Tag Archive | udhëheqës

Danga

Kam pa nji andërr të tmershme. Nuk habitem për andrrën vetë, por habitem se si kam pasë guxim me andrrue gjana të tmershme, mbasi edhe unë jam qytetar i urtë dhe i vyeshëm, fëmi i mirë i kësaj nane të shumvuejtun dhe të dashtun Sërbi, si gjithë fëmijt tjerë të saj. Hajt, po thom, se unë baj përjashtim prej tjerëve, por jo, bre vlla, edhe unë punoj gjithshka fije e për pe si tjerët dhe sillem me aq kujdes sa nuk më gjindet shoqi. Njiherë pashë në rrugë nji pullë të këputun prej uniformës policore, ia ngula syt shkëlqimit të saj magjik dhe taman deshta të kaloj, mbushun plot mendime t’ambla, kur qe, menjiherë m’u dridh dora vetë dhe u çue kah kapela; koka e ime u përul vetë kah toka, kurse goja m’u zgjanue me nji buzëqeshje të kandshme, me të cilën, zakonisht, na të gjithë, nderojmë atë që asht ma i madh.

— Bash kam gjak fisnik ndër dej dhe asgja tjetër! — mendova në kët çast dhe me përbuzje shiqova nji lahper i cili mu atëherë kaloi dhe nga moskujdesija shkeli pullën.

— Lahperi! — thashë me zemrim dhe pshtyna, vazhdova të shetis i qetë, i ngushlluem me vehte se lahpera si ky gjinden shum pak dhe më vinte shum mirë që perëndija më dha zemër të mirë dhe gjak fisnik e kreshnik të të parëvet tonë.

Qe tash po shihni se sa njeri i mirë jam, se si nuk dallohem asnji thërrimë prej qytetarëve tjërë të vyeshëm dhe prandej do të habiteni edhe ju vetë se si m’u shtinë n’andërr bash mue gjana të tmerrshme dhe të marra.

At ditë nuk më ndodhi kurrgja e jashtëzakonshme. Hangra darkë mirë dhe mbas darkës dlira dhambët, piva pak venë dhe mandej, mbasi përdora me guxim dhe ndërgjegje të gjitha të drejtat e mija qytetare, rashë në shtrat dhe mora librin që natyrisht, e përmbushi dëshirën time dhe unë fjeta si qingj me ndërgjegje të qetë, sepse kisha krye plotsisht të gjitha detyrat e mija.

Menjiherë u gjeta në nji rrugë të ngushtë, bregore dhe të ndytë. Natë e ftoftë, e errët. Era fishkullon nëpër gemba të çveshun dhe thuese të pret, kur të rrahë në lëkurë cullak. Qielli asht i errët i tmerrshëm e memecë dhe bora e imtë t’i mbyllë syt dhe të bie fytyrës. Asnji frymarë nuk shihej kund. Nxitoj përpara dhe rrëshas rrugës së ndytë majtas, e djathtas. Merrsha në thue, rrëxohesha dhe tekembramja humba rrugën. U enda kështu kot, Zoti e din se ku, e nata nuk ishte e shkurtë, si natë e zakonshme, por njifarë nate e gjatë sa nji shekull i tanë dhe unë hecsha vazhdimisht, por nuk dijsha se ku jam tue shkue.

Heca kështu shum vjet dhe shkova diku, aq larg, larg prej vendit tim në nji krahinë të panjoftun, në nji dhe të çuditshëm, për të cilin ndoshta s’ka njeri të gjallë që të dijë gja dhe që, sigurisht, vetëm n’andërr mund të shifet.

Tue u endë nëpër kët dhe, mbërrina në nji qytet me shum banorë. Në tregun e gjanë të këtij qyteti ishte mbledhë nji mori njerzish dhe bahej zhurmë e madhe veshët me t’u shurdhue. Hyna në nji kafe bash kundruell tregut dhe pyeta mejhanexhiun pse ishte mbledhë gjithë ky popull.

