Tag Archive | njerëz

Prisi (3/3)

(Faqja e meparshme)

Kështu kaluen ditën e parë dhe me të njajtin sukses kaluen edhe disa dit. Kurrgja me randsi të madhe vetëm pengesa t’imta: rrëxohen befas në hendek, në vija uji, ndeshin në kerrme nëpër driza dhe laske, disa prej tyne thejnë kambën ose dorën, dikush then kryet, por të gjitha këto vuejtje i durojnë. Disa pleq mbaruen, por kanë qenë me të vërtetë pleq. „Do të kishim vdekë edhe sikur të kishim ndejtë në shtëpi e lene ma në rrugë!” — tha ai kuvendtari dhe u dha zemër njerëzve me vazhdue rrugën. Disa fëmij ma të vëgjel, nga nji ose dy vjeç, mbaruen, por prindët shtrënguen zemrën, sepse ashtu ishte vullneti i zotit, sa ma të vegjël janë fëmijt edhe dhimbja asht ma e vogël: „por mos e dhashtë zoti që prindët të presin me humbë fëmijt kur bahen për martesë. Kur asht e shkrueme me vdekë ma mirë sa ma parë, sepse ma pak dhe dhimbje” — ngushllonte prap ai kuvendtari. Shum çalojnë dhe hecin tue u luhatë, disa pështollën kryet me mahrama dhe vunë peca të ftofta në gunga, disa mbajnë dorën në marhamën e varun për qafe, të gjithë u shkyen e u rreckosën dhe iu varren rreckat pët petka, por prapseprap shkojshin gjithnji larg e ma larg. Të gjitha këto do t’i kishin durue ma lehtë veç uja shpesh i mundonte. Mirëpo duhej shkue përpara, pa çare.

Nji ditë ndodhi diçka ma me randsi.

Prisi shkon përpara, pranë tij njerzit ma trima (dy ma pak. Për ta nuk dihet se ku gjinden. Mendimi i përgjithshëm asht se kanë trathtue e kanë ikë. Në nji rast ai kuvendtari dhe foli për trathin e tyne të turpshme. Prej tyne pak kush mendon se kanë mbarue në rrugë, por heshtin dhe nuk çfaqin mendimin që njerzit të mos frigohen) mandej tjetër me rend. Përnjiherë u duk nji greminë plot me gurë, tepër e madhe dhe e thellë — humnerë e vërtetë. Bregu aq i rrëpintë sa nuk mujshin as me ecë përpara. Dhe njerzit ma trima u ndaluen dhe e shiquen prisin. Ai, kryevarë, mrrolshëm dhe mendueshëm, hesht dhe ec përpara me guxim tue trokitë me shkop para vedit herë majtas herë djathtas simbas zakonit të njoftun dhe kjo, sikur thonë shum vetë, e bani dhe, ma madhështuer. Kërkend nuk shiqon, nuk flet kurgja, në fytyrën e tij kurrfarë ndryshimesh, as gjurmë frige. Gjithnji mi afër humnerës. Deri edhe ata ma guximtarët mbi guximtarë u zbenë në fytyrë si kërpa dhe kurrkush nuk guxon me i ba as vrejtjen ma të vogël prisit të mençëm, t’ashpër, dhe trim. Edhe dy hapa dhe prisi te humnera. Të friguem para vdekjes, me sy të zgurdulluem, të gjithë u prapsuen, kurse ma guximtari taman deshti me e ndalë prisin makar dhe tue shkelë disiplinën, por ai hodhi nji hap, dy hapa dhe u plandos në humnerë.

U ba pshtjellim, kukamë, poterë, mbretnoi friga. Madje disa filluen me ikë.

— Ndali, ku po nxitoni, vllazën. A thue ashtu mbahet fjala e dhanun? Na duhet të shkojmë përpara mbas këtij njeriu të meçëm, sepse ai e din çka ban. Nuk asht ndoshta i marrë. Përpara mbas tij! Ky asht rreziku dhe pengesa ma e madhe, por ndoshta dhe e fundit. Kush e din që mu këtu, mbas kësaj gremine, nuk gjindet ndonji tokë e bukur dhe e plleshme të cilën zoti e ka destinue për ne. Vetëm përpara, sepse pa flijime s ka kurgja! — Kështu foli ai kuvendtari, i bani dy hapa përpara dhe u zhduk në gremin. Mbas tij ata ma trimat dhe mbas këtyne vrapuen të gjithë.

Krisi kukama, gjëmimi, zunë njerzit me u rrokullis e me rënkue nëpër bregun e rrëpintë të kësaj greminë të madhe. Njeriu kishte me ba be se kurrkush gjallë, dhe lene ma shëndoshë e mirë, nuk mundet me dalë prej kësaj humnere. Por jeta e njeriut asht e fortë. Prisi pat fat të rrallë, tue ra, u ndal, si gjithmonë, në njifarë kaçube e nuk u vra dhe ia doli që të shpëtojë kadalë e të dalë në breg.

Ndërsa poshtë filluen me u përhapë kukama e gjama ose ndëgjohej gjëmim i marrun, ai ndejti i palëvizshëm. Vetëm hesht e mendon. Disa poshtë të lënduem, dhe të zemruem filluen dhe me e sha, por ai as kësaj pune nuk i vuni veshin.

