Tag Archive | studim

Stradija (10/12)

(Faqja e meparshme)

Mbasi u bana vizitë gjithë ministrave, vendosa me vizitue edhe Parlamentin e popullit. Quhet i popullit simbas nji zakoni të mbrapambetun, kurse në të vërtetë deputetët i emnon ministri i punëve të mbrendshme. Teksa ndërrohet qeverija, menjiherë shpallen zgjedhjet e reja dhe kjo don me thanë barem nji herë në muej. Fjala „zgjedhjet” në kët rast ka kuptimin: emnimi i deputetëve dhe e ka rrajën e vet në shoqnin e fiseve kur populli kishte me të vërtetë, përpos halleve tjera, ende kët detyrë të mërzitshme të mendojë dhe të bajë kasavet kend ka me zgjedhë për përfaqsues të vedin. Dikur kështu në mënyrë primitive baheshin zgjedhjet, por në stradin moderne të civilizueme, kjo procedurë e vjetër e marrë dhe ditë-tretun, u thjeshtue. Ministri i punëve të mbrendshme muer mbi vedi gjithë kasavetin e popullit dhe ai emnon, zgjedh në vend të popullit dhe populli nuk humb kohë, nuk brengoset dhe nuk mendon. Mbas gjithë kësaj pune asht e natyrshme që zgjedhjet të quhen të lira.

Kështu përfaqsuesit e zgjedhun të popullit mblidhen në kryeqytetin e Stradis të vendosin dhe të kuvendojnë në lidhje me çashtje të ndryshme të vendit. Qeverija, — kuptohet, çdo qeveri patriotike — edhe këtu kujdesohet që zgjidhja e çashtjeve të bahet me mend, në mënyrë moderne. Edhe këtu qeverija merr përsipër krejt detyrën. Kur mblidhen deputetët, para se të fillojë puna, duhet të kalojnë patjetër disa dit në shkollën përgatitore, e cila quhet klub. Këtu deputetet përgatiten dhe stërviten se qysh me e luejtë secili, sa ma mirë, rolin e vet.

E tanë kjo duket si përgatitje për çfaqje teatrale.

Qeverija vetë e shkruen veprën, të cilën deputetët do ta luejnë në Parlamentin populluer, Kryetari i klubit, si ndonji dramaturg, e ka për detyrë që, kët vepër, ta studjojë dhe për çdo mbledhje t’ua caktojë rolin deputetëve, merret vesh, mbas aftsive të tyne. Disave u jepen fjalime ma të gjata, disave ma të shkurta, fillestarëve edhe ma të shkurta, disave u caktohet që të flasin vetëm nga nji fjalë „për” ose „kundër”. Kjo e dyta ndodh shum rrallë, atëherë kur imitohet pamvarsija e këtij institucioni, don me thanë mbas kryemjes së votimit thuese numrohen votat që të shifet cila parti ka fitue; në të vërtetë kjo asht caktue shum ma parë se sa me u mbledhë Parlamenti. Disave që nuk mund të përdoren as për kët punë, u caktohen role memece, kur votohet, me u çue në kambë ose me ndejtë në vend. Mbasi kështu t’u ndahen bukur rolet, atëherë deputetët shkojnë në shtëpi dhe përgatiten për mbledhje. Jam çuditë në mënyrë të jashtëzakonshme kur kam pa për herën e parë se si deputetët mësojnë rolin e tyne.

U çova heret në mëngjes dhe shkova me shetitë në parkun e qytetit. Atje plot nxanës, fëmij të shkollave ma t’ulta dhe djelmosha të shkollave ma të nalta. Disa shetisin andej këndej dhe lexojnë me za secili landën e vet: dikush historin, dikush kimin, dikush mësimin e fes dhe tjera. Disa, dy nga dy, njani flet tjetri ndëgjon mësimin që kanë mësue. Kur përnjiherë pashë midis fëmijve disa pleq që shetisin gjithashtu ose rrijnë, mësojnë diçka prej disa letrave. I avitem ma afër njij plaku në petka kombtare, e ndëgjoj dhe ai përsërit, tue lexue po të njajtën fjali:

— Zotni deputet, me rastin e shqyrtimit të këtij projektligji të randsishëm jam i shtymë dhe unë që, mbas fjalimit të bukur të shokut të ndershëm T… M…, në të cilin paraqiti tanë randsin dhe anët e mira të njij ligji të këtillë, t’i flasë disa fjalë, në të vërtetë deri diku ta plotsojë mendimin e parafolsit.

Plaku e lexoi kët fjali ma tepër se dhetë herë dhe manddej e la letrën me nji anë, ngriti kryet, filloi me i kapsitë pak syt dhe zu përmendsh:

— Zotni deputet, mbas shokut të ndershëm në të cilin kanë… Këtu ndalet, mrrolet, hesht gjatë, kujtohet dhe përsëri e merr at letër, edhe prap lexon me za të njajtën fjali. Mandej prap orvatet me e thanë përmendsh, por pa sukses: gabon. Kjo procedurë përsëritet disa herë dhe suksesi gjithnji ma i keq. Plaku i dëshpruem fshani, e shtyni letrën me zemrim dhe kryet iu varr në krahnuer.

