Tag Archive | pushtim

Andrra e çuditshme

I qofsha falë Zotit, çka nuk më shtihet n’adërr! Dhe njerzit tjerë, padyshim shofin andrra të marra e shapakote, por, ndoshta, nuk i shkruejnë, sikurse mue m’u ka ba disi mani që, posa ta shof ndonji andërr të çuditshme, menjiherë pendën në dorë dhe shkruej, që t’u japi rast edhe tjerëve me u çuditë.

Në mbramje më zu nji gjum i qetë dhe i thellë e andrra më çoi në nji kohë para njiqind vjetësh, mirëpo kjo kohë nuk asht ashtu sikurse unë dhe të gjithë na e kemi mësue prej historis, por krejt ndryshe. Nji send që n’andrrën time asht i barabartë me kohën e atëhershme, asht se Sërbija thuese nuk asht e lirueme dhe se në te sundojnë Turqit. E ndjeva vedin si mos me qenë n’andërr, por gjithçka më dukej si në zhgandërr. Turqit sundojnë Sërbin, kanë, si, ministrina, ente, organizim, nëpunës, gjithçka, si na sod. Beogradi po ai si edhe ky sod: të njajtat rrugë, të njajtat shtëpija, gjithçka nji soj, vetëm që ndër shum tregtiza dhe ndërtesa shtetnore mbishkrime truqishte e nëpër rrugë plot Turq, dhe na Sërbët, po ata që jemi dhe sod, ndeshemi me ta dhe i përshëndesim:

— Servus, Jusuf!

— Servus!

Kjo asht përshëndetja me të vobektit e tyne, me klasën ma t’ultë, por kur kalon tashma ndokush ma i mirë se ata ose bile pushteti, atëherë njeriu ulet në gjuj, heq kësulën dhe i palon syt për dhe. Gjaja ma e çuditshme asht se gjinden edhe Sërbë në policin turke. Ruena Zot, por kjo punë nuk m’u duk n’andërr aspak e çuditshme.

Ministrat dhe aristokratët kalojnë rrugës me çallma, me çibuka të gjatë, me hap të ngadalshëm, të mrroltë. Të gjithë përkulen deri në tokë para tyne për t’i nderue, kurse ata mëzi bajnë tenezyl me ia kthye përshëndetjen këtij dhe atij, të cilit ma me gëzim kishin me i ra në krye me çibuk dhe me i lejue që t’u falet nderës për at nderim me gjithë zemër e përulshëm.

Na po ata, të sotshmit, vetëm thuese nuk jemi qytetarë të lirë si sod, por raje që dridhet prej frigës edhe për kryet edhe për familjen edhe për pasunin e vet.

Turqit nuk na kursejnë aspak. Disa prej nesh i burgosin; do tjerë lidhin me vargoj të randë, disa i persekutojnë, disa i heqin prej shërbimit shtetnuer dhe çfarë zullumesh tjera nuk trillojnë për ne, rajen besnike dhe të bindun.

Po kështu prej thellsis së Sërbis mbërrijnë pa pra lajmet e zeza: se si ndonjanit prej popullit ia kanë rrëmbye pasunin, dikujt për tatim ia kanë shitë edhe shtëpin dhe çdo gja rreth saj; dike e kanë mbytë, dike e kanë ngulë në hu, dike e kanë përzanë nga vendi i lindjes. Princat i lidhin me pranga dhe i burgosin vetëm po ta çojnë zanin kundra dhunës dhe marrin tjerë që i levërdisin pushtetit t’egër turk; në faltoret e shejta i shtijnë policët e vet dhe i rrahin priftnit me kamxhikë, pa marrë parasysh kush janë, mjafton që nuk e përkrahin sjelljen e pamirë të Turqve.

