Tag Archive | presidenti

Stradija (11/12)

(Faqja e meparshme)

Të nesërmen ndjeva se qeverija kishte ra. Në të gjitha anët nëpër rrugë, pijetore dhe banesa private, përhapet kanga gazmore. Tashma nga të gjitha anët e Stradis filluen me ardhë deputacione që, n’emën të popullit, të përshëndesin qeverin e re. Shum fletore janë përplot me telegrame dhe deklarata qytetarësh besnikë. Të gjitha këto deklarata dhe urime i përngjajnë njana tjetrës, gati sa me thanë, se ndryshimi gjindet vetëm ndër emna dhe nënshkrime. Qe nji:

„Kryetarit të Këshillit ministruer Zotni…

Zotni kryetar,

Patriotizmi yt dhe vepra e madhe në dobi t’adheut tonë të dashtun janë të dijtun nëpër tane Stradin. Populli i kësaj krahine ka shpërthye në dëfrim e gëzim për ardhjen Tuej në qeverisjen e vendit, sepse secili asht i bindun ngultas se Ju me shokët Tuej jeni i vetmi në gjendje që ta nxirrni vendin tonë prej këtyne rrethanave të mundimshme dhe të randa, prej këtij mjerimi, në të cilin e hodhën me punën e tyne të keqe dhe jo patriotike parashkuesit Tuej.

Me lot gëzimi brohorisim: Rrnofshi!”

N’emen të pesëqind nënshkrimeve

(nënshkrimi i njij tregtari)

Ose deklarata, zakonisht të këtilla:

„Deri sot kam qenë antar besnik i regjimit të kaluem, por mbasi sod, me ardhjen e kabinetit të ri u binda plotsisht se qeverija e kalueme punoi në damin e vendit dhe mbasi kabineti i tashëm asht i vetmi në gjendje që ta çojë vendin në rrugë ma të mirë dhe t’i realizojë idealet e mëdha të popullit, deklaroj se prej sodi do ta ndihmoj qeverin me të gjitha fuqit dhe se gjithkund e në çdo vend, do ta dënoj regjimin e kaluem zakeq, prej të cilit neveriten gjithë njerzit e ndershëm të vendit.”

(Nënshkrimi)

Ndër shum fletore në të cilat deri at ditë kam lexue artikujt në të; cilet lavdohej çdo akt i qeveris së kalueme, tash shoh artikuj në të cilët dënohet në mënyrën ma të rreptë qeverisja e kalueme dhe çohet në qiell e reja.

Kur i mora këto fletore dhe i shiqova numrat nga fillimi i vjetit, pashë me ardhjen e çdo qeverije përsëritet i njajti havaz. Çdo qeveri e re përshëndetet në të njajtën mënyrë se asht e vetmja qeveri e vyeshme, kurse çdo qeveri e kalueme dënohet dhe quhet: trathtare, e ndytë, e damshme, e zezë, e neveritshme.

Paj edhe deklaratat dhe urimet të njajta, prej njerëzve të njajtë çdo kabineti të ri dhe nder deputacione gjithmonë të njajtët njerëz.

Nëpunsit nguten posaçërisht me deklaratat e besnikis çdo qeverije së re përpos rastit kur ndokush guxon me veprim të kundërt me e vu në rrezik pozitën e vet dhe me e rrezikue detyrën. Të tillë gjinden pak, e edhe për ta, opinioni publik ka mendim shum të keq, sepse prishin nji zakon kaq të bukur, i cili ekziston tashma prej njij kohe të gjatë në Stradi.

Bisedova me nji nëpunës të mirë për nji shok të tij, i cili nuk deshit me ia urue qeveris së re ardhjen në fuqi dhe për kët shkak u hoq prej shërbimit shtetnuer.

— Duket njeri i mençëm — thashë.

— Budallë — përgjegji ai ftoftë.

— Nuk kisha me thanë.

— Leni at fanatik, Ju lutem. Don që të rrijë unët me familje në vend që, si tanë tjerët të mençëm, ta shiqojë punën e vet.

Cilindo që pyetsha, merrsha të njajtin mendim për njerëz kësisoji, bile, këta, gjindja i shiqonte me keqardhje, por edhe me përbuzje.

Mbasi qeverija e re kishte disa punë të veta të ngutshme dhe ishte e nevojshme që populli t’i deklarojë besim të plotë me anën e deputetëve dhe, në të njajtën kohë të dënojë punën e qeveris dhe të parlamentit të kaluem, ajo i mbajti të njajtët deputetë.

Kjo gja më habiti shum dhe gjeta veçanërisht njanin prej deputetve e hyna në bisedë me të:

Kabineti, padyshim, ka me ra, mbasi mbetet i njajti parlament? — e pyeta.

„Dhe me të vërtetë deputetët treguen se dijnë me e çmue atdheun e vet, sepse flijuen për te edhe sedrën e vet edhe fytyrën.

— Pleqt tanë kanë flijue jetën për kët vend, kurse na ende luhatemi athue ta flijojmë nderin tonë! — bërtiti nji deputet.

— Ashtu asht — jehoi prej të gjitha anëve.

Punët në parlament rodhën me shpejtsi.

Së pari, qeveris i dhanë votbesimin e plotë dhe dënuen pimën e asaj së kaluemes, mandej qeverija paraqiti para Përfaqsis popullore propozimin që në disa ligje të bahen ndryshime.

Propozimin e pranuen njizani dhe adaptuen ndryshimet e propozueme për ligjët, sepse ligjët pa ato ndryshime e plotsime pengojshin disa miq dhe ilaka të ministrave me marrë disa pozita ma të nalta në shërbimin shtetnuer.

Tekembramja u aprovuen a priori të gjitha shpenzimet që qeverija ka me ba me anën e buxhetit, dhe mandej parlamenti u shpërnda dhe deputetët e lodhun prej punëve shtetnore shkuen të çlodhen, nëpër shtëpija kurse antarët e qeveris nibasi i shkapërcyen të gjitha pengesat me faqe të bardhë dhe të kënaqun nga besimi i plotë i popullit, dhanë nji darkë solemne shoqnore që tue pi ndonji gotë venë, në gëzim, të çlodhen edhe vetë nga hallet e randa që lyp organizimi i vendit.

(Faqja tjetër)