoratë në qafë. „Çfarë dekorate qenka kjo?” — pyeta policin. — „Kjo asht dekoratë për merita në fushën arsimore e kulturore” — u përgjegj ai seriozisht dhe ftoftë. „Çfarë meritash qenkan këto?” „Paj ai ka qenë karrocier te ish-ministri i arsimit. Karrocier me talent” — m’u përgjegj polici.) Animirë, hyni nji njeri me syza në hundë, u përkul thellë, kuptohet, ashtu bana edhe un dhe u prezentue si nëpunës i naltë në ministrin e punëve të jashtme.

— Po më bahet qejfi! — thashë i habitun prej kësaj vizite të naltë të papritun.

— Ju gjindeni për herën e parë në vendin tonë, zotni? — më pyeti.

— Për herën e parë.

— Jeni i huej?

— I huej.

— Na keni ardhë si me porosi, besoni — bërtiti ai nëopunsi i naltë, gëzueshëm.

Kjo më hutoi edhe ma tepër.

— E kemi nji vend të shprazët për konsull. Këtu kishit me pasë, gja që ka randsi, rrogë të mirë dhe shtesa të mira për reprezentacion, të cilat, kuptohet, kishit me i harxhue për nevoja personale. Ju jeni njeri plak, me përvojë, kurse detyra asht e lehtë: propaganda e idevet tona popullore, ndër vende ku jeton populli ynë nën qeverimin e huej… Taman keni ardhë si me Ju pasë porositë, ka ma shum se nji muej që vuejmë tue kërkue nji personalitet të përshtatshëm për at detyrë të randsishme. Për vendet tjera kemi, shyqyr Zotit, të huej. Kemi Jahudi, Grekë, Cincarë (prej kah këta?!) — Po prej çfarë kombsije jeni, nëqoftëse guxoj me pyetë?

—  Paj, unë e drejta, si të ju thom, edhe vetë nuk e dij!… — thashë i turpnuem dhe taman sa fillova me tregue historin e pikllueshme familiare, ai më ndërpreu tue duertrokitë me entuziazëm dhe zu me këcye nëpër odë prej gëzimit.

— Gja e mrekullueshme, e mrekullueshme!… Kurr ma mirë! Ju do të mundeni vetëm me e krye detyrën e shejtë me ndërgjegje. Pëmjiherë po shkoj te Ministri dhe për disa dit keni me mujtë me u nisë! — tha nëpunsi i naltë si i luejtun prej gëzimit dhe fugoi me i tregue ministrit at zbulim të randsishëm.

Posa shkoi ai, unë u ula dhe e shtina kryet midis duerve. Nuk mujsha me besue kurrsesi se të gjitha këto që i pashë deri tash janë të vërteta në kët vend, kur qe prap dikush troklloi në derë.

— Hyn.

Hyni n’odë prap nji zotni tjetër i veshun me petka elegante dhe u paraqit prap si nëpunës i naltë i nji ministrije. Tha se me urdhnin e Z. Ministrit vjen te unë për nji punë me randsi dhe unë i çfaqa kënaqsin time të jashtëzakonshme dhe lumnin për nji nderim t’atillë.

— Ju jeni i huej?

— I huej.

Ai më shiqoi me respket, u përkul thellë deri në tokë dhe teksa filloi me folë, imë e ndërpreva me fjale:

— Ju lutem, zotni, më thoni si quhet ky vend i Juej?

— Nuk e dini! — bërtiti dhe më shiqoi me nji respekt dhe përulje ma të madhe.

— Stradija — shtoi dhe u prapsue para meje pak ma mbrapa.

— Rast i çuditshëm që kështu asht quejtë edhe ai vendi im bujar e heroik i të parëve të mij — mendova me vehte, por atij nuk i thashë kurrgja, veç e pyeta:

— Për çka mundem me ju shërbye, zotni i ndershëm?

— Asht krijue nji titull i ri i drejtorit të pasunive shtetnore dhe jam i lirë që të ju lutem, n’emën të zotni Ministrit, ta pranoni kët gradë të naltë e patriotike… Ju, sigurisht keni qenë deri tash disa herë ministër?

— S’kam qenë kurr.

— Kurr!… bërtiti ai i shastisun prej çudis… Atëherë në ndonji pozitë të naltë me disa rroga?

— Kurr.

Nëpunsi i naltë thuese u ba memec nga çudija. Tue mos dijtë çka me ndërmarrë në kët rast unik, kërkoi ndjesë që më shqetsoi, tha se do ta lajmëronte zotni ministrin për ate që biseduen ndër vedi.