— Deri kur kemi me durue kët përdhuni e zullum? — më pyeti, gjoja, njihërë nji mik i mirë imi, të cilin, teksa para dy tri ditësh, e kishin lirue prej burgut. Ky asht (ashtu si e njofta n’andërr) njeri i vobekët, guximtar edhe trim, por për shkak të sjelljes së tij ndaj Turqvet hoqi shum keq e vuejti, dhe shum Sërbë largoheshin prej tij që Turqit të mos i marrin mëni për shkak të shoqnimit me të.

— Eeeeh, çka mundemi me ba?! pëshpërita nëpër dhambë dhe vëzhgova ndër të gjitha anët që mos ta ndëgjojë kush bisedën tonë.

— Si çka mundemi me ba? — më pyeti ai dhe më shiqoi rreptë ndër sy.

— Kështu, çka mundemi me ba?

— Të luftojmë! — tha ai.

Thuese dikush m’i preu kambët me kosë, fillova cok me u luhatë dhe nga friga mezi bëlbzova:

— Me kend?

— Me Turqit, po me kend tjetër? — prap ai me ashpërsi.

Rrathë gjithfarë ngjyrash nisen me më luejtë para syve dhe u prapsova instiktivisht prej njifarë frige.

— Por, por p…. por… zuna me belbzue.

— Çka por, s’ka këtu por, duhet me luftue, dhe mbaroi puna — bërtiti miku im zemrueshëm dhe më la e iku.

Ndejta gjatë n’at vend, si i gurzuem prej çudis. Nuk mujsha me ardhë në vedi. N’at ças ia behi nji tjetër prej miqve te mij të mirë. U përshëndet dhe e çuditi brengosja ime, të hutuemit.

— Çka të gjet? — pyeti.

Ia tregova bisedimin me mikun e parë.

Ai qeshi fort dhe m’a rrahu krahun me dorë:

— Ha, ha, ha, ha, po vallë ti nuk e njef atë?… Ha, ha, ha, ha… Vallë a nuk e mban në mend se ai ka qenë gjithmonë ashtu në tri rrotë!… Çka thot: të luftojmë!… Ha, ha, ha, ha! Bukur, pasha Zotin. As ma pak, as ma tepër por na të dy t’i shpallim luftë imperatoris turke! Ha, ha, ha, ha!… Falë i qofsha Zotit, kqyre sa njeri i marrë! — më tha miku dhe zunë me iu mbushë syt me lot prej të qeshunit t’ambël.

— Njeri i çuditshëm — thashë.

— I marrë, nuk asht i çuditshëm. Don me e kthye lumin përpjetë dhe me u shitë trimni Turqve. Ai asht njeri i marrë. Çfarë dobije pat prej asaj pune? E burgosën, e hodhën ndër pranga, e rrahën — këto janë krejt qari i tij, përpos kësaj shkatrroi edhe vedin edhe familjen e vet, por këto të mos i shti në hesap. Gjinden ende kësi të fërflluemësh. Le të ngushllohet që ka ende kush me i ba shoqni — vërejti miku im dhe mandej zu me u qeshë përsëri.

— Ha, ha, ha, ha!… Luftë Sulltanit, ec e luej! — foli dhe u shkreh prap në gaz.

Tanë puna m’u duk edhe mue qesharake dhe filluem të dy me u qeshë.

Andrra asht send i çuditshëm, sepse kurrgja në të nuk asht e çansueme pikërisht, e çka asht edhe ma bukur çdo gja i duket njeriut e natyrshme, e vërtetë. Kështu ndodhi edhe me mue në kët andërr.

Thuese jam në Beograd e njikohsisht edhe në disa male, nëpër kodra, me njerëz të popullit, kurse në pyll t’errët, të gjanë, gjindet nji hotel i vetmuem, i mshefun, i shtruem bukur, elegant.

Ai miku im i fërflluem dhe luftarak, thirri si na tridhetë burra të njoftun prej të gjitha krahinave që të merren vesh çka me bë kundra zullumit turk. Turqit kishin fillue me ba prej ditës në ditë, prej çasit në çast, të këqija gjithnji ma të mëdha e ma të mëdha, kështuqi na u desht medoemos me vu gishtin në krye seriozisht e me mendue: Çka me ba për kët mjerim të përgjithshëm të popullit.

