Tag Archive | uria

Prisi (1/3)

— Vllazën dhe shokë, i ndëgjova të gjitha fjalimet, prandej ju lutem që edhe ju të më ndëgjoni. Të gjitha bisedat e kuvendimet nuk vlejnë dy pare derisa na të jetojmë në kët krahinë të paplleshme. Në kët shulla dhe gurnajë nuk ka mujtë me u ba bukë as kur kanë qenë vjetët me shi dhe lene ma në nji thatsi të këtillë, sikur ndoshta kurr nuk e mban në mend kush.

— Deri kur do të tubohemi; kështu dhe do të rrahim ujë në havan? Kafshët po na cofin pa ushqim edhe pak fëmijt do të ngordhin nga uja së bashku me ne. Na duhet të zgjedhim rrugë tjetër, ma të mirë, ma t’urtë. Unë mendoj se asht ma mirë ta braktisim kët krahinë të paplleshme dhe ta marrim botën në sy e të kërkojmë vend ma të mirë e ma të plleshëm, sepse kështu nuk mund të rrnohet.

Kështu foli dikur në njifarë mbledhje, me za të molisun, njani prej banorëve të njifarë vendi të paplleshëm. Ku dhe kur ndodhi kjo, mandej nuk ju intereson as juve as mue. Me randsi asht që ju të më besoni se kështu ka ndodhë diku dhe dikur në njifarë krahine dhe kjo asht mjaft. Të rrijmë shtrembët e të flasim drejt, dikur kam pandehë se tanë këte, e kam trillue prej dikahit por dalngadalë u çlirova prej këtij mashtrimi tepër të madh dhe tash besoj ngultas se krejt kjo që do të ju tregoj tash ka ndodhë dhe duhet të ndodhte medoemos diku dhe dikur dhe se atë n’asnji mënyrë nuk kam mujtë kurr me e trillue.

Ndëgjuesit me fytyrë të zbetë dhe të hequn, me shiqim të topitun të turbullt, gadi të fikët, me duer n’ije thuese u ngjallën prej atyne fjalëve t’urta. Secili tash e imagjinoi vedin në nji vend magjik, parajsë, ku puna e mundimshme dhe e kujdesshme paguhet me korrje të begatshme.

— Ashtu asht, ashtu asht — filluen me shushuritë zanet e molisuna nga të gjitha anët.

— A thue afër? u ndëgjue nji përshpëritje e zgjatueme prej njij qoshjeje.

— Vllazën, filloi prap njani me folë me za pak ma të fortë. — Na duhet menjiherë ta pranojmë kët propozim, sepse kështu nuk jetohet ma. Punuem dhe vuejtëm dhe të gjitha na shkuen kot. Kemi nda dhe nga goja jonë, dhe kemi mbjellë, por vijnë rrëke dhe marrin me vedi edhe farën, edhe dhen nëpër rrëpina dhe mbetet gur i thatë. A duem me qëndrue këtu gjithmonë dhe me pune prej mëngjezit deri në mbramje dhe prap me mbetë t’untuem e t’etshëm cullak e të zbathun?… Duhet të nisemi e të kërkojmë tokë ma të mirë, ma të plleshme, ku puna e randë dhe e mundimshme do të na shpërblehet me korrje të begatshme.

— Të nisemi, të nisemi menjiherë, pse këtu, nuk mund të rrnohet! shushuroi pëshpëritja dhe turma u nis për diku, tue mos mendue se ku po shkon.

— Ndaluni, vllazën, ku po shkoni? — prap ai kuvendtari i parë. Nuk do të kemi çare pa shkue, por kështu nuk bahet. Na duhet ta dijmë ku po shkojmë, pëmdryshe mund të sharrojmë ma keq në vend që të shpëtojmë. Unë propozoj ta zgjedhim prisin, të cilin, të gjithë, duhet ta ndëgjojmë dhe i cili ka me na çue tamam nëpër rrugën ma të mirë e ma të shkurtë.

— Ta zgjedhim, ta zgjedhim menjiherë!… — u ndie nga të gjitha anët.

Tasht plasi zanja me fjalë, kaos i vërtetë: secili flet dhe kurrkush kërkend as nuk e ndëgjon as mundet me e ndëgjue. Mandej filluen me u nda ndër grupe të vogla; secili grup pëshpërit diçka për vedi, mande edhe grupet u banë pikë e pesë dhe njerzit u kapën dorë për dore, të gjithë dy nga dy, kështu njani i flet tjetrit dhe i vërteton, e tërheq njani tjetrin për mange dhe ven dorën në gojë. Prap bashkohen të gjithë dhe prap të gjithë flasin.

— Vllazën! — u dallue pënjiherë nji za ma i fortë dhe i kaloi zanet tjera të ngjiruna, të topituna. — Na kështu nuk mund të bajnë kurrgja. Të gjithë flasim dhe kurrkush kërkend nuk e ndëgjon. Ta zgjedhim prisin. Paj cilin ndërmjet nesh kishim mujtë me e zgjedhë? Kush prej nesh ka udhtue që t’i dijë rrugët? Na njifemi mirë ndër vedi dhe unë i pari nuk kisha me guxue me i zanë besë me fëmijt e mij asnjanit këtu në kët mbledhje. Por, tregomni kush e njeh at udhtarin atje, i cili qysh në mëngjes rrin në fresk skaj rrugës?…

Qetsi, të gjithë u kthyen kah njeriu i panjoftun dhe zunë me e matë prej majes së kres deri në fund të kambëve.