— Na jemi njerëz t’urtë dhe të vyeshëm, — filloi me më tregue ai — jemi besnikë dhe e ndëgjojmë kryeplakun tonë.

— A thue te ju njeriu ma i madh qenka kryeplaku? — ia preva fjalën me kët pyetje.

— Te na qeveris kryeplaku, dhe ai asht ma i madhi; mbas tij vijnë policët.

Unë u qesha.

— Pse po qesh?… A thue se nuk e ke dijtë?… Po prej kah je?…

Unë i tregova se kam tretë rrugën dhe se jam prej dheut të largët Sërbis.

— Kam ndie, po, për at vend të përmendun! — pëshpëriti ai me vedi dhe më shiqoi me nderim e mandej m’u drejtue me za të naltë:

— Qe, kështu asht te na, — vazhdoi ai — kryeplaku qeveris me policët e vet.

— Çfarë njerzish janë këta policët tuej?

— Hee, policët, a din çka, janë të ndryshëm dhe ndryshojnë simbas gradës. Ka policë ma të mëdhej dhe ma të vegjël… Pra, na këtu jemi njerëz t’urtë dhe të vyeshëm, por nga vendet, rreth e qark po vijnë këtu gjithfarë haramash, të cilët po na prishin dhe po na mësojnë me punue mbrapshtë. Që të dallohet çdo qytetar nga tjerët, kryeplaku ka urdhnue dje gjithë qytetarët e këtushëm të shkojnë para komunës ku do t’ia vejë secilit vulën në ballë. Qe, për kët punë asht mbledhë populli që të bisedojmë çka do të bajmë.

Unë u dridha dhe mendova të largohem sa ma parë nga ky vend i tmershëm, sepse sadoqë jam Sërb fisnik, nuk jam mësue në trimni aq të madhe dhe kjo gja m’u duk e pandershme.

Mejhanexhiu qeshi pa të keq, ma rrahu krahvm dhe më tha me kreni:

— Eh, or mik, e pat dhe burrnija jote… Me gjasë guximi ynë s’paska shoq në botë!…

— Ç’mendoni me ba? — pyeta turpshëm.

— Si, ç’mendojmë? Do të shofish se çfarë burrash jemi. Guximi ynë s’ka shoq në botë, ta them unë ty. Ke pa shum dhena, por jam i sigurtë se hundë-lesha ma të mëdhej nuk ke pa. Eja të shkojmë atje bashkë. Unë duhet të nxitoj.

Bash tue u nisë, kur qe, para derës, u ndëgjue krisma e kamxhikut.

Shiqova përjashta, çka me pa: Nji njeri me njifarë kapele trekandshe, të vizllueshme dhe me rrobe të larme i kishte hypë njij njeriu tjetër, veshun me rrobe shum të pasuna thjesht qytetare, u ndalue para kafes dhe zdrypi.

Mejhanexhiu duel përjashta dhe e nderoi tue u përulë deri në tokë, e ai njeriu me rrobe të larme hyni në kafe dhe u ul pranë tavolinës, e cila ishte stolisë në nji mënyrë të veçantë. Ai me rrobe qytetare mbeti para kafes tue pritë. Kafexhiu e nderoi edhe këte tue u përulë thellë.

— Ç’don me thanë kjo? — e pyeta, i habitun, kafexhiun.

— Ky që hyni në kafe asht nji polic i madh dhe ai asht nji nga qytetarët ma të përmendun, pasaniku ynë i madh dhe atdhetar — pëshpëriti kafexhiu.

— Po pse lejon me i hypë?

Kafexhiu ma bani me krye dhe u largue pak më nji anë. Qeshi disi si me përbuzje dhe tha:

— Kjo te na çmohet si nderim i madh, i cili rrallëkujt i bje hise!…

Ai më tregoi shum gjana tjera, por unë nga tronditja nuk e kuptova. Vetëm fjalët e mbrame i ndëgjova mirë: „Ky asht nji shërbim për atdhe, të cilin nuk mundet as nuk din me e çmue çdo popull!”