Të nesërmen të gjitha fletoret shkruen për mue. Në njanën gjindej shënimi:

Njeriu i çuditshëm. Në vendin tonë tashma prej djehit banon nji i huej, i cili ka tash gjashtëdhetë vjet, dhe gjatë kësaj kohe nuk ka qenë kurr ministër as i dekoruem me asnji dekoratë, madje nuk ka pasë asnji detyrë shtetnore, as nuk ka marrë kurr rrogë. Vërtet rast unik në botë. Si kemi marrë vesh, ky njeri i çuditshëm ka ra në „Hotelin te atdheu ynë i vuejtun”. Shum njerëz dje i kanë shkue në vizitë dhe pohojnë se nuk ndryshon aspak prej njerëzvet tjerë. Na do të kujdesemi që për kët qenje enigmatike të marrim vesh sa ma shum hollsina rreth jetës së tij, gja që gjithsesi do të jetë shum interesante për lexuesit tanë të ndershëm dhe mbrenda mundsive do të kqyrim me e qitë dhe fotografin e tij në fletoren tonë.”

Fletoret tjera lajmruen afërsisht të njajtën gja, me nji shtesë të këtillë:

„…Pos kësaj kemi marrë vesh nga burimet e sigurta se ai njeri i çuditshëm ka ardhë edhe me nji mision të randsishëm politik.”

Fletorja qeveritare, përgënjeshtroi njerzisht këto lajme si vijon:

„Fletoret e marra kimdërshtare me marrzin e vet trillojnë rrena të ndryshme dhe përhapin ndër njerëz lajme alarmuese se si ka ardhë në vendin tonë nji i huej nja gjashtëdhetë vjeç, i cili si thonë këta ngatrestarë nuk ka qenë kurr as ministër, as nëpunës, as nuk ka kurrfarë dekorate. Pamundsi të këtilla dhe gjana fund e krye të pavërteta mund t’i mendojnë dhe me qëllim të keq t’i përhapin trut e ngushtë, të mjer dhe të matufosun të bashkëpuntorëve të shtypit kundërshtar, por, kjo gja s’ka me u pi ujë, sepse, shyqyr zotit, qe, tashma nji javë që ka ardhë ky kabinet në fuqi dhe pozita nuk i ësht trandë asnjiherë, sikurse duen të marrët e opozitës.”

Mbas këtyne artikujve nëpër fletore, gjindja filluen me u mbledhë rreth hotelit ku kisha ra. Ndalen, shiqojnë, vërejnë gojëhapun, disa shkojnë disa vijnë, edhe kështu në çdo kohë qëndron rreth hotelit nji grumbull i madh njerzish dhe nëpër ta mbështillen shitsit e fletoreve dhe të libretave dhe vikasin me sa za kanë:

— Roman i ri: „Njeri i çuditshëm”, bleni i parë!

Libër i ri: „Ndodhit e nji plaku pa dekorata!”

Të tilla libreza gjindeshin përherë.

Madje edhe nji mejhane e qiti firmën: „Te njeriu i çuditshëm” dhe në tabelën e madhe njeriu i vizatuem pa dekorata. Gjindja filloi me u tubue pranë këtij përbindshi dhe polidja, natyrisht, s’pat si me ia ba, dhe, n’interesin e moralit publik, e ndaloi nji fotografi të këtillë skandaloze.

Të nesërmen s’pata çare pa e hdërrue hotelin. Tue ecë rrugës, më duhej patjetër me ecë si ka hije, së paku me disa dekorata, kështuqë kurrkush s’ma vuni veshin.

Si njeri i huej kisha mundsi të njifem menjiherë me personalitete të shqueme e me ministra dhe shpejt t’i kushtohem të gjitha sekreteve shtetnore.

Menjiherë pata nderin gjithashtu t’i vizitoj gjithë ministrat në kabinetet e tyne.

Së pari shkova te Ministri i punëve të jashtme. Mu në kohën kur hyna në koridor, ku gjindeshin mjaft njerëz për me dalë para ministrit, shërbëtori lajmroi, tue bërtitë me sa za kishte:

— Zotni Ministri nuk mundet me pranue kurrkend, sepse asht shtri pak në divan me fletë.

Publiku u shpënda, kurse unë iu afrova shërbëtorit rne këto fjalë:

— Nëqoftëse asht e mundun, lajmroni zotni ministrin, që nji i huej dëshiron me u pa me te.

Shërbëtori posa ndjeu fjalen „i huej”, u përkul njerzishëm dhe hyni në kabinet të ministrit.

Përnjiherë u hap dera dykapakshe dhe në te u duk nji njert i përgjumshëm, pak i mbushun bukur i vogëi, u përkul me buzëqeshje dhe mjaft malokçe dhe më thirri personalish mbrenda.

Ministri më çoi te nji kolltuk dhe e ujdisi që t’ulem, kurse ai u ul përkundruell, vuni kambën mbi kambë, lëmoi me kënaqsi barkun e fryem dhe filloi me bisedue:

— Bash po gëzohem, zotni, që më keni ardhë në vizitë. Kam ndëgjue tashma shum gjana në lidhje me ju… — Unë, e dini, deshta m’u shtri, që të flej pak … Çka me ba tjetër? — Nuk kam punë dhe nga merzija nuk di cok çka me ba.