Ai asht nji njeri me moshë mesatare, fytyrëmrrolët, e cila gati dhe nuk shifet nga flokët e gjate dhe mjekrra, rrin, hesht si përpara dhe disi mendueshëm rrah tokën me shkopin e vet të trashë.

— Dje e kam pa të njajtin njeri me nji fëmi. U kapën dorë për dorë dhe shkuen rrugës. Mramë ai fëmija shkoi diku nëpër katund, ky mbeti vetëm.

— Leni, vlla, ato imtsina dhe marrzina, që të mos humbin kohë. Le të jetë kush të jetë, ai asht udhtar nga vendi i Iarget, mbasi kurrkush prej nesh nuk e din, ai e din sigurisht mirë rrugën ma të drejtë e ma të shkurtë që të na prijë. Si e çmoj unë, duket se asht shum njeri i mençëm, sepse hesht vazhdimisht dhe mendon. Ndonji tjetër i rrëmbyeshëm, do t’ishte përzie dhetë herë deri tash midis nesh ose do të kishte fillue me bisedue me cilindo qoftë, kurse, ai tash sa kohë rrin qyqe vetëm dhe vetëm hesht.

— Ta merr mendja, hesht burri i dheut dhe mendon diçka. Kjo s’mund të jetë gja tjetër veç shej se ai asht shum i mençëm — erdhën në përfundim dhe tjerët dhe zunë prap me e shique me vemendje të huejin dhe secili në të dhe në shiqimin e tij, zbuloi veti të shkëlqyeshme, nji provë se asht jashtzakonisht i mençëm.

Nuk e tjerrën gjatë dhe i bashkuen mendimet më nji se kishte me qenë ma mirë me iu lutë atij udhtari, të cilin, si thanë, vetë zoti e kishte dërgue me u pri në botë, që të kërkojnë krahinë ma të plleshme, që të jetë pris i tyne dhe ata ta ndëgjojnë pa kushte dhe t’i binden.

Zgjodhën dhetë vetë nga mesi i tyne, për me shkue te i hueji, me ia tregue qëllimet e mbledhjes dhe të rrethanave të tyne të mjera dhe me iu lutë që të pranojë me u ba pris.

Shkuen ata dhetë vetë, u përkulën përvuejtnisht para të huejit të mençëm dhe njani prej tyne zu me folë për tokën e paplleshme të krahinës së tyne, për vjetët e thatë, për gjendjen e mjerushme në të cilën ndodhen dhe përfundoi kështu:

— Kjo na shtyn që ta braktisim vendin tonë dhe shtëpin tonë, dhe ta marri botën në sy për të kërkue votër ma të mirë. Dhe mu tash kur na ra në mend nji ide kaq e lumtun, thuese dhe zoti pat mëshirë për ne e të çojë te na o jabanxhi i mençëm dhe i vlershëm, të na prijsh dhe shpëtojsh prej mjerimit. Na n’emën të të gjithë banorëve të lutemi që të bahesh pris i ynë dhe ku ti, na mbas teje. Ti din rrugët, ti sigurisht edhe ke lindë në nji vend mi fatbardhë e ma të mirë. Na kemi me të ndëgjue dhe me iu bindë çdo urdhnit tand. A dëshiron jabanxhi i mençëm me pranue që të shpëtojsh kaq shpirtna nga rrënimi, a dëshiron të jesh pris i ynë?

Jabanxhija i mençëm gjatë gjithë kohës së kësaj bisede të prekshme nuk e çoi as kryet. Qëndroi në të njajtën pozitë sikurse edhe e gjetën: e vari kryet, i mrrolshëm, hesht, o tërheq shkopin për toke dhe mendon. Kur mbaroi biseda, ai tue mos e ndryshue pozitën, shkurt dhe ftoftë mezi a lëshoi fjalën.

— Dëshiroj!

— A mundemi pra me shkue me ty dhe me kërkue kra- hinë mfi të mirë?

— Mundemi! — vazhdoi jabanxhija i mençëm tue mos e çue kryet.

Tash shpërthyen kënaqsija dhe deklaratat e mirënjohsis, por mendtari nuk tha asnji fjalë për to.

I kumtuen mbledhjes se e kishin krye misionin me faqe të bardhë, tue shtue se vetëm tash panë se çfarë mençmënije gjindet n’at njeri.

— As nuk luejti nga vendi, as kryet nuk e çoi barem të shohë kush po i flet. Vetëm heshtte e mendonte; për të gjitha bisedat e falenderimet tona i foli dy fjalë gjithsejt.

— Mendtar e jo mahi! Mençmëni e rrallë — bërtiten njerzit gzueshëm nga të gjitha anët, tue pohue se si vetë zoti si engjëll prej qiellit e dërgoi për t’i shpëtue. Secili ishte aq ngultas i bindun në sukses pranë njij prisi të këtillë, sa kurrgja në botë nuk do të mundte me ia kthye menden.

Dhe kështu tash në mbledhje, u vendos me u nisë qysb nesër n’agim.

(Faqja tjetër)