Mbërrimë në mbledhje ku kishte fillue tashma zgjedhja e kryesis së nderit të punës.

Nji grup kishte paraqitë si kandidat për kryetar njifarë Kollbi, nëqoftëse nuk gaboj; nji grup tjetër njifarë Tallbini, grupi i tretë prap kandidatin e vet.

U ba nji përziemje e pashoqe; secili grup dëshironte të fitojë kandidati i vet.

— Unë mendoj se nuk ka njeri ma të mirë se Kollbi për kryetar të njij mbledhjeje kaq të randsishme, — tha njani nga grupi i parë, — sepse virtytet e tija qytetare dhe trimnin e tij të gjithë i njohim fare mirë. Unë kujtoj se nuk gjindet kush ndër ne, të cilit t’i kenë hypë sundimtarët ma shpesh se atij.

— Ç’flet ti? — bërtiti njani nga grupi i dytë — ty as praktikanti nuk të ka hypë kurr.

— I dijmë na virtytet tueja, — bërtiti drkush nga grupi i tretë — ju asnji të rame të kamxhikut nuk e keni hangër, pa bërtitë.

— Të merremi vesh, vllazën! filloi Kollbi. Mue, me të vërtetë më kanë hypë shpeshherë qeveritarët tanë të ndershëm tash dhetë vjet dhe më kanë ra me kamxhik dhe nuk kam bërtitë, por prap mund të ndodhë që të ketë njerëz me ma shum merita se unë. Ka ndoshta ma të rij dhe ma të mirë.

— Nuk ka, nuk ka! — bërtitën zgjedhsit e tij.

— Nuk duem me ndie për meritat e vjetra! Kollbit i kanë hypë tash dhetë vjet — bërtitën nga grupi i dytë.

— Tash po dalin në dritë fuqit e reja e për të vjetrit nuk duem me ndie ma — bërtitën nga grupi i tretë.

Menjiherë u fashit zhurma, populli u mënjanue dhe hapi rrugën, në të cilën pashë nji njeri të ri, nja tridhetëvjeçar. Sa mbërrini ky, gjithë u përulën deri në tokë.

— Kush asht ky? — pyeta, tue pëshpëritë, mejhanexhiun.

— Ky asht i pari ndër qytetarët. Njeri i ri, por premton shiun. Në moshën e vet të re ka pasë fatin që, edhe vetë kryeplaku fi hypi në shpinë tri herë deri tash. Ai asht i popullarizuem ma shum se çdo kush deri tash.

— Ndoshta do ta zgjedhin ate… pyeta unë.

— Asht ma tepër se e sigurt, sepse të gjithë këta kandidatët e deritashëm janë të vjetër dhe përveç kësaj i ka shkelë edhe koha, kurse këtij dje i ka hypë kryeplaku.

— Si e ka emnin?

— Kleard.

— E vunë në vendin e nderit.

— Unë mendoj — e theu Kollbi heshtjen — se nuk duhet të kërkojmë njeri ma të mirë se Kleardin për kët vend. Ai asht i ri, por na të vjetrit nuk mund të krahasohemi kurrsesi me te..

— Ashtu asht, ashtu asht!… Rrnoftë Kleardi… brohoritën të gjithë. Kollbi dhe Tallbi i prinë që të zajë vendin e kryetarit.

Pran të gjithë e nderuen tue ulë kryet dhe mandej mbretnoi qetsija:

— Ju falënderoj, vllazën, për kët kujdes e nderë kaq të madh që më batë sot njizani. Shpresat tueja që keni në mue janë tepër mikluese. Asht vështirë me i udhëheqë dëshirat e popullit në ditë kaq të randsishme, por unë do të baj çdo përpjekje për ta meritue besimin tuej, që t’ju përfaqsoj gjithkund sinqerisht dhe që ta mbaj nalt zanin tim edhe tash e mbrapa. Ju falemnderit, vllazën, për kët zgjedhje!

— Rrnoftë, rrnoftë, rrnoftë! — brohoritje nga të gjitha anët.