— Çfarë marrëdhanjesh keni me vendet fqije, poqese guxoj me ju pyetë, zotni ministër?

— Eh, si me ju thanë?… Mirë, mirë, gjithsesi mirë… Me ju tregue të drejtën, unë diçka nuk kam pasë as rastin me mendue per at punë, por tue çmue simbas të gjitha shejave, shum mirë, shum mirë… Asnji e keqe nuk na ka ndodhë, përveçse na kanë ndalë në veri eksportimin e thive dhe në jug po hyjn dhe po plaçkisin Anutët prej vendit fqi… Por kjo s’asht kurrgja… Këto janë imtsina.

— Dam për at eksportimin e thive. Po ndiej se keni shum sish në vend? — vërejta njerzisht.

— Ka, shyqyr zotit, ka mjaft sish, por q’aty del hesapi; kemi me i hangër. Këtu ata thit, kanë me u lirue edhe ma tepër; në fund të fundit, çka do të më ndodhte sikur të mos kishim pasë as thi?! Do të jetojmë domosdo — më përgjegji me indiferencë.

Në bisedën e matejshme më tregoi se si ka studjue silvikulturën dhe tash lexon me kënaqsi artikuj mbi blegtorin dhe se si mendon të blejë disa lopë dhe të rrisi viça prej kësaj pune mund të dalin t’ardhuna të mira.

— Në çfarë gjuhe lexoni ma shum? — e pyeta.

— Paj, në gjuhën tonë. Unë gjuhë tjetër nuk due dhe s’kam dashtë me mësue asnji herë. Madje nuk m’asht çfaqë nevoja me dijtë gjuhë të huej, veçanërisht në kët pozitë s’kam nevojë për të; sikur të lindë ndoji nevojë e tillë, asht lehtë me porositë ekspert nga jashtë.

— S’e lot as topi! — ia miratoj mendimet kaq spirituoze dhe origjinale, tue mos dijtë as vetë çka me ba tjetër.

— Vërtet, a i keni në qef troftat? — më pyeti mbas njifarë heshtjeje.

— Nuk i kam hangër kurr.

— Dam, ky asht peshk shum i mirë. Në të vërtetë specialitet. Dje i kam marrë prej nji miku disa copa. Gja jashtëzakonisht e mirë…

Mbasi kuvenduem ende do kohë kështu për gjana të randsishme, kërkova ndjesë prej zotni ministrit që me vizitën time e shqetsova ndoshta në punën e tij të randsishme shtetnore, u përshëndeta me te dhe u nisa.

Ai më përcolli njerzisht deri te dera.

(Faqja tjetër)

Kurrkund shpëtim

Me ndëgjue tue dhanë mësim mbi sintaksën latinishte dhe me u qethë në të nxehtit veruer, veçanisht te berberi i pazoti, këto kanë qenë për mue çastet ma të mërzitshme, sepse jeta nuk m’asht dukë kurr ma me pak kuptim, ma e marrë se sa ndër ato raste. Nuk do të kisha mujtë kurr me vendosë çka asht ma e randë prej atyne të dyjave. Vetëm merrni me mend nji ditë vere të nxehtë, kur nga zhegu, vërte dhe vetëdija turbullohet, ajri dridhet para syve, trupi dobsohet, bahet i plogët, njeriu mezi lëviz nga mërzija dhe tash të thomi, në nji gjendje të këtillë, uleni në karrikën e berberit. Berberi ju mbështjell me çarshaf dhe ju duhet të shtangoheni si ndonji senator romak. Çarshafi i berberit rraset rreth qafës dhe mandej fillon nji procedurë e tmershme. Djersa rrjedh nëpër fytyrë, don me hy në sy, mizat fluturojnë paturpsisht dhe bijnë tash në hundë tash në fytyrë, tash rreth gojës dhe duert i keni nën çarshaf dhe mezi mundeni me e lëvritë vetëm fytyrën, me rrudhë hundën dhe me shtrembnue buzët. Nëpër fytyrë, prap të ngjitshme prej djersës, bijnë qimet e imta prej gërshanëve dhe ngjiten, bijnë në sy, e madje dhe në gojë; atëherë zuni me pshtye me dëshprim. Pos këtyne mundimeve berberi ju sjell andej këndej dhe ju luen kryet si ndonji plaçkë, i shkrep gërshanët rreth veshëve pa kurrfarë arsyeje dhe kohë më kohë gërshanët e topituna iu ndukin ka nji tufëz flokësh, gjerbni ajr në vehte, shtrembnoheni prej dhimbjes, kurse berberi ju qetson: „Kjo s’asht kurrgja, kurrgja, ju lutem!” dhe përmblidhet me i shkrepë gërshanët ma me energji, tue mendue, ndoshta, që të ju bajë me harrue dhimbjen me at muzikë. Sa me padurim pritet n’at gjendje të dëshprueme përshëndetja shpëtimtare e berberit. „Me shëndet, zotni!” Ju heq çarshafin dhe ndjeni si ju kthjellphet çdo gja para syve, ndieni gëzimin e lumtun dhe të patregueshëm sikur ju pushon befas dhimbja e madhe e dhambëve.

