Tag Archive | taksat

Deti i vdekun (2/5)

(Faqja e meparshme)

Të gjitha këto kanë qenë vetëm embrion i së mirës. Kemi qenë fëmij të mirë dhe të ndëgjueshëra dhe, në të vërtetë prej vjeti në vjet secili gjeneracion premtonte gjithnji ma tepër e ma tepër se vendi ynë për së shpejti do të kishte poashtu qytetarë të mirë e të ndëgjueshëm, por kosh e din a do të vijë ajo kohë e bekueme që aspiratat tona, në të vërtetë mendimet dhe idealet e xhaxheshës sime të ndjerë, gjeniale, të realizohen plotsisht në kët nanën Sërbi të vuejtun, të cilën e duem kështu nxehtsisht e me shpirt të pastër.

Kush e din a thue ka me ardhë ndonjiherë koha që të realizohen dëshirat tona dhe të zbatohet në vepër ky program i ynë ideal politik:

Neni 1

Kurrkush nuk punon kurrgja.

Neni 2

Çdo Sërb në moshën madhore e ka rrogën fillestare 5.000 dinarë

Neni 3

Mbas pesë vjetësh, çdo Sërb, (në shtëpin ku nuk ka Sërb mundet edhe Sërbjanja) ka të drejtë më marrë pension të plotë.

Neni 4

Pensioni ka shtesën periodikë prej 1.000 dinarësh në vjet.

Neni 5

Duhet të mirret medoemos nji vendim i Parlamentit populluer (dhe me këte, për qëllime patriotike, me Parlamentin ka me u pajtue eksepsionalisht edhe Senati) dhe ky vendim ka me u konsiderue si pikë e veçantë ë Kushtetutës, simbas të cilës: pemët, bimët e dobishme përgjithsisht, gruni e lë gjitha të mbjellunat tjera duhet të prodhojnë fantastikisht mirë, dy herë në vjet, e poqese çfaqet dificit në buxhetin shtetnuer, atëherë dhe tri, paj merret vesh, kur asht e nevojshme ende ma tepër, si t’i vijë për levërdi këshillit financiar.

Neni 6

Kafshët, cilat do qofshin, pa marrë parasysh çfarë gjinije kanë e sa të mëdha janë, gjithashtu mbas urdhnit ligjuer, don me thanë mbas aprovimit lë të dyja dhomave, duhet të përparojnë shum mirë dhe të shtohen shum shpejt.

Neni 7

Kafshët, nuk mujnë n’asnji rast me marrë rrogë prej arkës shtetnore, tue përjashtue nevojat shtetnore të jashtëzakonshme.

Neni 8

Dënohet kushdo që mendon për punët shtetnore.

Neni 9

Njeriu, ma në fund, nuk guxon me mendue për kurrgja, pa lejen e veçantë të policis, sepsë mendimi e prish lumnin.

Neni 10

Në rend të parë, policija nuk guxon absolutisht me mendue kurrgja.

Neni 11

Kush don, vetëm sa për shaka, me u marrë me tregti duhet me fitue medoemos tepër shum: në nji dinar nji mijë.

Neni 12

Fustanet e grave, reliket, natyrisht dhe zhyponët si dhe nevojat tjera mbillen dhe bijnë shum shpejt nën çdo klimë dhe në çdo tokë, çdo muej, me bojna të ndryshme, dhe simbas modës ma të re franceze. Kapelat, dorzat dhe sendet tjera t’imta mund të mbillen me sukses edhe nëpër saksina (gjegjsisht çdo gja mbillet vetëm mbas urdhnave ligjorë).

Neni 13

Fëmijt nuk linden. Poqese dalin kësish prej ndokahit, të rriten e t’edukohen me maqina të posaçme. Poqese atdheut i nevojiten sa ma tepër qytetarë, ka me u ngrehë fabrika që ban fëmij.

Neni 14

Kurrkush nuk paguen tatime.

Neni 15

Të paguemit e borxheve dhe të tatimeve ndëshkohet rreptsisht dhe kjo vlen për cilindo, përpos kur vërtetohet se at violacion e ka ba individi i smutë nga mendja.

Neni 16

Hiqen të gjitha gjanat e panevojshme, sikurse janë: vjehrrat, kontrolli kryesuer dhe sekundar, borxhet kurente shtetnore e private, panxharët, pasuli, gjuha greke dhe latine, krastavecat e kalbun të gjitha rasat cilatdo qofshin, me propozicion e pa propozicion, gjindarmët, çashtja e thive, mendët, së bashku me logjikën.

Neni 17

Kush i bashkon Sërbët, të burgoset atypëraty në shej mirënjohjeje dhe dashunije për popull.

Program i mrekullueshëm. Këte s’kanë çare pa e pranue bile dhe kundërshtarët politikë, poqese nji program i tillë përgjithsisht dhe mundet me pasë kundërshtarë. Dëshirat tona bujare, nuk mund të realizohen kur gjithçka asht kot.

Por, ate që na nuk e kemi mbërrijtë e nuk e kemi realizue me gjithë mundin ton, ate e kanë mbërrijtë tjerët, ma fatbardhë se na.

(Faqja tjetër)