— Tash vllazën, më lejoni që nga ky vend të them disa fjalë mbi kët ngjarje të randsishme. Nuk asht lehtë me i durue vuejtjet dhe dhimbjet që na presin; nuk asht lehtë me durue që me hekur të skuqun të vehet vula në ballin tonë. Po, këto janë mundime të cilat nuk mund t’i durojë gjithkush. Le të dridhen dhe të zbehen nga friga qyqanat, por na as për nji çast nuk duhet të harrojmë se jemi mbasardhsit e të parëvet tanë trima, se në dejt tanë leviz gjaku fisnik dhe trim i gjyshavet tanë, gjaku i atyne kreshnikëve — gjiganta të cilëve as krisma e dhambëve nuk u asht ndëgjue tue vdekë per liri dhe për të mirën tonë, të mbasardhësve të tyne. Asgja nuk janë këto mundime në krahasim me ato t’atyne, pra, a të tregohemi si brez i kalbun dhe frigacak, na tash që kemi të gjitha të mirat dhe gjithë kët bollëk? Çdo atdhetar i vërtetë, kushdo që dëshiron mos të turpnohet fisi ynë para botës, duhet ta durojë dhimbjen trimnisht dhe si burrë.

— Ashtu asht. Rrnofsh, rrnofsh!

U paraqitën edhe disa gojtarë të flaktë, të cilët trimnojshin popullin e friguem dhe folshin pak a shum poashtu si foli Kleardi.

Kërkoi fjalën nji plak i zbetë, i lodhun, me fytyrë të rrudhun, me flokë të bardhë si bora. Kambët iu merrshin nga pleqnija, shpina i ishte kërrus dhe duert i dridheshin. Zani iu dridhte, në sy i shkëlqejshin lotët.

— Djelm, — filloi ai dhe lotët iu rrokullisën nëpër faqe të zbeta e të rrudhuna dhe i ranë mbi mjekër të bardhë, ngusht e kam dhe shpejt do të vdes, por më duket se asht ma mirë të mos lejojmë me u ba nji turp si ky. Unë i kam njiqind vjet dhe kam jetue pa te… A thue tash në kët kokë të thime, të molisun të më vejnë vulën e skllavnis…

— Poshtë plaku qelbanik! — bërtiti kryetari.

— Poshtë plaku! — bërtiten disa.

— Plak i ngordhun! — bërtiten të dytët.

— Në vend që t’u japë zemër ma të rijve, ai frigson edhe ma tepër popullin! — bërtasin të tretët.

— Të ketë trup prej flokëve të thimë! Ka jetue sa ka dashtë dhe tashë ende ka frigë e na ma të rijt, ma trima! — bërtasin të katërt.

— Poshtë qyqani!

— Qitne përjashta!

— Poshtë qyqani.

Turma e acarueme e qytetarëve të rij trima filluen në zemrim e sipër me i ra me grushta dhe me e tërheqë plakun e kapitun.

Mezi e lëshun për arsye pleqnije, përndryshe e patën mbulue me gurë.

— Të gjithë u betuen dhe u besatuen se nesër do t’ia zbardhin faqen emnit të tyne kombtar tue qëndrue si burrat.

Mbledhja u shpërnda me rregull të madh. Me rastin e shpërndamjes ndëgjoheshin zane:

— Nesër do të kallxojmë se kush jemi!

— Do të shohim nesër shum burracakë!

— Ka ardhë koha të tregojmë se kush vlen dhe kush nuk vlen dhe të mos shesi trimni çdo pis!

U ktheva prap në hotel.

— A pe se kush jemi na? — pyeti me kreni mejhanexhiu.

— E pashë — u përgjegja mekanikisht dhe ndiejsha se si më kishte lanë fuqija dhe si m’ushtonte kryet nga përshtypjet e çuditshme.