Kundruell tij, në ndejsen tjetër rrin nji nxanës. Në dorë e mban librin e mbyllun, dhe e thot përmendsh mësimin e botanikës.

— Kjo bimëz e dobishme rritet nëpër terene me lagshtinë. Rraja e saj përdoret në popull edhe si ilaç…

Plaku ngriti kryet. Kur fëmija e tha krejt mësimin, e pyeti:

— A e ke mësue tandin?

— E kam mësue.

— Rrnofsh e qofsh, biro! Mëso tash — sa të jesh i ri e mundesh me mbajtë në mend se kur të vijsh në moshën time nuk të ngulet ma në mend!

Nuk mujsha kurrsesi me interpretue qysh gjinden këta burra pleq midis fëmijve e çka dreqin mësojnë me flokë të thimë. A thue çfarë shkolle qenka kjo prap në Stradi?

Kureshtja ime u ba aq e fortë, sa ma në fund, tue mos mujtë me e spjegue at çudi vetëm m’u desht me iu afrue atij plaku dhe mbas bisedës me të, mora vesh se asht deputet i popullit dhe se i asht caktue në klub që ta mësojë fjalimin, prej të cilit pak përpara përsëritte fjalin e parë…

Mbas nxanjes së mësimit, vjen përsëritja dhe mandej bahen prova.

Deputetët vijnë në klub dhe këtu secili rrin në vendin e vet. Kryetari i klubit rrin në nji tavolinë të posaçme, për krah tij dy nënkryetarë. Pranë tavolinës së tij gjindet tavolina për antarët e qeveris dhe pak ma tej tavolina për sekretarët e klubit. Maparë e madalë nji sekretar i thrret me emën të gjithë me radhë, mandej fillon puna serioze.

— Të çohen në kambë të gjithë ata që kanë me e luejtë rolin e opozicionarëve! — urdhnon kryetari.

U çuen disa prej tyne.

Sekretari numron shtatë.

— Ku asht i teti? — pyet kryetari.

Kurrkush nuk paraqitet.

Deputetët filluen me kqyrë rreth vedit sikur secili prej tyne të donte me thanë: „Unë nuk jam, nuk e dij kush asht ai i teti!”

Sillen edhe ata të shtatët dhe kërkojnë me sy at shoqin e tetë, derisa mezi u kujtue njani dhe vikati:

— Qe bre ky këtu e ka marrë rolin e opozicionarit.

— Unë nuk jam, çka po më…!? — thot ai zemrueshëm tue shique për toke.

— Paj kush asht? — pyet kryetari.

— Nuk e dij.

— A gjinden te gjithe ketu?

— Të gjithë.

— Ta marrë dreqi, paj duhet me qenë dikush medoemos.

Kurrkush nuk paraqitet. Prap secili fillon me kqyrë rreth vedit, madje edhe ai për të cilin treguen se asht opozicionar.

— Le të paraqitet, cili asht!

Kurrkush nuk paraqitet.

— Ti je, pse nuk çohesh? — i tha kryetari atij të dyshimtit.

— Ai asht, ai asht! — bërtitën tjerët dhe u çliruen si njeriu që heq nga shpina nji ngarkesë të madhe.

— Unë nuk mundem me e luejtë rolin e opozicionarit — vikat ai krahthati dëshprueshëm.

— Si nuk mundesh? — pyeti kryetari.

— Le të bëhet nji tjetër opozicionar.

— Njisoj asht kushdo që të jetë.

— Unë dëshiroj të jem me qeverin.

— Ama, në të vërtetë ti je me qeverin, por vetëm sa për formë, duhet dikush patjetër me e përfaqsue opozitën.

— Unë nuk due me e përfaqsue opozitën. Unë jam me qeverin.

Kryetari zu me spjegue gjanë e gjatë dhe mezi e bindi, mbasi njani prej ministrave i premtoi nji kontratë të majme, ku njeriu mundet me fitue shum.

— O, shyqyr zotit! — bërtiti kryetari krejt i djersitun, i lodhun, tash i kemi tetë vetë.

Ndërsa kryetari e qeverija spjegoheshin me opozicionarin e tetë, të cilin mezi e bindën, ata të shtatët rrijshin.

— E, çohuni tanë opozicionarët! — tha kryetari me kënaqsi dhe e shkundi djersën prej ballit.

Rrin në kambë vetëm nji, ai.

— Po çka don me thanë kjo, ku janë tash tjerët — bërtiti kryetari, — si mos me qenë në vedi prej zemrimit.

— Na jemi me qeverin — murmurojnë ata shtatë vetët.

— E, bash e ka rrokë skamja kët opozitën — vikati dëshprueshëm ministri i mbrendshëm.

Mbretnoi heshtja, nji heshtje e merzitshme, e mundimshme.

— Jeni me qeverin, — filloi zemrueshëm ministri i mbrendshëm… — Paj sikur të mos ishit me qeverin, as nuk do të ju kisha zgjedhë. Doni ndoshta tash që na ministrat ta luejmë rolin e opozitëve? Në zgjedhjet e ardhshme nuk keni me m’ardhë. Për ato tetë vende kam me e lejue popullin të zgjedhi vetë dhe do të kemi barem opozicionarë të vërtetë!