Në nji dhomë të shlirshme të njij hoteli u mblodhëm na dhetë vetë dhe kuvenduem, tue pi melanzhë, në lidhje me gjanat e rëndomta të përditshme, tue pritë tjerët.

Unë jam si profesor në nji shkollë, dhe tregova se si n’orën e ardhshme do të jap mësim për gypat e Toriçelit; nji tregtar tregoi se si Turqit bajnë ma tepër pazar në dyqanin e tij se sa Sërbët; njani prap, nuk e di çka ishte, tregoi se si dje e goditi nji macë dhe e theu nji shkop shum të bukur; por, tha, ka me e ndreqë. Nji katundar tregoi se si dosa ia hanë zogjt e pulave, dhe çuditet burri i dheut çka me ba me te, e pra asht dosë e mirë dhe prej sojit të mirë.

Ndërsa na bisedojshim kështu, nji nga nji erdhën edhe burra tjerë të njoftun, që janë thirrë në kët mbledhje të msheftë të randsishme.

Erdhën ende dhetë vetë, ndejtën pak dhe filluen me mbërrijtë kartë — vizitat me përmbajtje: „Nuk muj me ardhë për shkak të njij pune me randsi. Pranoj çdo gja që keni me vendosë…” „Jam i penguem prej punës; pranoj çdo gja që të vendosni.” „Më duhet me shkue patjetër te rrobaqepsi për t’i ba provë petkat, më falni për sod…” „Më vjen keq që nuk muj me ardhë, sepse nuk kam çare pa shkue në stacion për ta pritë tezen. Ka lajmrue se vjen sod me ferovi”. — dhe tashma gjindeshin gjithmonë arsyena të randsishme që penguen edhe njerzit tjerë të njoftun, të thirrun me ardhë në kët mbledhje.

Tueqenëse nuk kishim tashma kend me pritë ma tepër konvokatori u çue dhe filloi me za të dridhshëm:

— Nuk kanë ardhë të gjithë. Nuk kanë dashtë as nuk kanë pasë guxim, njisoj. Mujmë edhe na njizët vetë në njizet krahina të vendit tonë me ba shum. Zullumi dhe përdhunija turke e kanë kalue çdo masë. Matej s’ka ku me shkue, as që mund të durohet. Kurrkush prej nësh nuk e ka t’ë siguruem kryet në trup e lene ma pasunin. Po vallë në heshtje, duerkryq dhe kryeulun të presim kur do të na vijë rendi që kryet të na rrokulliset nëpër ledinë; ose të përbuzim nderin e familjevet tona dhe t’i lëshojmë Turqit për shkak të jetës sonë dhe të njij cope bukë, të na i çnderojnë vajzat dhe grat, të na i rrenojnë kishat, të na rrahin me kamxhikë nëpër rrugë; ose, ndoshta, t’i përkdhelim ata mizorë e të lavdojmë zuilumin e tyne që të mujmë me jetue rahat? Çka duhet edhe ajo jetë. Çka na duhet mëndafshi e ari kur ta humbim fen dhe kombsin, nderin dhe fytyrën? Jo, vllazën, kështu nuk mund të durohet ma. Kjo gjendje nuk mund të qëndrojë ma gjatë!

— Nuk mund të qëndrojë!… Gjepura. Asht lehtë me thanë nuk mund të qëndrojë, por kush t’i ndëgjon fjalët? Çka mundesh me ba? Flet si me qenë Cari i Rusis që teksa t’u bërtasish Turqve: „Nuk duhet me ba ma kështu”, ata të gjithë në gjuj para teje. Po të pyes ty: Çka do të mujmë me ba, ti dhe unë, na të gjithë? — ia preu fjalën njeni prej nesh që dallohej për urtsi e matuni.

— Na mujmë shum dhe poqese kërkojmë me u ba ma mirë, ma mirë dhe ka me u ba. Dëshira jonë mundet për nji çast me u ba urdhën.