Po kët ditë lexova në gazetën e tyne kryeartikullin me kët përmbajtje:

„Qytetarë, ka ardhë koha që të prajnë ma ditët e lavdimit të mrazët dhe të mburrjes së këtij ose atij prej nesh; ka ardhë koha që mos t’i çmojmë ma fjalët e kota, me të cilat na jemi të pasun, tue vu në dukje disa virtyte dhe meritat tona t’imagjinueme; ka ardhë koha, qytetarë, që, të provohemi edhe njiherë me vepra dhe të tregohemi me të vërtetë se kush vlen dhe kush nuk vlen! Por mbajmë ymid se ndër ne nuk do të ketë qyqana të pafytyrë të cilët do të detyrohet me i sjellë vetë pushtetit në vendin e caktuem për me u vu dangën. Kushdo që ndien në vedi edhe nji grimë të vockël të gjakut kreshnik të të parëvet tanë, do të nxitojë sa ma parë për t’i qëndrue qetsisht dhe krenarisht vuejtjeve dhe dhimbjes, sepse kjo asht dhimbje e ndërgjegjes, ky asht flijim që kërkon atdheu dhe e mira e jonë e përgjithshme. Përpara, qytetarë, nesër asht dita kur matet burrnija…”

Kafexhiu at ditë ra me fjetë menjiherë mbas mbledhjes, që të nesërmen të mbërrijë sa ma parë në vendin e caktuem. Shum prej tyne shkuen menjiherë para komunës që të zanë vend sa ma të mirë.

Të nesërmen shkova edhe unë përpara komunës. Kishin ardhë të gjithë nga qyteti, i madh e i vogël, mashkuj e femna. Disa nana kishin sjellë edhe fëmijt e vet në grykë, që edhe këta të vulosen me vulë të robnis, domethanë me vulë të nderit, kështuqë ma vonë të kenë ma shum të drejtë me zanë ndonji vend ma të mirë në shërbim të shtetit.

Aty shtyheshin, shaheshin — në kët pikëpamje na përgjajnë nga pak ne Sërbëve, dhe kjo më gëzoi — shtyheshin për të mbërrijtë të parët në derë. Disave madje për ma tepër u zihej fryma.

Vulat i ven nji nëpunës me rrobe të bardha kremtimi dhe i flet popullit me butsi:

— Kadalë, pash zotin, le të vijë secili me rend, nuk jeni shtazë që të shtyheni kështu!

Filloi vulosja. Dikush bërtitte, dikush vetëm shtërzehej, por kurrkush nuk u durue pa lëshue njifarë zani, sa qeshë aty.

Nuk mujta me shique ma giatë këto mundime, por shkova në mejhane, ku disa ishin ulë dhe pijshin tue hangër meze.

— E hoqëm edhe kët barrë! — tha njani.

— More na nuk bërtitëm shum, por Tallbi bërtiti si gomar… — tha tjetri.

— Qe, shiqoje Tallbin, që dje e kërkuet ta kryesojë mbledhjen!

— E, po kush e ka dijtë!

Kuvendojshin por gjëmojshin, përdridheshin nga dhimbja, e mëshiheshin njani prej tjetrit, sepse secilit i vinte turp që të tregohej qyqan.

— Kleardit i shkoi fytyra, sepse shtërzoi, kurse njifarë Leari u dallue për trimni, dhe kërkoi që t’i vehen dy vula dhe nuk bani ciu me gojë. Mbarë qyteti flet vetëm për te me respekt të madh. Disa ikën, por të gjithë i përbuzën.

Mbas disa ditësh, ai që kishte dy danga në ballë, shetitte kryenaltë, kapardisun e krenar, plot lavd e mburrje, dhe kudo që kalonte, gjithkush ia lëshonte rrugën dhe hiqte kapelën para trimit të ditëve të veta.

Vrapojshin rrugëve mbas tij edhe gratë, edhe fëmijt, edhe burrat për ta pa trimin e popullit. Kudo që kalonte, përhapej pëshpëritja plot frigë dhe nderim: „Leari, Leari!… Ky asht ai! Ky asht ai hundleshi që nuk ka ba ciu, që nuk ka lëshue asnji fije zani, kur ia kanë vu dy danga!” Gazetat shkruejshin për te dhe e çojshin në qiell me nderime dhe lavdime shum të mëdha.

