Tag Archive | telashet

Punët tona (1/2)

Shum zakone popullore humbin, por zakoni i mrekullueshëm i të parëve tonë të virtytshëm: me pi raki të nxehtë në mëngjes asht tue u ruejtë plotsisht ndër pasardhsit mirënjohtës dhe ka me kalue me zell prej breznije në brezni derisa të sillen hana e dielli, derisa të jetë gjallë Sërbi ma i mbramë. Shum fjalë t’urta të pleqvet tonë u vjetruen, u prishën, në të vërtetë, poqese mund të thuhet, u venitën, u matufosën dhe budallinat e dikurshme, pak nga pak, gjatë shum vjetve, u banë urtsina. Eeeh, çka mujmë me ba tashma kur asht ashtu. Gjithshka ec me kohën, ndryshon. Por gjindet nji fjalë e urtë, e cila si ai zakoni shum i bukur, mbeti në fuqi të plotë, dhe jo vetëm nuk prishet, por për çdo ditë çmohet dhe nderohet gjithnji ma tepër. Kjo fjalë e urtë asht: Marrëveshtja nuk e shkatrron shtëpin ose ma mirë me këshillim ngrehet shtëpija.

Na Sërbët nuk ndërmarrin asnji punë kambadoras, ashtu shpejt kuturum, por për gjithçka mendojmë thellë, këshillohemi me këte, me ate: shum sy, natyrisht, shohin ma tepër. Popull syçelë, i mençëm. Kam ndie se asnji popull tjetër, pos Sërbëve, nuk e kanë kë fjalë t’urtë gjeniale. Për kët shkak gjithë atyue iu ec puna shum mbarë, dhe vijnë, si thonë tonët, prej të gjitha anëve këtu te na, që t’ushqehen me bukë. Mirëpo Sërbi as nuk pshtyn pa u këshillue.

Kam pasë në katund nji kojshi i cili nuk donte me lëvritë prej vendit pa u këshillue.

— Do ta prashisim sot misrin? — pyesin gjindja e shtëpis.

— Paj prit të këshillohemi.

— Dita nuk pret, thot grueja. (Kjo nuk asht has Sërbjane. Ndonji bastardhe!)

— Duhet ta gjejmë Markun që të këshillohemi a të shkojmë sod te ai n’argati, dhe nesër ai te na.

Shkoi dhe e kërkoi Markun. U poqën në mejhane dhe u ulën me u këshillue. E çojnë nga nji fyt raki dhe këshillohen si njerëz të mençëm. Por biseda si biseda, kaloi në punë tjera, dhe sa çel e mbyll syt, Marku bani kryq dhe zu diçka me u përligjë:

— Pasha kët kryq që po baj dhe kët raki, mos m’u gjetët në shtëpi e kalofsha andej ku kaloi ajo, poqese flas gja kundër teje.

I pinë gotat dhe i cakrruen ndër vedi.

Dhe prap spjegime, prap justifikim dhe afirmim reciprok për miqsin e dashunin, prap cakrrim dhe, për nji grimë, kalon dita me kët punë.

— Paj çka thamë për ate? — pyeti Marku tue u nda.

— Do të bisedojmë nesër. Do të vij te ti pa zbardhë drita.

Kështu, pra, kojshija im këshillohej për gjithçka dhe nuk ndërmerrte as punët ma të vogla pa u këshillue me temel.

Ai ka qenë njeri shum i mirë, katërqind derhem Sërb.

Njiherë bante grunin prej lamës. Nji kunat i tij i ndihmonte, prap, si argat. I prunë dy qerre.

— Ku keni me shkarkue?

— Prit nji grimëz të marr frymë, çka e ke rrokë kështu për fyti, deri zoti i jep myhlet shpirtit. U dërmova në punë gjithë ditën.

— Dielli ka me perëndue edhe pak! — tha grueja.

— Le të perëndojë; at punë ka. Ma epni, fëmij at bardak!

U ul në nji tra para katojt. I lëmoi mustaqet, derdhi pak bardakun dhe bani kryq:

— Zot ndihmona, gëzona dhe epna bereqet! Për të mirë baxhanak.