Disa prej njerëzve të njoftun i rrudhën krahët dhe, tue u shique ndër vedi me shprehjen e fytyrës thuese pyesin shoqishojnë dhe i përgjigjen njani tjetrit, u tmeruen prej frigës: „Çka ka ky njeri? Zoti, qoftë lavdue, e din?” I shkëmbyen përseri shiqimet dhe tash shprehja e fytyrës foli: „Njeri i marrë!”

Nji tjetër prap, tue ndejtë karshi tij, me brryla në tavolinë, syt gjysëmçelun, e shiqonte, në të vërtetë e matte, disi trishtueshëm pa folë kurrgja, gjatë, dhe vetëm atëherë i hapi syt nji trokë ma tepër dhe e shiqoi me bisht të synit disi përbuzshëm me nënçmim dhe pëshpëriti nëpër dhambë kadalë dhe zgjatueshëm:

— Eeeeh!… mandej e ktheu kryet dhe me njifarë mërzije zu me i ra tavolinës me gishta.

— Jeni tue kuvendue! — tha prap njani nga qoshja ironikisht.

Ai që u dallue për urtsi e matuni u çue dhe u ndal përpara shokut tonë të vrullshëm, i kryqzoi duert në krahnuer dhe zu me e matë prej majës së kres deri në fund të kambëve, si njeri plot përvojë, që flet me nji djalosh të pamarrun vesh.

— Bukur, të lutem, pse kemi ardhë këtu dhe ç’ka don ti?

— Na kemi ardhë që të merremi vesh më çfarë mënyre do t’i japim fund përgjithmonë kësaj tiranije, kësaj përdhunije turke. Këtu jemi mbledhë gadi njerzit ma të njoftun nga tanë vendi, që së bashku të kërkojmë ilaç! — përgjegji konvokatori me za të matun, plot besim se ka me u ba mirë.

— Mirë, këte e dëshirojmë edhe na!

— Kur e dëshirojmë çka presim ma tepër?

— Ruejmë kot krenat, kurse edhe ato kemi me i humb, por atëherë kur ta humbim edhe nderin dhe fytyrën! — u nxe ai i pari dhe i ra tavolinës me grusht aq fort sa shum vetë u larguen pak ma tutje.

— Ma mirë rob nga nji herë se gjithmonë i vdekun! — hodhi fjalën dikush.

— Leni, ju tjerët, që na të kuvendojmë ma së pari — na tha i matuni dhe mandej iu kthye prap të vrullshmit me fjalë:

— Mirë, të lutem thuejmë ti mue çka mendon se duhet me ba? — pyeti ftoftë dhe plot takt.

— Të çojmë krye kundra Turqve. T’i ngrehim njerzit, secili në krahinën e vet, dhe t’i mbysim edhe na ata, sepse ata po na mbysin që po na mbysin. Tjetër ilaç nuk ka as nuk mundet me pase!

Disa u qeshën prej atyne fjaleve te rrepta e të flakta si në nji punë fëmijsh, disa vëzhguen frigueshëm rreth vedit, kurse disa banë shakana te randa e therrse n’adresë t’alij fjalimi jo të rëndomtë

— Mirë, ti po thue që të çojmë krye, a? —  pyeti i matuni.

— Të çojmë krye! — përgjegji ai ngultas dhe në sy i shëndriti shkëndija.

— Me kend, hajt de, me kend!?

— Unë, ti, ky, ai, na, na të gjithë, populli!

— Çka po flet dokrra?… Ku asht populli, me kend je marrë vesh?

— Me ty, me këta burra, këtu.

— Po çka jemi na?

— Si çka jemi?

— Ashtu, të pyes!

— Njerëz.

— Vërtet jemi njerëz, por sa gjindemi këtu?

— Njizet.

— Këte ma thuej. Njizet, ta merr mendja, po këta s’janë kurrgja! Ha, ha, ha!… Njizet.