Poashtu njeriu e pret në dëshprim të ramit e ziles në shkollë që, pëmjiherë, ju shpëton ptej ablativave apsolutë të padurueshëm dhe vërshimesh të tanë vërtash e tërtash — vërt-vërtus e tër-tërtus. Dhe kur famullusi i bjen ziles (ate gjithmonë e kam konsiderue si ndonji qenje engjullore) me nji të sjellun të dorës, zilja nle nji tingllimë, tingllimë qiellore zhdaravit të gjitha mërzit. Oh, ajo tingllimë e ambël m’asht ngulë aq në shpirtë sa s’muj me e harrue kurr.

Taman mësuesi thot:

— Gjithashtu asht gja e bukur me e përdorë këtu nec nec. Hajt provoni!

Mandej sprovoni djersiteni njiqind çudina ju vlojnë nëpër krye dhe kurrsesi nuk ju hyn në tru shprehja „gja e bukur” ose kur mësuesi thot edhe gja interesante, tamam mundimet tueja mbërrijnë kulmin dhe përnjiherë bje zilja me tingllimën e vet qiellore, shpëtimtare.

Mirëpo në jetë, ma vonë, me vjet, posa fillova me shkrue dhe me botue punimet e mija nëpër fletore zunë me u çfaqë gjana edhe ma të mërzitshme, ndjeva mundime ma të randa.

Që të mos ju mundoj shum, sepse e dij çka asht mundimi, kam me ju tregue diçka që më ndodhi gati para njij vjeti.

Ishte verë. Ditë e kandshme e freskët dhe unë kisha krye punët që munden me e shqetsue shpirtin dhe me e shty njeriun me mendue, si janë pagesat e kambialeve dhe të ngjashme me këto dhe, mbas dreke, i çliruem, pushojsha me cigaren e ndezun, thithsha kafen i shtrimë dhe e ndijsha vedin kështu të kënaqun që nuk më shqetsonte asnji mendim ashtu sikurse vetëm Sërbi e ka nafakë.

Dhe çka do të mundte me më shqetsue? Redaktorit ma të mërzitshëm ia dhashë punimin tim dhe at ditë hangra drekë ambël, piva nja dy gota venë, gradën e kisha marrë tash shpejt, pijsha kafe, thithsha duhan, e kisha rregullue kambialin, rrokullohesha i kënaqun tash në njanën tash në tjetrën anë: nuk mendojsha, më rrokte ndiesija e kandshme e gjumit dhe ligji nuk më ndalon që të flej ambël e qetë në gjum të bekuem dhe unë tash dojsha me e ushtrue kët liri time qytetare dhe kët të drejtë siç kishte me ba çdo qytetar i vetëdijshëm, kur, qe, dikush troklloi në derën e odës sime.

— Dreqi e marrtë — murmuroj zemrueshëm dhe kënaqsija ime plasi si shkuma.

Trokitja përsëritet.

— Hyn! — vikas ashpër.

Në derë çfaqet nji njeri me buzëqeshje në fytyrë dhe më përshëndet ambëlsisht, ndërsa unë e ndiej vedin se jam në gjendje me i këcye në sy. Ky ishte redaktori i njij fletoreje bujqsore.

— Kam ardhë te ju për nji lutje. Shpresoj se nuk keni me refuzue.

— O, ju lutem, si mundeni edhe me dyshue? — thashë ashtu, ndoshta nga ejlleku me të cilën lind çdo Sërb, dhe përpiqen ta zbus pak shprehjen e tharpët të fytyrës.

— Jam i gëzuem që botoj në fletore nji artikull tuejin në lidhje me mbjelljen e hardhive.

— Me gjithë qejf, zotni, kisha me i përgjegjë dëshirës suej, por, besoni, unë nuk marr erë n’at punë.

— Si nuk merrni erë? Mundeni ju këte. Ndonji send popullorçe, si duhet me mbjellë sa ma shum hardhi dhe çfarë dobije ka vendi prej tyne. Qe, ju lutem, unë shkruej në çdo numër nga disa artikuj megjithse kam mësue dikur filologjin.

U mprojta në të gjitha mënyrat, por redaktori vërtetonte me kambëngulje se ia kam mbushë mendjen vedit se nuk i kuptoi ato sende dhe se në fund, nuk asht e nevojshme, që njeriu t’i kuptojë për me shkrue nji artikull të bukur.

Në fund të fundit s’pata çare pa i premtue se do ta përgatis nji artikull për nja dhetë dit.

Ai shkoi dhe qejfin tim të kandshëm e rrou pusi.

Sillu këndej sillu andej, hardhija gjithnji në mendje se në mendje.

Ndërkaq dikush prap troklloi në derë.

— Hyn!

Në derë u paraqit nji njeri bukur i gjatë, i verdhë, i kapitun, me tesha të herruna.