E pat hak dashunin e popullit.

Ndëgjojsha këto lavdime nga të gjitha anët e, edhe mue më vlonte gjaku trim i Sërbit. Edhë të parët tanë kanë qenë trima, edhe ata kanë vdekë mbi huj për liri; edhe na kemi të kaluemen kreshnike dhe Kosovën. Më përfshiu krenarija e popullit dhe bindja se duhet t’ia zbardhi fytyrën popullit tem dhe vrapova para komunës e bërtita:

„Ç’po e lavdoni Learin tuej?… Ju ende nuk keni pa me sy trima! Shihni se ç’asht gjaku sërb, kreshnik! Më veni dhetë danga e jo vetëm nji!”

Nëpunsi me rrobe të bardha ia afroi ballit tem vulen dhe unë këceva… Mbas andrrës më duel gjumi.

E fërkova ballin nga frika dhe bana kryq, tue u çudit se ç’sende i shtihen njeriut n’andërr.

Për pak qeshë tue ia rrëxue nji grimë itibarin Learit të tyne, — mendova dhe i kënaqun u ktheva në krahun tjetër, por m’erdhi nji fije keq që nuk vazhdoi andrra deri në fund.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)

Prisi (1/3)

— Vllazën dhe shokë, i ndëgjova të gjitha fjalimet, prandej ju lutem që edhe ju të më ndëgjoni. Të gjitha bisedat e kuvendimet nuk vlejnë dy pare derisa na të jetojmë në kët krahinë të paplleshme. Në kët shulla dhe gurnajë nuk ka mujtë me u ba bukë as kur kanë qenë vjetët me shi dhe lene ma në nji thatsi të këtillë, sikur ndoshta kurr nuk e mban në mend kush.

— Deri kur do të tubohemi; kështu dhe do të rrahim ujë në havan? Kafshët po na cofin pa ushqim edhe pak fëmijt do të ngordhin nga uja së bashku me ne. Na duhet të zgjedhim rrugë tjetër, ma të mirë, ma t’urtë. Unë mendoj se asht ma mirë ta braktisim kët krahinë të paplleshme dhe ta marrim botën në sy e të kërkojmë vend ma të mirë e ma të plleshëm, sepse kështu nuk mund të rrnohet.

Kështu foli dikur në njifarë mbledhje, me za të molisun, njani prej banorëve të njifarë vendi të paplleshëm. Ku dhe kur ndodhi kjo, mandej nuk ju intereson as juve as mue. Me randsi asht që ju të më besoni se kështu ka ndodhë diku dhe dikur në njifarë krahine dhe kjo asht mjaft. Të rrijmë shtrembët e të flasim drejt, dikur kam pandehë se tanë këte, e kam trillue prej dikahit por dalngadalë u çlirova prej këtij mashtrimi tepër të madh dhe tash besoj ngultas se krejt kjo që do të ju tregoj tash ka ndodhë dhe duhet të ndodhte medoemos diku dhe dikur dhe se atë n’asnji mënyrë nuk kam mujtë kurr me e trillue.

Ndëgjuesit me fytyrë të zbetë dhe të hequn, me shiqim të topitun të turbullt, gadi të fikët, me duer n’ije thuese u ngjallën prej atyne fjalëve t’urta. Secili tash e imagjinoi vedin në nji vend magjik, parajsë, ku puna e mundimshme dhe e kujdesshme paguhet me korrje të begatshme.

— Ashtu asht, ashtu asht — filluen me shushuritë zanet e molisuna nga të gjitha anët.

— A thue afër? u ndëgjue nji përshpëritje e zgjatueme prej njij qoshjeje.