— Këta janë shum — vikati i vrullshmi, sepse na njizet i qërojmë njizet Turq në njizet vende të ndryshme dhe secili prej nesh mund të ketë barem nga tre shokë të mirë e besnikë, e secili prej tyne mundet me e ba po at punë. Vetëm të fillojë se mandej kanë me hy ende të pakënaqunit dhe hakmarrsit, të cilëve zaten iu ka ardhë shpirti në maje të hundës. Le të bahet tym’e flakë dhe çka të japi Zoti. Vetë ngjarjet kur fillojnë me u zhvillue kanë me tregue rrugën e drejtë nëpër të cilën duhet me shkue.

Shum vetë u qeshën me përbuzje, kurse ata të matunit e shiquen me bisht të synit, tue tundë kryet thuese u vinte keq për të për nji mosgjykim kësisoji dhe thanë:

— Fët e fët, hidhemi na njizet dhe i mbysim njizet Turq, kurse ata tjerët i kapë friga dhe disa ikin n’Azi, disa hidhen n’ujë.

— Të gjithë jeni qyqana — vikati ai vrullshmi dhe i ra tavolinës me grusht.

— Mirë, të lutem; qe, po e pranoj planin tand, dhe po bahemi me ty të gjithë na këtu. Mirë, na jemi njizet dhe në rastin ma të mirë, secili prej nesh të mbledhi ende nga dhetë shokë, këta bajnë dyqind, po e zamë se ndodh rast i rrallë — hajt mirë, mundet edhe kjo me ndodhë — secili mbyt nga dy Turq në çdo vend; të thomi se këtyne dyqindve u bashkohen edhe aq. Animirë — Turqit rrijnë që t’i mbysim edhe aq prej tyne si mizat — në fund çka kemi ba me kët punë?

— Shum.

— Shum, por për të keqen tonë. Zemrojmë vetëm Turqit e Sulltanin dhe atëherë kqyr ku me e strukë kryet. Atëherë, ti kishe me pa, i dashtuni im, sa i urtë asht propozimi yt.

— Athue populli, ndoshta, nuk ka me u bashkue me shokë kur të shofi se ka fillue lufta? As na nuk kemi me u shtri në rrugë që të na shkelin Turqit, por kemi me luftue ndër prita.

— Populli, populli!… Flet si fëmi. Nuk bahet kjo punë kështu, or i dashtuni im! Të luftojsh! Bukur, hajde, të gjithë të luftojmë. Po grat e fëmijt t’i varrim për gozhdë, a? Apo t’i lamë që t’i pjekin Turqit? Qe, ti ke fëmi, po kështu edhe i dyti, i treti. Nesër vritesh, e familja?

— Nuk kemi me u vra të gjithë. Nuk due me mendue për at punë. Si t’urdhnojë Zoti.

— Paj për çka të mendoj?

— Që të luftojmë dhe le të dali ku të dali.

— Ti prap je tue folë si fëmi. Të luftojsh, të luftojsh dhe nuk i mendon rrjedhimet? Qe, edhe për këte po lëshoj pe; hajde, kurr kush të mos i prekë familjet dhe !e te ndodhi rasti ma i mirë që Turqit të flejnë nji muej dhe na t’i bashkojmë edhe njizet mijë luftarë, po me çka mandej do të luftojmë?… Ku i ke armët, ku asht baruti, plumbi, ushqimi për ushtarë? S’e kemi nji grosh, të vorfun në pikë të fundit, raje. As bukë, as bylmet, as armë, as xhephane — dhe të luftojmë!

— Këto gjinden kur të shtrëngohen burrat — tha ai entuziaste.