Ata të cilëve tue u rrokollisë u këndoi huti dhe u ndalën ndokund në kaçubë ose dru, filluen me dalë me mundim prej greminës. Dikush theu kambën, dikush dorën, dikush theu kryet dhe gjaku i rridhte nëpër fytyrë. Secili nga diçka, pos prisit, kurrkush i tanë. E shiqojnë prisin mërzitshëm, shtrembët dhe gjimojnë nga dhimba, por ai as kryet nuk e çon. Hesht e mendon, si çdo mendtar!

Kaloi ende do kohë. Numri i udhtarëve gjithnji zvoglohej. Çdo ditë e përfshin ndokend; disa e landë nji rrugë të këtillë dhe u kthyen dalë.

Nga numri i madh i udhtarëve mbetën edhe nja njizet. Secilit dëshprimi dhe dyshimi i pasqyrohen në fytyrën e hajthme, të dromitun prej mundimit dhe ujës, por kurrkush nukl flet ma kurrgja. Heshtin si prisi dhe ecin. Madje edhe ail kuvendtari i flakët e luen kryet dëshprueshëm. E randë ka qenë kjo rrugë.

Prej njij dite në tjetrën edhe prej këtyne filloi me u paksue numri dhe mbetën nja dhetë shokë. Fytyrat i kanë edhe ma të dëshrueshme dhe gjatë gjithë rrugës, në vend të bisedave, ndëgjohen kukamë e britem.

Tasht ishin ma tepër përbindsha se njerëz. Ecin me kukza, i kanë varrë duert ndër marhama të lidhuna rreth qafës. Në krye mori lidhcash, pecash e teftikë. E, sikur edhe bash të dojshin me durue flijime të reja, nuk mujshin, sepse në trup nuk pat vend për plagë dhe kontuzione të reja.

Tashma e humbën besimin dhe shpresën edhe ata ma guximtarët ma të qëndrueshmit, por megjithatë ecin, vazhdojnë rrugën, don me thanë lëvizin në njifarë mënyre me mundime të mëdha tue kukatë e gjëmue nga dhimbja. Paj dhe çka u ka mbetë tjetër kur me u kthye s’mujnë. Vallë kaq flijime dhe tash me e pre udhtimin?

U ngrys. Gjindja luhatet ashtu ndër kukza, dhe kur shiquen prisi nuk ishte para tyne. Çitën edhe nga nji hap e të gjithë ranë përsëri në greminë.

— O kuku, kamba!… O kuku, nana ime, dora! Kuku! — filloi me u hapë kukama dhe mandej vetëm rënkime, dënesë dhe gjimime. Nji za i marrun e shau madje dhe prisin e lavdishëm dhe heshti.

Kur u gëdhi, prisi rrinte poashtu sikur edhe at ditë kur e zgjodhëm për pris. Kurrfarë ndryshimesh nuk vëreheshin në te.

Nga gremina duel ai kuvendtari dhe mbas tij edhe dy tjerë. Vazhduen rreth vedit kështu të shëmtuem dhe të përgjakun për të pa sa kishin mbetë prej tyne, por veç atyne treve s’gjindej kush tjetër. Friga e vdekjes dhe deshprimi e mbushën shpirtin e tyne. Vend i panjoftun, breguer, gur i thatë dhe rrugë kurrkund. Para dy ditësh kishin kalue nëpër rrugë dhe e kishin lanë. Prisi ashtu i kishte udhëheqë.

Menduen për aq shokë e miq, për aq farefis, që sharruen në kët rrugë çudëbase dhe i kapi nji dëshprim ma i madh se dhimba ndër gjymtyrët e sakatuem. Shiquen me syt e vet shkatrrimin e tyne.

Ai kuvendtari iu afrue prisit dhe filloi me i folë me za të molisun, të dridhshëm plot dhimbje, dëshprim e idhnim.

— Kah do të ia mbajmë?

— Kah po na çon dhe ku na ke pru? Na së bashku me familjet tona të besuem dhe u nisem mbas teje, i lamë shtëpijat e të parëve tonë, që të mujshim me shpëtue prej shkatrrimit n’at krahinë të paplleshme, kurse ti na shkatrrove edhe ma keq. Dyqind familje i kemi pru mbas teje dhe tash numroj edhe sa kemi mbetë!

— Po a nuk jeni topton, a? — mezi foli prisi tue mos e çue kryet.

— Edhe po pyet, a? Çoje kryet, shif, numroj sa kemi mbetë në kët rrugë të pafat! Shiqo si jemi edhe na që kemi mbetë. Ma mirë mos të kishim mbetë se sa të përmendemi në kët shkollë.

— Nuk muj me shique!

— Pse?

— Jam qorr.

Mbretnoi qetsija.

— A në rrugë e ke humbë të pamit, a?

— Jo kam lindë qorr.

Ata tre varrën kryet dëshprueshëm.

Era e vjeshtës ushton tmershëm nëpër mal dhe mer me vedi gjethet e thata, nëpër kodra mbështjellet mjeglla, dhe nëpër ajrin e ftoftë e të lagët shushorojhë krahët e korbave; fillon me u përhapë krrokitja keqndjellse. Dielli asht mshehun mbas reve që rrokuilisen dhe që ngarendin ngutshëm diku larg, larg.

Ata tre shiquen njani tjetrin me frigë si para vdekjes.

— Kah t’ia mbajmë tash? — foli njani me za vorri.

— S’e dijmë.

 

Burim: Radoje Domanoviq, Satirat, Rilindja, Prishtinë 1960. (Përkth. Mehmet Hoxha)