— Mirë dita!

— Mirë dita, zotni.

— Unë quehem Millan Millanoviq.

— Gëzohem — edhe unë ia tregova emnin tim.

— Kam ardhë te ju për nji çashtje me randsi.

— Urdhnoni.

— Kam qitë cekën, zotni me nxjerrë nji fletore për blegtori…

— Paskeni ide shum të bukur.

— Kishte me m’u ba qejfi shum sikur edhe Ju të hyni në radhën e bashkëpuntorëve të mij.

— Ky do t’ishte nji nder shum i madh për mue — fillova — por unë zotni, s’marr vesh në blegtori.

— E dij, por megjithate, kishit mujtë!… Ju jeni, allahile, njeri me shkollë.

U mprojta, kundërshtova, por ai nuk shkoi derisa nuk i thashë se do të shiqoj me shkrue çka të muj popullorçe në lidhje me rritjen e mazave.

Tamam mendova se shpëtova prej bezdis, kur qe, prap dikush trokiti në derë.

— Hyn! — vikas ma ashpër se kurr.

Në derë u paraqit redaktori i njij fletoreje patriotike.

— Kam ardhë te ju për nji lutje modeste — tha ai njerzisht, me gaz, — dhe shpresoj se nuk keni me më refuzue.

— Do të baj çka të muj.

— Më ban lazëm nji vjershë e shkurtë patriotike ose tregimth i vogël, si të doni. Nuk do të ju kisha mërzitë, por bashkëpuntorët janë të zanun me artikuj të ndryshëm shkencorë, kurse unë duhet të përgatis nji epitaf dhe kështu më ra në mend për ju.

— Por unë nuk shkruej vjersha, zotni. Si kam me fillue tash me shkrue vjersha.

— S’ka gja ma të lehtë. Uluni dhe shkrueni. Ma së miri do t’ishte ndonji vjershë epike, patriotike, ose tregim, edhe ma mirë.

Nuk më ndihmoj kurrfarë justifikimi e ndjese, dhe i mujtun thashë:

— Tekembramja, po ju shkruej, por, besomni, jam i zanun me shum pimë.

— Jo, jo, ju duhet me ia flijue çashtjes së përgjithshme nji sekondë të kohës suej. Pra, unë do të vij t’ejten; a do të jem i lirë kështu me ardhë?

— Sot asht e marte — ia tërhoqa vërejtjen.

— Ta merr mendja, ndonji gjasend të shkurtë — tha redaktori dhe më shiqoi aq ambël, çuditshëm, sa e ndjeva vedin si të hipnotizuem. Para syve zunë me m’u ngatrrue tmersisht ngjarjet e kujtimeve të ngjalluna pa rend, pa lidhje dhe unë vrapoj dëshprueshëm nëpër at kaos dhe ndiej se jam i detyruem, as ma pak as ma shum, por jam i detyruem patjetër mu në kët ças ta gjej iden për tregim.

Nuk mujta me folë kurrgja ma tepër. Redaktori u përshëndet njerzisht dhe shkoi tue shprehë shpresën se punimi do të jetë gati.

Bij prap dëshprueshëm, mbylli syt dhe përpiqem me mendue ndonji send tjetër. Uh, sa ma tepër i largoi prej vedit mendimet për tregimin patriotik aq ma tepër ato më sulmojnë. Para syve vetëm hanxharë, heshta, pushkë, ngarendin e sillen njerëz të panumërt, ndodhin disa ngjarje të tmershme, lufta të tmershme, bijnë krenat, valojnë flamujt, kërcasin kulmet e djeguna, kërcejnë trimat nëpër llogore.

Ndjej vëtftet si më ra terri syve. Ngrehem dhe laj syt. Kurrgja nuk ndihmon. Çdo send çdo gja që shiqoj thuese më ystë që të kërkoj iden për tregimin patriotik.

Ulem në tavolinë, i përvjeli duert, largoi çdo gja prej tavolinës, vej kryet midis duerve, mbylli syt dhe nisi me mendue për çka me snkrue. Përpiqem që mu tash të mendoj veçanërisht për te. Kur, papritmas, pak nga pak, më hikin të gjitha mendimet e përparshme, të gjitha ngjarjet, njerzit, çdo gja, çdo gja, ama si me ndonji komandë. Sa ma tepër mendoj, mendimet patriotike aq ma larg prej meje, dhe në vend të këtyne filluen me më dalë parasysh disa bylbylza të vetmuem, lule, rrëkena, nata me hanë, krena të bukura grash.

— Theni qafën! — bërtas idhshëm dhe kërcej nga karrika.

— Pse jam i detyruem? Si mundet me më shtrëngue me shkrue?! — mendoj dhe vendosi mos me shkrue kurrgja, dal në rrugë.