— Gjinden. Bukur, qe, edhe këte po e zamë se asht ashtu, megjithse asht e pamundun. Animirë, ke njizet mijë ushtarë me armë të mira, ke topa dhe topxhi të mirë, ke ushqim, xhephane, çdo send. Po çka?… Prap kurrgja. Dyndet ushtrija e mbretit e na shkel për nji ditë, dhe çka bamë? Faqen e zezë e emnin Jakup… aq njerëz do të kishin me u varrë dhe ngulë ndër huj, aq familje do të kishin me shkue nën shpatë e edhe ata që do të teprojshin, kishin me heqë vuejtje ma të këqija se sa tash. Kështu asht kjo; lene që prej gjithë kësaj pune s’del kurrgja, por kur na disa sulmojmë, mbytëm s’mbytëm kend, Turqit do të na mbysin të gjithë neve dhe do të na zhbijnë deri në brezin e nandë.

— Paj të vritemi, dhe kështu jeta nuk na duhet!

— Ti nuk je vetëm. Ke familjen tande. Ti nuk i përket vetëm vedit, por duhet të kujdesesh edhe për familje.

— Ta merr mendja, s’asht kurrgja kjo punë me vdekë kot pa sukses të sigurt? Përmateper jo vetëm me vdekë, por me mbytë edhe familjen, për të cilën duhet të kujdesemi patjetër — mori fjalën njani.

— Paj për te nuk duhet as me folë — tha tjetri.

— Sikur t’isha vetëm, të vritem, niiherë vdes burri, por kam nanën, që s’ka kush e kqyr — tha i treti.

— More ti nanën, kurse unë përpos nanës gruen dhe pesë fëmij! — tha i katërti.

— Unë e kam motrën për të cilën kujdesem! — tha i pesti; nuk po çaj kryet për vedi, por kisha me e mbytë edhe atë mo marrin time.

— Unë gjindem në detyrë shtetnore dhe me këte ushqej edhe prindët pleq edhe familjen! Nuk asht nevoja të më mbysin, por vetëm të ma marrin kët kore bukë, të cilën e fitoj me nderë dhe jemi të mbytun edhe unë edhe familja ime. Ta pyesim vedin? pse të gjitha këto? Për marri! Ku ka ba vaki që njizet vetë ta nisin luftën me rajen që s’ka bukë me hangër kundra njij organizimi carist dhe ushtrije të fuqishme. Do t’ishte ma mirë për mue ta marr revolverin dhe ta vras vedin; dhe kjo punë asht ma e urtë, atëherë, së paku, nuk do të ma kishin ngucë familjen — dëshmoi i gjashti.

Edhe unë gjeta gjithashtu nji arsye të randsishme për shkak të detyrës shtetnore.

Njani tha prap:

— Unë, vërtet, jam i vetëm, por kam edhe unë, si njeri, detyrimet e mija personale, që më pengojnë. Kryet tem nuk e ankoj, por për nji punë t’urtë dhe jo me vdekë marrisht dhe me kët punë me i sjellë dame çashtjes së përgjithshme. Asht nevoja me punue n’at punë, por me shum mend dhe me kujdes.

— Ashtu asht — miratuem.

— Ju lutem, për të as që mund të bisedohet, së paku ndër këto rrethana, kur tereni nuk asht i përgatitun. Kjo do të thonte peshku në det e tigani në zjarm. Nuk gjindet asnji prej nesh të cilit nuk ia don zemra të mirën e këtij vendi dhe mu për kët arsye asht nevoja me pimue me plan, me organizim, shkallë-shkallë, me themel. Kjo punë asht si ujë i qetë që shemb bregun. Por, vllazën, ta lamë me nji anë ate që asht e pamundshme dhe të shofim çka mundemi me ba në këto dit të vështira; të bisedojmë për të gjitha dhe të mendojmë mirë për të gjitha — zu me spjegue ai i urti dhe i matuni.

— Ashtu asht — i miratuem me loçkë të zemrës arsyenat e njeriu të prashëm, serioz, plot përvojë dhe ton diplomatik.