Pijnë kështu, bajnë kryq dhe përshëndeten dhe si puntorë të vyeshëm, bisedojnë për punën e tyne, këshillohen a thue të bajnë edhe natën apo të flejnë në lamë, dhe nesër dita e re nafaka e re.

— Vallahi, deri tash do ta kishit bajtë prejse ia keni nisë me u këshillue pranë atij bardaku! — u zemrue grueja.

— E, asht për t’u çuditë sa budallaqe janë grat. Vetëm qesin pallavra dhe nuk mendojnë kurrgja çka flasin „Do ta kishit bajtë, do ta kishit bajtë”! E nuk pyet as qysh, as ku me shkarkue. A e din ti që hambari ende nuk asht mbarue? „Shkarko, shkarko!” Ku me shkarkue? Hajt, shkarko kur din qysh duhet dhe çka duhet!

— Çka dij unë ku ke me shkarkue; ti duhet me u kujdesë për at punë.

— A?! Unë me u kujdesë? Po çka jam tue folë tjetër, t’pafsha tue lypë me qorr për dore? A po shef që jam tuë kuvendë me burrin e dheut dhe po kujdesem çka do të… Hajt mbylle gojën dhe kqyre punën tande… Për të mirë baxhanak.

Por të gjitha këto janë cikrrime. Këtu ende nuk shifet as prej së largu çka asht Sërbi sikurse shifet ndër punë, ma të mëdha, ndër çashtje ma me randsi, që kanë nji vlerë ma të gjanë.

Sikur Francezët, Anglezët, Gjermanët dhe popujt tjerë, vetem të dijshin kush jeni na Sërbët dhe çka vlejmë, unë besoj ngultas se do t’u mbytshin n’ujë ose do ta vritshin vedin nga pikllimi e dëshprimi që nuk i denoji zoti me at nderë të rralië e lumni që të munden me u thirrë Sërbë. Çka të bajmë. Nuk mundemi me u ndihmue! Zoti ka urdhnue që të jetë ashtu.

Por biseda nuk ka kufi. Që mos t’i shpenzoj fjalët kot po tregoj çka kam nda menden. Zoti i madh e din athue dhe a asht dashtë që të ju tregoj ate që ju tregova deri tash përgjithsisht, por ju, lexues të dashtun nuk keni me m’u zemrue, sepse e dini që nuk kam pasë rastin me u këshillue me ju. Nëqoftëse nuk më vjen prej dore si duhet, besoni se edhe unë duhet me u zemrue kur ju, tue u idhnue me të drejtë, bërtitni: „Ta merr mendja, kështu del puna kur njeriu shkruen pa u këshillue!”

Ju kujtohen sigurisht ato përmbytjet e tmershme para disa vjetësh, të cilat e damtuen vendin tonë si asht ma zi.

Uji i mori të mbjellunat, sanën, koshat, vathet e në disa vende dhe shtëpijat u rrenuen ose u muerën krejt prej ujit. N’arat ndër shpatina uji muer përpos të mbjellunavet edhe tokën, keji mbet gur’i thatë, ndërsa toka ma e plleshme, skaj lumit, ose u mbush me nji shtresë tepër të madhe rane ose zhavari, ose lumi, tue ndrrue koritën ia hangri ndonji të mjeri tanë arën, tanë pasunin. Përshtypje e tmershme kur njeriu, menjiherë mbas përmbytjes kundron vendin e mjeruem. Ku zverdhte gruni nuk shifni korrtarët e gëzueshëm, por vendin e çveshun, ça prej vijash të thella. Atje ku skaj lumit, livadhet blerojshin, shreti, ranë dhe zhavar. Nëpër selgjishte skaj lumit dhe zakonisht ndër shum drujz t’ultë dhe driza, shiqoni se si gjethet janë përlloçë, shum degë thy, ose disi përkulë n’at anë kah ka shfrye rrëkeja, kurse ndër degë janë mbledhë grumbuj të tanë sane të nxime. Ndërmjet degëve janë ndalue drrasat, llomi, kallzët e grunit, talla e misrit dhe gjithfarë cukla kerpa, dhe çka mosjo. Të gjitha këto sende të mbetuna qesin kryet prej llomit dhe baltës dhe i japin krejt vendit të shkretnuem nji pamje edhe ma të trishtueshme e ma të mjerë. Gjaja e gjallë e untueme asht ligë dhe mëzi i ngreh kambët kur ec. As zogjë nuk gjinden aty ku ka mbytë uji. Edhe ata kanë ikë prej rrenimit dhe kanë shkue diku në vend tjetër, ndoshta për mos me lëndue zemrën e banorëve të deshpruem me kangën e vet të gëzueshme.