Shetis dhe bash, qe, prap filluen me u mbledhë në mendje kujtimet për të gjitha ngjarjet e ndryshme patriotike dhe rrethanat që i kam pa ndonjiherë dhe për të cilat kam ndie në botë dhe lexue, por aq tmerisht te ngatrrueme, të parregullueme ngasin e sillen para syve, aq shpejt e fuqishëm, sa nuk muj me e pa qartë asnji trajtë të vetme. Kjo ngjan ma shpejt se çdo gja dhe unë e ndiej se më duhet medoemos me u orientue në kët koklavitje, se më duhët medoemos me kapë prej saj qoftë nji mendim të kthjelltë.

Për kët arsye çdo gja më bahet e mërzitshme, e ndiej vedin randë, ndiej dhimbje të madhe kreje dhe madje në vesh m’ushton si kombim shpatash e hanxharësh, kërsitje pushkësh, topash, kërcitje dhambësh burijash, kukamë të plagosunish.

Shkoj në shoqni që të dëfrehem. Kurrgja nuk ndihmon. Gjithnji ma tepër i ndjej vuejtjet e mija. Kurrgja nuk më pihet, mik me bahet nuk muj me folë. Ndjej si më kishte rrok për qafe ideja patriotike dhe nuk më lëshonte ta pushoj shpirtin as nji çast.

Përshëndetem me shoqnin dhe shkoj në shtëpi.

Darka asht shtrue në tavolinë.

— Eja të hamë darkë!

— Nuk muj.

Mbyllem n’odë, ndeti qirin, ulem në tavolinë dhe ndjej nji trill të tmershëm, të papërmbajtshëm që ta shkruej tregimin patjetër deri në mëngjes.

Prap si edhe herën tjetër. Çdo gja tretet prej meje dhe ma në fund vij në nji moment t’atillë që nuk muj kurrgja, ama kurrgja, me as nji ide të vetme me e mendue sepse ndjej se si nji barrë përbeti ra në mue dhe më shtypi. Ma shtypi edhe shpirtin edhe mendjen dhe kjo fisht nji barrë nën të cilën ndihet vetëm nji gja: „Më duhet ine e shkrue tregimin deri në mëngjes”.

Ngrehem, ehetis nëpër odë, shtrihem, rrij prap në tavolinë dhe qe përnjiherë më shkojnë syt në nji send; vuejtjet më lëshojnë dhe unë filloj me mendue, të thomi, si kët dhe at libër duhet me e lidhë, si asht dam që i kam pikue çarshafat me bojë dhe kështu gjithnji gjana t’imta. Mandej më kujtohet se kam bisedue me shoqni që nesër të bajmë nji shetitje dhe qe, papritmas shkrep ajo ideja e tmershme:

— Pra, tash duhet me e krye tregimin patriotik.

Tash prap qesin krye vuejtjet e psitnet. Lodhem, gjumi më kaplon. Ndjej dhimbje kreje. Oda plot duhan, plot duça cigaresh nëpër tavolinë; shkrepsa të ndezuna, hi duhani.

Përmblidhi të gjitha forcat, mirëpo, në vend t’ides patriotike më këcen në krye njifarë marrzije:

Ne jaranin tim çizme të vogla me rrudha!

Dokrra.

— Nuk jam i detyruem me shkrue dhe mbaroi puna. Çka të mendoj për te gjithmonë! Kur të vij do t’i thom: „Nuk muj, zotni”, ose ma mirë troç: „S’due”. Marr prej tavolinës nji tabak letër, në të cilin, tue përdorë tanë aftsin, i vuna njiqind fjali të marra dhe i fshina. E bana shtupë letrën zemrueshëm dhe e hodha, mandej ndjeva nji këhaqsi të jashtëzakonshme.

Bij në shtroje. Gjumi më mbyt dhe taman sa filloi me më kapë gjumi, kurqe më del parasysh nji Turk me alamet çallmë dhe me pishtole në dorë: e ndjek me kalë nji fëmi sërb dhe ai ik, dhe tamam i ngrati me hy në pyll, kur qe prej rrugës nji Turk tjetër i tmershëm me thikë dhe e therrë fëmin në gjoks. Shpërtheu gjaku dhe unë u bana ujë prej djersës.

— Kodër mbas bregut — mendoj idhshëm dhe i mbylli syt, dhe tamam më zu gjumi, kur qe prap më çfaqet ai mendim:

— Po tregimi patriotik?!

Dhe pak nga pak filloi prap para syve tollovija orpreme njerzish t’armatosun.

Dhe kështu kjo vuejtje zgjati deri para agimit.

Të nesërmen çohem i zbetë, i dërmuem, i lodhun si me e pasë tërheqë qerrin gjithë natën.

Tashma vendosa ngultas që të mos shkruej, por megjithatë ndjej nji barrë, nji shqetsim të çuditshëm kur mendoj se nesër asht e ejtja fatkeqe.

T’ejten, përmbledhi gjithë forcën dhe e pres zotni redaktorin që t’i thom haptas dhe qartë:

— Shkoni në dreq të mallkuem zotni, edhe ju edhe fletorja juej patriotike! Nuk due me shkrue, a keni marrë vesh dhe tash urdhnoni jashtë, sepse kam qenë tue mbarue për shkak t’atyne tregimeve tueja.