Tekembramja mbas nji spjegimi të gjatë dhe si i premtuen secilit diçka, pranuen dhe ata shtatë vetët që të marrin përsipër këto role të mundimshme. Dikujt i premtuen pozitë, dikujt fitim të madh, kur të kqyrish secili u shpërblye për shërbimet e mëdha që i banë qeveris, së cilës i binte për shtat që parlamenti, pak ose shum, të dukej i vërtetë.

Mbasi kjo punë u krye me faqe të bardhë dhe u shkapërcye pengesa ma e vështirë, zunë me i provue opozicionarët:

— Cili asht roli yt? — pyet të parin.

— Roli im asht që ta interpeloj qeverin pse shpenzohen pa bisht pa krye paret shtetnore.

— Çka ka me u përgjegjë qeverija?

— Qeverija ka me u përgjegjë se kjo bihet për shkak të mungesës së të hollave.

— Çka ke me thanë ti për këte?

— Unë kam me thanë për këte se jam plotsisht i kënaqun me përgjigjen e qeveris dhe u lutem dhetë deputetëve që të ma mbajnë krahun.

— Ulu! — tha kryetari i kënaqun.

— Cili asht roli yt? — e pyeti të dytin.

— Unë kam për detyrë ta interpeloj qeverin pse disa nëpunës kanë marrë pozita të mëdha pa rend dhe kanë nga disa rroga të mëdha dhe shum shtesa, kurse nëpunsit tjerë, ma t’aftë e ma të zotët gjinden në pozitë t’ulët dhe nuk gradohen tash sa vjet?

— Çka ka me u përgjegj qeverija?

— Ministrat për këte do të përgjigjen se kanë gradue pa rend vetëm ilakat e vet ma t’aferm dhe njerzit për të cilët janë interesue miqt e tyne të ngushtë dhe kurrkend tjetër.

— Çka ke me thanë ti për këte?

— Për këte kam me thanë se jam plotsisht i kënaqun me përgjigjen e qeveris.

Kryetari pyet të tretin se cili asht roli i tij.

— Unë kam për dëtyrë me sulmue qeverin në mënyrën ma të rreptë pse merr hua me kushte të pavolitshme, kur rrethanat financiare në vend janë edhe kështu të randa.

— Çka ka me përgjegjë qeverija?

— Qeverija ka me përgjegjë se ka nevojë për të holla.

— Çka ke me thanë ti për këte?

— Unë kam me thanë se jam plotsisht i bindun n’arsyena aq të forta dhe se jam i kënaqun prej përgjigjes.

— Çka ke ti — pyet të katërtin.

— Ta interpeloj ministrin e mbrojtjes pse rrin unshëm ushtrija.

— Çka ka me thane ai?

— Nuk ka çka me hangër.

— E ti?

— Jam plotsisht i kënaqun.

— Ulu!

Kështu i ndëgjoi edhe opozicionarët tjerë e mandej kaloi në shumicën e parlamentit.

Kush e ka mësue rolin e vet do të falënderohet, kurse ata që nuk e kanë mësue rolin, nuk guxojnë me ardhë në mbledhjen e parlamentit.

Për shkak të rrethanave jo të volitshme në vend, Përfaqsija popullore u detyrue që të marri në dorë zgjidhjen e çashtjeve ma të ngutshme. Qeverija gjithashtu e kuptoi drejt detyrën e vet dhe që të mos e humbi kohën me çashtje t’imta, e paraqiti menjiherë për vendim ligjin në lidhje me organizimin e flotës detare.

Kur ndjeva për këtë, e pyeta nji deputet:

— Ju keni shum anije detare, luftarake?

— Nuk kemi.

— Sa keni sosh gjithsejt?

— Tash për tash nuk kemi asnji.

— Unë u shastrisa prej çudis. Ai e venoroi këte e, edhe atij ajo gja iu duk e çuditshme.

— Pse po çuditeni për këte? — më pyeti.

— Po ndiej se keni pru ligjë per…

— Po — ma preu fjalën ai — e kemi pru ligjën në lidhje me organizimin e flotës; këjo gja ka me qenë e nevojshme, sepse deri sot nuk e kemi pasë at ligjë.

— A shtrihet Stradija deri në det?

— Tash për tash jo.

— Atëherë si ka me u zbatue ajo ligjë?

— Deputeti u qesh dhe shtoi:

— Vendi ynë, zotni, kufizohej dikur me dy detna dhe idealet e popuUit tonë janë që Stradija të jetë ajo që ka qenë. Na, siç shifni, punojmë për at punë.

— E, kjo asht diçka tjetër, — thashë si tue kërkue ndjesë. — tash po e kuptoj dhe mundem me thanë lirisht se Stradija me të vërtetë do të bahet e madhe dhe e fuqishme, derisa për te kujdeseni kaq sinqerisht dhe si duhet edhe derisa të ketë nji qeverim të mençëm dhe patriotik si tash.

(Faqja tjetër)