Nuk meti njeri, që ka pak zemër, të cilin nuk e troniti nji fatkeqsi kaq e madhe që goditi aq shum familje. Në tanë vendin u ndie nji lëvizje e gjallë dhe kujdes që t’u epet nji ndihmë sa ma e shpejtë familjeve të damtueme.

Menjiherë u murën masat ma të nevojshme. Të gjitha gazetat botuen në krye të vendit artikuj të gjatë, të thekshëm, plot me dhimbje dhe ngushllim të sinqertë.

„O, zot! A po e shef mjerimin e përjetshëm të popullit tonë të munduem e të vuejtun? Vallë pak asht disfata e Maricës, vallë as Kosova nuk asht mjaft, vallë as robnija pesëshekullore nuk mundet me e ngi kët fat të keq e të randë?…” e tjera.

Kështu disa gazeta. Tjerat prap vunë moton: Por, për vuejtjen në kët botë, të gjitë i mbyllin veshët deri zoti i vetëm (Zmaj) dhe fillojnë artikullin e thekshëm: „Dhe mu kur filloi me u ngritë ekonomija, mu kur populli ynë i munduem dhe i vuejtun zu me u prehë, mu kur, me ekonomin e forcueme dhe kulturën, filluen me u shërue plagët e Kosovës dhe qe, vendin tone të vaditun, me gjakun e të parëvet tanë të virtytshëm, e goditi grushti i randë i fatit të mjerë. Prej të gjitha krahinave t’atdheut tonë të dashtun mbërrijnë lajme të zeza, të papëlqyeshme, të cilat na bajnë me derdhë lotë, na dëshprojnë.

Gazetat e treta: „Çdo patriot i vertët, që e don sinqerisht vendin e vet, ul kryet dhe fshan thellë e me zemër para kësaj ngjarjeje të mjerë, para kësaj fatkeqsije që e gjeti vendin tonë…”

Kësodore të gjitha gazetat solën sinqerisht e me zemër për kët mjerim dhe thuese nguteshin që ta paraqesin para tjerëve tanë kët ngjarje sa ma trishtueshëm, sa ma thekshëm. Të gjitha e mbaruen artikullin tue apelue në qytetarët patriotë, në Sërbë, të cilët kanë dijtë gjithmonë me tregue se kanë zemër e se me të drejtë munden me ndejtë krah për krah me popujt tjerë të qytetnuem.

Pos artikujve mbërrijten letra me shumicë prej thellsis. Murën pendën në dorë edhe ata, të cilëve ajo u ishte ndryshkë moti dhe zunë me përshkrue ujën, fatkeqsin dhe shkretnin. Ata njerëz nuk e bajnë atë për lavdi, për emën, por mjerimi i mëson njeriut çdo gja. „Duhet ta kapi pendën medoemos, sepse vetë zemra më shtyn. Tue i shkrue, zotni redaktor, këto radhë, i vadis me lotë. Oh, kur shiqon njeriu kët rrenim, kur ndien piskamën e fëmijve të vegjël të pafuqishëm, t’unët…”

Në fund të letrës, e shof cok korespondentin se si, tue i fshi lotët, i bamë dyzash nga pikllimi, mbytë nga mjerimi mëzi thot tue ndesë: „Ah! pranoni, zotni redaktor edhe me kët rast bindjen e respektit tim ma të mirë”. Jemi soll zemër!

Gazetat, përpos letrave u mbushën me deklarata ngushllimi telegrafisht:

„Popullit të qarkut… Të tronditun thellë prej fatkeqsis së madhe, e cila gjeti krahinën tuej nuk mund ta lamë qe edhe në kët rast, të mos çfaqim ngushllimin tonë të nxehtë. Qytetarët — (vijnë nënshkrime të shumta).”

Posa u kryen kështu për disa dit (thuhet: sikur t’i numronte kush do të dilshin ma shum) ato punët ma të ngushtme, në të vërtetë, të domosdoshme menjiherë vazhduen matej.