— Me ba kryengritje asht punë e madhe dhe e randë, por duhet me pasë në mend dhe me mujtë me parashique të gjitha rrjedhimet qofshin të mira, qofshin të këqija për popullin tonë dhe me vendosë pikërisht: a ka kuptim me ba aq flijime apo asht ma mirë e ma me mend me e shty ket punë për nji moment ma të përshtatshëm. Dhe kët pune me e përsiatë bile edhe atëherë kur kryengritja të jetë përgatitë me dheta vjet. E tash le të shofi shoku ynë i ndershem çka duhet krejt ne kët punë nëqoftëse mendojmë me fillue me mend:

1) Duhet me themelue këshill të veçantë dhe në çdo vend nënkëshilla, që duhet të përgatisin dhe në të vërtetë ta edukojnë popullin për kryengritje:

2) Lypet me mbledhë msheftas pare prej popullit që të formohet fondi për blemje armësh dhe gjanash të nevojshme luftarake dhe për këte kishte me u dashtë ma së paku nji shumë prej nja dhetë miljonësh;

3) Gjithashtu duhet me themelue fondin vejan dhe për mbajtjen e fëmijve të pafuqishëm, mbetë pa prind, që vriten në luftë. Ky fond lypet me qenë diku jashtë shtetit e në bankë të sigurt dhe duhet pa çare me pasë ma së paku njiqind miljon, që, familjet tona të hikuna të munden me jetue përjashta si u ka hije.

4) Me themelue fondin e invalidëve dhe të spitalit. Dhe këtu duhen shuma kolosale. Ndokush e humb dorën, kambën dhe të mos jetë i detyruem me lypë lëmoshë, por të ketë prej kah me u mjekue dhe me u mbajtë si duhet.

5) Me iu sigurue pension luftarëve, sepse çdo luftar për pesë vjet mundet me u qitë në pension: „Luftari në pension”. Nuk asht as e drejtë që i dërmuem, i lodhun prej mundimeve të luftës, të vdesë në mjerim e në skam, por të shkojë burri i dheut ndokund përjashta që, së paku den të vdesi, të rrnojë me lezet.

6) Asht e nevojshme me përgatitë dy tri shtete të forta kufitare që të na ndihmojnë në rasë se ndërmarrja jonë nuk do të ketë sukses.

7) Kur të përgatisim për kohën e parë barem gjashte mijë luftarë t’armatosun dhe të stërvitun mirë atëherë lypet me nxjerrë tinzisht nji gazetë patriotike që njerzit t’informohen mirë.

— Ashtu asht!… u ndie zani i shumicës.

— E, zotni, mue më falni — tha nji tregtar — kam punë në dugajë. Pranoj çka të vendosni.

— Mue m’udhton xhaxhesha me vapor dhe s’kam çare pa e përcjellë! — thashë e nxorra orën dhe shiqova kohën.

— Mue më duhet medoemos që ta nxjerri gruen me shetitë. Më falni dhe pranoj ate që vendosni! — tha nji nëpunës dhe kqyri orën.

— Ndaluni, burra! Mos shpërndaheni derisa ta caktojmë çka kemi me ba me gazetën — u ndie zani i dikujt.

— Kjo punë asht e lehtë. Gjaja me randsi asht që të gjithë t’i përputhim mendimet, që mbasi të bahen të gjitha ato përgatitje, të cilat, kuvendtari i ndershëm i radhiti urtsisht dhe me taktikë, me e nxjerrë gazetën patriotike! — thashë.

— Ashtu asht, ashtu asht — u ndie nga të gjitha anët.

— Atëherë t’i zgjedhim tre vetë që të mendojnë mirë për tanë at punë, edhe që ta shkrujenë programin e hollsishëm të gazetës, të cilën kishte me u dashtë me e quejtë Lufta!

Lufta e përgjakshme —  propozoi dikush.

Lufta e përgjakshme — përgjigjen zanet gjimuese nga të gjitha anët.

— Ani mirë, në mbledhjen e ardhshme, ata tre vetë, që kemi me i zgjedhë, duhet të na paraqesin nji plan të hollsishëm dhe orientimin e gazetës, e cila ka me dalë teksa të bahen të gjitha ato përgatitje me prekosion — thashë dhe n’at çast u tranda dhe u zgjova.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)