— Vllazën, filloi prap njani me folë me za pak ma të fortë. — Na duhet menjiherë ta pranojmë kët propozim, sepse kështu nuk jetohet ma. Punuem dhe vuejtëm dhe të gjitha na shkuen kot. Kemi nda dhe nga goja jonë, dhe kemi mbjellë, por vijnë rrëke dhe marrin me vedi edhe farën, edhe dhen nëpër rrëpina dhe mbetet gur i thatë. A duem me qëndrue këtu gjithmonë dhe me pune prej mëngjezit deri në mbramje dhe prap me mbetë t’untuem e t’etshëm cullak e të zbathun?… Duhet të nisemi e të kërkojmë tokë ma të mirë, ma të plleshme, ku puna e randë dhe e mundimshme do të na shpërblehet me korrje të begatshme.

— Të nisemi, të nisemi menjiherë, pse këtu, nuk mund të rrnohet! shushuroi pëshpëritja dhe turma u nis për diku, tue mos mendue se ku po shkon.

— Ndaluni, vllazën, ku po shkoni? — prap ai kuvendtari i parë. Nuk do të kemi çare pa shkue, por kështu nuk bahet. Na duhet ta dijmë ku po shkojmë, pëmdryshe mund të sharrojmë ma keq në vend që të shpëtojmë. Unë propozoj ta zgjedhim prisin, të cilin, të gjithë, duhet ta ndëgjojmë dhe i cili ka me na çue tamam nëpër rrugën ma të mirë e ma të shkurtë.

— Ta zgjedhim, ta zgjedhim menjiherë!… — u ndie nga të gjitha anët.

Tasht plasi zanja me fjalë, kaos i vërtetë: secili flet dhe kurrkush kërkend as nuk e ndëgjon as mundet me e ndëgjue. Mandej filluen me u nda ndër grupe të vogla; secili grup pëshpërit diçka për vedi, mande edhe grupet u banë pikë e pesë dhe njerzit u kapën dorë për dore, të gjithë dy nga dy, kështu njani i flet tjetrit dhe i vërteton, e tërheq njani tjetrin për mange dhe ven dorën në gojë. Prap bashkohen të gjithë dhe prap të gjithë flasin.

— Vllazën! — u dallue pënjiherë nji za ma i fortë dhe i kaloi zanet tjera të ngjiruna, të topituna. — Na kështu nuk mund të bajnë kurrgja. Të gjithë flasim dhe kurrkush kërkend nuk e ndëgjon. Ta zgjedhim prisin. Paj cilin ndërmjet nesh kishim mujtë me e zgjedhë? Kush prej nesh ka udhtue që t’i dijë rrugët? Na njifemi mirë ndër vedi dhe unë i pari nuk kisha me guxue me i zanë besë me fëmijt e mij asnjanit këtu në kët mbledhje. Por, tregomni kush e njeh at udhtarin atje, i cili qysh në mëngjes rrin në fresk skaj rrugës?…

Qetsi, të gjithë u kthyen kah njeriu i panjoftun dhe zunë me e matë prej majes së kres deri në fund të kambëve.

Ai asht nji njeri me moshë mesatare, fytyrëmrrolët, e cila gati dhe nuk shifet nga flokët e gjate dhe mjekrra, rrin, hesht si përpara dhe disi mendueshëm rrah tokën me shkopin e vet të trashë.

— Dje e kam pa të njajtin njeri me nji fëmi. U kapën dorë për dorë dhe shkuen rrugës. Mramë ai fëmija shkoi diku nëpër katund, ky mbeti vetëm.

— Leni, vlla, ato imtsina dhe marrzina, që të mos humbin kohë. Le të jetë kush të jetë, ai asht udhtar nga vendi i Iarget, mbasi kurrkush prej nesh nuk e din, ai e din sigurisht mirë rrugën ma të drejtë e ma të shkurtë që të na prijë. Si e çmoj unë, duket se asht shum njeri i mençëm, sepse hesht vazhdimisht dhe mendon. Ndonji tjetër i rrëmbyeshëm, do t’ishte përzie dhetë herë deri tash midis nesh ose do të kishte fillue me bisedue me cilindo qoftë, kurse, ai tash sa kohë rrin qyqe vetëm dhe vetëm hesht.