Digjesha prej padurimit, kur do të vijë që t’ia thom këto dhe të më lehtsohet shpirti.

Ne ndërkohë ndjeva trokitjen në derë.

— Hyn! — vikas idhnueshëm që edhe prej zanit të mirret vesh se jam gati edhe me u përla, poqese ma hedh ndonji fjalë.

Redaktori hyni me të njajtën buzëqeshje t’ambël kurse unë e prita mrrolshëm si gjaksorin ma të madhin.

Kur më shiqonte ashtu butë, ambël, unë, vërtet hutohesha prej çudis. Më dukej diqysh si gja e panatyrshme që ai të sillej aq njerzisht ndaj meje, kurse unë isha në gjendje me e gjuejtë me revolver.

— Pra, e asht gati, apo jo? Ju falemnderit shum — shtoi pa pritë përgjigje.

— Më fal, por besomni nuk po muj — fillova me u përgjegjë tue shique para vedi.

Për çudin e zotit i ula syt dhe vërte e ndjeva vedin të turpnuem sikur nxansi kur nuk i ka ba detyrat dhe nuk din si me ia tregue këte mësuesit të butë e të mirë.

— S’asht gati? — tha ai dëshprueshëm dhe me shiqim qortues.

— Besomni se kam pasë pengime t’atilla… — filloj prap justifikimin.

— Ka me m’u vonue fletorja. Sikur të kishte me qenë e mundun deri në mbramje që të mundet makar me u radhitë sonte! — tha ai dëshprueshëm.

— E nxora orën e xhepit. Ora 3 — do të jetë gati me siguri! — thashë me nji bindje t’atillë sa ai u qetsue.

— Ju lutem ngutuni. Unë do të vij në tetë!

Kërkoi ndjesë që më mundoi, qeshi ambël dhe shkoi.

Kur ai doli unë vetëm atëherë e ndjeva tanë peshën e situatës së re, e cila shum ma tepër e përkalonte të deriatëhershmen.

Tash filluen vuejtje të njajta të këtilla, por vetëm ma të tmershme, ma të forta: të kërkuemit e ides.

I shkrova nja tridhetë fillesa dhe i fshina të tri dhetat. Nuk ndjeva se si kaloi koha fluturimthi.

Shiqoj orën. Ora 7,30.

Këceva si i djegun me ujë të vluem, kapa kapelën dhe fugova në rrugë. Më hyni njifarë frige prej redaktorit sa kisha me e pritë ma me gëzim nji çetë me pushkë për faqe se ate.

Brodha nëpër rrugë jokryesore, ku nuk kisha kalue kurr as nuk kisha mendue me kalue, vetëm nga friga mos ta ndeshi redaktorin. Kur del prej dikahit ndonji fytyrë që i ngjan atij, më ther diçka në zemër si thikë.

Në pijetore, ku shkoj zakonisht, nuk guxova me shkue, kurse në shtëpi hiçsehiç.

Në fund u mërzita dhe më kaploi nji idhnim i atillë sa isha gati me u përla me njeriun e parë që do ta ndeshsha.

— Do të shkoj në shtëpi dhe do t’i thom atij njeriu të më lajë njiherë në qetsi dhe t’i bërtas si gomarit.

U nisa për shtëpi me nji vendim të këtillë.

Rrugës u ktheva te nji bakall me ble duhan.

Bakallxhiu disi i shqetsuem, i tronditun kërceu kur hyna.

Kërkova duhan.

— Uh, çka më friguet! — tha njeriu kur më shiqoi ma mirë dhe u çlirue.

— Pse?

— Mendova se ju jeni nji zotni tjetër, i cili vjen vazhdimisht të më shtyjë me i shkrue çdo gja që më kujtohet prej luftës.

— Ani?

— Ani kështu. I kam premtue që ta heqi qafet dhe tash më ka kapë halli. Ku jam unë për aso sendesh? Kush do t’ma kqyri dyqanin.

Ai venaroi se unë e shiqoj me nji dhimbsimi aq të sinqertë sa deshti me m’u afrue dhë me më përqafë.

— Paj çka mendoni me ba ma në fund?

— Çuditem… Sot e kam mbyllë dyqanin. Kam ikë prej shtëpis. Poqese zgjat kështu, vaj halli. Paj nuk asht nji, or zotnija im, por kam pasë prej shum vetëve këso vuejtjesh.

— Vërtet — mendova, kur u nisa — në Beograd çdo i dyti njeri e nxjerrë nga nji fletore. Ndjeva nji idhnim të jashtëzakonshëm.

— Në rrugën time, mu para shtëpis e hasa shërbëtorin.

— Kah po ia mban?

— Më ranë kambët tue ju kërkue. Nji zotni pret tash ma tepër se dy orë. Thot duhet t’ju gjejë sonte medoemos.