Filloi formimi i këshillave, i nënkëshillave dhe këtu tashma, kuptohet, zgjedhja e këshillavet drejtuese, zgjedhjet e ngushta, konferencat, konstitutimet dhe krejt gjanat tjera të nevojshme për punë serioze e me temel ndër raste kaq të randsishme. Këshilli i zojave, merret vesh bujare, gjithashtu këshilli i zojushave bujare, këshilli i qytetarëve patriotë… Me nji fjalë tanë vendi u shndërrue në këshilla.

Shkrimtaret patriotë nxituen të shkruejnë tregime të pikllueshme, vjersha e copa të ndijshme, të thekshme, dhe këto ti botojnë „në dobi të të damtuemve”.

Koncerte në dobi të të damtuemve, dëfrime në dobi të të damtuemve.

Gazetat plot me kumtime të ndryshme, thirrje për këte e për ate, gjithçka në dobi të të damtuemve. Për shembull: „Zotni N. N. shkenctari ynë i njoftun, do të mbajë të dielen me 4 të këtij mueji konferecën e tij publike „mbi këpurdhzat e fermentueme që notojnë n’ajr” në dobi të të damtuemve prej përmbytjes. Tue lajmrue për kët gja, ftojmë zemrat patriotike të çytetarëvet tanë, të cilave u dha rasti që, pos dëfrimit të bukur, tu apin ndihmë të mjeruemve. Shpresojmë se qytetarët kanë me i përgjegjë thirrjes dhe me marrë pjesë me numër sa ma të madh në kët konferencë interesante, sepse „vlen ma tepër me e fshi nji lot vorfanjak se sa me derdhë mori gjaku”, sikurse thot në mënyrë të mrekullueshme poeti Bajron”.

Binë, si prej tokës, legjione udhtarësh artistësh dhe artistesh, që, sa ma shpejt aq ma mirë, të fluturojnë ndër të gjitha krahinat e atdheut tonë, që edhe ata t’u gjinden të damtuemve në fatkeqsi, tue dhanë çfaqje „T’ardhunat neto prej çfaqjeve janë caktue për të damtuemit nga përmbytja.” Kështu prap u bahet thirrje zemrave patriotike e të mshirshme.

Vetëm për këte shkruhet, për të flitet, bisedohet.

Bisedojnë zojat:

— A doni me shkue në çfaqje?

— Në cilën?

— Paj, pash zotin, n’at çfaqjen e madhe në dobi të të damtuemve prej përmbytjes! Do të jetë shoqni shum e zgjedhun. Zojat ma në za janë n’at këshill:

— Uh, gjindja e mjerë!… Vërte asht nevoja me shkue, por duhet me shpenzue!

— Edhe na, besoni, kemi shpenzue shum, por megjithate, burri im thot se nuk i dhimben të hollat për at punë. Iu desht medoemos me pre tesha për vedi dhe për mue nji fustan mëndafshi për kët çfaqje, sepse, ta merr mendja, aty do të jetë tanë parija dhe duhet me dhanë ndihmë ma të madhe se rëndom, mandej qerri… Leni, ju lutem, kjo kushton nji dreq e gjysëm. Por, prap po mendoj se në çfarë gjendje janë ata njerëz të mjerë atje. I keni lexue gazetat.

— I kam lexue. Ofshe — zot, të mjerët, sa më dhimben. Bash duhet me shkue edhe na.

Ndahen dhe të nesërmen burri fugon si i hutuem. Kërkon zhirantë, dhe paraqet kambialin. Grueja blen pëlhurë mëndafshi e qep për vedi në kambë e në dorë, njerzit punojnë gjallnisht. Por, si thonë, për nji punë kaq bujare njeriu duhet edhe me fugue dhe me u flijue dhe, për zotin, edhe me shpenzue, sepse nuk e kanë lehtë as ata të mjerët që presin, ndihmë.

Dhe me të vërtetë, ajo çfaqje e madhe qe e frenkuentueme shum mirë. Si lajmruen gazetat: „u shpenzuen ma se 3.000 dinarë për dekorimin e sallës, e cila, në saje të shijes delikate të zojave bujare, ishte shtrue në mënyrë madhshtore, sa njerin nuk mundte me dijtë ku me kqyrë ma parë dhe prej çkafit me u mrekullue ma tepër!”