— Ta merr mendja, hesht burri i dheut dhe mendon diçka. Kjo s’mund të jetë gja tjetër veç shej se ai asht shum i mençëm — erdhën në përfundim dhe tjerët dhe zunë prap me e shique me vemendje të huejin dhe secili në të dhe në shiqimin e tij, zbuloi veti të shkëlqyeshme, nji provë se asht jashtzakonisht i mençëm.

Nuk e tjerrën gjatë dhe i bashkuen mendimet më nji se kishte me qenë ma mirë me iu lutë atij udhtari, të cilin, si thanë, vetë zoti e kishte dërgue me u pri në botë, që të kërkojnë krahinë ma të plleshme, që të jetë pris i tyne dhe ata ta ndëgjojnë pa kushte dhe t’i binden.

Zgjodhën dhetë vetë nga mesi i tyne, për me shkue te i hueji, me ia tregue qëllimet e mbledhjes dhe të rrethanave të tyne të mjera dhe me iu lutë që të pranojë me u ba pris.

Shkuen ata dhetë vetë, u përkulën përvuejtnisht para të huejit të mençëm dhe njani prej tyne zu me folë për tokën e paplleshme të krahinës së tyne, për vjetët e thatë, për gjendjen e mjerushme në të cilën ndodhen dhe përfundoi kështu:

— Kjo na shtyn që ta braktisim vendin tonë dhe shtëpin tonë, dhe ta marri botën në sy për të kërkue votër ma të mirë. Dhe mu tash kur na ra në mend nji ide kaq e lumtun, thuese dhe zoti pat mëshirë për ne e të çojë te na o jabanxhi i mençëm dhe i vlershëm, të na prijsh dhe shpëtojsh prej mjerimit. Na n’emën të të gjithë banorëve të lutemi që të bahesh pris i ynë dhe ku ti, na mbas teje. Ti din rrugët, ti sigurisht edhe ke lindë në nji vend mi fatbardhë e ma të mirë. Na kemi me të ndëgjue dhe me iu bindë çdo urdhnit tand. A dëshiron jabanxhi i mençëm me pranue që të shpëtojsh kaq shpirtna nga rrënimi, a dëshiron të jesh pris i ynë?

Jabanxhija i mençëm gjatë gjithë kohës së kësaj bisede të prekshme nuk e çoi as kryet. Qëndroi në të njajtën pozitë sikurse edhe e gjetën: e vari kryet, i mrrolshëm, hesht, o tërheq shkopin për toke dhe mendon. Kur mbaroi biseda, ai tue mos e ndryshue pozitën, shkurt dhe ftoftë mezi a lëshoi fjalën.

— Dëshiroj!

— A mundemi pra me shkue me ty dhe me kërkue kra- hinë mfi të mirë?

— Mundemi! — vazhdoi jabanxhija i mençëm tue mos e çue kryet.

Tash shpërthyen kënaqsija dhe deklaratat e mirënjohsis, por mendtari nuk tha asnji fjalë për to.

I kumtuen mbledhjes se e kishin krye misionin me faqe të bardhë, tue shtue se vetëm tash panë se çfarë mençmënije gjindet n’at njeri.

— As nuk luejti nga vendi, as kryet nuk e çoi barem të shohë kush po i flet. Vetëm heshtte e mendonte; për të gjitha bisedat e falenderimet tona i foli dy fjalë gjithsejt.

— Mendtar e jo mahi! Mençmëni e rrallë — bërtiten njerzit gzueshëm nga të gjitha anët, tue pohue se si vetë zoti si engjëll prej qiellit e dërgoi për t’i shpëtue. Secili ishte aq ngultas i bindun në sukses pranë njij prisi të këtillë, sa kurrgja në botë nuk do të mundte me ia kthye menden.

Dhe kështu tash në mbledhje, u vendos me u nisë qysb nesër n’agim.

(Faqja tjetër)