Më ra terri syve.

— Uh, ai shpirti i keq, don me më lodhë — mendova dhe m’erdhi nji ide e tmershme që të fugoj në shtëpi dhe ta nxjerri prej shtëpis në rrugë, por mandej përnjiherë ndjeva nji frigë të çuditshme sa s’guxojsha me kalue pragun.

— Thuej atij zotnis se kam marrë telegram prej babës dhe më duhet me u nisë sonte patjetër. Ose, mos!… Thuej ma mirë se nuk më ke gjetë — i thashë shërbëtorit dhe u drodha mbrapa që të bredhi ma gjatë.

Nuk guxova me bujtë në shtëpi.

Të nesërmen nuk hangra në shtëpi as drekë as darkë dhe kështu u mshefa tue pasë frigë edhe prej hijes sime derisa nuk e pashë fletoren që doli.

Kur u ktheva në shtëpi, nuk e gjeta as shërbtorin. Ai ka qenë nji shërbtuer i mirë dhe i vlefshëm.

— A e dini ku asht shërbëtori im? — e pyes kojshin.

— Ka qenë këtu deri dje, dhe para muzgut iku prej atij zotnis që vjen shpesh te ju.

— I ka ardhë shpirti te hunda për shkak se më kërkojnë vazhdimisht.

— Jo, por e kanë angazhue që t’u shkruejë diçka për fletore. Ai u mprojt, u mprojt dhe iku diku. Më tha kur u nis: „Po e marr botën në sy vetëm që të shpëtoj prej kësaj belaje.“ Unë çuditem ku asht zotnija im dhe prej kësaj edhe ai u mprojt, mandej, të pashpirtët, e banë njeriun me ikë prej shtëpis së vet.

— Më kaploi njifarë tërqethjeje, nji frigë.

— Njeriu nuk ka çka me mendue — mendova, sepse kur ka ikë edhe shërbëtori, këtu nuk ka ma shpëtim për mue.

E lashë shtëpin, të gjitha, dhe sa ma shpejt aq ma mirë, zuna nji karrocë të mbyllme dhe i thashë karrocjerit që të mbërthehet sa ma shpejt e sa ma larg prej Beogradit.

Nuk guxojsha me u nisë me ferovi, sepse frigohesha të mos më kapin në stacion dhe me barkë gjithashtu.

I kam tregue njiherë dikujt se me njifarë vendi, moti, në kohna të lashta, jetonte nji kallogjer që mbante shum fjalime dhe këto e kishin mërzitë popullsin aq tepër se të gjithë ata që mujshin me ikë e lanë atdheun e tyne të dashtun dhe ikën nëpër botë dhe kështu vendi mbeti gati shkretë.

Me ju tregue të vërtetën, dikur nuk e kam besue kët punë as vetë, edhepse kam ndëgjue prej njerëzve të moçëm, por qyshse u shumzuen redaktorët dhe filluen me u ra në qafë qytetarëve të qetë e t’u të dhe kur pashë çudi me sy si shum tregtore, mejhane, dugalë dhe tjera ranë myflis, u mbullën vetëm nga shkaku se ata ktheheshin këtu, atëherë nuk mujta me dyshue aspak se vendi u shkretnue për shkak t’atij oratori të mërzitshëm.

Shum njerëz me nerva të dobta u nënshtruen menjiherë.

E sulmojnë njeriun kështu të dobët nji redaktor mandej i dyti, mandej i treti dhe kur të kqyrish njeriu fillon me u venitë.

— Çka të gjetë or vlla? — e pyesin.

— Qe! — thot dëshprueshëm, murmuron vazhdimisht dhe kombinon në mend artikullin ose ndonji tregim për fletore. E takojnë të njoftunit, miqt, e ndalin, duen me ia heqë mërzin.

— Hiq dore, pashë zotin prej asaj marrzije; a po e shef se ke mbetë si fidan!

Ai vetëm shiqon me shiqim të pikllueshëm, fshan thellë e rënkon dhe vazhdon me pëshpëritë dhe me trillue temën.

Dhe kështu njeriu ligshtohet dhe ma në fund, në vuejtje të tmershme tue kërkue temën, ep shpirtin e vet bujar e të vuejtun.

Natyrisht ika me shum kujdes.

Vetëm në nji katund të largët deshta me u ndalë me pushue, sepse tri dit kisha fjetë nëpër rrugë. Por ma parë dërgova karrocierin që të marri vesh hollsisht a mos botohet edhe këtu ndonji fletore. Shkoi karrocieri. Prita plot nji orë ai s’u kthye. Kaloi ora e dytë, e tretë, kurrsesi nuk erdhi.

— Ata të pashpirtët edhe këtu do ta kenë kapë sigurisht më vetoi nëpër krye nji mendim i tmershëm dhe u ligshtova.

— Kurrkund shpëtim! — mendova me dëshprim tue pa se duhet me iu dorzue fatit të tmershëm që të luejë me mue si të dojë.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)