Po këshillat e qytetarëve patriotë? Ato punojnë nëpër tanë vendin. Gjithkund njerzit nguten, nuk rrijnë kurrkund.

Unë prej të gjitha punëve, do të ju tregoj vetëm në lidhje me themelimin e shoqnis pëv të ndihmue të damtuemit nga përmbytja.

Nuk u fol as dy tri dit nëpër gazeta „për ngjarjet e mjera n’atdhe” e zemrat sërbe gufuen prej mshirës.

Njerzit, në fillim, bisedojshin për ato punë vetëm nëpër pijetore, tue çue nga nji gotë birrë dhe disa prej tyne kuvendojshin se si kishte me u dashtë me marrë masa dhe me vrapue në ndihmë.

— Duhet, vlla, të mblidhemi njiherë posaçërisht dhe të bisedojmë për at punë seriozisht dhe të këshillohemi çka të bajmë — tha njani:

— E, po kjo asht ajo që po them unë.

Kjo punë nuk a bahet përnjiherë shkel e shko, por të mblidhemi disa prej nesh dhe të bisedojmë — foli i dyti.

— Bukur, po pse tash nuk po bisodojmë? — tha i treti.

— Bash je njeri i marrë! — tha i pari përsëri. — Si tash. Hajt, trego çka të bajmë?

— Unë nuk due me tregue, por që të tre të merremi vesh.

Jo Ali Hoxha, por Hoxhë Alija.

Çks të bisedojmë tjeter na prap?… Tekembramja çka mujmë na të tre Kamerier, nji gotë birrë të lutem, çka mujmë vetëm na të tre? Këtu duhet angazhue edhe njerëz tjerë me autoritet, mandej me iu përvjelë punës seriozisht. Kjo punë nuk bahet kështu, byrazer, tue pi birrë, sa çel e mbyll syt, si kur se me e gëlltitë kët gërç (u foli kështu o piu gjysën e gotës)… Ajo që nuk bahet, nuk bahet.

— Mirë, atëherë, të thrrasim Stevën, Millojen dhe disa prej njerëzvet tanë dho të mblidhemi nji ditë dhe të flasim për të gjitha punët.

— E, kjo asht tashma punë tjetër. Kështu bahet. Pse, kështu, na tre vetë kurrgja! Qe, sikur na të tre të japim nga nji, dy, po edhe ma tepër banka, çka mbush hesap?… Kurrgja… A e din ti çka vlen gruni ditën e lavrimit të tokës?…

— E, kjo asht tashma punë tjetër. Kështu bahet. Pse, kështu, na tre vetë kurrgja! Qe, sikur na të tre të japim nga nji, dy, po edhe ma tepër banka, çka mbush hesap?… Kurrgja… A e din ti çka vlen gruni ditën e lavrimit të tokës?…

Tue bisedue për kët punë kaluem në bisedë so si buka ka me u shtejtue, mandej se si tregtizat s’do të kenë punë, e ma së mbrami u ba nji bisedë e gjatë se si nuk duhet me pi birrë të re, sepse bjen në bark si plumb — e këtu, ta merr mendja, secili tregoi nga nji rast nga përvoja e vet personale.

Puna e së bisë punës, mbeti që, nji ditë të takohen dhe të bisedojnë seriozisht për gjithë çashtjen.

Kështu mendojshin dhe bajshin përgatitje okolla ndër shum vende, midis shum njerëzve derisa, thirrja nji ditë bani bujë nëpër gazeta:

„…Ftohen të gjithë qytetarët patriotë që n’orën tre mbasditë të vijnë… (Këtu tregohet emni i hotelit)… etj.” Këtu, natyrisht i bahet apel zemrës patriotizmit. Përmendet se si n’at mbledhje, tue u marrë vesh së bashku ka me u zgjedhë këshilli që ka me udhëheqë mbledhjen e ndihmave për të damtuemit nga përmbytja në tanë vendin, do të ndihmojnë edhe nënkëshillat që kanë me u formue për at qëllim ndër vendet tjera, jashtë kryeqytetit.

(Faqja tjetër)